VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Sot mbushen 98 vjet nga vdekja e Petro Nini Luarasit
E Hënë, 08.17.2009, 01:12pm (GMT1)

Në datën 17 gusht të vitit 1911 vdiq i helmuar në Ersekë, veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Mësuesi i Popullit, Petro Nini Luarasi. Ai u lind në Luaras të Kolonjës, në vitin 1865. Ishte nxënës në shkollën e Qestoratit të Koto Hoxhit. Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe pak më vonë (1892-1893), shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911). Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike "Mall i mëmëdheut" dhe "Pellazgu", i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911. Petro Nini Luarasi bashkëpunoi në organet "Bashkimi i kombit" (Manastir 1909-1910), ku qe dhe redaktor, në "Drita" (Sofje, 1907-1908), në "Kombi" (Boston, 1908), në "Liria" (Selanik, 1909-1910) ku botoi shkrime publicistike, pedagogjike dhe poezi. Në veprën politike "Mallkimi i shkronjave shqipe dhe ç'përfolja e shqiptarit" (Manastir, 1911) mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën e vet kombëtare.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.