VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Gordon: Në 16 muaj pavarësi Kosova suksese të jashtëzakonshme
E Mërkurë, 06.17.2009, 12:34pm (GMT1)

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Gordon, tha se suksesi i Kosovës si një vend i pavarur mbetet një faktor me rëndësi kritike për stabilitetin e Ballkanit. Gordon, i cili foli para nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, tha se vendi i ri ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në 16 muajt që kur shpalli pavarësinë dhe theksoi se kjo pavarësi është e pakthyeshme. "Udhëheqësit e Kosovës po i përmbushin angazhimet për të ndërtuar një demokraci shumëetnike, me masa mbrojtëse të gjera për serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera. Qeveria ka treguar se Kosova ka vullnetin dhe aftësitë për të luajtur një rol konstruktiv si një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar. Sigurisht që shumë punë mbetet për t'u bërë. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Kosovën ndërsa ajo dyfishon përpjekjet për të ndërtuar aftësitë qeverisëse, për të zhvilluar një ekonomi të fortë dhe krijuar ambjentit e përshtatshëm për investimet, si edhe të vazhdojë me ritme energjike krijimin e një demokracie të konsoliduar dhe shumetnike". Duke folur për ndihmën amerikane, Gordon tha se buxheti për vitin 2010 për Ballkanin reflekton një ribalancim që vaxhdon të ruajë fonde të konsiderueshme për Kosovën, rritje të ndihmës për konsolidimin e përparimit në Shqipëri dhe Maqedoni, për fuqizimin e reformave në Serbi dhe për t?u siguruar që Bosnja Hercegovina i rikthehet rrugës drejt integrimit Euro Atlantik. Filip Gordon e mori detyrën e Ndihmëssekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro Azinë muajin e kaluar, duke zëvendësuar në këtë detyrë z. Daniel Frid. Nga viti 2000 në vitin 2009, ai ishte ekspert në Institutin Brookings. Më parë ai ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ish presidentit Klinton. Ai ishte një nga këshilltarët kryesorë për Evropën gjatë fushatës presidenciale të zotit Obama.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.