VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ISMAIL QEMAL BEJ VLORA: FITUES PA E NXJERRË SHPATËN

Nga RAMIZ LUSHAJ, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë


E Hënë, 04.30.2012, 06:46am (GMT1)

1.

Kryengritja e Përgjithshme Antiosmane e vilajetit luftarak të Kosovës (prill-gusht 1912), me ideolog e strateg Hasan Beg Prishtinën,[1] u krahashtri' edhe në vilajete të tjera me oaze solidariteti politik e luftë të çetave shqiptare; ia mbrrini ta "tronditi nga themelet sundimin osman në Shqipëri"; [2] e rr'galli në imazh e taban "statu-quo"-n në territore të pushtueme e në sfera ndikuese të Perandorisë Osmane, Lidhjes Trepalëshe e të Antantës në hapësinën gjeo-politike të gadishullit gurgac të Ballkanit; udhëçoi në gufimin e ullukimin e Luftës së Parë Ballkanike; "e shpuri Shqipërinë në pragun e fitores së Pavarësisë" [3] më 28 nëntor 1912 kur epokali Ismail Qemal Bej Vlora e ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në Vlorë.

Kryediplomati austro-hungarez, konti Leopold von Berchtold, me një karrierë të suksesshme diplomatike në Paris, në Londër e në San Petersburg, më 13 gusht 1912 lëshoi një "projekt drejtue Europës në favor të kryengritësve shqiptarë",[4] iu apeloi Fuqive të Mëdha të ndërhynin bashkarisht te Porta e Lartë për të zbatue politikën e një decentralizimi vetëqeverisës real në vilajete otomane në trevat shqiptare.

Boshti ortodoks antishqiptar i sllavëve të Jugut e i helenëve të Mesdheut në unison kordon e me aksion zinxhir fort kërkoi në rrugë diplomatike, politike, agjenturore, fetare, ushtarake, që serbët, malazezët, grekët e bullgarët në territoret e Turqisë Europiane: së parit, "të ngrihen kundër propozimit të Berchtoldit për shkak të dëmeve që mund t'iu sillte autonomia shqiptare, si sllavëve edhe grekëve"(!), [5] së dytit, të ngrihen kundër dakordësimit dypalësh të përfaqësuesit mandator të Shqiptarëve, Hasan Prishtina, dhe Qeverisë Osmane në Stamboll me Marrëveshjen e 18 gushtit 1912.[6]

2.

Në kthjellje të 9 tetorit 1912 cakoi "de facto" Lufta e Parë Ballkanike pasi "de juro" u shpall më 18 tetor 1912 dhe u përmbyll "de juro" me nënshkrimin e Traktatit të Paqes në Londër më 30 maj 1913, për të mos u ndalun kurrnjiherë "de facto" gjatë një shekulli kohë: as me Luftën e Dytë Ballkanike (29 qershor31 korrik 1913); as me Luftën e Kosovës (24 mars-12 qershor 1999) e as me "Planin Ahtisari për Kosovën"; as me Marrëveshjen e Ohrit (13 gusht 2001); as me "Marrëveshjen e Çmilitarizimit" (21 maj 2002) e as me "Planin Coviç" në Kosovën Lindore - Lugina dardane e Preshevës; as me ngjarjet konfliktuale të derisotme (2012) në Mitrovicë e rrethinat e saj shqiptare.

Europa ende e ka të ndezun fitilin e konfliktit të prejkohshëm ballkanik "në oborrin e vet", kurse ne, Shqiptarët iliro-dardanë-epiriotë, e kemi "te dera e shtëpisë" e "mbi çati" dhe dihet ashiqare se kjo nuk do ketë të sosun po nuk iu fik filli te 1912-ta e në varg e vanget e 1913-tës, 1919-tës, 1945-tës... gjersa trevat etnike shqiptare, sikurse është folnue tash tre shekuj, të bashkohen në një shtet të vetëm kombëtar në Ballkan.

Edhe në shek. XXI po thyhen kornizat kushtetuese (ndër)kombëtare-ndëretnike-lokale lidhun me të drejtat e liritë politike, ekonomike, etj. ndaj Shqiptarëve në Ballkan e tashti në cilën pasqyrë ka me e pa vetëveten para kohës e brezave Europa e Bashkuar në këto 60 vjet me Shqipërinë e copëtueme në 6 shtete(!)

3.

Kësokohe, në javët e para të Luftës Ballkanike, Ismail Qemal Bej Vlora, burrshtetas "superior në zgjuarësi, në përvojë dhe në dinakëri",[7] ndodhej jo rastësisht në kryeqendrën e Perandorisë Otomane, i pikangulun në një nga hotelet me emën të Stambollit, i rrethatuem pandamas nga një grup i vogël atdhetarësh shqiptarë, i joshur e i qoshkur në takime politike me miqtë e tij otomanë, në pritje të (pa)ftuara, biles edhe disi të befta e të shpeshta, me diplomatë e gazetarë të huaj.

Këtë lider të formatit të madh shqiptaro-otoman, pas "lundrimeve të gjata e me aftësi, në mes vështirësish, të cilat vërshonin si nubelozë në botën e vjetër kozmopolite Otomane",[8] pas rritjes kulmore të personalitetit e kontributeve të tij ndër shqiptarët në trojet etnike në Ballkan e në kolonitë nëpër botë, veçanarisht në kapërcyell të shek. XX e thirrnin ngutas e përzgjedhshëm në skenën politike dy flamuj: ai i Perandorisë Osmane që po mblidhej rrudhtas nga pjesa europiane dhe ai i Kombit Shqiptar në shpalosje haptas në hartën e re të Europës.

Lideri Ismail Qemal Bej Vlora, si asnjiherë e si asnjitjetër, me cak e cok ia kishte mbrri mjeshtrisht e fuqishëm të ishte njëherash e trinjakërisht manjetik e magjik për interesat strategjike të ditës e të perspektives të Shqipërisë së moçme e në rilindje në Ballkan; të Perandorisë Otomane me perspektivë anemike e retrospektive nostalgjike në shtrirjen euro-aziatike-afrikane; të Fuqive të Mëdha Europiane sidomos të Lidhjes Trepalshe e të lidhjes tjetër, Antanta (ma së forti Anglia, po deri diku edhe Franca).

Ky syç diplomatik me (fok)us politik për "të parin e vendit" që do t'i jepej dhuratë e meritë "freni e froni" i Shqipërisë prej te Pavarësia e deri te Shtetësia e tij, parasëgjithash diktohej ngutas: nga përflakja kërcenuese e Luftës së Parë Ballkanike; nga tronditja e spirravjes e haparavjes të "statu-quo"-së ballkanike deri në përcjellje ç'ekuilibrimesh ndërplanetare; nga çkyemja e Shqipërisë Natyrale etno-historike dhe e pjesës të hartnueme si "Maqedoni" në mes katër shteteve të Lidhjes Ballkanike; nga rreziku pansllav i pushtimit e i monopilizimit të Bregdetit Shqiptar; nga frika e mbetjes "fuçi e ndezun" e gadishullit të Ballkanit nga përplasjet e aleatëve prej synimeve territoriale si në mes Greqisë e Bullgarisë për Maqedoninë dhe në mes Italisë, Helenëve e Sllavëve për Shqipërinë; nga përkujdesja e sforcueme ndërkombëtare për ta mbylltue sa ma shpejt Luftën Ballkanike-Otomane pa ndërhyrje ushtarake nga lidhjet aleancore si Trepalshi e Antanta, e mbi të gjitha pa plasje të një lufte të rrezikshme botërore.

Një gazetar frëng, Stephane Lauzanne, kah fundtetori 1912 e skanon liderin e së ardhmes shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlorën, si "një burrë... i fuqishëm", ia penel portretin "me një mjekër të bardhë që rrethonte dy sy ngjyrë blu, veçanërisht të thellë e shprehës", e pikasë të ravijëzuem "me një grup të vogël njerëzish rreth tij, që diskutonin, komentonin, diskutonin, ndërsa ai rri gjithëmonë i heshtur", flet për karrierën e tij zyrtare në një realitet tipik e domethanës të kohës:

-Shikojeni këtë burrë më thotë një ditë një diplomat Ai do të jetë një ministër i parë ndofta edhe kryetar i një shteti që ende nuk ekziston. Në luftën ku po përleshet Europa Ai do të jetë fitues, pa pasur nevojë të nxjerrë shpatën...[9]

4.

Tashti në dy muajt e fundit të vjeshtës 1912 për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan (Ilirikum) të gjithë pa përjashtim të gjithë ishin të vonuar, dhe për ma tepër kjo ishte një vonesë historike e pakthyeshme e me një kosto të jashtëzakonshme politiko-diplomatike e ushtarako-financiare, që ende po e vuajnë autorët e aktorët e asaj kohe dhe po e ndjejnë edhe të tjerët rreth e rrotull.

Edhe "Flamurtari i Shqipërisë"[10] Ismail Qemal Bej Vlora po ecte ngadalë, tepër ngadalë, po me një ecje të pandalshme në intinerarin e tij të fundit për Pavarësinë e kombit të vet. Ecte pa shpatë në dorë si Skënderbeu, po i gatshëm si bashkëkohor të vnonte dorën përbetuese në Kuran e në Bibël. Ecte aq i mendueshëm për kombin e vet saqë thue do të thyhej në mes vertebres kurrizore dhe në të njëjtën kohë ndihej aq i fuqishëm në konstruktin e tij fizik, moral e politik, sa të lartngrinte viganisht Flamurin Kombëtar Shqiptar - peshën ma të madhe të tokës e të historisë shqiptare, të gjakut e të sakrificave kombëtare.

Ai dinte se kur e si me vetëdal' në krye me hapin e ngadaltë e me fjalën e mat'të, biles kjo ishte një nga meritat e tij, biles edhe kur iu vnohej në ballë, si në ngritjen e Flamurit e në udhjeksi të Qeverisë më 1912 mundoheshin me ia përparësue ndonjë argument anësor: "ishte ma i vjetri në te'tanë delegatët e Kuvendit të Vlorës"(!)

Ndokush mund ta kujtojnë të lehtë ardhjen e Ismail Qemal Bej Vlorës me Dërgatën e Pavarësisë drejt Vlorës së Flamurit po është krejt ndryshe, gjithësesi e vështirë, sepse kjo ndodhte kur "Të Mëdhajtë e Botës" me "mjete diplomatike" i rrinin rrotull "Shqipërisë në Luftë", kur të pabesët sllavë e helenë ishin me armë zjarri në duart e përgjakura nëpër truallin shqiptar e "bestari mbrojtës i vendit" pushtuesi otoman - ishte i çaraveshur e i çapërpikun pas mbi katër shekuj sundim.

4.

Të ngresh një shtet të ri në luftë është e veçantë, tepër e veçantë, biles nuk ka ndodhë ndokund në planet një akt i tillë treplanësh përveçse në truallin shqiptar e në vitin 1912.

Ky shtet u ngrit në një fushë lufte të hapur të katër fuqive ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria) në përballje me Perandorinë Otomane, që ende e kishte të ndame territorin e lashtë shqiptar në pesë vilajete: Kosova, Shkodra, Janina, Manastiri, Selaniku.

Ky shtet u ngrit në valët e Luftës Ballkanike (28 Nëntor 1912), u njoh si "shtet autonom" në rrethatimin zjarr' e flakë të kësaj Lufte Ballkanike (17 dhjetor 1912), jetnoi e veproi gjatë e pas Luftës së Parë e të Dytë Ballkanike (28 nëntor 1912-31 korrik 1913)...

Ky shtet në ato kushte e rrethana historiko-politike të kohës, u ngrit me të gjitha: nga Flamuri te Selia, nga shtrirja kombëtare e njohja ndërkombëtare, nga shkresat zyrtare e kabllimi telegrafik, nga ushtria tek shkollat, nga dërgimi i delegacioneve diplomatike në botë e deri te çuemja e ndihmave humanitare në luftë...

Ky shtet u ngrit' në luftë, po nuk ishte "shtet i luftës".

Ishte "shtet i paqes".

Pikërisht ngritja e "Shtetit të Paqes" e "Shtetit për Paqen" ishte filozofia e diplomatit të shquem e kryeshtetarit të dalluem, Ismail Qemal Bej Vlorës, që e art-luejti aq mjeshtrisht në kancelaritë europiane të Perëndimit e të Lindjes dhe në tokën etnike shqiptare gjatë periudhës së dy luftërave ballkanike (tetor 1912 - korrik 1913), gjatë përplasjeve politike të brendshme me Esat Pashë Toptanin e Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) dekteri në largimin e tij më 24 janar 1914 nga "froni i pakurorëzuem" nga

5.

Ismail Qemal Bej Vlora art-luejti aq mjeshtrisht në rrugëtimin e tij misionar të Pavarësisë gjatë muajve tetor-nëntor 1912 si në Stamboll, në Bukuresht, në Vjenë, në Budapest, në Trieste, në Durrës.

Shumë pak është folë për këtë meritë të tij, se shumkush nuk don me e nxanë goje, sepse e duan figuren e tij me e lanë në hije, si gjithënjë e si gjithëmonë, se po u përditësue në dritnim si personalitet ka me rrezatue bukur shumë. Për ma tepër kur nuk ia thonë ndonjë fjalë të meritueme tue lanë gjurmë të gdhendshme, nisin e fjalnojnë gjana hamendëse të zhurshme.

Ka asish e kësish që i bien në qafë "Flamurtarit të Shqipërisë", po nuk është krejt e drejt e pastërtisht e ndershme sepse pikërisht ky burrshtetas i Pavarësisë bashkë me vargmalet e historisë na i "hoqi qafe" pushtuesit e shekujve të robërisë.

Të pakten tue krahasimue rrugëtimin e tij nga Durrësi në Vlorë deshtëm me shtrojnue e kapaknue: Vërtetë Ismail Qemal Bej Vlora eci ato ditë nëpër baltë, po ne nuk po e ngrejmë atë nga balta për ta vnue si "Ati i Kombit", sepse u malnue si i tillë gjatë gjithë jetës së vet. Nëse eci në ditë me erë të fortë nuk ka asnjë stuhi a cunam që ta marrin përpara emrin e veprën e tij, sepse është baa q tokësorë e aq hyjnorë saqë ka shkue hyjnisht te Flamuri i Kombit, te Hymni Kombëtar, te Pavarësia, te Liria, te Vlora e Prishtina, te Shkupi e Ulqini, te Çamëria e Presheva, te Mitrovica, te Përjetësia.

"E vetmja punë e mirë rrotull këtyne dy muajve të Luftës Ballkanike, - do të dijenonte diplomati i shquem austriak, Alfred Rappaport,[11]- qe ajo e Ismail Qemalit, d.m.th. proklamimi i vetqeverimit t'atdheut të tij në Vlonë, më 28 nëntor 1912".[12]

 

 

 

 

Ramiz LUSHAJ

Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë

 

 

[1] Kosova në vështrim enciklopedik. Botim i AShSh. Tiranë, 1999, fq. 101. ISBN 99927-1-170-1

 

[2] Prof. Stefanaq Pollo. FESH. Vëll. II. Tiranë, 2008, fq. 1372. ISBN 978-99956-10-28-9

 

[3] Akad. Kristo Frashëri. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912). Monografi. AShSh. Tiranë, 2008, fq. 75. ISBN 978-99956-10-14-2

 

[4] Emil Bourgeois. "Manual Historique de Politique Entragere". Vol. IV. Paris, 1940, fq. 577

 

[5] AMAE, PE. Turqie Guerres Ballkaniques. T. VI. (Vol. 234), fq. 34. Raport i Descos-it nga Beogradi nistue ministrit të PJ në Paris, më 5 shtator 1912

 

[6] Noel Malcolm. Kosova Një histori e shkurtër. Monografi. Bot. i dytë. Prishtinë, 2001, fq. 259

 

[7] Domenico de Facendis konsull i Italisë në Vlorë. Telegram drejtue MPJ në Romë. 6 dhjetor 1912.

 

[8] Uilliam M. Fullerton. Parathania (te): Ismail Qemal Vlora "Kujtimet". Toronto-Kanada. 1968, fq. (V).

 

[9] Stephane Lauzanne: Au chevet de la Turquie. Quarante jouers de guerre. Paris, 1913, fq. 203-205.

 

[10] Renco Falaski (te) "Kujtime" të Ismail Qemal Vlora. Tiranë, 2007, fq 14. (Ky vlerësim gjendet në fundfaqe, dorëshkrue si plotësues prej tij)

 

[11] Stephane Lauzanne: Au chevet de la Turquie. Quarante jouers de guerre. Paris, 1913, fq. 203-205.

 

[12] Alfred von Rappaport Arbengau (diplomat austriak): Rrjedha e punvet në Shqipni. Përktheu nga gjermanishtja Karl Gurakuqi. Tiranë, 1928, fq. 23-24

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.