VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Prurje të mëdha pushuesish nga Kosova e Mali i Zi E Mërkurë, 07.29.2009, 07:18am (GMT1) Numri i shtetasve kosovarë, që drejtohen këto ditë për në bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e verës, ka arritur shifra rekord në këto ditë korriku dhe më së shumti rritja e numrit të tyre lidhet me përfundimin e punimeve në segmentin Rreshën-Kalimash, pjesë e autostradës së re Durrës-Kukës-Morinë. Burime nga dogana e Morinit në rrethin e Kukësit, në kufi me Kosovën, bënë të ditur se numri i turistëve që janë shënuar në këtë doganë gjatë ditëve të korrikut është më i madhi i dhjetë viteve të fundit. Vetëm në tre javët e para të këtij muaji, nëpërmjet kësaj pike kufitare kanë hyrë në Shqipëri 400 mijë udhëtarë dhe 91 mijë automjete. Pjesa më e madhe e tyre janë qytetarë kosovarë që kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet bregdetin shqiptar. Hapja e autostradës Kalimash-Rrëshen ka lehtësuar ndjeshëm udhëtimin dhe ka shkurtuar distancën me bregdetin shqiptar. "Jemi shumë të kënaqur me rrugën", thotë një qytetar kosovar, i cili shpreson që së shpejti të hapet edhe tuneli tjetër, i cili do ta lehtësojë më shumë qarkullimin dhe do ta afrojë edhe më shumë bregdetin shqiptar me Kosovën. Policia e Kukësit ka marrë masa lehtësuese në kryerjen e procedurave të kalimit kufitar si dhe në kontrollin e akseve rrugore për të parandaluar aksidentet automobilistike. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, një projekt i qeverisë shqiptare shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit në krahasim me rrugët ekzistuese dhe krijon kushtet për një lëvizje me shpejtësi 80-100 km/orë. Ajo realizon lidhjen e Morinit, në kufi me Kosovës, me Durrësin, për vetëm 2-3 orë, në kushte krejt normale, madje edhe në periudhat e dimrit. Rritja e dendësisë së lëvizjes dhe perspektiva e kësaj rruge, që pritet të lidhë vendet e rajonit, e bën këtë arterie mjaft të rëndësishme për shkëmbimet tregtare, me ndikim të madh në zhvillimin e mëtjeshëm ekonomik të Shqipërisë, por edhe Kosovës. Pjesë e autostradës Durrës-Morinë është dhe tuneli Thirrë-Kalimash, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Tuneli Thirrë-Kalimash dhe anasjelltas, i ndërtuar në një masiv malor, ka dy hyrje veriore dhe jugore, me nga 5.6 kilometra secila. Në 31 maj u përurua bashkimi i njërës prej tyre, asaj veriore. Si gjatë ndërtimit, edhe pas përfundimit, autostrada do të sjellë zhvillim ekonomik në zonën verilindore të vendit, duke tërhequr sipërmarrje dhe turistë në terrenin malor të kësaj zone. Muriqani, pikë kufitare e përbashkët në të gjithë rajonin e Ballkanit www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |