VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Dhjetë vjet pas çlirimit intervistë me Jakup Krasniqin
E Martë, 06.09.2009, 07:52am (GMT1)

 

 

Kryetari i parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, thotë për Deutsche Wellen se pa mbështetjen ndërkombëtare, Kosova nuk do të arrinte të ishte vend i pavarur me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.

 

Deutsche Welle: Z. Krasniqi, pas pak ditësh Kosova shënon dhjetëvjetorin e çlirimit, pra dhjetëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s. Ju keni qenë një ndër udhëheqësit e UÇK-së që po ashtu ka luftuar forcat serbe të sigurisë. Si e keni menduar ardhmërinë e Kosovës dhjetë vjet më parë?

Jakup Krasniqi: Që nga fillimi ne kemi bërë një rrugë të vështirë, por të domosdoshme për të arritur këtu ku jemi sot. Mua personalisht shpesh me pyesin nëse kam menduar, që një ditë do të bëhem kryetar i parlamentit të Kosovës së pavarur. Unë sinqerisht them se nuk e kam pritur. Ne kemi filluar një luftë politike, fillimisht për të mbajtur gjallë frymën e lirisë dhe demokracisë, duke qenë të bindur se një ditë populli i Kosovës do ta fitojë edhe lirinë edhe demokracinë. Pra kam qenë i bindur se populli i Kosovës një ditë do ta fitojë edhe lirinë edhe demokracinë por, vërtet nuk kam menduar se unë dhe brezi im do ta përjetojmë këtë ditë.

 

Deutsche Welle: Zoti Krasnqi, keni menduar se lufta politike e Kosovës dhe më vonë edhe lufta e UÇK-së do të arrijnë qëllimin që Kosova të jetë e pavarur pa ndihmën e kërkujt?

Jakup Krasniqi: E kemi filluar duke besuar në ideale dhe duke besuar se qëllimin se do ta arrijmë ndoshta edhe vetë, mirëpo në rrugë e sipër e kemi kuptuar që gjërat është vështirë të realizohen dhe duhej një bashkim dhe ky bashkim nuk ishte i mjaftueshëm të jetë vetëm i yni, por edhe i botës demokratike që t'i kuptojë drejt kërkesat tona. Unë nuk e kam pritur gjithë atë mbështetje ndërkombëtare për Kosovën mirëpo, kjo ndodhi dhe angazhimi ynë qoftë në paqe, qoftë në luftë u kuptua drejt, sepse bota demokratike e mbështet drejtësinë dhe ne ishin në anën e drejtësisë.

 

Deutsche Welle: Zoti Krasniqi, jemi dhjetë vjetë pas përfundimit të luftës. Sa ka arritur shoqëria kosovarë që ta harrojë të kaluarën dhe të shikojë nga e ardhmja dhe sa ka kontribuar në këtë drejtim struktura udhëheqëse kosovare?

Jakup Krasniqi: Unë kam qenë pjesë e të gjitha proceve politike dhe proceseve të fundit, që janë zhvilluar për Kosovën dhe mund të them se unë jam përpjekur që të luaj një rol konstruktiv, në mënzrë që shoqëria e Kosovës të shkëputet nga e kaluara dhe të shikojë nga e ardhmja. Unë përpiqem që të kem një komunikim të mirë me të gjitha komunitet në Kosovë, sepse jam i bindur se vetëm duke ndërtuar një shoqëri me njerëz dhe të drejta të barabarta mund tu iket konflikteve.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.