VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

OLIMPIADA E GJUHËS GJERMANE NË SHQIPËRI
E Hënë, 03.14.2011, 03:21pm (GMT1)

Pjesëmarrës në olimpiadë gjatë ndarjes së çmimeve.

Në Tiranë u zhvillua olimpiada e gjuhës gjermane mes të rinjëve nga qytete të ndryshme të vendit. Por interesimi për gjermanishten është rritur edhe për njerëz në mosha e profesione të ndryshme.

Për edicionin e 11 të olimpiadës së gjuhës gjermane, morën pjesë rreth 50 nxënësit më të mirë nga shkollat e mesme dhe 9-vjeçare jo vetëm të Tiranës, por dhe nga Shkodra, Pogradeci e Dibra. Në bazë të nivelit të ngarkesës së mësimit të gjermanishtes në shkollat e tyre, të rinjtë konkuruan në disa kategori. Gjysma e tyre kaloi fazën e parë eleminatore në testimin e njohurive me shkrim, për ta finalizuar garën me raundin e dytë në provimin e gjuhës me gojë. Organizatore e Olimpiadës është shoqata shqiptare e mësuesve të gjermanishtes, me mbështetjen e Ambasadës gjermane në Tiranë, Instituti "Goethe" dhe ZfA, Enti qëndror për sistemin arsimor jashtë Gjermanisë.

Arlinda Butja nxënëse në vitin e tretë në shkollën e mesme austriake në Shkodër ishte një nga konkurentet më të forta të Olimpiadës. Shumë shpejt Arlinda do të kalojë dy javë në Gjermani në një rrethanë të veçantë, duke qëndruar në një familje gjermane. Ky është viti i tretë që ajo mëson gjuhën gjermane dhe pret me padurim dyjavëshin në Gjermani, jo thjesht për konsolidimin e gjuhës, por dhe të njohë më nga afër njerëzit dhe menyrën e jetesës në një vend që ajo thotë se e ka ëndërr.

"Është një motivim shumë i madh. Unë kam patur shtytje që ta mësoj këtë gjuhë, por kjo do të jetë një arësye më tepër që ta perfeksionoj më shumë. Asnjë nga të afërmit e mi nuk di gjermanisht, nuk është se kemi jetuar ndonjeherë në Gjermani. Ndaj do të jetë shumë bukur kur të jem atje."

Ina Havaraj është nxënëse në vitin e dytë në gjimnazin dygjuhësh shqip dhe gjermanisht "Sami Frashëri" në Tiranë. Ina nga statusi i fitueses në Olimpiadë do të përfitojë një qëndrim 4 javor në Gjermani. Gjysma pranë një familje gjermane dhe pjesa tjetër e kohës duke udhëtuar në qytete të ndryshme. Ky është një rikthim i saj në Gjermani por në rrethana të tjera.

"Në fillim të viteve '90 familja ime ka qënë në Gjermani. Pasi u kthye familja unë isha atëhere 1 vjeç e gjysmë. Gjatë gjithë kohës unë kam parë në televizor vetëm stacionet gjermane, më vonë u përfshiva në projektin gjerman në gjimnazin "˜Sami Frashëri'. Ne i kemi kushtet shumë të mira këtu me mësues gjermanë dhe shqiptarë, por vajtja në Gjermani, jetesa reale atje, njohja me institucionet, vendet dhe ngjarjet e shënuara është mendoj një praktikë e pazëvendësueshme në të gjitha drejtimet."

Gert Peja, mësues i gjermanishtes prej 13 viteve në Elbasan, është anëtar në bordin drejtues të shoqatës shqiptare të mësuesve të gjermanishtes. Krijimin e mundësive që nxënësit shqiptarë më të mirë në këtë gjuhë të realizojnë vizita afatshkurtra në Gjermani ai e sheh si një element nxitës për ta në avancimin e njohurive.

Gert Peja, përfaqësues i shoqatës së mësuesve të gjermanishtes në Shqipëri, në bisedë me Deutsche Welle-n.

 

"Kur kemi studjuar në nuk kanë ekzistuar mundësi të tilla. Vetë të rinjtë ndiejnë kënaqësi për vitet e punës së tyre, arrijnë të tregojnë se janë dikush. Sa vjen dhe interesimi i të rinjve rritet për mësimin e gjermanishtes." - thotë Peja.

Thomas Fäber, këshilltar për gjuhën gjermane në Shqipëri është përfaqësues i ZfA, entit qëndror për sistemin arsimor jashtë Gjermanisë. Ai thotë se mësimi i gjermanishtes në radhët e të rinjëve shqiptarë është strukturuar për vijimësi. Sipas Fäber, nuk janë përfshirë vetëm gjimnazet në Shkodër dhe Tiranë, por dhe shkolla 9 vjeçare duke krijuar një cikël zinxhir. Po punojmë dhe për të intesifikuar përpjekjet në Elbasan, ku ka interesim nga të rinjtë për gjermanishten, thotë ai.

Thomas Färber, këshilltar për gjuhën gjermane në Shqipëri pranë ZfA.

"Hapi tjetër do të jetë decentralizmi, me të mësuarit në jug apo në veri të vendit. Pra ne do të fokusohemi edhe në provinca, aty ku shikojmë se ka kërkesa për mësimin e gjuhës në nivele të ndryshme."

 

Wolf Diekmann nga Instituti "Goethe", në bisedë me Deutsche Welle-n.

 

Wolf Diekmann nga Instituti "Goethe", prej vitesh është i angazhuar me projekte të ndryshme edukative dhe kulturore me nxënësit e shkollave në Shqipëri. Për Diekmann nuk janë vetëm nxënësit dhe studentët shqiptarë, që kanë mundësi të ndjekin kurse të niveleve të ndryshme për përvetësimin e gjuhës. Në ambjentet e "Deutschzentrum" në Tiranë, vijnë njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Globalizmi, lëvizja e lirë e qytetarëve zgjojnë dëshira dhe ambicje të shumta. Gjermania sot është një nga vendet lider në kontinent dhe në botë nga drejtohen sytë e mendjet e njerëzve nga vende të ndryshme, thotë Wolf Diekmann.

"Industria gjermane është e suksesshme dhe është prezente në treg dhe me një famë shumë të mirë në rang botëror. Ndaj dhe shumë njerëz, ekspertë e specialistë nga vende të tjera, përfshi këtu dhe nga Shqipëria janë të interesuar të kenë më shumë njohuri nga këto zhvillime në sektorin industrial gjerman. Kështu mund të përmendim dhe sektorin shëndetësor, ku tregu në Gjermani ka nevojë për specialistë nga vende të tjera. Cilido që do të kërkonte të bëhej pjesë e aplikimeve për oferta të tilla do të duhej të kishte njohuri të konsiderueshme të gjuhës. Kjo vlen dhe për specialistët shqiptarë, çka e bën mësimin e gjuhës gjermane me interes."

Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: E.Xhani

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.