VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LETËR E STUDENTËVE SHQIPTARË TË UNIVERSITETIT TË VJENËS DËRGUAR PRESIDENTIT AMERIKAN WILSON, NË DHJETOR 1918

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 10:23pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
LETËR E STUDENTËVE SHQIPTARË TË UNIVERSITETIT TË VJENËS DËRGUAR PRESIDENTIT AMERIKAN WILSON, NË DHJETOR 1918
E Djelë, 03.13.2011, 03:59pm (GMT+1)

Rrethanat historike: Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe fitimit të Pavarësisë Kombëtare (28.11.1912), Shqipëria u njoh si shtet i pavarur më 22 janar 1913 (Konferenca e Ambasadorëve në Londër), por gjysma e saj kishte mbetur jashtë kufijve territorialë të caktuar në këtë konferencë. Brenda vendit anarki e plotë: Qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë e kundër saj qeveria e Esad Pashë Toptanit në Durrës. Grekët shkelën dhe shkretuan Shqipërinë e Jugut, serbët pushtuan Shqipërinë e Veriut, malazezët hynë në Shkodër. Princi Wied, i cili u dërgua si mbret i Shqipërisë prej fuqive të mëdha, zbriti në Durrës më 7 mars të vitit 1914 dhe u shtrëngua të largohej në fillim të shtatorit të atij viti. Lëvizja e Rebelëve në Shqipërinë e Mesme dhe veprimet e grekëve në Shqipërinë e Jugut e bënë të pamundur organizimin e shtetit shqiptar. Në këtë kohë plasi Lufta e Parë Botërore (korrik 1914) dhe Shqipëria u shkel prej ushtrive ndërluftuese austro-hungareze, italiane dhe franceze.

Me mbarimin e Luftës Botërore, problemi shqiptar ishte akoma më i koklavitur: Traktati i fshehtë i Londrës (i nënshkruar më 26 prill 1915) kishte vendosur copëtimin e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Lufta e Parë Botërore mbaroi në nëntor 1918. Në dhjetor të po këtij viti u formua qeveria e Durrësit nën Turhan Pashë Përmetin, që u zëvendësua nga qeveria e Tiranës e dalë nga Kongresi i Lushnjës (janar 1920). Në vazhdim të politikës antishqiptare, Italia nënshkroi me Greqinë marrëveshjen Tittoni-Venizelos (1919), e cila i njihte Greqisë kërkesat mbi Shqipërinë e Jugut, me kusht që edhe Greqia të njihte sundimin italian mbi pjesën tjetër të Shqipërisë.

Në këto rrethana historike u mblodh Konferenca e Paqes në Paris, më 1919.

Austria, që kishte influencuar dhe mbështetur aq shumë pavarësinë e Shqipërisë, kishte humbur luftën. Nga ana tjetër, fuqitë fituese (Anglia, Franca dhe Rusia) mbështesnin hapur shtetet fqinje të interesuara për t'u zmadhuar me territore shqiptare. Kështu, Shqipëria nuk kishte më asnjë përkrahje të jashtme, përveç zërit të fuqishëm të Presidentit Wilson të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili mbrojti të drejtën në dobi të kombit shqiptar.

* * *

Letra që po paraqesim është shkruar nga studentët shqiptarë që studionin në Universitetin e Vjenës dhe i është dërguar Presidentit Wilson kur ai kishte shkuar në Paris në Konferencën e Paqes. Si arritën studentët shqiptarë që letra e tyre nga Vjena të bjerë në dorën e Presidentit Wilson në Paris, kjo është sot një mister, por letra mban datën 15.12.1918 dhe përbën pa asnjë dyshim, përpjekjen e parë serioze për ta bërë të njohur problemin shqiptar te Presidenti Wilson.

Nënshkruesi i parë ishte Dr. Jani Basho (1892-1957) asokohe student në Fakultetin e Mjekësisë dhe kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë "Albania". Ai i kishte thënë babait tim Kozma Basho (19271994) se pas marrjes së letrës, Presidenti Wilson kishte dërguar në Vjenë ambasadorin Calvin Coolidge (më vonë President i SHBA) për t'u takuar me studentët shqiptarë. Zoti Coolidge i priti këta studentë në një kështjellë në periferi të Vjenës (1919) dhe u deklaroi atyre që zëri i Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes do të ishte në përkrahje të vendit të tyre. Në vitin 1920, po këta studentë i dërguan një notë Konferencës së Paqes në Paris, pikërisht për këto arsye.

Nga ana tjetër, për të parë gjendjen në vend, ai dërgoi në Shqipëri konsullin e SHBA në Torino, zotin Jozef Haven (1919), i cili vizitoi Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme, duke u shoqëruar nga patrioti Tefik Mborja. Raporti që ai i dërgoi Presidentit Wilson ishte tërësisht pro Shqipërisë.

Jovan Basho, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës.

* * *

Z. Woodrow WILSON

President i Shteteve të Bashkuara

Palais Murat, Paris Francë

Fort i ndershmi Zotëri!

Ne, të nënshkruarit studentët shqiptarë të Universitetit të Vjenës, Austri, marrim lirinë të paraqesim veten tonë me këtë letër për të na dëgjuar më shpirtmadhi njerëzor dhe i drejtë i Zotërisë suaj.

Sot, kur fati i botës varet kaq shumë prej Jush, kur çdo e vetme minutë e Zotërisë suaj do të jetë e zënë me çështjet e nesërme, shumë natyrisht do të duket si një guxim i pafalshëm që nga ana e një grushti studentësh të një kombi jo shumë të dëgjuar, të luten për një të katërtën orë prej kohës së çmueshme të Zotërisë suaj.

Zotëri! Në këtë furtunë të ngjarjeve të papritura, në këto ditë historike kur mbretërira shekullore rrëzohen dhe kudo kombe të rinj ringjallen, kemi pritur me vëmendje të gjallë dhe me një shpresë që për ditë pakësohej, për një fjalë shpëtuese për atdheun tonë fatkeq. Por duket se jemi krejt të harruar, sikur i përkasim historisë së vjetër. Dëshpërimi na rrëmben me gjithçka kur mendojmë mundësinë e një paqeje të padrejtë. Pak mund të jemi, por megjithatë kemi vendosur dhe kemi bërë be të bëjmë nën çdo kusht, çna vjen nga dora për vendin tonë të dashur. Ai është i tëri që kemi, i tëri që duam të kemi, edhe i tëri për të cilin japim jetën tonë me gëzim.

Si më i madhi idealist i shekullit do të jetë shumë e lehtë për Ju, fort i ndershëm Zotëri, të çmoni drejtësisht qëllimin e ambicies sonë; ai është ideali ynë. Edhe si mjeshtëri i mjeshtërve, tërë vërtetësia entuziaste e djalërisë kurrë s'mund të jetë e huaj për Zotërinë Tuaj që të besoni drejtësinë e qëllimit tonë.

Edhe nga këto kushte guxojmë t'i drejtohemi Zotërisë Suaj përulësisht, më të dëgjuarit njeri të shekullit, i cili qëndron me idenë e tij më lart se gjithë njerëzit e tjerë në historinë e botës së qytetëruar, dhe fjala e të cilit, për fatin e mirë të njerëzimit rëndon më shumë se mendimi i gjithë botës.

Zotëri! Ju lutemi të keni durim me ne deri në fund.

Zoti President! A do të jetë pa dobi të të nëmërojmë dy, tri pika nga fatkeqësitë e panumëruara të këtij vendi? A ka ndonjë komb tjetër mbi faqen e dheut të cilit i ka qënë ndaluar përdorimi i gjuhës amtare? Pesëqind vjet Shqipja ka qënë një gjuhë e ndaluar në Shqipëri, kaq e rëndë ka qënë zgjedha e tiranisë së huaj! Pa këtë dhurim të pafajshëm të Perëndisë, pa këtë vegël të gjallë të kulturës e të përparimit të një kombi, si mund të kërkohej të kishim mbajtur një hap me botën e lirë? Megjithatë, Europa e mendshme e priste këtë prej nesh. Dhe një fatkeqësi e madhe e dytë e Shqipërisë është mospasja e një feje të bashkuar, që të mbante zjarrin e idealit kombëtar kurdoherë të ndezur në zemrën e popullit. Por me gjithë këto besime të ndryshme e ngatërrime të tjera, shqiptarët kanë qëndruar, kanë bërë kryengritje dhe kanë luftuar së bashku për liri si një komb me traditat e me gjuhën e vet.

Fort i ndershmi Zotëri, do përpiqemi me çdo mënyrë që të mos keqpërdorim durimin e Zotërisë Suaj me hollësira të panevojshme dhe me ca fjalë që vinë më poshtë mund të përmendim epokë historike: Heroin kombëtar, Skënderbeun, i cili për 24 vjet ndaloi Turqit edhe luftoi burrërisht kundër invazionit të huaj që të mbrojë Europën mosmirënjohëse me gjakun e vlefshëm shqiptar (1443); Lidhjen e Prizrenit më 1879, të cilën Ippeni aq bukur e barazon me Konfederatën e Kantoneve Schwytz, Uri dhe Unterwalden në vitin 1307, edhe me komitetin e sigurimit popullor, i cili qeverisi Francën prej 1793 deri 1795; Kushtetutën e Turqisë fituar prej shqiptarëve për të gjithë kombet që ishin atëherë nën Turqinë (1908); kryengritjet kundër regjimit të ri turk, më despotik që mund të jetë 1909-10-11.

Zotëri! Ky kombi më i vjetër në gadishullin ballkanik ka treguar kurdoherë gjallërinë e tij dhe ka kërkuar të drejtën për një jetë kombëtare, por fqinjët tanë kanë qënë shumë më të fortë se ne, ne që përpiqeshim nër kaq mundime. Edhe duke qënë se historia e jonë na le në kohrat e mesme në errësirrë të plotë, politikanë grekë e serbë gjetën rastin të mohojnë të drejtën e një jete politike për ne. Këta shkuan aq larg sa të mos shohin qënien gjeografike dhe etnografike tonë; ata besuan se Europa Perëndimore dhe Amerika duhej të këndonin punërat e ngatërruara të Ballkanit vetën sipas shkrimeve të tyre, edhe të shohin vetëm me sy grekë e serbë. Por, për fat të mirë historishkrues të dëgjuar si Thalloczi dhe Jirecek (i dyti sadoqë një sllav vetë) duke i shërbyer shkencës, kanë rrëfyer të drejtën dhe i kanë provuar botës racionale se çka qënë Shqipëria dhe ç'rol kanë luajtur shqiptarët në historinë e përgjithshme. Edhe nga ana tjetër politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt më Shqipërinë, janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes sonë; sepse kanë parë të vërtetën edhe padrejtësinë që punohet kundër nesh. Midis tyre në rradhë të parë vjen Z. George Fred Williams, ish-ministri i Shteteve të Bashkuara në Athinë, i cili dha dorëheqjen më 1913 për të protestuar kundër përdorimit të keq të Shqipërisë prej fuqive të mëdha të Europës. E drejta do të fitojë, por ne shikojmë për hidhërimin tonë, se me sa rezultate kanë qënë përpjekjet e fqinjëve tanë, sa në Europën e Perëndimit edhe nuk na marrin parasysh.

Vërtet Konferenca e Londrës më 22 Janar 1913 njohu si shtet më vehte Shqipërinë, por po thua 2/3 e vendeve që mbas drejtësisë duhej të njiheshin si Shqipëri, u lanë të vuajnë nën zgjedhën e huaj. Serbët muarrën gjithë Kosovën shqiptare dhe u munduan me çdo mënyrë të shuajnë në ato vende të gjithë mos-serbët. Mali i Zi u rrit edhe dy herë më shumë se çqe, vetëm me shqiptarë e me tokën shqiptare ku malazezët nuk nëmëronin 1/1000 të vendësve. Greqia, nga ana tjetër, nuk u kënaq me gjithë Shqipërinë e Jugut, kërkonte edhe një copë vend të madh si të drejtën e vet. Një komitet ndërkombëtar i vizitoi viset e dyshuara dhe vendosi që ato, pa dyshim, t'i ngeleshin Shqipërisë. Por Greqia nuk iu bind vendimit dhe rregullimit të komitetit, edhe për të gënjyer botën, punoi çdo lloj komedirash me finale tragjike në Korçë e në Gjirokastër, ku ushtarë aktivë grekë, me petka të vendësve, luftuan kundër Shqipërisë foshnjë.

Zoti President! Në qoftë se në vendimin e paqes një komb lihet i pa njohur dhe do të përdoret kaq padrejtësisht, a mundet ndonjëherë të sigurohet paqja në atë anë të botës? Shqipëria sikundër Konferenca e Londrës e kufizoi kurrë s'mundej të rronte; kishte farrën e vdekjes në gjakun e saj që në lindjen e vet.

Me këtë mënyrë Zotëri deri tani bota na ka përdorur mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit, duke e ditur me siguri se marrja pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e drejtë e të ndershme të Zotërisë Suaj, në Kongresin e Paqes, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejën, si një komb i lirë, të hyjnë në Lidhjen e Kombeve.

Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj.

Në emër të studentëve shqiptarë në Vjenë,

Të përvuajturit,

cand. med

Jan BASHO

cand. Bodenkultur

Remzi BAÇE

cand. ing

H. HIFZI

cand. jur.

Nush BUSHATI

stud. phil.

Djevat KORÇA

cand. Export akademi

Luigj KAKARRIQI

stud. ing

Gjovalin GJIADRI

Aspirant pharm.

Raku BUDA

stud. ing

Fuad ASLAN

Vjenë, Austri

15 / 12 / 918

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARISTIDH KOLA, UDHËHEQËS SHPIRTËROR DHE SIMBOL I ARVANITISËNga Prof. dr. ESHREF YMERI (03.11.2011)
VAZHDIMËSIA E PATRUPËSISË KOMPLOTISTE GREKEOpinion nga SALI BOLLATI (03.10.2011)
HISTORIA E ARSIMIT SHQIP 1941-1944 NË TETOVËNga ARBEN LLALLA (03.09.2011)
GRUAJA LEGJENDARENga UK LUSHI (03.08.2011)
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI - RIDEFINIMI I MAQEDONISËNga XHELAL ZEJNELI (03.07.2011)
MËSUESIT E SHQIPES QË 70 VJET MË PARË NISËN PROFESIONIN NË KRAHINËN E ULQINITNga PERTEFE LEKA (03.06.2011)
MARTIRI I ATDHEUT DOM GJON GÀZULLI-Në 84 vjetorin e varjesNga DANIEL GÀZULLI (03.05.2011)
POETIT QË IA MJEKOI PLAGËT E ROBËRISË LIRIANga KËZE KOZETA ZYLO (03.04.2011)
MUND TË ISHTE E NJËZET E TRETA NË MASAKRËN E 26 SHKURTIT Nga ORHAN SAKIQI (03.03.2011)
FIGURA E FEMRËS NË EPIKËN HISTORIKE SHQIPTAREEssé nga AGIM GASHI (03.03.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]