VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shpopullimi i fshatrave kosovare në kufi me Serbinë
E Shtunë, 08.15.2009, 01:03pm (GMT1)

Si pasojë e ngjarjeve të viteve të fundit të cilat edhe përfunduan me luftë, shumë fshatra të kësaj zone janë boshatisur. Ajete Beqiraj vizitoi këto fshatra dhe solli prej atje këtë reportazh:

 

Podujeva, në verilindje të Kosovës është komunë me 92 kilometra brez kufitar. Mirëpo, të veçantën e shndërron në sfidë fakti se kjo zonë kufitare shtrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Se sfidat vazhdojnë, dëshmon arrestimi i tre banorëve të Pollatës nga policia kufitare e Serbisë, në korrik të këtij viti, me akuzën për "shkelje ilegale të kufirit". Sabri, Nexhip dhe Riad Dema nga fshati Pollatë i Podujevës, u arrestuan, teksa po punonin tokat e tyre në fshatin Bellush, rrëzë brezit kufitar, Kosovë-Serbi.

 

"Jo vallahi nuk asht livadhi i serbise! Le t'i sjellin skicat. N´daltë livadhi andej kufirit, le t´na marrin edhe neve! ... Ata, e kanë marrë një hoxhë n´tokë t´vet e e kanë nguju pa iu ba kurrgja hiç. Ata po na marrin kur po dojne!- thotë Idriz Dema, duke aluduar në njërin ndër të arrestuarit, imam në xhaminë e këtushme.

 

Në Pollatë, pikërisht në këtë fshat ku jeton familja Dema ndahen dy krahë rrugësh të cilat bashkohen në brezin kufitar Kosovë-Serbi. Peisazhe të mrekullueshme na përcjellin teksa përshkojmë rrugën rurale të krahut të djathtë, e cila përfundon në fshatin Reqicë, pika më e largët e këtij krahu të kufirit. Prej këtu shihet edhe livadhi në fshatin kufitar Belush, ku u arrestuan tre kosovarët, teksa qetësinë absolute të këtyre venbanimeve të bukura e të braktisura, e trazon vetëm cicërima e zogjve e gërshetuar me këngë gjinkallash.

 

Megjithë kushtet e mira nuk është e lehtë të jetosh në këto mjedise

 

Dhe, banoret e fshatit Perpelac ishin ata që filluan braktisjen e këtyre venbanimeve që në vitet 90-të, thotë kryetari i komunës së Podujevës, Iljaz Pireva.

 

"Ndoshta vet pozita e tij rrëzë kufirit me Serbinë ka bërë që njerëzit në vitet 90-të të mos ndjehen të sigurt. Eshtë e vërtetë se kur shikon nga këndi ynë, kushtet janë të mira, një ambient i qetë e i bukur. Mirëpo, në një aspekt tjetër nuk është e lehtë të jetosh në këto mjedise":

Në fshatin Muhazog tashmë nuk ka asnjë familje; në fshatin Rakinicë ka mbetur vetëm një familje; në Bllatë janë vetëm dy familje; në Murgull dy familje; në Tërnavicë tri- katër familje, përderisa në fshatin Reqicë janë vetëm tri familje, me tendencë të rikthehen edhe të tjera, thotë kryetari Pireva.

"Në kohët e fundit janë kthyer edhe dy familje. Ndërsa, është karaktersitke që është kthyer një familje prej Obrancës, paralagje e Podujeves dhe atje ka hapur një fermë me dele e dhi".

 

Disa i braktisin pronat e veta - të tjerë i marrin ato me qira

 

Dhe, përderisa banoret e Reqicës kanë braktisur vatrat e veta dhe këtu nuk kanë mbetur më shumë se dy tri familje, Zeqir Kastrati nga Obranqa, pikërisht këtu po ndërton një jetë të re. Tashmë, vapa e ditës është në pikën më të lartë dhe atë nuk e zbusin as kurorat e dendura të drunjve. Mirëpo, kjo nuk e pengon këtë blegtor te vazhdojë punën në ndërtimin e stallës për kopenë me afro 200 krerë dhenë e dhi.

 

"Po e ndërtojmë stallën për dhen e dhi. Tokë s´kemi tonen, por e kemi marrë nga dajat, do e kemi marrë me qira e pak e kemi ble dhe tash kemi ardhë këtu të punojmë. Së shpejti do të bëjmë edhe bagëti të trashe", thotë Zeqiri. REL
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.