VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ndërroi jetë atdhetari i shquar Smajl Haradinaj
E Enjte, 05.07.2009, 11:03am (GMT1)

INA - Të martën, më 5 maj 2009, në Suedi, pas një sëmundje të gjatë, si pasojë e torturave të përjetuara në burgjet jugosllave, në moshën 66-vjeçare ka ndërruar jetë veprimtari i palodhshëm, atdhetari i përmasave gjithëkombëtare, mësuesi dhe ish-i burgosuri politik SMAJL (XHEMAJL) HARADINAJ (1943), nga Gllogjani i Deçanit.

Smajl Haradinaj është njëri prej ideologëve dhe organizatorëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare të viteve '70-'80-të, bashkëveprimtar i Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës etj., kryetar i Komitetit të Vendit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare nën ish-Jugosllavi (LNÇKVSHJ) në Deçan dhe për një periudhë edhe kryetar i të gjitha Komiteteve të Rretheve të LNÇKVSHJ-së që vepronin brenda në Kosovë. I dënuar në gusht të vitit 1981 me 14 vjet burgim për veprimtari atdhetare. Është njëri prej të burgosurve politikë më të torturuar e më të keqtrajtuar në burgjet jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, por njëherësh është edhe njëri ndër të burgosurit politikë më të pathyeshëm, i cili kurrë nuk u nënshtrua para dhunës serbo-jugosllave. Është i burgosuri i fundit që është liruar pas amnistisë në vitin 1991.

Në veprimtarinë ilegale të kohës i aktivizoi edhe të gjithë anëtarët e familjes, djemtë Naimin, Nasimin e Agronin dhe vajzat Shqipen e Naimen, të cilët kush më pak e kush më shumë u burgosën e persekutuan nga regjimi i kohës.

Mësuesi Smajl Haradinaj, me shembullin e tij edukoi breza të tërë se si duhet qëndruar e luftuar për atdhe.

Rrugën e tij atdhetare e ndoqën edhe të bijtë dhe kushërinjtë, duke qenë ndër themeluesit dhe shtyllat kryesore të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej të cilëve ranë dëshmorë Luan Haradinaj, njëri ndër themeluesit e UÇK-SË dhe Shef i Logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, Himë Haradinaj, njëri nga tre dëshmorët e Betejës së 24 Marsit 1998. Vetëm vendlindja e tij dha 26 dëshmorë të kombit, duke e kurorëzuar luftën me fitoren e Lirisë.

Varrimi i atdhetarit Smajl Haradinaj do të bëhet në Varrezat e Heronjve të Dukagjinit, në Kompleksin Memorial të UÇK-së, në Gllogjan. Për kohën e arritjes së arkivolit nga Suedia në vendlindje, shokët, miqtë, bashkëvuajtësit dhe opinioni e gjerë do të njoftohen përmes medieve. Ngushëllimet në familjen Haradinaj fillojnë nga dita e enjte, 7 maj 2009.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.