VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"KOSOVA E BUKUR" SYNON ZVOGËLIMIN E PAPUNËSISË
E Shtunë, 06.04.2011, 09:59pm (GMT1)

Deçani në programin "Beautifull Kosovo"

04.06.2011

Rreth 45 për qind e popullsisë në Kosovë është e papunë, ndërsa 13 për qind e tyre jetojnë në varfëri të skajshme. Projekti pesë milionësh "Beatifull Kosovo" lansuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian (ZNKE) synon zvogëlimin e papunësise dhe zbutjen e varfërisë në Kosovë.

Programi "Beatifull Kosovo", synon përmirësimin e gjithëmbarshëm të gjëndjes ekonomike dhe sociale në Kosovë, me hapjen e mundësive për punësim nëpërmjet kompanive publike, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me trajnimet profesionale për të papunët me fokus të veçantë në grupet e margjinalizuara dhe pakicat, si dhe zbukurimin e mjedisit me qëllim të krijimit të kushteve për punësim afatgjate.

Kjartan Bjornson, shef operativ pranë Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë si shembuj suksesi të projekteve të tilla përmend Bullgarinë dhe Shqipërinë.

Shqipëria dhe Bullgaria shembuj suksesi në Ballkanin Perëndimor

"Implementimin e projekteve të tilla në rajonin e Ballkanit Perëndimor kemi parë në Bullgari dhe në Shqipëri. Këta dy shembuj dëshmojnë se ana zbukuruese ishte shumë e sukseshme dhe shumica prej jush besoj keni parë Tiranën si një shembull që duhet ndjekur. Sidoqoftë, ne mendojmë se gjenerimi I punësimit nuk ishte aq i suksesshëm sa shpresojmë të jetë në Kosovë. Si rrjedhojë, ne kemi ndërruar qasjen duke iu referuar drejtpërsëdrejti komunave, ngaqë mendojmë se askush më mirë se komunat dhe kryetarët e tyre nuk e njohin strukturën e tregut të punës dhe problemet e papunësisë, si dhe askush nuk e di më mirë se si ne bashkarisht këto probleme mund t´i bëjmë më të lehta", thotë z.Bjornson.

Kjartan Bjornson, shef operativ pranë Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë

Programi pesë milionësh"Beatifull Kosovo"i financuar nga Bashkimi Evropian i cili menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian (ZNKE) dhe implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (ONM) në partneritet me Këshillin Danez për Refugjatë (DRC), do të zgjasë 30 muaj. Komunat e Kosovës tashmë janë thirrur për të konkuruar në këtë program brënda të cilit përfshihen edhe projektet publike, siç janë: renovimi i fasadave, krijimi i zonave të gjelbëra e projekte të tjera që do të përmirësojnë infrastrukturën urbane dhe sociale.

Dhe Jorge Baca, shef i Organizates Ndërkombëtare për Migrim (IOM)-zyra në Kosovë, sugjeron komunat që gjate hartimit të propozimeve të kenë parasysh edhe anën estetike.

Krahas zvogëlimit të papunësisë edhe zbukurimi i mjedisit

"Unë në vendin tuj do të mendoja: "Si mund ta zbukuroj komunën time?" Dhe, IOM-ido t´jetë aty jo për t´iu thënë se projektet janë gabim, por për t´iu siguruar se ato janë të respektuara dhe se ndikimi i projektit në drejtim të zbukurimit dhe të punësimit është në rrugën e duhur. Ne do të punojmë ngushtë me komunat dhe puna kualitavie është ajo në çfarë ne jemi të sigurt".

Aktivitetet e programit "Beatifull Kosovo" do të implementohen në bashkërendim të ngushtë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) të Kosovës. Ministri Nenad Rasiq flet për një bashkëpunim të ngushtë me komunat: "Deri më tani nga Zyrat Komunale të cilat funksionojnë në çdo komunë kemi pas paraqitje të punëkërkuesve në nivel të barabartë dhe çdo person i punësuar prej vitit të kaluar ka ardhur nëpërmjet këtyre zyrave. Dmth, së pari regjistrimi i të papunëve dhe pastaj punësimi".

Jorge Baca, shef i Organizates Ndërkombëtare për Migrim (IOM)

Punësimi afatgjatë i vështirë, por jo i pamundur

Në pyetjen e DW-së se sa mund të garantojë një program i tillë punësim afatgjatë dhe në ç´forma do duhej të arrihej kjo, z.Bjornson ka këtë përgjegje: "Është e qartë se pyetja juaj përqëndrohet në sfidën kryesore të kësaj skeme dhe është e qartë poashtu, se evidenca nga shembujt e tjerë nuk ka qënë aq pozitive në këtë drejtim. Është e vështirë të krijojmë punësim afatgjatë, por shpresojmë të kemi një skemë, e cila do të krijojë mundësi të punësimive afatshkrutra që ndërlidhen me trajnime pune në mënyrë që njerëzit e involvuar të jenë më atraktiv për bizneset e tjerë. Pra, ne po provojmë të japim stimulim maksimal që të mbesin në punë sa më shumë prej të punësuarve të cilët janë trajnuar dhe janë aftësuar me punësimet afatshkurtëra dhe afatmesme. Pra, do të jetë një sfidë, por ju garantoj se së bashku do të japim më të mirën që të kemi përparim në çështjen e punësimit në Kosovë".

Nga ana tjetër, ndërmarrjet private në Kosovë funskionojnë kryesisht brenda rretheve të ngushta miqsh e farefisi, duke mbetur të mbyllura për fuqinë punëtore nga jashtë. Mirëpo, këtu ka një marrëveshje dypalëshe, thotë për Dojçe Vele-n ministri për punë dhe mirëqënie sociale, Nenad Rasic: "Ndërmarrjet private që i përmendni ju janë të detyruar që 50 per qind të punëtorëve t´i tërheqin nga Zyrat për Punësim. Ne kuptojmë që ndërmarrjet familjare kanë ndoshta farefisin përbrenda biznesit familjar apo mjeshtër të vjetër në një kompani. Por, 50 për qind e punëtorëve ata duhet t´i marrin prej zyrave të punësimit".

Bajrush Xhemajli kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës

50 për qind e stafit të ndërmarrjeve private vinë nga Zyrat e Punësimit

Z.Bjornson sugjeron Komunat e Kosovës që gjatë hartimit te projekteve duhet të kenë parasysh numrin e punësimeve afatshkurtera përbrenda projekteve dhe përmirësimin e mjedisit të komunës, duke pasur për qëllim rritjen e kapacitetit për zhvillimin të turizimit i cili do të hapte vendpunime afatgjata.

Të 33 komunat e Kosovës për pjesëmarrje në programin "Beautiful Kosovo" mund të konkurojnë me së paku tri projekte publike nga territori i vet. Mirëpo, përpjekjet e deritanishme nga brenda dhe jashtë mbesin një fyt i ngushtë për të absorbuar numrin e madh të të papunëve në Kosovë, së cilës çdo vit i shtohen nga 40 mijë krahë të rinj pune.

Autor. Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aia Cama

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.