VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

QAZIM BLLACA - NJËRI NGA SHTATË DREJTUESIT KRYESORË TË LIDHJES SË DYTË SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Nga REXHEP SHAHU


E Enjte, 06.09.2011, 02:57pm (GMT1)

Tridhjetë vjet nëpër ferrin dhe burgjet komuniste në Kosovë e Shqipëri

I

Qazim Bllaca, njëri nga të gjashtëmbëdhjetë fëmijët e Ramë Bllacës, patriotit që kishte penguar planet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe këtë e kishte paguar me jetë, ndoqi gjurmët e të jatit dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore përdori gjithë potencialin e vet intelektual për t'iu kundërvënë planeve shfarosëse çetnike dhe këtë edhe ky e pagoi me tridhjetë vjet burg në Kosovë e Shqipëri.

Qazim Bllaca, njeriu që i thirri në ndihmë trupat gjermane për të shpëtuar shqiptarët prej masakrave të ushtarëve dhe çetnikëve serbë në Bllacë, Suharekë e më gjerë në Kosovë

Të hënën, në moshën 90-vjeçare (18 korrik 2005), vdiq në Prizren Qazim Bllaca, njëri nga intelektualët e parë të Kosovës, një nga themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, gjatë viteve 1942-1944 deputet për Kosovën në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë me seli në Tiranë dhe nënministër në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Është njeriu që kaloi mbi 30 vjet në burgjet komuniste të Kosovës e të Shqipërisë, për të përfunduar në një heshtje të pazakonshme për personalitete të tilla gjatë dekadave të fundit të jetës në Prizren, pas kthimit nga Shqipëria në vitet e shtatëdhjeta, një kthim që kishte shqetësuar Beogradin, por që asokohe nuk e pati forcën ta trazonte përsëri. Ishin Mahmut Bakalli dhe Asllan Fazlia, dy funksionarë politikë - të Partisë dhe të pushtetit, që e ndihmuan. Po japim në vazhdime shkrimin që autori e kishte hartuar deri sa protagonisti ishte gjallë.

Iu bashkua gjermanëve për t'i luftuar çetnikët serbë

Vështirë të ketë njeri aktiv në botën shqiptare, aktiv për të ditur rreth historisë sonë kombëtare rreth qëndresës kombëtare, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dekadave të sundimit komunist, që të mos ketë dëgjuar për Qazim Bllacën.

Qyteti i lashtë i Prizrenit dhe Suhareka e kanë pritur dhe shpallur hero që ditën e parë të hyrjes së trupave gjermane në Prizren gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sepse, Qazim Bllaca ishte ai njeri që i thirri në ndihmë trupat gjermane për të shpëtuar shqiptarët prej masakrave të ushtarëve dhe çetnikëve serbë në Bllacë, Suharekë e më gjerë. Qazim Bllaca i doli atëherë në rrugë autokolonës gjermane, që vinte nga Qafa e Duhlës për në Prizren, dhe u dha ushtarëve gjermanë një letër të shkruar prej dorës së tij në gjermanisht, në të cilën u tregonte se serbët po bënin kërdinë mbi popullsinë civile shqiptare, po i vrisnin e masakronin vetëm pse ishin shqiptarë etnikë në trojet e tyre, dhe u kërkonte ndihmë gjermanëve. Dhe ashtu u bë. Ushtarët gjermanë i vunë përpara çetnikët serbë dhe shpëtoi Bllaca e fshatrat përreth. Shpëtoi Suhareka, Prizreni e krejt Kosova. Po atë ditë Qazim Bllaca u priu gjermanëve, duke udhëtuar në krye të autokolonës gjermane, në automjetin e parë të saj drejt Prizrenit. Ai ishte njeriu që prezantoi shqiptarët para armatës zulmëmadhe gjermane. Udhëtoi me oficerët gjermanë, pa me sytë e tij se si kapitullonin serbët para gjermanëve, ata serbë që zi e gjëmë u k ishin shkaktuar shqiptarëve brez pas brezi.

Patriotizmin e trashëgoi nga i ati, Ramë Bllaca

Natyrisht, aq sa i ka premtuar ajo kohë udhëtimi, Qazim Bllaca u ka folur oficerëve gjermanë për shqiptarët, për vuajtjet e tyre nën thundrën serbe, për hiret e virtytet e bukura të shqiptarëve, për zakonet e lavdërueshme të tyre. Por sado pak t'u ketë folur Qazimi gjermanëve mirë për shqiptarët e keq për serbët, edhe vetë prezenca e tij i ka mikluar e bindur oficerët gjermanë për fisnikërinë e shqiptarëve. Sepse realisht gjermanët kishin hasur në një fisnik shqiptar, i cili po u kërkonte ndihmë atyre të shpëtonte prej barbarëve serbë bashkëkombësit e tij shqiptarët. Dhe kështu autokolona gjermane e grirë nga autovetura, ku rrinin dy oficerë gjermanë dhe Qazim Bllaca, hyri në Prizren, ku u pritën realisht si shpëtimtarë të shqiptarëve. Shqiptarët s'kanë pasur dhe s'kanë droje për këtë. Prizrenasit janë ndjerë mase të qetë e të lumtur bash pse kanë parë në krye të autokolonës germane Qazim Bllacën, të cilin e njihnin se ishte rritur e shkolluar në këtë qytet të lashtë, historik e krenar shqiptar. Që e njihnin si birin e patriotit të madh shqiptar Ramë Bllaca, i cili kishte kundërshtuar zbrazjen e Kosovës prej racës shqiptare, zbrazje e cila do të realizohej në bazë të marrëveshjeve të turpshme serbo- turke, birin e këtij deputeti shqiptar të parlamentit jugosllav, të cilin çetnikët serbë e vranë në pabesi, se nuk e mundnin dot.

Prizrenasit janë ndjerë ngrohtë që Qazim Bllaca, biri i patriotit Ramë Bllaca, është me oficerët gjermanë. Dhe që nga ajo ditë, Qazim Bllaca është hero në Prizren. Ani se veprimtaria e tij e mëvonshme është e bujshme në dobi të kombit e të çështjes shqiptare në tërësi, ani se kalvari i vuajtjeve të tij nëpër burgjet komuniste, si ndëshkim pse ishte dhe është shqiptar, ia lartëson edhe më meritat e tij. Ani pse dashuria për Shqipërinë, për kombin, ani pse sakrificat dhe shërbimi ndaj tij në funksione nga më të nderuarat, u bënë shkak të torturohet tridhjetë vjet nëpër ferrin e burgjeve komuniste në Kosovë e Shqipëri.

Pas misioneve patriotike - në burg

Kryetari i parë shqiptar i Bashkisë së Prizrenit

Qazim Bllaca ishte njëri ndër nismëtarët dhe njëri nga shtatë drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit të 16 shtatorit të vitit 1943. Është nënprefekti i parë i Suharekës kur u bë administrata shqiptare në kohën e luftës së Dytë Botërore në prill 1941. Është kryetari i parë shqiptar i Bashkisë së Prizrenit që në qershor 1941. Gjatë viteve 1942 -1944 zgjidhet deputet për Kosovën në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë me seli në Tiranë, kohë kjo kur trojet etnike shqiptare, në pjesën dërmuese të tyre ishin bashkuar dhe qeveriseshin nga administratë shqiptare. Në vitin 1943 emërohet nën ministër i ekonomisë kombëtare në qeverinë e Rexhep Mitrovicës

Të përpiqesh që të rrokësh jetën e një personaliteti si Qazim Bllaca, është e vështirë, pasi përmasat e tij nuk zvogëlohen dot. Ndryshe do të ishte të shkruhej një libër për këtë njeri. Atëherë mund të shënoje diçka për të. Ndërsa ne në rastin tonë, vetëm mund të cekim telegrafisht jetën dhe bëmat e tij. Vetëm mund të themi shumë shkurt, se është i vetmi njëri i mbetur gjallë, si njëri ndër nismëtarët dhe njëri nga shtatë drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit të 16 shtatorit të vitit 1943. Është nënprefekti i parë i Suharekës kur u bë administrata shqiptare në kohën e Luftës së Dytë Botërore në Prill 1941. Është kryetari i parë shqiptar i bashkisë së Prizrenit që në qershor 1941. Gjatë viteve 1942 -1944 zgjidhet deputet për Kosovën në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë me seli në Tiranë, kohë kjo kur trojet etnike shqiptare, në pjesën dërmuese të tyre ishin bashkuar dhe qeveriseshin nga administratë shqiptare. Në vitin 1943 emërohet nën ministër i ekonomisë kombëtare në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, qeveri kjo e gjithë hapësirës shqiptare, qeveri kjo që kundërshtonte rreptë italianët që i kishin hequr Shqipërisë përfaqësitë e saj diplomatike jashtë, që i kishte cenuar flamurin kombëtar shqiptar etj.. Në këtë detyrë Qazim Bllaca qëndroi deri në nëntor 1944 kur e morën pushtetin komunistët në Tiranë dhe në Jugosllavi. Një muaj më vonë Qazimi arrestohet te dajat e tij në fshatin Budakovë të Suharekës, prej OZNA-s serbe dhe e burgosin në Prizren. Më pas e dërgojnë në burg në Prishtinë. Në qershor 1945 e ekstradojnë në burgun e Tiranës. Por në vend që komunistët shqiptarë ta lëshonin prej burgut, në Tiranë fillon kalvari i llahtarshëm i torturave e i vetmisë. Dy vjet hetuesi. Më pas gjykata ushtarake e dënon me njëzet vjet burg të rëndë. Pastaj nga burgu i vogël qeli në Burrel e Tiranë, e hedhin në një burg më të madh - internim në fshatin Shtyllas në Levan të Fierit për 13 vjet. Dhe gjithë kjo udhë e mundimshme ferri, vetëm e vetëm pse qe shqiptar, pse e deshi Shqipërinë, Kosovën, kombin të cilit i përkiste, pse bëri për ta, pse sakrifikoi për ta, pse urrente serbët të cilët veç të zeza i kishin sjellë kombit shqiptar.

Të heshtësh për Qazim Bllacën, për këtë shqiptar vigan, fisnik gjithsej, siç ka heshtur historiografia jonë, gazetarët dhe shkrimtarët shqiptarë, është njëlloj sikur të kalosh në këmbë bri një mali të lartë e të thuash se nuk e kam parë malin. Gjithsesi është një mëkat i ynë. Se nuk i kemi trokitur në derë këtij njeriu që të mëson si të jesh shqiptar i denjë, që të mëson se si të nderojnë të tjerët, që të mëson se si e pse të jesh krenar që je shqiptar. Sa na është dashur e s'e kemi thirr kur kemi ecë nëpër terr. E shpesh mendoj se nuk kemi dashur të na e tregojë udhën. E kemi dashur terrin, qorrsokakun. Se nuk kemi qenë fisnikë që ta thirrnim Qazimin e shokët e tij. Kemi pasur ngaherë drojën se na zë nën vete. Se nuk kemi guxuar as t'i rrimë përballë për shkak të madhështisë së tij, për shkak të potencës së tij.

Qazimi, i treti nga 16 fëmijët e Ramë Bllacës

Qazim Bllaca, i treti djalë ndër 16 fëmijët e Ramë Bllacës, u lind në fshatin Bllacë të Suharekës, me 9 maj 1915. Fëmijëri e pazakontë për këtë djalë i cili pati privilegjin që i ati i tij shumë i njohur ta përkëdhelte dhe ta mbante me vete në odat e burrave të cilat në atë kohë e thuajse gjithmonë për shqiptarët kanë qenë universitete të filozofisë e urtisë popullore. Por fat ishte për këtë djalë se në odat ku rrinte Ramë Bllaca flitej pa nda për hallet e popullit dhe për çështjet e mëdha të kombit. Se Rama ishte politikan dhe për shkak të përgjegjësive që kishte marrë mbi vete, ai sundonte me dije e urti odat e burrave. Përfitimi ishte i dyanshëm. Rama lazdrohej me Qazimin e ndërsa ky ngjizej me patriotizëm pasi në odën e Ramës vinin mysafirë të ndryshëm e nga të gjitha anët.

Ndonëse vetë Ramë Bllaca ishte deputet në parlamentin e Jugosllavisë, ai ishte njeri i pashkollë. Kështu, sipas tij, njeriu i pa shkollë është si njeriu pa sy. Ndoshta mu për këtë shkak, ai kishte vendosur që djalin e tij Qazimin ta shkollonte. Por atëhere Bllaca nuk kishte shkollë. Kështu që shkollimi mund të bëhej vetëm në qytete si Prizreni.

Pasi kishte mësuar në fëmijërinë e njomë në odën e burrave në prehër të Ramë Bllacës, pasi kishte dëgjuar e mësuar eposin legjendar të kreshnikëve të bjeshkëve tona Mujo e Halili, po vinte dita që Qazimi të ndahej nga familja e vendlindja e tij Bllaca për të nisur shkollimin sistematik.

Në moshën gjashtëvjeçare, pikërisht në vitin 1921, një ditë të bukur, Qazim Bllaca hyp në prehër të babait të tij në atkinë e bardhë pasi përshëndetet me nënën dhe të tjerët e familjes dhe i shoqëruar edhe nga tre - katër burra të tjerë niset drejt Prizrenit. Drejt atij qyteti që i ishte dukur se është në fund të botës dhe jo veç tridhjetë km larg vendlindjes së tij. Babai i tij kishte biseduar me do miq të vet që ishin prej Zhuri, por që ishin banorë të hershëm të Prizrenit, që djali i tij të rrinte në shtëpinë e tyre. Dhe kështu Qazim Bllaca që në moshën 6-vjeçare u bë edhe me një familje të dytë, që ishte familja e vëllezërve Hasan e Hysen Zhurit.

Sapo mbërrin në Prizren dhe vendoset në këtë familje të re njomëzaku 6 vjeçar ndeshet me vështirësi të shumta. Në familjen ku banonte flitej herë shqip e herë turqisht. Në shkollë mësohej në gjuhën serbe pasi nuk mund të mendohej për shkolla në gjuhën shqipe. Serbishtja ishte gjuha zyrtare e pushtuesit. Turqishtja përdorej si gjuhë që të bën të dukesh me kulturë, të bën të dukesh qytetar. Ndërsa shqipen në atë kohë, si edhe sot në grupe të caktuara në Prizren e konsideronin si gjuhë të katundarëve. Kështu pra që në moshën 6 vjeçare Qazim Bllaca detyrohet të përdorë tri gjuhë.

Ende pa e mësuar gjuhën amtare shqipe, duhej të mësonte serbishten që ishte gjuhë e mësimeve në shkollë. Duhej të mësonte turqishten që ishte gjuhë e përdorshme në familjen ku jetonte dhe gjuhë e rrugës dhe e shokëve me të cilët rrinte. Natyrisht që kjo nuk ishte e lehtë për një 6 - vjeçar. Aq më tepër ndjehej në pozitë të vështirë kur shkonte me pushimet e verës në Bllacë ku e përqeshnin shokët se nuk e fliste gjuhën shqipe si ata. Por pushimeve të verës ecte mirë me shqipen. E kur shkonte në shkollë prapë në Prizren e përqeshnin shokët e shkollës se e fliste më rëndë turqishten.

Sa mbaron shkollën fillore, regjistrohet në gjimnaz në Prizren. Kjo natyrisht me vështirësi pasi serbët nuk donin që nxënësit shqiptarë të shkolloheshin nëpër shkolla më të larta. Por edhe kur mundeshin të regjistroheshin shqiptarët në shkolla të mesme, serbët gjenin mënyra për t'i larguar nga shkolla. Ose i rrëzonin në provime, ose gjenin plot shkaqe për t'i larguar nga shkolla. Nga 20-30 nxënës shqiptarë që mund të fillonin gjimnazin, vetën dy-tre prej tyre mund ta vazhdonin e ta mbaronin. Veç këtyre vështirësive, për Qazim Bllacën kishte edhe probleme të tjera si shkaqe për ta thyer apo larguar nga shkolla. Edhe pse nxënës i shkëlqyer, ai rrezikohej sepse ishte i biri i shumë të njohurit Ramë Bllaca, që ishte halë në sy të serbëve për patriotizmin dhe shqiptarizmin e tij, për kundërshtitë e mëdha që kishte ai ndaj regjimit shovinist serb e veçanërisht kundër politikës serbe që kërkonte me çdo kusht ta shpopullonte Kosovën prej shqiptarëve duke i dëbuar ata edhe nëpërmjet marrëveshjeve të turpshme serbo - turke, të turpshme e antishqiptare për të dyja palët si serbët ashtu edhe turqit.

II

Shqiptarët në Kosovë vriteshin në Shqipëri - burgoseshin

Kryetari i Bashkisë së Prizrenit, deputeti i Kuvendit Kombëtar Shqiptar, nënministri i Ekonomisë Kombëtare, njëri ndër kryesorët në Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit, Qazim Bllaca, arrestohet pse i ka kontribuar kombit të tij dhe fillon kalvarin e rëndë të burgjeve komuniste dhe të internimeve për " mëkatet " që kishte bërë në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, për të kaluar nëpër burgjet e Kosovës e të Shqipërisë vitet e moshës më të mirë

Prizreni, qyteti të cilin e pa pasi kishte mbushur gjashtë vjet, por ku do të nis ngjitja e Qazim Bllacës në hierarkinë e pushtetit dhe ku do ta përfundojë jetën pas shumë vjetësh të kaluar nëpër burgje - në Kosovë e Shqipëri

Duke qenë i paqetë në Prizren vetë Qazimi, por edhe Rama për të birin, ai vendos që ta dërgojë për studime diku larg ku të mos njihej se i biri i kujt ishte e të mos i kanosej kjo gjë si rrezik të birit. Për këtë ai zgjedh shkollën e mesme në Kragujevac të Serbisë ku kishte edhe një internat - konvikt. Kjo u bë e mundur prej Ramë Bllacës pasi si deputet që ishte në parlamentin jugosllav ai e njihte ministrin e Arsimit të asaj kohe dhe e rregulloi shkollimin e të birit në këtë qytet ku studionin kryesisht nxënës të Serbisë Jugore e të Maqedonisë. Në këtë konvikt, nga 300 nxënës vetëm 4 ishin shqiptarë bashkë më Qazim Bllacën. Njëri ishte Hajri Zeno, çam nga fshati Konispol i Sarandës, i ikur si emigrant i ndjekur nga Ahmet Zogu. Ky shok i Qazim Bllacës ishte më i rritur dhe studionte në klasën e tetë. I dyti shqiptar në këtë shkollë të mesme në Kragujevac ishte Imer Rashidi prej rrethinave të Strugës që studionte në klasën e shtatë. I treti shok ishte Sokol Dobroshi prej Gjakove, edhe ky në klasën e shtatë. Ndërsa vetë Qazimi ishte në klasën e pestë.

Gjatë viteve të studimit në Kragujevac, Qazimin shkonte dhe e takonte i ati i tij Rama. Ia pati njohur edhe të tre shokët shqiptarë. Kishte një dobësi më të madhe për çamin Hajri Zeno sidomos për të folurën e tij në gjuhën shqipe.

Në qershor 1936 mbaron shkollën në Kragujevac dhe në vjeshtë të këtij viti fillon studimet e larta në fakultetin juridik në Beograd, duke plotësuar kështu edhe dëshirën e babait të tij Ramës. Fakultetin e vazhdon deri me 6 prill 1941 kur bombardohet Beogradi prej gjermanëve, kur edhe tre muaj do të diplomohej në drejtësi. Kështu lufta ia ndërpret studimet. Me trenin e fundit që largohej nga Beogradi me 6 prill 1941 Qazimi vjen në Kosovë, në Mitrovicë. Pas tri ditë udhëtimi në këmbë nëpër Drenicë, kthehet në vendlindje në Bllacë, i shoqëruar gjatë gjithë udhëtimit me studentin gjakovar Tahir Ibrani. Vjen në shtëpi i përmalluar pas dhjetë vjetësh shkollimi e mungese në vendlindje.

Serbët po hakmerreshin mbi shqiptarët për humbjet që i pësonin nga gjermanët

Babën Ramë nuk e gjen se ia kishin vrarë serbët. Ishte duke vazhduar Lufta e Dytë Botërore, luftë kjo që dashje pa dashje ishte në të mirë të shqiptarëve të Rogovës pasi do t'i çlironte për do kohë prej zgjedhës serbe dhe do të bashkonte pjesën më të madhe të trojeve shqiptare nën një administratë shqiptare me gjuhën shqipe, luftë kjo që do të bënte realitet për do vjet ëndrrën e gjithmonshme shqiptare për të qenë një shtet e një komb.

Përpjekja e pasukses për arratisje në itali

Pas nëntë vjet burg të rëndë në Burrel e sjellin në burgun e Tiranës ku dhe plotëson gjithsej 17 vjet e gjysmë burg. Dy vjet e gjysme burg i falën nga amnistitë.

Me 14 prill 1962 Qazim Bllaca lirohet nga burgu i Tiranës. Por pa ia hequr hekurat nga dora, pa e lënë të lirë asnjë ditë, ashtu të lidhur e dërgojnë në internim në fshatin Shtyllas në Levan të rrethit Fier. Nga qelia e vogël e burgut e hedhin në një qeli pak më të madhe ku duhej të provonte kushtet e rënda edhe të stërmundimit fizik. Pamundësia për të mbijetuar e detyrojnë të marrë rrezikun në sy për të provuar arratisjen nëpërmjet detit për në Itali. Bashkë me dy shokë të tij të internimit Qazim Vula nga Gjakova dhe Hazir Halimi nga një fshat i Vushtrisë vendosin të arratisën për në Itali me një barkë gjysmëmotorike. Këtë barkë e ndërtoi Qazim Vula që ishte mekanik dhe marangoz i zoti. Por mjerisht barka nuk u bëri ballë dallgëve të detit. Dallgët e kthenin mbrapsht dhe e mbushnin me ujë. Pas natës që e provuan udhëtimin dhe nuk eci, qëndruan edhe gjithë ditën të fshehur në bregdet për të pritur natën tjetër për ta provuar prapë udhëtimin për Itali. Por rojet bregdetare i shohin dhe i arrestojnë të tre.

Por pas vetëm tri ditë pushimi në familjen e tij në Bllacë, për Qazimin do të niste udha e gjatë në shërbim të atdheut e të kombit shqiptar. Për të mësuar më shumë se ç'po ndodhte në Kosovë kur dihej se Gjermania kishte sulmuar Jugosllavinë Qazim Bllaca bashkë me kushëririn e tij Zeqë Mehmetin dalin në Duhël ku ishte qendra e komunës dhe pastaj në Qafë-Duhël në udhën kryesore që lidhte Prizrenin me qendrat e tjera të Kosovës. Ndërkohë xhandarët dhe çetnikët serbë ishin tërbuar për shkak të humbjes së ushtrisë serbe para armatës gjermane, dhe egërsinë e tyre, dufin e tyre po e nxirrnin duke vrarë e masakruar shqiptarë. Bash për këtë Qazim Bllaca kishte shkruar një letër në gjermanisht dhe donte t'ua jepte ushtarëve gjermanë kur të kalonin në rrugë, letër në të cilën ai u tregonte gjermanëve se popullsia shqiptare është në rrezik zhdukje prej serbëve dhe ai u kërkonte ndihmë për të shpëtuar shqiptarët. Pas një pritje bukur të gjatë në udhë në Duhël, vjen një triçikël gjermane. Për ta ruajtur Qazimin se mos po i ndodhte gjë prej gjermanëve, Zeqë Mehmeti ngre dorën me gjithë letër lart dhe tricikla gjermane ndalet. E marrin letrën ushtarët gjermanë, e lexojnë dhe vazhdojnë me shpejtësi në drejtim të Ferizajt apo Shtimes. Duke pritur se mos po vjen ndonjë autokolonë gjermane, ra nata. Ashtu në këmbë të dy nisen drejt Ferizajt me parandjenjën se do të vijë ndonjë autokolonë gjermane. Pasi e kalojnë Grykën e Carralevës, ja ku vjen një autokolonë e gjatë gjermane. i shmangën pak nga rruga. Kur afrohet xhipi i parë, Qazimi me atë pak gjermanishte që dinte u flet ushtarëve thonë të hipte në xhip dhe e marrin me vete. Gjatë rrugës Qazimi i tregonte një oficeri gjerman për situatën e vështirë nëpër të cilën po kalonin shqiptarët prej sulmeve e zhdukjeve fizike që kishin ndërmarrë serbët ndaj tyre. Kur autokolona gjermane mbërrin në Duhël te komuna, disa tanke gjermane dhe mjete të tjera filluan të godasin kundër serbëve që dukeshin duke ikur nëpër shpatijet aty pranë. Pastaj autokolona gjermane rimerr udhë në drejtim të Suharekës e Qazim Bllaca vazhdon të qëndrojë në veturën që i printe autokolonës gjermane dhe t'u shpjegojë oficerëve gjermanë çfarë ata donin, por sidomos për reprezaljet serbe ndaj shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre etnike.

Ngritja dhe rënia në hierarkinë e pushtetit shqiptar

Kështu duke shoqëruar autokolonën gjermane që në Prizren e kudo në Kosovë pritej mirë pasi gjermanët po dëbonin serbët prej Kosove dhe shfaqnin simpati për shqiptarët, Qazim Bllaca hyn në Prizren. Që nga ajo ditë në memorien e njerëzve që e njihnin dhe po e shihnin mes gjermanëve, Qazim Bllaca nis e lartësohet, nis e lavdërohet prej popullit shqiptar. Dhe prania e tij mes gjermanëve i konsiderohet bëmë e madhe në dobi të shqiptarëve, siç edhe ishte në të vërtetë. Nga Prizreni ai e shoqëron autokolonën gjermane deri në fshatin Vlashnje të Vrrinit ku autokolona pas një pushimi disaorësh pasi ia kishte arritur qëllimit - mundjen e ushtrisë serbe - kthehet përsëri në drejtim të Shtimes e për më tej. Me gëzim të ligjshëm brenda vetës për sa kishte bërë, por edhe me një trishtim të brendshëm pasi kishte mësuar prej oficerëve gjermanë kur pushonin në Vlashnje se Shkupi nuk do t'i jepej Shqipërisë por Bullgarisë, Qazim Bllaca e shoqëron autokolonën gjermane në kthim deri në Shtime dhe aty kërkon të zbresë. Aty natën vonë ndahet prej gjermanëve për t'u kthyer mbrapsht për në Bllacë ku dhe qëndroi vetëm disa ditë.

Pasi qëndron dhe pushon vetëm pak ditë në familje, i vjen lajmi se duhet të paraqitet në qendër të Prefekturës në Prizren që kishte nisur të vepronte si administratë e re shqiptare. Sapo shkon në Prizren ia komunikojnë emërimin si nënprefekt i Suharekës. Kështu u emërua nënprefekti i parë i Suharekës si administratë e re shqiptare që po konsolidohej me shpejtësi, në gjuhën shqipe dhe nga shqiptarë. Por këtë detyrë Qazim Bllaca e ushtron vetëm tre muaj. Pasi Komisariati i Lartë Civil për Kosovë, Strugë e Dibër, i cili ishte organi më i lartë qeveritar i asaj kohe, e emëron Qazim Bllacën kryetar të Bashkisë së Prizrenit. Këtë funksion të lartë në këtë qytet të lashtë në të cilin kishte hyrë vetëm 6 vjeç ai e ushtron për një vit me ndershmëri, devocion e dashuri. Kështu Qazim Bllaca u bë kryetari i parë shqiptar i Bashkisë së Prizrenit nën pushtetin e përgjithshëm shqiptar e kur shumica e trojeve shqiptare ishin të bashkuara e të drejtuara nga administratë shqiptare. Ai kështu pati mundësinë fi shërbejë këtij qyteti që e kishte rritur, këtij qyteti ku jetonte familja e mikut të babait të tij Hamdi Saraçit (Bytyçi), nëna e tij Meleqe Hanëmi që ishte kujdesur aq shumë për Qazimin.

Pas një viti në këtë detyrë, kur administrata shqiptare po konsolidohej, Qazim Bllaca zgjidhet deputet për në Kuvendin Kombëtar në Tiranë bashkë me deputetët e tjerë të trojeve të lira të Kosovës.

Fillon jeta e ngjeshur e aktive politike e kombëtare për çështjet që shqiptarët i kishin në rend të ditës si konsolidimin e pushtetit dhe shtrirjen e tij kudo në hapësirat shqiptare. Në shtator të vitit 1943 Qazim Bllacën e gjejmë njeri shumë aktiv në komisionin nismëtar për themelimin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit. Në kuvendin e parë të kësaj Lidhje të Dytë Shqiptare të Prizrenit që fillon punimet me 16 shtator 1943 dhe ku marrin pjesë përfaqësues nga gjithë qendrat Shqiptare, Qazim Bllaca zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Lidhjes që përbëhej nga shtatë anëtarë. Në vitin 2002 është i vetmi njeri i gjallë nga kryesorët e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.

Po në vitin 1943, një muaj më vonë e pikërisht në tetor 1943, Qazim Bllaca zgjidhet delegat i rrethit të Suharekës për në Kuvendin Kushtetues të Shqipërisë që u mbajt në Tiranë në tetor 1943. Ky kuvend kombëtar nxori edhe qeverinë e tij. Kryeministër u caktua Rexhep Mitrovica. Duke ia njohur aftësitë dhe meritat si dhe përcaktimin për çështjen kombëtare. Qazim Bllacën e emërojnë nënministër të ekonomisë kombëtare. Detyrën e nënministrit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës e ka ushtruar deri në nëntor 1944 kohë kur erdhën komunistët dhe morën pushtetin në Tiranë.

Arrestimi në fshatin Budakovë

Tani fillon absurdi. Tani fillon koha e zhgërryerjes së heronjve. Fillon epoka gjysmëshekullore e mosmirënjohjes, e fshirjes së kujtesës historike kombëtare, epoka e varrosjes së vlerave kombëtare. Mashtrimi i madh ishte bërë. Më i madhi mashtrim në historinë e kombit shqiptar. Kosova iu la Titos, iu la Jugosllavisë se ashtu deshi Titoja. Dhe Tirana u bë vartësja më besnike e Titos. Shqiptarët mbetën pa atdhe. Në Kosovë vriteshin - në Shqipëri burgoseshin. Ose në Shqipëri vriteshin - në Kosovë burgoseshin. Për të vërtetuar se qeveria e Tiranës ishte nën urdhrat e Beogradit u deshën vetëm pak ditë. Dhe shembulli i madh u dha. Qazim Bllaca me atribute të shumta për çështjen kombëtarë nuk ka vend më në Shqipëri. Vjen në Kosovë. Por me 24 dhjetor, veç një muaj pas marrjes së pushtetit komunist në Tiranë, arrestohet në fshatin Budakovë te dajat e tij, prej forcave partizane të OZNA-s, forca partizane këto që komandoheshin prej Ali Shukrisë. E dërgojnë në Suharekë bashkë me pesë të arrestuar të tjerë dhe prej andej i dërgojnë në OZNA-n e Prizrenit. Sa e mbrapshtë kishte ardhur koha. Kryetari i Bashkisë së Prizrenit, deputeti i Kuvendit Kombëtar Shqiptar, nënministri i Ekonomisë Kombëtare, njëri ndër kryesorët në Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit, arrestohet pse i ka kontribuar kombit të tij dhe fillon kalvarin e rëndë të burgjeve komuniste dhe të internimeve për "mëkatet" që kishte bërë në dobi të çështjes kombëtare Shqiptare.

Pas një jave, dhe pikërisht me 31 dhjetor 1944, natën e vitit të ri e transferojnë nga Prizreni në burgun e Prishtinës ku e mbajnë deri në qershor 1945. Pastaj e kthejnë për në burgun e Prizrenit. Por, veç për dhjetë ditë. Pastaj e nisin për në burgun e Tiranës. Kosova nuk po e mbante më birin vet, heroin e vet... Se nuk ia duronte dot shqiptarizmin. Dhe po ia shiste Tiranës komuniste. Që atje të lante "mëkatet" që kishte bëre Qazim Bllaca.

Nga qelia e vogël në qeli të madhe

Vetëm dhjetë ditë qëndroi në burgun e Prizrenit dhe jugosllavët e dorëzojnë tek organet e sigurimit të shtetit të cunguar shqiptar Për të dhënë llogari atje pse kishte kërkuar e luftuar për tërësinë e Shqipërisë etnike, pse kishte organizuar e drejtuar punën për konsolidimin e administratës mbarëshqiptare, pse kishte luftuar që Kosova të mos ndahej e Shqipëria të mos mbetej sakate, pse e kishte konsideruar të padrejtë e të paqenë kufirin Kosovë - Shqipëri. Por kjo që ishte në kundërshtim me marrëveshjen që kishin komunistët shqiptarë me jugosllavët, të cilët u kishin lënë të qeverisnin vetëm Shqipërinë e sotme administrative dhe edhe këtë gjithmonë nën urdhrat e jugosllavëve.

Nga fundi i qershorit 1945 jugosllavët ua dorëzojnë Qazim Bllacën organeve të sigurimit të Shqipërisë. Dy ditë qëndron në burg në Kukës, tri ditë në burg në Shkodër dhe përfundon në birucat e sigurimit të shtetit në Tiranë. Pas do ditësh e dërgojnë në burgun e Tiranës, Dy- vjet hetuesi dhr në fund, në janar 1947 e nxjerrin në gjyq ushtarak në gjykatën e garnizonit të Tiranës dhe ku e dënojnë me 20 vjet burg të rëndë. Në fund të vitit 1947 e dërgojnë për të vuajtur dënimin në burgun e Burrelit. Pas nëntë vjet burg të rëndë në Burrel, e sjellin në burgun e Tiranës ku dhe plotëson gjithsej 17 vjet e gjysmë burg. Dy vjet e gjysmë burg i falën nga amnistitë.

Me 14 prill 1962 Qazim Bllaca lirohet nga burgu i Tiranës. Por pa ia hequr hekurat nga dora, pa e lënë të lirë asnjë ditë, ashtu të lidhur e dërgojnë në internim në fshatin Shtyllas në Levan të rrethit Fier. Nga qelia e vogël e burgut e hedhin në një qeli pak më të madhe ku duhej të provonte kushtet e rënda edhe të stërmundimit fizik. Pamundësia për të mbijetuar e detyrojnë të marrë rrezikun në sy për të provuar arratisjen nëpërmjet detit në Itali. Bashkë me dy shokë të internimit Qazim Vula nga Gjakova dhe Hazir Halimi nga një fshat i Vushtrisë vendosin të arratisën për në Itali me një barkë gjysmëmotorike. Këtë barkë e ndërtoi Qazim Vula që ishte mekanik dhe marangoz i zoti. Por mjerisht barka nuk u bëri ballë dallgëve të detit. Dallgët e kthenin mbrapsht dhe e mbushnin me ujë. Pas natës që e provuan udhëtimin dhe nuk eci, qëndruan edhe gjithë ditën të fshehur në bregdet për të pritur natën tjetër për ta provuar prapë udhëtimin për Itali. Por rojet bregdetare i shohin dhe i arrestojnë të tre.

III

Rikthimi në Kosovë pas tridhjetë vjetësh të kaluara në burgjet e Shqipërisë

Pas kthimit në Kosovë, më 1975, Qazimi, duke mos pasur se për çfarë të mire t'u tregonte njerëzve për Shqipërinë, vendos të mos u tregojë njerëzve as për të keqën, komunizmin, që e kishte mbërthyer për fyti Shqipërinë...Mbase edhe nuk do ta besonin njerëzit se Shqipëria vuante prej një regjimi komunist çnjerëzor e gjakatar, se nuk donin dhe nuk mundnin ta besonin

Kur u rikthye në Bllacë vetëm dy-tre vetë po njihte në shtëpi

Vetëm pasi priti edhe disa vjet të tjera në internim në Shtyllas të Fierit, i vjen një telegram nga i vëllau Ademi ku e lajmëronte se Ministria e Jashtme Jugosllave kishte pranuar riatdhesimin e Qazim Bllacës. Të njëjtin njoftim ia bëjnë edhe organet zyrtare në Shqipëri pas dy-tri ditësh. Përsëri nga Kukësi hyn në Kosovë. I lodhur. I dërmuar. I përmalluar. Veç viteve të rënda të burgut e internimit mbante ngarkuar mbi supet e tij barrë pa masë të rëndë mosmirënjohje, harrimi, lënie pas dore. Por ngushëllohej me mallin dhe dashurinë e pashuar për Kosovën që e ndjente dhe e besonte se ishte veç shqiptare dhe veç e shqiptarëve dhe jo e kërmave jugosllave dhe e shërbëtorëve të tyre... Në kufi e patën pritur vëllezërit Brahimi dhe Smajli si dhe djali i dytë i Brahimit Fatmiri. Takon të motrën e vogël Bahtishahi, sheh në udhë dy vajzat e Hamdi Saraqit Medihaja dhe Ikballi të cilat kishin dalë për ta pritë pasi ende e konsideronin si pjesëtar të familjes së tyre. Kur mbërrin në Bllacë sheh se vetëm dy-tre vetë po njihte në shtëpi, ndërsa të tjerët kishin lindur gjatë 30 viteve të mungesës së tij...

Qazim Bllaca s'kishte veçse gjashtë muaj që kishte dalë nga burgu dhe jetonte në Shtyllas. Fati e deshi që të mos dënohej pasi me rastin e pesëdhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë shteti shpalli amnisti për të gjithë ata që ishin të dënuar me pesë vjet burgim e poshtë. Qazim Bllaca dhe shoku i tij Hazir Halimi i Vushtrisë përfituan edhe se ishin shtetas jugosllavë. Ndërsa Qazim Vula u dënua me mbi dhjetë vjet burg. Pas një shkëputje të vogël prej Shtyllasit, Qazimin sërish e kthejnë në këtë fshat, sërish në ato punë stërmunduese në baltat e Myzeqesë.

Lajmi që e kishte pritur aq shumë kohë

Një dritë të vogël shprese, por që u shua shumë shpejt Qazim Bllaca e pa në vitin 1963, kur shteti shqiptar kishte vendosur ta kthente në Jugosllavi. Mbërritën në kufi dhjetë shqiptarë të Kosovës për të hyrë në Jugosllavi, por jugosllavët pranojnë vetëm tetë persona dhe Qazim Bllacën dhe një pejan nuk i pranojnë pasi nuk i kishin emrat në listën përkatëse.

Vetëm pasi priti edhe disa vjet të tjera në internim në Shtyllas të Fierit, i vjen një telegram nga i vëllai Adem ku e lajmëronte se Ministria e Jashtme Jugosllave e kishte pranuar riatdhesimin e Qazim Bllacës. Të njëjtin njoftim ia bëjnë edhe organet zyrtare në Shqipëri pas dy-tri ditësh. Përsëri nga Kukësi hyn në Kosovë. I lodhur. I dërmuar. I përmalluar. Veç viteve të rënda të burgut e internimit mbante ngarkuar mbi supet e tij barrë pa masë të rëndë mosmirënjohje, harrimi, lënie pas dore. Por ngushëllohej me mallin dhe dashurinë e pashuar për Kosovën që e ndjente dhe e besonte se ishte veç shqiptare dhe veç e shqiptarëve dhe jo e kërmave jugosllave dhe e shërbëtorëve të tyre...

Në kufi e patën pritur vëllezërit Brahimi dhe Smajli si dhe djali i dytë i Brahimit. Fatmiri. Takon të motrën e vogël Bahtishahi, sheh në udhë dy vajzat e Hamdi Saraqit Medihaja dhe Ikballi të cilat kishin dalë për ta pritë pasi ende e konsideronin si pjesëtar të familjes së tyre. Kur mbërrin në Bllacë sheh se vetëm dy - tre vetë po njihte në shtëpi ndërsa të tjerët kishin lindur gjatë 30 vjetëve të mungesës së tij... Vijnë shumë njerëz për t'u takuar e përshëndetur me Qazim Bllacën. Ndjehej ngushtë të fliste për realitetin që kishte përjetuar e që kishte lënë pas në Shqipëri. Edhe se e ndjente se e gjurmonte UDB-ja, por edhe se nuk donte të sillte zhgënjim të shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë. Se pastaj do të vriste shpresën e shqiptarëve... Kështu duke mos pasur se për çfarë të mire tu tregonte njerëzve për Shqipërinë, vendos të mos u tregojë njerëzve as për të keqën, komunizmin, që e kishte mbërthyer për fyti Shqipërinë... Mbase edhe nuk do ta besonin njerëzit se Shqipëria vuante prej një regjimi komunist çnjerëzor e gjakatar; se nuk donin dhe nuk mund ta besonin...

Pasi qëndron dy vjet në Bllacë, vendoset përfundimisht në Prizren, në këtë qytet që e njihte dhe e donte shumë. Vetminë ka bashkudhëtare të përditshme. Mundohet ta vrasë me leximin e shtypit dhe të ndonjë libri që i bie në dorë. Dhe jeton me shqetësimin e kombit, vuan vuajtjet e kombit. Gati shokuese ishte për Qazim Bllacën periudha e dëbimit masiv të shqiptarëve prej trojeve të tyre etnike. Gati sa nuk e realizoi Serbia ëndrrën e saj të çmendur për të pastruar Kosovën prej racës shqiptare.

Por kjo ëndërr e ligë zgjati pak. Ata traktorë ngarkuar me të dëbuar që kalonin para shtëpisë së Qazim Bllacës që e zbrazën Kosovën, ata traktorë e rimbushën prapë këtë tokë të shenjtë me racën e gjinden shqiptare. Dhe vetëm për tre muaj. Nëse për ta zbrazur Kosovën u deshën muaj, për ta rimbushur u deshën vetëm pak orë dhe pak ditë... Dhe Qazim Bllaca i mbërthyer nga pamundësia e pleqëria lutet e shpreson se populli i Kosovës dhe veçanërisht intelektualët e Kosovës do të dinë që lirinë e arritur ta kurorëzojnë me pavarësi për Kosovën dhe pastaj me bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet unik. Ai shpreson se ky ideal nuk vdes, shpreson se shqiptarët do ta arrijnë këtë gjë për të cilën Qazim Bllaca shkriu rininë, shkriu jetën e vet. Shpreson se nuk do të mund të instalohet kurrë më komunizmi në Kosovë.

Përmasat e Qazim Bllacës janë përmasat e qëndresës shqiptare. Janë përmasat e Kosovës heroike. Përmasat që të mahnisin. Ato të panjohurat nga të gjithë. Le të përshëndesim shokët e miqtë e idealit të Qazim Bllacës... Duke parë se çfarë shokësh dhe miqsh kishte Qazim Bllaca, del më në pah, më në dritë personaliteti i tij, ravijëzohet i plotë portreti i tij...

Shokët që s'mund t'i harronte

Në burgjet e Shqipërisë Qazim Bllaca kishte përjetuar tmerre (Pamje nga burgu i Tiranës)

Duke qenë se jetoi veç pak vite fëmijërie në vendlindjen e tij Bllacë dhe gjashtë vjeçar u gjend në Prizren, këtu filloi të shënohet në shoqëri por edhe të shënojë shokët e miqtë. Si shok të parë e intim gjatë shkollës fillore për Qazimin do të bëhej Hysni Rudi me origjinë prej Gjakove por që me familje jetonte në Prizren. Por shpejt u ndanë pasi Hysniu me familje emigron në Shqipëri. Takohen bashkë pas shumë vitesh ndarje kur Hysni Rudi pasi kishte kryer akademinë ushtarake në Itali, vjen në Kosovë kur Kosova iu bashkua Shqipërisë në vitin 1941, si kapiten artilerie me ushtrinë shqiptare ku dhe dallohej për aftësi dhe trimëri në luftimet e atëhershme kundër forcave serbo - malazeze dhe çetnike. Por Hysni Rudi, ky oficer i zoti shqiptar, në vitin 1945 ose 1946 pushkatohet në Shkup nga komunistët jugosllavë pse ishte nacionalist shqiptar. Shok tjetër i Qazim Bllacës në vitet e shkollimit në Prizren ishte edhe Sulejman Arapi po nga Prizreni si ndër më të afërtit mes shumë shokëve të tjerë të Qazimit. Ky shok i tij që ishte bërë okulist i zoti, ka qenë ndër të paret njerëz që ka shkuar dhe e ka takuar Qazim Bllacën kur është kthyer në Kosovë pas 30 vjet qëndrimi në burgje e internime në Shqipëri. Ndërsa për vitet e shkollimit në Kragujevac të tre shqiptarët që gjeti atje si studentë, i mbetën shokë të paharruar: Hajri Zeno çam nga Konispoli, Sokol Dobroshi prej Gjakove dhe Imer Rashidi prej Struge. Gjatë kryerjes së studimeve në Beograd, shokët më të afërt kanë qenë ata që bënin pjesë në organizatën studentore "Besa", organizatë kjo me ideale e program kombëtar shqiptar. Shokët më të afërt dhe aktivë kanë qenë Ibrahim Lutfiu nga Prizreni, Sokol Dobroshi prej Gjakove, Esat Berisha prej Gjilani, Shaip Kamberi prej Tetove, Shaip Mustafa e Avdulla Saqipi prej Presheve, Nexhip Deva prej Mitrovice, Tahir Ibrani e Xhevdet Pallaska prej Gjakove si dhe plot shokë të tjerë me të cilët në Beograd i lidhte shoqëria "Besa" por edhe largësia e dashuria për Kosovën për të cilën të gjithë ishin të përkushtuar. Por në kujtesën e Qazim Bllacës nuk do të shlyhej përpjekja e përkushtimi i Ibrahim Lutfiut, si themelues i organizatës "Besa", si prefekt i Mitrovicës dhe si i arratisur në mal e i ndjekur me tërbim prej jugosllavëve. Vdiq tragjikisht duke mos dashur të bjerë i gjallë në duart e jugosllavëve. Në vitet e organizimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit shok i shënuar për Qazim Bllacën është shoku i hershëm juristi gjilanas Esat Berisha. Të shënuar në kujtesën e Qazimit do të jenë Abdullah Musliu prej Ferizaj dhe Idriz Ajeti nga fshati Petreshticë. Këto të dy janë kujdesur shumë për Qazimin kur ky ndodhej i internuar prej italianëve në kampin famëkeq të Porto Romanës në Durrës.

Se ishte shoqëri e miqësi jo e vogël tregon edhe ardhja prej Shkupi e Abdullah Musliut për ta takuar Qazimin kur ky u kthye në 1975-ën prej Shqipërie në Kosovë.

Ersekasi dhe labi që ia shpëtuan jetën

Por një miqësi e shenjtë do të jetë miqësia e Qazim Bllacën me intelektualin e madh që bëri 40 vite burg prej komunistëve shqiptarë Osman Kazazi. U bënë shokë e miq që kur Qazimi ishte qeveritar në Tiranë e Osmani i ri intelektual. Miqësia u trash kur u ndodhën të dy në burgun e Tiranës. Më pas të dy në burgun e Burrelit dhe të dy të internuar në kampin e Shtyllasit në rrethin e Fierit. Shok i shtrenjtë ideali për Qazim Bllacën në burg ka qenë shqiptari i madh Selman Riza i cili kishte jetuar më shumë në Shqipëri se sa në Gjakovë. Selman Riza e ka mbajtur me bukë në burg Qazim Bllacën, pasi Selmanit i vinin ushqime prej familjes e Qazimit jo. Dhimbje e pashërueshme ka qenë për Qazimin kur shteti i Shqipërisë me Koçi Xoxën xhelat ia dorëzoi Jugosllavisë Selman Rizën që të dënohej prej jugosllavëve. Me ikjen e Selman Rizës, Qazim Bllaca mbetet në vetmi të shumëfishtë në burg. Por fati e deshi që një ditë takimi në burg vjen për ta parë një shok pune i quajtur Skënder Gega prej Gjirokastre me të cilin kishin punuar kur Qazimi ishte në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, por që ishin njohur vite më parë në Prizren, kur Skender Gega punonte në Komisariatin e Lartë Civil për Kosovën. Strugën e Dibrën, e Qazimi ishte kryetar i Bashkisë së Prizrenit. Kur e pa Qazimin në burg dhe në atë gjendje, Skënder Gega që të nesërmen filloi t'i dërgonte ushqime në burg prej familjes së tij, duke iu bërë Qazimit vëlla e shkuar të vëllait. Më pas del në skenë në rrethana të vështira për Qazimin edhe një shok tjetër i tij e i Skënderit, Muhedin Dino nga Libohova. Një ditë Skënderi e një ditë Muhedini i dërgonin bukë e ushqime në burg Qazim Bllacës për dy vjet me radhë. Është shumë pak vetëm artikulimi i mirënjohjes për këta dy shokë e familjet e tyre që i anë gjendur pranë Qazim Bllacës në rrethana kritike. Vjen pastaj një shok burgu tjetër i Qazimit, nga një kënd tjetër i Shqipërisë, nga Ulqini. Cafo Ulqini, i vjetër në moshë, antiserb e antimalazez i tërbuar që e pret në besë shteti i Shqipërisë. Në kushtet e vështira të burgut, kur duhej të flije për betoni, Qazim Bllacës i është gjendur dhe e ka ndihmuar një pejan i ardhur herët me familje në Tiranë Skender Taraku, i cili i sillte në burg shtroje e mbulojë. Shok i lartë ideali për Qazim Bllacën mbeti edhe shoku tjetër i burgut kolonel Sulejman Vuçiterna prej Vushtrie, por që kishte emigruar në Shqipëri. Kontakti me këtë njeri, që ia kanë nxjerrë shpirtin në baltat e kënetës së Maliqit në Korçë ku e kanë mbuluar të gjallë, ka qenë shkollë e vërtetë për Qazim Bllacën. Në burgun e Burrelit Qazim Bllaca ka pasur rast të jetë me shumë shokë e të njohur të tij, njerëz të shquar atë kohë për veprimtari patriotike e nacionaliste. Në rrethana të vështira kur burgu u jepte vetëm 500 gram bukë misri, ato mbanin gjallë njëri-tjetrin. 36 të burgosur në një dhomë me sipërfaqe 40 metër katrore ku ishte e pamundur të flije. Në dhomën numër 8 të burgut të Burrelit, ku ishte Qazim Bllaca, iu bënë shokë dhe e ndihmuan për të mbijetuar dy të burgosur .më të rinj se ai. Ndonëse vetë Qazimi atëherë ishte 32 vjeç. Është fjala për Avni Bejkovën prej Erseke dhe Xhafer Butka prej Kolonje. Qazimin ata e ndihmuan veç të tjerave edhe me dashurinë që kishin ata për Kosovën martire. Gjatë viteve të qëndrimit me ta, ata asnjëherë nuk hëngrën pa Qazim Bllacën. Njëri shok që s'harrohet, Xhafer Butka ka vdekur në Londër, ndërsa tjetri, Avni Bejkova ka ardhur prej Tirane ku jeton dhe e ka takuar edhe në Prizren Qazimin. Shokë që s'harrohen për Qazim Bllacën janë edhe Kudret Kokoshi, ish-prokuror në gjykatën e Prizrenit, Abdulla Kama arsimtar nga Labëria, Xhevdet Kapshtica ish-prokuror gjykate në Korçë, Arshi Pipa prej Shkodre poet, shkrimtar e gjuhëtar dhe të rinjtë shkodranë Maliq Bushati e Ruzhdi Barbullushi, të cilët të tre e kanë mbajtur shpesh herë me bukë në burg. Shokë që s'mund të harrohen janë edhe Ragip Meta që ishte dhëndër i Bajram Currit dhe vëllai i tij Xhevat Meta që ka punuar do kohë në Kosovë. Por është edhe një mik i veçantë që e ka shpëtuar prej stërmundimeve fizike Qazim Bllacën. Pas nëntë viteve burg, e dërgojnë në punë në ndërtimin e aerodromit ushtarak tek Ura Vajgurore në Berat. Kur prej stërmundimeve gati po binte Qazimi, i del në ndihmë një djalë i ri prej Shkodre. Është fjala për Sami Repishtin. Ai ishte dënuar si student se pse e donte Kosovën. Pas 47 viteve pa u parë, kur Sami Repishti ka ardhur nga Amerika në Kosovë, janë takuar bashkë me Qazim Bllacën si dy miq të vjetër...

Shokët e Qazim Bllacës janë të shumtë. Por këta që përmendëm janë disa. Dhe ne i përmendëm për të dhënë një përmasë tjetër të Qazim Bllacës. Përmasën e intelektualit të pranuar nga të gjitha trojet shqiptare. Përmasën e shqiptarit patriot që ka qenë gjithherë kundër ndarjeve të hapësirës shqiptare, kundër denigrimeve që përpoqi të bënte dhe deridiku bëri diktatura komuniste në Shqipëri për krahina dhe rajone të ndryshme të hapësirës shqiptare. Qazim Bllaca ishte njëlloj shqiptar i dashur si për çamin nga Konispoli, si për ulqinakun, si për fierakun, tiranasin, shkodranin, si për struganin, mitrovicasin, gjakovarin, pejanin etj. Ishte i dashur për të gjithë e me të gjithë ata që flisnin, mendonin e vepronin shqip si të parët e kësaj toke arbnore.

REXHEP SHAHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.