E Enjte, 03.28.2024, 10:41pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

MËSUESIT E SHQIPES QË 70 VJET MË PARË NISËN PROFESIONIN NË KRAHINËN E ULQINIT

Nga PERTEFE LEKA


E Djelë, 03.06.2011, 06:05pm (GMT+1)

Në vitin shkollor 1941-1942, Ministria e Arsimit nën drejtimin e Ernest Koliqit, emëroi shumë mësues në Kosovë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë që kishte mbetur jashtë kufijeve të 1913.
Mësuesi Jahja Domnori, nga Shkodra, u emërua për zonën e Ulqinit. I pajisur me nje kulture te gjere pedagogjike dhe me një përvojë të mirë pune në hapjen e shkollave te reja, si në Dibër, Vlorë, Durrës e në Shkodër, iu besua një detyrë me rëndësi. Në Ulqin, ai do të kryente detyrën e Drejtorit dhe Inspektorit të zonës. Duke pasur në varësi të gjitha rrethinat e Ulqinit, kishte nevojë për mësues të përgatitur dhe të ndërgjegjshëm, pasi njerëzit atje ishin të etur për shkollën shqipe e cila deri atëhere ishte e ndaluar. Këtë detyrë e mori përsipër vetë inspektori i zonës, mësuesi Jahja Domnori, që të zgjidhte mësues nga familje të nderuara intelektuale, duke shfytëzuar njohjet që kishte me ta. Mësuesi J. Domnori, ishte njohur me babanë e Prenkë Jakovës, Kolën, kur ishin bashkë në luftën e Koplikut, me 1920. Kola, me origjinë nga Gjakova, ishte ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni sllav. Dy familjet kishin ruajtur një miqësi të sinqertë. Për këte, trokiti në derën e gjakovarëve, për të inkuadruar djalin e tyre, Prenkën, në këte detyrë fisnike. Më mirë e përshkruan vetë Prenka këte lidhje në kujtimet e tij. Ai kishte respektin me te madh per zotni Jahon (kështu e thërriste Prenka). Ke andje t'i lexosh ato shënime, me një gjuhë të bukur shkodrane, ku Prenka u ka dhënë melodinë e shpirtit. "Nji ditë, tek po lexojshe diçka në revisten "Hylli i Drites", në oden e vogël u fut nana Rozë, me duert e saja tanë shkumë sapunit e tanë preokupim, e më thotë se ka ardhe nji mik i shtepisë tonë, Jaho Domnori, që ishte drejtor i shkollës fillore të Ulqinit. Une tue e njoftë mirë Jahon, lashë librin e dola menjëherë në oborrin tonë të vogël, ku nana Rozë e kishte vendue ne nji karrike thuprash. Pasi u falme me njeni-tjetrin, ai me propozoj që të shkojshe si mësues në katundin e Katërkollit, në Anë të Malit, se në ate zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodret, si Viktor Kicin, Prenke Shiroken, Shuk Shllakun, Ramadan Millen, Zef Berishen e shumë të tjerë.
Unë si me marifet ja hodha fjalën, për me më marrë në Ulqin, e aj plot deshirë, me premtoj, se do ta realizonte këte deshirë, por në të ardhmen. Meqë të gjithë mësuesit që më përmendi Zotni Jahoja i njifshe mirë, pranova pa ma të voglin hezitim. Nana tuj i prue nji kafe tarnake, e tuj fluturue prej gzimit, e falnderonte zotni Jahon për interesimin e tij. Ajo ju lut edhe për vllaun tem, Çeskun, për me i gjetë nji vend edhe atij, se i pelqente natyra dhe puna si mësues" (nga kujtimet e P.Jakoves).
Pa urdhra nga lart, por me një bisede të hapur e të sinqertë drejtori i shkollës e zgjodhi personelin me mësues që e donin Atdheun, e donin gjuhën shqipe dhe përparimin e Kombit. Është historik fjalimi që mbajti drejtori i shkollës Jahja Domnori ditën e hapjes së shkollës shqipe në Ulqin, me prindër, mësues dhe autoritetet vendore.
Një fragment i shkëputur: "Arsyja e mbledhjes sotme s'asht tjetër vetem se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju, me qellim qe t'u japim edukaten e duhun fmijve tuaj.
Andrra qi keni pasë pamë tash sa kohë, se nji popull qi ruen gjuhën e vet ,aj ka ruejt çilsin e rrugës së indipendencës u shfaq sot si drita e syve .Kjo gjuhë e ruejtun prej jush,si prushi në gji duhet punue, e këte punë e ban shkolla... Shkolla përpiqet me pregatite qytetarë e qytetare te respektueshem ndaj ligjeve, me dashtë tek s'ban Atdheun, e krejtë të gadshem me ba çdo sakrificë për te" (nga shenimet e J.Domnorit).
Ky ishte motivi kryesor i të gjithë atyre që punuan pa u ndalur për të përhapur dijet me gjuhën e bukur shqipe. Kështu veproi edhe Prenka, djale i ri. Ai shpesh ndeshej me prindër të cilët ia drejtonin pyetjet në gjuhën sllave (ashtu ishin mësuar t'u drejtoheshin mësuesve sllavisht) por Prenka me dashuri dhe admirim për ata njerëz të mrekullueshem, u thoshte: "O vllazen, kjo asht shkolle shqipe, mos ma permendni ma pjevanjen por me thoni: A..din..me ..këndue ..mirë ..shqip". Meqë ishin fëmijë, tepër patriotë,- shkruante Prenka,- u mundojshe me ju msue Fishten, Ndre Mjeden, Hymnin e Shqipnisë, e shumë histori të patriotave shqiptarë. Prenka kishte diçka më tepër se mësuesit e tjerë, ai ishte muzikant dhe këte mrekulli te talentit do ta ndante me të tjerët. Ai vete shkruante: "Me vete pata marrë edhe nji fizarmonikë të vogël të cilën e hidhshe në krah e shkojshe për me i ra, muzikë të kohës edhe popullore shkodrane, krajanet e kishin për zemër kangen e Shkodrës ...Shumë nxanës filluen me i ra bukur ndër ta edhe djali i hoxhës se Krajës,por aj kishte edhe nji za fenomenal prej tenori. Ata kishin nji vesh apsolut" (P.Jakova).
Nuk ishte hera e parë që Prenka e kishte shkelur këte vend. Ai sjell ndër mend kujtimet e fëmijërisë, kur kishte lundruar me barken "Scanderbeg" për të vizituar Kalanë e Ulqinit me shokët e klasës. Mbante mend edhe fjalët e Atë Martinit, i cili gjatë lundrimit ju thoshte femijëve se sa herë do ta kujtoni këtë barkë do të kujtoni Gjergj Kastriotin, Skenderbeun tonë legjendar: "Mundem me thane se ne Ulqin filluen me më ardhë frymëzimet e para për historinë e Skenderbeut" - shkruan Prenka.
E për rrjedhojë, nuk qe e papritur për Prenkën kompozitor, kryevepra, Opera "Skenderbeu" sepse ishte nje lënde e akumuluar ndër vite, e cila priste të shpërthente. Këta mësues me përkatësi fetare të ndryshme, punuan për arsimin laik, duke respektuar besimet e zonës. Ata punuan në harmoni me një qellim të përbashkët, duke i shënuar në ditarët e tyre si vitet më të bukura të jetës tyre. Prenka shkruan: "Ketu u njoha me shumë krijime të mrekullueshme të folklorit të papërsëritshëm të Krajës, ku aj i Ostrenit ishte i veçantë. Këtu më bante përshtypje edukata tolerante e myslimanve të Krajës të cilët i ruanin me plot përkujdesje objektet e kultit kristian, si kishen, Ublen e Vjetër, qelen ne Prift-naj e shumë toponime e vende të tjera të shenjta kristiane, ku riti në malin e Rumijes, ishte nji brilant shumë i shenjtë si për katolikët ashtu edhe për myslimanët, të cilët ishin shumë fanatikë, në zbatimin e këtyre riteve". Me mësues të ndërgjegjshëm si këta, të cilët kishin si pikësynim bashkimin pa dallim shtrese shoqërore a fetare, ishte një kontribut për ardhmërinë e kombit shqiptar.
E njëjta gjë është shkruar edhe në ditarin e drejtorit të shkollës së Ulqinit J.Domnori: "Në shkollë, ku pa dyshim rrin e mëson si i vobekti, si pasaniku, përpjekjet e afrohet ma tepër gjaja shoqnore, këtu fillon pra me ja dijtë pasaniku të vobektit, zengjini fukarasë. Këtu mëson fëmija ç'asht zeqati, sadakaja, buka e Shndandout.... Dhima për të vobektin e drejtësia për të gjithë, janë bazat esenciale të shkollës së sotshme" (J.Domnori).
Shënimet e këtyre mësuesve flasin shumë dhe kanë vlera bashkëkohore. Ata vunë në jetë idetë pedagogjike më të përparuara të kohës,duke luftuar padijen dhe` pasivitetin dhe duke nxitur lirinë e mendimit me modelet më të mira dhe më të përshtatshme të arsimit përparimtar evropian. Këta mësues të devotshëm, hynë në historinë e Arsimit Kombëtar, me vlera të patjetërsueshme. Duke shkëputur një fragment nga fjalimi i drejtorit të shkollës se Ulqinit, Jahja Domnori,njohim pikëpamjet e tyre për të ardhmen e brezit të ri.
"Shkolla jonë, vegon me formue qenie të plotësueme, d.m.th. burra e gra me trup të shëndoshë, me zemër trime, me vullnet të fortë, me nji shpirt të drejtë, por edhe njers që të jenë të zotët me mprojtë të drejtat e veta. Prandaj, djelmve dhe varzave te cilëve do t'u jepet edukata, do të jenë fëmitë tuej, fëmi shqiptarësh të shekullit XX" (Ulqin ,1942).

 

PERTEFE LEKA


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MARTIRI I ATDHEUT DOM GJON GÀZULLI-Në 84 vjetorin e varjesNga DANIEL GÀZULLI (03.05.2011)
POETIT QË IA MJEKOI PLAGËT E ROBËRISË LIRIANga KËZE KOZETA ZYLO (03.04.2011)
MUND TË ISHTE E NJËZET E TRETA NË MASAKRËN E 26 SHKURTIT Nga ORHAN SAKIQI (03.03.2011)
FIGURA E FEMRËS NË EPIKËN HISTORIKE SHQIPTAREEssé nga AGIM GASHI (03.03.2011)
TRAGJEDIA E INTELEKTUALITNga VANKO LEZO (03.02.2011)
SHQIPËRI: RRETH 4 MIJË QYTETARË KANË NDRYSHUAR KOMBËSINË (03.02.2011)
BESNIK HIDRI, SHEMBULL I SAKRIFICËSNga SHEREFEDIN SHEHU (03.01.2011)
VRASËSIT E SHTETIT Nga MUJË BUÇPAPAJ (03.01.2011)
ASHAK SUGJERON SHTYRJEN E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË (03.01.2011)
REZOLUTË PËR BISEDIMET ME SERBINË (02.28.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]