VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kadare: Çdo takim me studentët e Prishtinës kapërcente gëzimet që i jep shkrimtarit një takim
E Mërkurë, 05.27.2009, 03:21pm (GMT1)

 

"Jam shumë i gëzuar që ju takoj juve që jeni vazhdim i atyre studentëve që kam njohur para 30 vitesh në Prishtinë. Kështu iu tha sot shkrimtari i njohur, Ismail Kadare studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, në një ligjëratë që mbajti para tyre. "Ju jeni me fat që jetoni në Kosovën, ku qindra vjet u ëndërrua liria, tha Kadare. Ai porositi ata që të jenë të ndërgjegjshëm për kohën në të cilën jetojnë sepse, siç tha ai, kjo është koha e juaj, ju jeni arketipi më i bukur i botës.

Duke veçuar takimet e tij me studentët e Prishtinës në vitin 1972 dhe 1981 , shkrimtari i madh Ismail Kadare, kujtoi dëshirën dhe sakrificën e studentëve të asaj kohe për lirinë e Kosovës.
Kadare tha se çdo takim me studentët e Prishtinës ka qenë diçka që kapërcente gëzimet që i jep një takim shkrimtarit.
"Ishte shumë më i rëndësishëm, më kombëtar, shumë më evropian, i kishte të gjitha përmasat e asaj që e quajmë e ardhmja, por për fat të mirë ndodhi që ajo erdhi, e ardhmja që është e barabartë me fjalën liri", ka deklaruar shkrimtari Ismail Kadare.
Kadare u shpreh shumë i gëzuar që po takon studentët e një epoke tjetër, epokës së lirisë.
"Ju jeni një arketipi më i bukur i botës, rinia dhe studentë dhe më dukeni sikur jeni po ata, por ju jeni vërtetë me fat të madh që jetoni në Kosovë, që qindra vjet e ka ëndërruar lirinë e që ka pak vite që po e gëzon. E pra, kjo është koha e juaj të cilën jam i sigurt se do të jeni të ndërgjegjshëm, ndonëse njerëzit ndonjëherë nuk janë të ndërgjegjshëm", tha Kadare para studentëve.
Duke folur për standardizimin e gjuhës shqipe Kadare tha se ajo i ka bazat në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe se krijimi i një standardizimi të ri do të kthente shqiptarët gjysmë shekulli pas.

Ndërkaq, sa i përket bashkimit kombëtar Kadare tha se populli shqiptarë duhet të bëhet i plotë dhe duhet të jetë i lirë, si të gjithë popujt në botë, dhe nuk mund të ketë asgjë më pak se të tjerët.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.