VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Jakup Krasniqi: Apostulli Shën Pali dëshmitar dhe ungjillëzues i paraardhësve tanë
E Mërkurë, 06.10.2009, 04:05pm (GMT1)

 

 

 

 

Me rastin e dy mijë vjetorit të lindjes së Shën Palit, sot në Prishtinë u organizua një simpozium shkencor me temë: "Shën Pali, apostulli i popujve dhe ungjillëzuesi ynë". Në rrugëtimin e tij nëpër vise të ndryshme, ai zgjodhi edhe Ilirinë, që dëshmon lashtësinë, traditën dhe kulturën tonë si popull Biblik, u tha në këtë simpoziumin e organizuar nga Kisha Katolike, Universiteti Mbretëror "Iliria" dhe nën përkujdesjen e Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

 

Studiues në simpoziumin shkencor vlerësuan se misioni i Shën Palit, ishte përhapja e mirësisë, dashurisë, paqes dhe tolerancës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nën përkujdesjen e të cilit u organizua simpoziumi, tha se Shën Pali zgjodhi edhe paraardhësit e shqiptarëve, duke i bërë ata pjesë të filozofisë së re për një drejtësi e solidaritet njerëzor.

"Me të drejtë mund ta quajmë apostullin Shën Pali, dëshmitar dhe ungjillëzues të paraardhësve tanë. Ky jubile, përkon me vitin e dytë të pavarësisë së Kosovës, duhet t'i nxisë mendjet e mbledhura këtu për të na ofruar një pasqyrë komplekse nga pikëpamja historike, arkeologjike, etnologjike dhe biblike, me të dhënat e historisë sonë për Shën Palin", ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi, vlerësoi se toleranca fetare, mirësia dhe dashuria mes njerëzve, kanë qenë dhe mbeten tipare kombëtare të shqiptarëve.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, tha se Shën Pali ishte ai që solli farën e parë të krishterimit, si dhe institucionalizimin e kishës në trojet shqiptare.

"Shën Pali ishte ai që e lidhi historikun e Ilirisë së lashtë me qytetërimin e krishterë dhe popullin tonë e bëri popull biblik. Prandaj populli ynë me të drejtë është munduar t'ia shpërblejë atij, duke mos e shkëputur asnjëherë tërësisht nga qytetërimi i dashurisë, që ai predikonte", ka thënë Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Studiuesit në këtë simpozium, thanë se nëpërmjet Shën Palit, bota iliro-shqiptare njohu dhe dëshmoi gjatë shekujve vlerat e krishterimit, që nga koha apostolike e deri në ditët e sotme.

Papa Benedikti i 16-të, e ka shpallur vitin 2009, vitin e Shën Palit. RTK
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.