VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Mesiç dhe Topi kërkojnë bashkëpunim më të gjerë mes Kroacisë dhe Shqipërisë
E Mërkurë, 05.20.2009, 07:38pm (GMT1)

Pas anëtarësimit në NATO, Kroacia dhe Shqipëria duhet që ta zhvillojnë tani bashkëpunimin jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në atë të ekonomisë dhe në shumë fusha të tjera, vlerësuan sot presidenti kroat, Stipe Mesiç dhe homologu i tij shqiptar, Bamir Topi, pas bisedimeve në Zagreb.
     "Marrëdhëniet tona janë të mira në të gjitha nivelet ndërkohë që tani duhet të përqëndrohemi më shumë në fushën ekonomike", deklaroi Topi.
     Dy presidentët ranë dakord edhe për faktin se Kroacia dhe Shqipëria e kanë përqëndruar vëmendjen e tyre në përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
     Mesiç theksoi se pranimi i dy vendeve në NATO përfaqësonte një element të ri në marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Tiranës dhe se ky pranim duhej të shërbente si nxitje për zgjerimin e bashkëpunimit.
     "Duhet të forcojmë shumë bashkëpunimin në fushën ekonomike'', theksoi Mesiç.
     Ai shtoi se gjatë bisedimeve ishte prekur edhe çështja e liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë të cilët udhëtojnë për në Kroaci.
     "Shqipëria e ka liberalizuar plotësisht regjimin e vizave për qytetarët kroatë'', tha Mesiç, ndërkohë që Topi deklaroi se priste që edh Kroacia të bënte të njëjtin veprim.
     I pyetur për perspektivën evropiane të vendit të tij, Topi tha se me pranimin në NATO, Shqipëria kreu edhe një numër të madh reformash të domosdoshme për anëtarësimin në BE.
     ''Megjithatë, ne jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Evropian është ende shumë e gjatë'', theksoi presidenti Bamir Topi./ATSH-HINA/
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.