VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Shqipëria u përpoq ta shpëtonte Norbert Joklin nga kthetrat e nazizmit

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 06:37am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Shqipëria u përpoq ta shpëtonte Norbert Joklin nga kthetrat e nazizmit
E Premte, 05.08.2009, 01:35pm (GMT+1)

ATSH/ - Në muajin maj të vitit 1942, në një datë ende të diskutueshme edhe sot për shkak të mungesës së dokumentacionit të saktë, u nda nga jeta Norbert Jokli, albanologu austriak me origjinë hebreje, që  është quajtur ndryshe edhe "babai i shkencës së albanologjisë".  Jokli lindi më 25 shkurt 1877 në Bizenc të Moravisë Jugore (pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, sot i njohur si Bzenec i Republikës Çeke). Djalë i vetëm i një tregtari, ai mbaroi shkëlqyeshëm liceun për të vazhduar me vlerësime po maksimale studimet për drejtësi në Universitetin e Vjenës. Por i braktisi shpejt leksionet mbi ligjin, për t'iu kushtuar gjuhësisë. Studioi gjuhët indo-evropiane, sllavistikë dhe romanistikë, ku u shqua po aq sa edhe në studimet e mëparshme. Në vjeshtën e vitit 1903 nisi punën në bibliotekën e Universitetit të Vjenës, ku do të punonte deri në vjeshtë të 1938-ës. Studimit të shqipes, pak e njohur për kohën, i hyri në moshën 30-vjeçare. Që prej vitit 1913 ishte një "Privatdozent" (docent privat - titull që jepet në disa vende evropiane, kryesisht gjermanishtfolëse, për një njeri që ndjek karrierën akademike dhe ndjek të gjitha kualifikimet formale, si doktoratura dhe habilitimi, për t'u bërë njëherë e mirë profesor universitar), në fushën e "linguistikës indo-evropiane, me fokus të veçantë gjuhën shqipe, ato balltike dhe sllave". Më 1923 u bë "Profesor extraordinarius" (eo Prof. - profesor pa katedër, shpesh në fusha jo të gjera studimi), ndërsa më 1937 u bë "Hofrat" (titull që dikur u jepej profesorëve më të shquar në universitetet gjermane), duke pasur goxha emër si specialist i fushës.
     Më 1933 i mbetën në dorë dorëshkrimet e albanologut dhe paleontologut Franc (Ferenc) Nopça, i cili vrau sekretaren e më pas veten, duke ia lënë punimet e veta albanologjike Joklit.
     Bashkëpunëtor i Vjetarit indoeuropian (Indogermanisches Jahrbuch) që më 1916, ku bëri një punë të madhe bibliografike, Jokli e mbajti rregullisht këtë rubrikë, ku referoi mbi botimet më të reja të albanistikës, që nga vëllimi IV, 1917 e deri te vëllimi XXIV, 1940.
     Kulmin e veprimtarisë shkencore Jokli e arriti me botimin e veprës "Kërkime gjuhësore-kulturohistorike nga fusha e shqipes" ("Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereich des Albanischen", 1923, Berlin-Lajpcig).
     Me ardhjen në fuqi të Hitlerit më 1933 në Gjermani, punimet e Joklit nisën të refuzoheshin nga botuesit, e po ashtu iu ndërprenë ftesat në konferencat shkencore. Më 20 maj 1938 Jokli u shkarkua nga detyra dhe u ndalua të futej në zyrën e tij në universitet. Dekani i fakultetit të filozofisë, Viktor Kristiani, u përpoq t'ia shpëtonte vendin e punës Joklit, por më kot. Pak kohë më vonë Jokli bëri një kërkesë, me mbështetjen e dekanit, për t'u klasifikuar në kategorinë e "personave me gjak të përzier në shkallës së parë" (një kategori që kishte disa të drejta të kufizuara, krahasuar me hebrenjtë), në mënyrë që t'i lejohej hyrja dhe të shfrytëzonte bibliotekat. Por kërkesa iu refuzua.
     Jokli bëri përpjekje për të gjetur punë jashtë Austrisë, por edhe këto përpjekje shkuan dëm. Ishte kjo koha kur Shqipëria u përpoq ta shpëtonte nga duart e nazistëve. Në tetor të 1941-it Ernest Koliqi, asokohe ministër arsimi, krijoi enkas për Joklin një post si bibliotekar në Tiranë, duke i ofruar një rrogë prej 600 frangash ari në muaj. Për arritjen e këtij qëllimi u përdorën edhe autoritetet italiane, duke bërë që profesori Karlo Taliavini i universitetit të Padovës e deri tek Galeaco Çianoja, asokohe ministër i jashtëm i Italisë (dhe Shqipërisë bashkë), të ndërhynin pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për ta lejuar Joklin të punonte në Shqipëri. Por tërë këto përpjekje u refuzuan nga ana e gjermanëve. Jokli, që e kishte pranuar ftesën shqiptare për t'u zhvendosur në Tiranë, kërkoi marrjen me vete të bibliotekës së vet personale në njërin prej aplikimeve që bëri për të lënë Austrinë, gjë që shkaktoi kundërshtimet e ashpra të dekanit Kristiani, i cili kërkonte ta mbante koleksionin e gjerë të Joklit në universitet. Veç veprës së vet, koleksioni i Joklit përmbante, ndër të tjera, edhe dorëshkrimet e fjalorit shqip të Gustav Majerit.
     Jokli u arrestua më 4 mars 1942 nga Gestapoja.
Fati i tij i mëtejshëm ka mbetur i pasqaruar. Thuhet se më 6 maj 1942 u dërgua në kampin e përqendrimit Mali Trascjanjec, pranë Minskut (Bjellorusi), ku edhe u vra. Sipas një versioni tjetër, vdiq prej keqtrajtimeve në barrakat e Rosaut, në Vjenë, pa dalë fare nga Austria. Ka që thonë se vrau veten nga dëshpërimi, apo që u transferua në një kamp përqendrimi në Riga të Letonisë.
     Pas arrestimit, dekani Kristiani u përpoq të siguronte që biblioteka e Joklit t'i kalonte universitetit, në rast se Jokli nuk arrinte të transferohej në Shqipëri. Një kërkesë për të shtënë në dorë "për ruajtje" këtë bibliotekë bëri edhe Paul Haigli, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Austrisë, kjo sepse vetë Jokli ia kishte lënë trashëgim pasurinë e vet shtetit shqiptar. Më 27 prill 1942, biblioteka e tij u konfiskua dhe u dërgua në Bibliotekën Kombëtare austriake. Edhe pse thuhej se koleksioni i tij përmbante rreth 3 mijë tekste, vetëm 200 të tilla njihen aktualisht, ndërsa fati i pjesës tjetër të veprave, si dhe dorëshkrimeve të Joklit, mbetet edhe sot i panjohur.
     Sipas profesor Georg Soltës, një nxënës i Joklit që i qëndroi pranë në ditët më të vështira dhe bëri disa herë përpjekje që ai të shpëtonte nga izolimi, Jokli ishte duke përgatitur një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe, për të cilin sot nuk gjendet asnjë gjurmë, ashtu si dhe për pjesën më të madhe të bibliotekës së tij private.
     Në shenjë të pendesës, edhe pse vonë, senati i Universitetit të Vjenës vendosi më 29 prill 1982 ta shkruajë emrin e Norbert Joklit në stendën e nderit të universitetit
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Ndërroi jetë atdhetari i shquar Smajl Haradinaj (05.07.2009)
VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE NË 60 VJETORIN E LINDJES SË POETIT SELIM ALIAJ (05.06.2009)
Në dhjetëvjetorin e vrasjes në Prishtinë u përkujtua profesor Fehmi Agani (05.05.2009)
Kosova e Shqipëria pas dy vitesh me sistem të përbashkët energjitik (05.04.2009)
Saranda do të bëhet një nga qendrat më të mëdha të turizmit në Shqipëri, Ballkan e më gjerë (05.02.2009)
Të hënën artistët tanë në Moskë për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë (05.01.2009)
Sa do të rrinë forcat te Kroi i Vitakut? (04.30.2009)
Mbi 30 milionë shqiptarë në 83 shtete të botës (04.28.2009)
SHBA: Promovohet libri i Balliut "Zonja e zezë Nexhmije Hoxha" (04.27.2009)
Rufi Osmani kërkon marrëveshje të re ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve (04.26.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]