VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REKORD TURISTËSH, "FAJIN" E KA SALIU

Nga VINCENT TRIEST


E Premte, 07.22.2011, 11:42am (GMT1)

Gazeta prestigjioze holandeze "Algemeen Dagblad" e hapi gazetën me një artikull special për Shqipërinë me titullin "Shqipëria vendi turistik numër një". Ky mesazh pozitiv dhe qindra të tjerë të botuar në shtypin ndërkombëtar dëshmojnë qartë se zhvillimi i turizmit është një nga arritjet më të mëdha të kabinetit "Berisha I dhe II". Berisha dhe gjithë ministrat e tij kanë krijuar një imazh shumë pozitiv për Shqipërinë dhe kjo ka sjellë në Shqipëri një fluks turistësh. Këtë vit pritet ta vizitojnë Shqipërinë më shumë turistë sesa ka banorë. Po cilat janë arsyet kryesore përse qeveria e djathtë ka mundur të tërheqë në një vit më shumë turistë sesa socialistët në 4 vite?

Turizmi në Shqipëri njeh rritje më shpejt në krahasim me vendet e tjera në Evropë, gjithë kjo është arritur vetëm me punë e djersë të kabinetit të përkushtuar, diçka që nuk vlente për Bashkim Finon, ish-ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Sipas zëvendësministres së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, për periudhën janar deri në qershor numri i vizitorëve të ardhur nga vendet e huaja dhe shqiptarë të kthyer në vendin e tyre është 1,2 milion. Numri i vizitorëve me shtetësi të huaj është 764.539 persona, që është një rritje prej 39,2% në krahasim me të njëjtën periudhë gjatë 2010, kur numri i vizitorëve të huaj ishte 549.105. Këto shifrat dëshmojnë qartë se qeveria ka patur një sukses të shkëlqyer në rritje të numrit të vizitorëve në Shqipëri. Po të krahasojmë numrin e vizitorëve në 2004, pra kur socialistët ishin në qeverisje, në vendin tonë kishin ardhur 300.000 vizitorë gjatë gjithë vitit, me një fjalë katër herë më e ulët sesa gjashtëmujori i parë i këtij viti.

Gazetat dhe revistat më prestigjioze në mediat ndërkombëtare, si "Lonely Planets" dhe CNN kanë vlerësuar maksimalisht arritjet në fushën e turizmit. Po këto vlerësime nuk vlejnë veç për bukurinë e Shqipërisë, por edhe për punën e madhe se ka bërë qeveria në vendin tonë. Sipas shkrimit të gazetës holandeze, para afro 5-6 vitesh Shqipëria ishte vetëm për turistët më të guximshëm, kjo sepse qeveria e atëhershme nuk merrte masa për të luftuar krimin e organizuar nëpër Shqipëri. Po detyrimet, të cilët socialistët i lanë zvarrë, kabineti Berisha I dhe II mori gjithë masat për përmirësimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe luftën e policisë kundër çdo lloj aktiviteti kriminal. Kjo ka patur një efekt direkt dhe ka shërbyer për rritjen e sigurisë në vend. Ndryshime të tjera janë kryer në të gjitha fushat, por sidomos në fushën e taksave, sepse ajo ka lehtësuar bizneset në vend. Këto lehtësime financiare kanë qenë për gjithë biznesin në Shqipëri, po në këto masa kanë përfituar edhe bizneset në fushën e turizmit dhe kjo ka ndikuar direkt në rritjen e kushteve për turizmin, si për shembull rritje të hoteleve dhe lokaleve. Një tjetër efekt mjaft pozitiv nga ulje e taksave është se ka ulur çmimet në vend, gjë që ka tërhequr akoma më shumë turistë. Sigurisht edhe Ministria e Mjedisit ka patur dorë në rritje të fluksit të turistëve, sepse me pastrimin i vendit nga varrezat e makinave dhe mbjellje të pemëve në gjithë qarqet, ka ndikuar në një Shqipëri akoma më të bukur dhe shumë më të pastër.

Shqipëria ka një potencial të pafund për turizmin malor, bregdetar dhe kulturor. Shqipëria me malet e shumta, bregdetin e gjatë, monumentet dhe vendet historike pa fund, si dhe veshjet dhe muzikën e saj karakteristike janë një element tërheqjeje për turistët e huaj. Po këto bukuri kulturore dhe natyrore kanë qenë të njëjta, si ato në kohën e qeverisjes nga të majtët, po ka qenë meritë e plotë e qeverisë së djathtë se ka tërhequr një fluks të madh turistësh.

Nëse do të krahasoni Shqipërinë e vitit 2005 me atë të cilën është aktualisht do të shihni se ndryshimi i premtuar i Berishës është një premtim elektoral plotësisht i mbajtur. Arritjet janë të dukshme në të gjitha fushat dhe sidomos në atë të turizmit, energjetikës, rrugore dhe politika e taksave. Me këto ndryshime Shqipëria është në rrugën e duhur për anëtarësimin në familjen e Bashkimit Evropian. Le të shpresojmë se "fajtori" për gjithë këtë, Sali Berisha, të vazhdojë reformat për tërheqjen e akoma më shumë turistëve.

(http://www.rilindjademokratike.com)

VINCENT TRIEST


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.