VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VËLLEZËRIT GUCI (SOT USHTARË TË ZVICRËS)

Nga ZEQIR LUSHAJ


E Mërkurë, 03.07.2012, 08:10am (GMT1)


-Shkak për të ri-botue këtë shkrim timin të para 18 vjeteve, u bë një telefonatë e para pak ditësh e mikut tim të vjetër Ismet Guci, nga Zvicra....Mes tjerash, e pyeta për dy djemtë e tij, Patriotin dhe Beratin, e Ai m'u përgjigj:- Ooo, janë rritë, janë ba burra dhe të Dy janë ushtarë në ushtrinë e Zvicrës - M'u kujtuan miqtë e mi të vegjël, në moshen 5 dhe 7 vjeçare.

Ismet Guci, nga Damjani i Hasit të Kosovës, jeton në një fshat të Zvicrës gjermane, afër qytetit të Badenit dhe jo shumë larg nga Zyrihu. Përveç lirisë për të qenë vërtet shqiptar, edhe në fshatin e tij të lindjes në Kosovë nuk i mungon gjë për një jetë të mirë. Por kur mungon liria, mungon gjithçka. I ndjekur nga regjimi serb, i ndaluar, i persekutuar e i kontrolluar disa herë deri në trarët e shtëpisë, ai u detyrua të marrë rrugët e botës, realisht jo për një copë bukë siç thuhet shpesh për shqiptarët, por per një "copë" liri. Bashkë me nusen e tij Saidenë, me dy djemtë e vajzën e vogël, jeton i patrazuar në një barakë të thjeshtë derrase në fshatin zviceran. Veçse, duhet thënë, për të qenë të saktë, se në barakat e Zvicrës, nuk mungon asgjë për një jetë normale.

Zvicër, qershor 1996

Djalin e madh 7 vjeçar e quajnë Berat, ndërsa të voglin 5-vjeçar e quajnë Patriot. Janë dy vellëzër bash si molla: të shëndetdshëm, të pashëm e shumë të dashur, sidomos me

miqtë që ju shkojnë në shtëpi. Berati, shkon në shkollë, ndërsa Patrioti, në kopsht.

Unë, miqësohem me ta, dhe në mëngjes, më kërkojnë që t'i shoqëroj deri në shkollë e kopsht. (Në Zvicër, fëmijët e kësaj moshe, detyrimisht, duhet të shoqërohen nga të rriturit). Dhe

unë ua plotësoj kërkesën me kënaqësi. I marr për dore dhe duke bërë me ta muhabet si me dy "të rritur", ecim rrugës së asfaltuar, anash bahçeve të fshatit simpatik.

...Babai i tyre, miku im, Ismeti, ndoshta nga streset e jetës është pak i vrazhdë, nevrik dhe jo rrallë i ashpër me fëmijët. Ata, djemtë e Ismetit, ndoshta për këtë arsye, me mua e ndjejnë veten më të lirë, më të çiltër, si të thuash, më të barabartë. Më tregojnë me çiltërsi për shkollën e kopështin, për shokët e shoqet, për mësuesit e edukatorët. Ndonëse shpesh biseda

ndërpritet, kur ata përshdesin moshatarët e kalimtarët. Dhe I përshëndesin aq bukur në gjuhën gjermane. I dorëzoj fëmijët në vendin e duhur, dhe kthehem ngadalë për në banesë.

Eci dhe mendoj për ata dy djem, aq të mirë, aq të dashur.

Më dhimbsen! Ata, dinë shumë gjëra për moshën e tyre të njomë. Dinë që janë shqiptarë, dinë që në Damjan kanë gjyshin e nderuar Deli Gucin, dinë që Kosova është e bukur... , dinë...

dinë. Tash tre vjet në Zvicër ata dijnë edhe shumë gjëra të tjera që t'i mëson jeta, sidomos në këtë moshë, kaq te njome..

Ata dijnë, dijnë...

Ata dijnë shumë gjëra. Por, ata nuk dijnë një gjë shumë me të madhe, shumë me të dhimshme, ndoshta, trishtuese!!

... Ata, ...nuk e dijnë që, ...janë refugjatë!!

./.

Zvicër, qershor, 1996

(Për Zëri i Shqiptarëve, nga USA, mars 2012)

 

ZEQIR LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.