VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Cetinje: Presidenti Topi i del zot Kosovës
E Shtunë, 06.06.2009, 09:00am (GMT1)

 

 

 

 

 

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi gjatë samitin të shtatë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, në Cetinje të Malit të Zi, ka theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, ndërsa ua ka tërhequr vërejtjen homologëve të tij rajoni se, "nuk mund t'i mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon".

 

Gjatë fjalës së kreut shqiptar në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore një vend të spikatur zuri edhe Kosova.

"Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që Qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës, në bashkëpunim me fqinjët", ka thënë presidenti Topi.

Edhe në prag të fillimit të samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, në Cetinjë, Presidenti Bamir Topi i ka shprehur homologut të Malit të Zi në Budvë, se shteti demokratik e shumetnik i Kosovës duhet të përfshihet në forume e nisma rajonale. Deklarata e presidentit shqiptar erdhi pasi u publikua lajmi se Kosova nuk mori ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Cetinjës që u zhvillua në Malin e Zi.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.