E Premte, 03.29.2024, 08:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

ARISTIDH KOLA, UDHËHEQËS SHPIRTËROR DHE SIMBOL I ARVANITISË

Nga Prof. dr. ESHREF YMERI


E Premte, 03.11.2011, 10:30am (GMT+1)

"Aristidh Kola u sëmur më 24 maj 2000, papritur ndjeu një dhembje në gjoks, në zemër e që nga ajo ditë shëndeti i tij erdhi duke u përkeqësuar, sa u detyrua të zërë shtratin.

Aristidh Kola ka jetuar shumë pranë vdekjes e për shumë vite i kërcënuar në mënyrë të fshehtë e në mënyrë të hapur nga persona publikë, forca të errëta e segmente shtetërore.

Aristidh Kola kishte paralajmëruar vdekjen e ngadaltë të tij, edhe gjatë jetës së përditshme, por veçanërisht kur zuri shtratin e spitalit (shtratin e vdekjes) në vitin 2000.

E mërkurë, 11 tetor 2000, në spitalin Evangjelizmo (Ungjillëzimi), pas rreth një muaj lëngimi në shtrat e disa muaj dhembjesh e shqetësimesh, mbylli sytë e u nda fizikisht nga jeta Udhëheq ësi Shpirtëror i Shqiptarëve të Jugut (Arvanitëve), Avokati dhe Publicisti, Shkrimtari dhe Studiuesi, i kudondodhuri, i palodhuri, i patremburi, i mirënjohuri Aristidh Kola. Iku për të mbetur përjetësisht mes popullit që e lindi dhe që ai aq shumë e deshi dhe u përpoq ta nxirrte në dritë e ta përfaqësonte, u ngjit në altarin e pavdekësisë së kombit që i përkiste, në altarin e zemrave të brezave të mijëvjeçarëve të ardhshëm të kombit shqiptar.

Në Athinën e shurdhët të atij tetori të zi, ku kanalet televizive kishin mbyllur ekranet për lajmin dhe gjëmën, ku radiot kishin strukur mikrofonët, ku eipistët kishin hapur veshët në çdo qoshkë në Pllakë, Losha, Mënidhi, Tatoi, Koropi, Spata, Pire, Thivë, Livadhja, Eube, Salaminë, Poro, Idër, Specë, Naupli, Tripolicë, Koron, Meton, Artë, Prevezë, Kostur, Follorinë, Mesolongji etj., kur ultranacionalistët fërkonin duart e politikanët "helenikë" vazhdonin përgjumjen dhe vazhdimësinë e "përfaqësimit të popullit"... më 13 tetor 2000, kortezhi i pambarim e i pikëlluar i qindra mijëra shqiptarëve të Greqisë e Shqipërisë dhe të miqve, përcollën për në banesën e fundit udhëheqësin shpirtëror të një populli të papërfaqësuar, por njëkohësisht edhe njeriun e thjeshtë, të famshmin Aristidh Kola. Heshtën jo vetëm armiqtë e shqiptarëve në vendin fqinj, por edhe klanistët që kishin marrë çelësat e drejtimit dhe të parave në metropolin tonë politik, të ardhur pas katrahurës së realizuar në dëm të shqiptarëve, me ndihmën e armiqve - qarqeve shoviniste antishqiptare" (Kosta AT Papa. "Aristidh Kola, udhëheqës shpirtëror dhe simbol i Arvanitisë". Shtëpia Botuese "Plejad". Tiranë 2010, f. 50-51).

Në muajin dhjetor të vitit 2010, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër mjaft interesant i zotit Kosta AT Papa, me titull "Aristidh Kola, Udhëheqës Shpirtëror dhe Simbol i Arvanitisë". Në këtë libër del në pah më së miri veprimtaria e shquar e Aristidh Kolës, e këtij peronaliteti të papërsëritshëm në historinë e kombit shqiptar, i cili tërë veprimtarinë e vet kërkimore-shkencore ua kushtoi Arvanitisë dhe Arvanitëve, kësaj toke dhe këtij populli të mohuar.

Kjo është një vepër bukur e arrirë për Aristidh Kolën, Udhëheqësin Shpirtëror të Arvanitisë, për individualitetin shumëdimensional të këtij personaliteti të shquar, i cili gjithë jetën ia kushtoi popullit të tij legjendar, por të nëpërkëmbur, dhe që humbi jetën në një mënyrë enigmatike, duke lënë pas një vepër të begatë. Por duhet besuar se vazhdimësia e studimeve të tij është marrë në duar të sigurta.

Lexuesi shqiptar e shqipfolës sot ka marrë në dorë një vepër të veçantë, kushtuar një njeriu të shquar e të veçantë, të shkruar nga një autor i veçantë.

Merr në dorë një vepër, kushtuar njërës prej figurave më të shquara të shqiptarëve të Greqisë e të krejt kombit shqiptar - Aristidh Kolës, i cili, gjatë gjysmës së dytë të shek.XX, me punën e tij vetmohuese, me penën dhe mendjen e tij të ndritur, u shndërrua në Simbol të Degës sonë të Jugut, në përfaqësuesin kryesor dhe mbrojtësin e paepur të të drejtave të Shqiptarëve të Arvanitisë që pëfaqësojnë një popull me një traditë të pasur në rrjedhat e historisë. Aristidh Kola është një njeri i shquar, i veçantë jo vetëm për veprat e rëndësishme që na dha e që shumë shpejt nxorën në pah lavdinë dhe famën e tij, si njeri i shquar i letrave; jo vetëm për aspektet e fushat e ndryshme, për të cilat studioi e krijoi- për historinë, gjuhën e kulturën shqipe, të rrjedhur nga Pellazgët e Pellazgjia e lashtë; jo vetëm për përfaqësimin dinjitoz që u bëri Shqiptarëve Arvanitë, si President i Komunitetit të Shqiptarëve të Greqisë.

Aristidh Kola ishte dhe mbeti bir i Arvanitisë. Lindi e u rrit në zemër të saj - në trevat e Thivës që dhe sot është qendër e rëndësishme arvanite. Në fshatin e tij, në trevën e tij, nga mëngjesi e gjer sa flenë, nga e hëna e deri të dielën, gjatë çdo jave, çdo muaji e çdo viti - në familje e në rrugë, në gëzime e hidhërime - flitet e komunikohet shqip, lindin, martohen e vdesin shqip, këndojnë e vajtojnë shqip, mendojnë e trashëgojnë shqip, sipas traditës së të parëve që zë fill që nga lashtësia.

Aristidh Kolën e bënë më të veçantë vendi dhe koha në të cilën jetoi, punoi e krijoi. Aristidh Kola punoi dhe u shqua në fushat që lëvroi, në kushtet e një shteti të vështirë, siç është Greqia, një vend ky me një mentalitet ende mesjetar, obskurantist, në administratë e në opinionin publik, në qëndrimin ndaj "të tjerëve", ndaj "të ndryshmit", ndaj gjakut tjetër, ndaj farës tjetër, ndaj gjuhës tjetër, ndaj fesë tjetër.

Në këtë vend që trumbetohet si vend vetëm i të krishterëve grekë ortodoksë e vetëm i një kombi - atij helen që ka 3000 vjet që është shpërbërë e zhdukur - është vështirë të trajtosh një ide ndryshe, të flasësh një gjuhë ndryshe e t'i përkasësh një kombi tjetër, se për këtë poshtërohesh, vihesh në shënjestër, kërcënohesh, rrezikohesh nga leva të shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke.

Aristidh P. Kola, si studiues e publicist, si historian e albanolog, si pellazgolog e ballkanolog, si shkrimtar e politolog, si intelektual e udhëheqës shpirtëror, punoi e jetoi në kushtet e një kërcënimi të përhershëm për jetën e familjen, por ai nuk u tremb për asnjë çast dhe hulumtimet i vazhdoi me këmbënguljen e një shkenëtari të vërtetë, që ka si pikë orientimi vetëm objektivitetin shkencor. Pikërisht ky fakt bëri që figura e tij të ngrihej shumë lart, si një përfaqësues i shquar i Arvanitisë.

Aristidh Kola na dha disa vepra me vlera të pallogaritshme,të cilat e renditin ndër penat më të spikatura të letrave e të kulturës shqipe.

Aristidh Kola, në saje të vullnetit, të pasionit të tij të jashtëzakonshëm, hulumtoi dhe krijoi në fusha të vështirae me pak dëshmi të dukshme. Megjithatë, ai arriti të paarritshmen, duke bërë si objekt studimi Pellazgët, çka e çoi në përfundime shumë të rëndësishme shkencore që e renditin atë ndër studjuesit kryesor në këtë fushë të dijes.

Aristidh Kola u bë boshti kryesor i studimit, grumbullimit, arkivimit dhe publikimit të vlerave të traditës - të historisë, të gjuhës dhe të kulturës shqipe për gjithë Arvanitinë. Aristidh Kola, për rreth 30 vjet, u bë zëri i rëndësishëm dhe përfaqësuesi kryesor i Shqiptarëve Arvanitë në Shqipërinë e Poshtme - Arvanitinë e tij të dashur, për të cilën shkriu tërë jetën e vet.

Puna e palodhur, e pakursyer, mençuria dhe humanizmi, thjeshtësia dhe përkushtimi e ngritën Aristidh Kolën në Simbol të popullit të tij që kur ishte ende gjallë.

Puna dhe vepra e vëllimshme që krijoi me aq bindje e përkushtim, e ngriti dhe e vendosi Aristidh Kolën në altarin e pavdekësisë së Kombit Shqiptar. Pikërisht për këtë arsye sot ai nderohet dhe do të nderohet përjetësisht në Shqipërinë Londineze dhe në mbarë trojet tona etnike - në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, në Çamëri-Arvaniti, si edhe në mbarë diasporën e kudondodhur shqiptare.

Ai renditet krahas emrave të mëdhenj e të pavdekshëm, si Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Sulejman Vokshi, Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Fan S. Noli, Faik Konica, Jeronim De Rada, Anastas Kullurioti, Marko Boçari, Laskarina Bubulina, Kostandin Kanari, Sulejman Delvina, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ibrahim Rugova, Nënë Tereza, Adem Jashari e shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë hyrë përfundimisht në panteonin e personaliteteve të shquara të kombit shqiptar.

E njoh personalisht autorin e këtij libri dhe bagazhin e gjerë kulturor të tij, ku bie në sy prirja në shumë fusha, njoh edhe një pjesë të vogël të veprës së tij. Kostaq AT Papa është një autor i ri në moshë, por me një vepër të begatë, pasi ai është nga autorët më prodhimtarë në këto 20 vjetët e fundit, sidomos në këtë dhjetëvjeçar të shekullit të ri, me disa libra të botuar, si poezi, romane, histori, studime dhe me një mori titujsh që s'kanë dalë ende në dritë, botimi i të cilëve do t'i jap penës së sprovuar të tij vendin e duhur në letrat shqipe e në bibliografinë kombëtare.

Vetëm fusha e studimeve për Shqiptarët e Jugut e për kulturën shqipe të Arvanitisë, e ngre studiuesin Kostaq AT Papa në lartësinë e një individualiteti e personaliteti të veçantë, të pajisur me energji të mëdha, me informacion të rrallë e të paparë, me vullnet të palëkundur, me guxim të admirueshëm. Me kurajën e një studiuesi objektiv, ai flet për një realitet të vështirë që duhet ndryshuar, e prek këtë realitet dhe rekomandon edhe mënyrën e daljes nga kjo gjendje, duke e vënë theksin te mbrojtja dhe përfaqësimi i një populli, të nëpërkëmbur për arsye të origjinës, gjakut, gjuhës, kulturës dhe të traditës së tij.

Studjuesi Kostaq AT Papa hyn edhe më thellë me studime në fushën e pellazgologjisë,e cila është pak e prekur nga studiuesit e sotëm shqiptarë, fushë kjo, në të cilën hulumtoi me një përkushtim të lakmueshëm studiuesi i mirënjohur Aristidh Kola dhe që, tani, asaj i është futur me zell nxënësi i tij po aq i talentuar, autori i këtij libri, Kostaq AT Papa. E kur sqarojmë se autori është me origjinë nga Sopiku i Sarandës, fshat autokton shqiptar 2300-2400-vjeçar, nga Sopiku mbi Butrint që i përket origjinës e qytetërimit Miletas Pellazgjik, studimet e tij në këtë fushë marrin kuptim më të plotë.

Duke lexuar këtë vepër, kuptojmë se Kostaq At Papa njihet mirë me Aristidh Kolën - Simbolin e Arvanitisë - dhe anasjelltas, dhe gjatë kohës që kanë qenë bashkë, në të njëjtin vend - Aristidh Kola si autokton, por i kërcënuar, dhe Kostaq AT Papa si emigrant, i rrezikuar nga operacionet "fshesa", kanë përjetuar të njëjtat shqetësime. Në këto kushte, ata, që të dy, si pëfaqësues të vetvetes dhe të komuniteteve të tyre - Aristidh Kola - President i Komunitetit të Shqiptarëve të Greqisë - Arvanitëve - dhe Kostaq AT Papa - përfaqësues Politik i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, Itali e kudo në Perëndim - janë përballur me realitete paradoksale greke, të mbarsura me obskurantizëm mesjetar, me racizëm të kulluar. Ata kanë cekur të njëjtat ide e ideale kombëtare, kanë ndjekur të njëjtën rrugë në studimin e kulturës shqiptare dhe në trajtimin e periudhës së lashtë të Pellazgjisë. Që të dy, si juristë, janë përpjekur për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve që përfaqësojnë, në mënyrë që shqiptarët e Greqisë të flakin mantelin e turpit për origjinën e tyre shqiptare dhe që emigrantët, refugjatë e klandestinë shqiptarë, të mos nëpërkëmben në të drejtat e tyre njerëzore, shoqërore e kombëtare.

Me librin "Aristidh Kola - Udhëheqësi Shpirtëror dhe Simboli i Arvanitisë, që është më tepër se monografi, autori Kostaq AT Papa del para lexuesit si studiues dhe politikan, si publicist dhe shkrimtar dhe, me penën e tij, radhitet mes krijuesve si biograf kryesor i personalitetit të shquar Aristidh Kola.

Fakti që Kostaq AT Papa ka qenë edhe mik e koleg i i Aristidh Kolës, veprën e bën dhe më të gjallë, edhe më të afërt për publikun, edhe më interesante e më tërheqëse për lexuesin.

Me këtë vepër, por dhe me vepra të tjera, si "Qëndresa e fjalës" (The Resistance of Word) (nga fusha e publicistikës), "Morea e Shqipërisë së Poshtme" (nga fusha e historisë) dhe me disa vepra në dorëshkrim që presin radhën e botimit, Kostaq AT Papa shfaqet në letrat shqipe si një hulumtues serioz, sidomos në fushën e studimeve për Shqiptarët e Jugut - Arvanitët - dhe tokën e begatë, por të mohuar të Shqipërisë së Poshtme - të harruarës Arvaniti.

Kostaq AT Papa po shfaqet si një studiues këmbëngulës në fushën e historisë, gjuhës e kulturës shqipe në këto treva, ku prej shekujsh, prej lashtësisë pellazge e gjer në ditët tona, jeton një popullsi e tërë epirote-arbërore-shqiptare, ku bijtë e Degës sonë të Jugut, të një gjaku e të një gjuhe - Shqiptarët e Arvanitisë - përmes rezistencës së fjalës, gjuhës, përpiqen t'i qëndrojnë historisë, të kundërshtojnë mohimin, mungesën e normave elementare për ruajtjen e identitetit dhe të kulturës së këtij populli të papërfaqësuar e të pambrojtur, i cili, sipas legjislacionit të BE-së e OKB-së, përbën një pasuri botërore që duhet mbrojtur. Në këto treva e shkuara e lavdishme vazhdon të ruhet, duke u përcjellë "gojë më gojë" përmes legjendave, këngëve, bëmave, trimërive. Aty vazhdon të mbruhet përmes gjakut origjina e mëmëdhedashuria dhe përmes gjuhës rrjedha e historisë, atdheu dhe kombësia, pa shkolla e pa kultivim bashkëkohor të gjuhës e të kulturës së këtij populli, që, siç u theksua më lart, përbën pasuri për njerëzimin.

Është e vërtetë ajo që thotë Kostaq AT Papa në këtë vepër se Shqiptarët e Greqisë - Arvanitët - janë një popull i mohuar, të cilin shteti aty përpiqet për ta fshirë nga faqet e historisë, për ta "fshehur në harresë" e për ta "shuar në kujtesë".Shqiptarët e Greqisë janë një popull "i shtrënguar", në "darë i kafshuar" dhe, pa dyshim, i përndjekur dhe i frikësuar. Pra, ata përfaqësojnë një "popull të dhunuar", rrjedhimisht, një "popull të rrezikuar".

Prandaj edhe unë bashkohem pa asnjë rezervë me çka parashtron në këtë vepër intelektuali dhe studiuesi Kostaq AT Papa, i bashkohem thirrjes (pasi ky libër është një thirrje nga thellësia e grahmës së fundit të një populli) se duhet bërë gjithshka e duhet lëvizur çdo gur, që Shqiptarët e Greqisë - Arvanitët - si popull i pambrojtur, i papërfaqësuar, të dalin në dritë, që historia, gjuha e kultura shqipe të vazhdojnë të ruhen e të lulëzojnë e që vet ky popull i rrezikuar të mbrohet e të rrojë, duke i gëzuar të gjitha të drejtat e veta, në përputhje me legjislacionin evropian të ditëve tona.

Mendoj se autori Kostaq At Papa meriton të falënderohet për këtë vepër interesante që po e vë në dorën e lexuesit shqiptar.

Dibër, 03 mars 2011

Prof. dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VAZHDIMËSIA E PATRUPËSISË KOMPLOTISTE GREKEOpinion nga SALI BOLLATI (03.10.2011)
HISTORIA E ARSIMIT SHQIP 1941-1944 NË TETOVËNga ARBEN LLALLA (03.09.2011)
GRUAJA LEGJENDARENga UK LUSHI (03.08.2011)
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI - RIDEFINIMI I MAQEDONISËNga XHELAL ZEJNELI (03.07.2011)
MËSUESIT E SHQIPES QË 70 VJET MË PARË NISËN PROFESIONIN NË KRAHINËN E ULQINITNga PERTEFE LEKA (03.06.2011)
MARTIRI I ATDHEUT DOM GJON GÀZULLI-Në 84 vjetorin e varjesNga DANIEL GÀZULLI (03.05.2011)
POETIT QË IA MJEKOI PLAGËT E ROBËRISË LIRIANga KËZE KOZETA ZYLO (03.04.2011)
MUND TË ISHTE E NJËZET E TRETA NË MASAKRËN E 26 SHKURTIT Nga ORHAN SAKIQI (03.03.2011)
FIGURA E FEMRËS NË EPIKËN HISTORIKE SHQIPTAREEssé nga AGIM GASHI (03.03.2011)
TRAGJEDIA E INTELEKTUALITNga VANKO LEZO (03.02.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]