VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

U mbajt mbledhja përkujtimore me rastin e vdekjes së veprimtarit Smajl Haradinaj
E Mërkurë, 05.13.2009, 04:56pm (GMT1)

U mbajt sot në Prishtinë mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së veprimtarit Ismajl Haradinaj. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Haradinajn nuk e thyen as burgosja, as torturat e as persekutimi i familjes për të vazhduar rrugën e drejt për çlirimin e vendit.

 

Ismajl Haradinaj është njëri prej ideologëve dhe organizatorëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare në vitet 80-të. Ai është njëri prej të burgosurve politikë më të torturuar e më të keqtrajtuar në burgjet jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, por njëherësh është edhe njëri ndër të burgosurit politikë më të pathyeshëm, tha kryeministri i vendit Hashim Thaçi, nën organizimin e të cilit u mbajt mbledhja komemorative. Thaçi tha se Ismajl Haradinaj, i takon brezit të veprimtarëve që ishin identifikuar me fatin e popullit që i takonin.

"Smajl Haradinaj i përket këtij brezi që me shembuj jetësor dëshmuan se nuk thyhen në rrugën e lirisë, pavarësisht rrethanave të vështira jetësore. Atë nuk e thyen burgosjet e djemve në moshë të re, as persekutimi i tërë familjes.
Me krenari dhe dinjitet i përballoi të gjitha. Si pedagog kishte edukuar nxënësit që nesër të jenë të rreshtuar në radhët e UCK-së", ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Edhe bashkëveprimtari Hasan Ukëhaxhaj duke folur për jetën dhe veprimtarinë e atdhetarit Ismajl Haradinaj, theksoi se janë të rrallë veprimtarët si Ismalji që u përballën me torturat e UDB-së. Ai, ishte njëri nga veprimtarët që deri në ditën e çlirimit të vendit nuk pushoi së punuari për çështjen kombëtare, duke lëshuar shtëpinë si bazë e shtabit të UÇK-së për Zonën e Dukagjinit.
"Epopeja e UÇK-së në Prekaz, ishte preludi i çlirimit të Kosovës dhe vetëm pas dy javësh në Gllogjan pushtuesit iu tha se do të dialogojmë vetëm përmes istikameve. Në shtëpinë e Ismajlit vendoset shtabi i UÇK-së për Dukagjin. Ismjal Haradinaj e priti dhe përjetoi çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në themelin e së cilës është edhe vepra e tij", ka thënë Hasan Ukëhaxhaj.

Në emër ta familjes të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi Naim Haradinaj, djali i atdhetarit Ismajl Haradinaj.

Ismajl Haradinaj vdiq me 5 maj në Suedi. Ndërkohë, Këshilli Organizativ ka njoftuar se posa të arrijë trupi i tij, do të varroset në Kompleksin Memorail " Dëshmorët e Kombit", në Gllogjan. (RTK)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.