VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

OSMAN KAZAZI, NJË BUST I VOGËL PËR 40 VITE BURG!

Nga AGRON SEJAMINI


E Premte, 01.21.2011, 01:00pm (GMT1)

Busti i Osman Kazazit nuk është as sa një dritare e pallatit përbri... Kur statuja e kësaj legjende duhej të ishte mbi lartësinë e atij pallati 12 katësh. Pse? Sepse ne shqiptarët harrojmë shpejt!

Gjithsesi, ai pallat më e shumta mund t'i bëjë hije atij busti, sepse frymën nuk mund t'ia marrë kurrë!

Tashmë në ekranet e televizorëve me ngjyra, sa një faqe muri dalin të gjithë... Le të dalin! Le të flasin! Le të ulërasin! Por, të mos harrojnë se këtë "nder" e kanë prej Osman Kazazit!

Nëse nuk i përkulen për falje dhe mirënjohje, të paktën të mos bëjnë zhurmë se e lëndojnë në prehjen e tij të përjetshme...

Djalë i vetëm, vëlla i pesë motrave. Si dritë syri që ishte kujdesi dhe dashuria e gjithë familjes shkonte për të. Dëshira që ai të bëhej me shkollë i detyroi prindërit që ta çonin në Shkodër, për të vazhduar studimet katërvjeçare në gjimnazin Jezuit. Në vijim, edhe më shumë përpjekje e sakrifica, derisa e regjistruan në Fakultetin e Farmacisë pranë Universitetit të Romës. E filloi, por nuk e mbaroi... Në vitin e fundit, kur do të mbronte diplomën lë Italinë për Shqipërinë. Nuk ndiehej mirë, as shpirtërisht, as moralisht. Vjen në Tiranë dhe bashkohet me nacionalistët, duke u bërë pjesë aktive e organizatës politike "Balli Kombëtar". Shkruan, agjiton dhe propagandon për çlirimin kombëtar e shoqëror, për një Shqipëri të përparuar dhe demokratike. Objektiv që do të realizohej nga bashkëpunimi me të gjithë shqiptarët. Ishte momenti kur jo vetëm do të çlirohej, por dhe mund të korrigjoheshin poshtërsitë e bëra në dëm të kufijve të Shqipërisë. Mirëpo fara e kuqe komuniste kishte ardhur nga Jugosllavia. Filluan të ndjehen pasojat e përhapjes së ideologjisë komuniste. Ndaj, bashkë me shokët, inicion në gusht të vitit 1943, Konferencën e Mukjes. Qëllimi final: Të bashkoheshin forcat nacionaliste dhe komuniste në një Komitet të Bashkimit Kombëtar. Jo vetëm këtë marrëveshje që nuk e respektuan komunistët e dirigjuar nga jugosllavët, por u nxitën prej tyre për të nisur edhe vëllavrasjen. Humbi Balli Kombëtar, idetë nacionaliste dhe ato demokratike. Humbi vetë Shqipëria! Tani kuptohet dhe besohet pasoja, pasi në vitin 1945 komunistët nën flamurin e shporrjes së nazifashizmit, nisën festën e fitores së madhe. Festa, por dhe fshesa e shfarosjes nacionaliste.

Eliminoheshin si armiq njerëzit e shkolluar në Perëndim, të cilët ishin kthyer në atdhe për të ngritur Shqipërinë e re demokratike. Pushkatohej, burgosej, internohej: Dija, kultura, përparimi, zhvillimi e mbi të gjitha liria...

AGRON SEJAMINI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.