VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Artan Shkreli: Pirro i Epirit dhe Ylli i Balshajve, ja pse Zogu i vuri nëpër ministri E Premte, 08.21.2009, 03:43pm (GMT1)
Veprat e vëna në fasadat e ministrive nuk janë bërë në kohën e pushtimit italian por para saj. Realizimi i tyre ka përfunduar në fillim të viteve '30, ndërsa italianët do ta pushtonin Shqipërinë në fund të këtyre viteve. Ministritë u bënë me porosi të mbretit Zog, i cili kishte ndërtuar administratën e parë shqiptare dhe donte të konsolidonte institucionet dhe ndërtonte godinat e tyre në Shqipëri. Florestano de Fausto projektoi ansamblin e ministrive, duke racionalizuar në një farë mase skemën e vjetër të Armando Brazinit. Me siguri me porosi të Zogut, arkitekti që i ndërtoi, u dha një simbologji shqiptare kësaj arkitekture, e cila gjithsesi mbeti e huaj në vendin tonë. Mbeti e huaj pasi tradita e ndërtesave në Shqipëri, deri në atë kohë, kish rrjedhur pa shkëputje nga godinat me karakter administrativ osman. Disa prej këtyre i kemi trashëguar deri në ditët e sotme. Të periudhës së fundit osmane janë ish-pallati mbretëror, që sot është Akademia e Shkencave, apo disa godina të tjera në rrugën "Xhorxh Bush". Gjithsesi, ndonëse trashëgohen nga periudha e fundit osmane, në fakt nuk janë të stilit tipik osman por të një miksti të oksidentalizuar. Stil osman janë ndërtesat e Toptanë. Kështu Florestano De Fausto, arkitekti italian, pati detyrë jo vetëm projektimin e ngrehinave por edhe krijimin e një ikonografie që të lidhej me indin historik shqiptar, dhe për këtë ai iu referua temave të së kaluares. De Fausto nuk e përqëndroi sintezë e tij vetëm tek Skënderbeu, i cili vërtet kishte peshë ndër vendasit, por kërkoi të reflektonte gjithë paradigma ideologjike të shtetit të ri shqiptar. Ahmet Zogu e kish shpallur veten jo mbret të Shqipërisë por të shqiptarëve dhe ky koncept, në këtë ikonografi të mbretërisë së vet, le të themi, do duhej të përfshinte edhe trojet shqiptare të mbetura jashtë shtetit. Po, për këtë arsye, në qendër vendos figurën e Skënderbeut, që është figura qëndrore e historisë sonë, e në periferi vendos dy elemementë të tjerë. Nga njëra anë imazhi i Pirros së Epirit, e per kete, si figurë të Pirros merr një bust të tij që ruhet në Muzeun arkeologjik të Napolit. Imazhi është shumë i stilizuar, me kapele dhe dy veshoret e gjata. Ai përfaqësonte në një farë mënyre në këto fasada, Çamërinë. Ndërsa nga ana tjetër, vendos Yllin e Balshajve, një yll me gjashtë cepa, të cilin e depoziton ne dekorin e ministrive. Me këtë ai evokon siç thamë trojet shqiptare në veri të Shqipërisë që ju bashkangjiten trevave serbo-malazeze. Balshajt kanë qenë një pikë referimi mjaft e rëndësishme për veriun shqiptar gjatë gjithë historisë sonë. Madje, vetë Kastriotët kane Yllin e Balshajve në terciarin e stemës së tyre, ku paraqitet shqipja me dykrenore - simbol perandorak i Bizantit, të cilën paraardhës të Skëndërbeut e kanë marrë për shërbimeve në favor të perandorise e mbi shqipe është Ylli i Balshajve që duhet të jetë një konçesion, martesë apo shenjë shpërblimi që Balshajt i japin dinastisë së Kastriotëve. Për ne është e panjohur kur dhe në ç'rrethana ata e kanë marrë. Askush nuk ka studiuar shterrueshëm, në nivel heraldik, blazonet e Skënderbeut. Studiuesi K. Biçoku bën një persiatje kur mediton nëse mbi shqipen me dy krerë, është një yll apo është një diell me rreze, duke aluduar për diellin e Lekës së Madh, por duke parë në varret e ndryshme ku prehen pasardhësit e heroit, kuptohet qartë, dhe nuk ka më dyshime, se kemi të bëjmë me një yll, i cili herë del me gjashtë e herë me më shumë cepa. Balshajt vetë, vijnë nga një familje arbërore, ndonëse origjina e largët e tyre është e panjohur. Ka hipoteza mbi origjine arbë, por ka një tjetër se ata vijnë nga një familje anzhuine e Italisë jugore, De Balzio. Pavarësisht nga origjina e largët, Balshajt paraqiten në histori si familje arbërore që patëm dy stema. Njërën me yllin me shumëcepësh dhe tjetra me ujkun. Ky i fundit është simbol i mjaft familjeve, si në Itali, Serbi, Arbëni etj. dhe aktualisht e kemi ripërdorur edhe në vetë stemë e Tiranës pasi është marrë prej dinastise së Skurajve, që njiheshin nën ujkun e bardhë. Por ylli, që është në stemen e dytë e Balshajve, ka qenë stemë e shumë familjeve perendimore. Pra, për të përfaqësuar trevat shqiptare jashtë kufijve të shtetit, Zogu përdori Yllin e Balshajve për veriun, dhe Pirron e Epirit për jugun. Në këtë kuadër, nuk ishin italianët që vendosën këtë ikonografi por vete mbreti i shqiptarëve. Vetë italianët pas pushtimit të vendit nuk hoqën dorë nga simbolet e Skëndërbeut pasi në fund të fundit Viktor Emanuelit iu dhurua kurora e Skënderbeut, dhe kurorë në një farë mënyre bënte pjesë edhe në investiturën italiane. Për fat të keq me ardhjen e komunizmit u hoq dorë nga çdo referencë mesjetare, apo të princërve arbër në Mesjetë, dhe u përqëndrua kryesisht tek figura e Skënderbeut. Enver Hoxha nuk mund të lejonte disparticion të pushtetit dhe ai thekson faktin e një Skëndërbeu unitar, kryezot të Shqipërisë, ndonëse ai nuk u shpall asnjëherë mbret i Arbënisë dhe Epirit. Enveri me qëllim harronte se kishte dinastira arbënore mjaft të fuqishme. Sot diçka ka ndryshuar. Në një nga librat e tij Ben Blushi, i jep rëndësi të duhur familjes së Arianitëve, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se ishin me gjak Patricësh. Në një farë mënyre origjina e Skënderbeut ishte më e ulët në rang se e Arianitëve, por ai arriti të pabesueshmen, të mbledhë zotnijtë shqiptare duke krijuar preludin e një mbretërie. Kjo ëndërr mbeti pa u realizuar deri në kohën e Mbretit Zog. Ikonografia e Zogut i rezistoi kohërave sepse Enver Hoxha, nuk e pa të udhës t'i asgjësonte këto simbole. Kam idenë se ai nuk e pa me rrezik këtë. Hoxha vërtet nuk bën shumë hapa në drejtim të rivendikimit të tokave shqiptare, por brenda vetes këtë "te drejte" e përdorte pasi ishte një element që ruante statukuonë e Shqipërisë se tij. Duke ndërmbëlytur herë pas here mbi çështjen e trojeve tona ai "neutralizonte" zërat e fqinjëve për ekspansion ndër ne. Edhe pse Hoxha shkatërroi disa nga simbolet e fashizmit, në përgjithësi, nëse nuk kishte shenja evidente të monarkisë, ai as nuk i prekte, as nuk i propagandonte. Ky është motivi që ato i mbijetuan diktaturës. Ato kanë ardhur deri në ditët tona, duke thënë diçka më tepër se sa në kohën e Hoxhës, sepse atëherë ne pothuajse nuk e dinim se çfarë ishin dhe as se ç'përfaqësonin. Duhet të kemi parasysh se Çamëria mbeti një ëndërr e parealizuar. Tokat në jug u morën nga shteti grek pa të drejtë kur nuk ekzistonte një shtet shqiptar që t'i mbronte. Por në vitet 1930, plaga ishte akoma e freskët. Italia, në atë kohë nuk u prit aq keq sa na e propagandojnë sot. Ajo luajti një lojë të madhe ne politikën e jashtme dhe u prit si çlirimtare e trojeve tona etnike; bënë virtualisht e Shqipërinë e Madhe. Kështu në vitet e Mbretit Zog, mendohej se shumë shpejt do të gjendej një mënyrë diplomatike ose ushatrake për të bashkuar Çamërinë me Shqipërinë. Në këto kushte duhej mbajtur gjallë dhe ndezur ndjenja kombetare Duke evokuar mbretin e Epirit që ishte Pirroja, dhe duke pasur parasysh se Zogu pretendonte të ishte trashëgimtar i kurorës së Skëndërbut - Zot i Epirit i binte te ishte dhe trashegimtar Epirit vete. Zogu dhe historiografia jonë asokohe mbante gjallë dhe evokonte tek shqiptarët se janë epirotë, pasi Skënderbeu vete ishte zot i epirotëve. Këto mund t'i shikojmë tek Pallati i mbretit Zog në Durrës. Edhe ai pallat vepër e Florestano de Faustos. Akoma sot atje ndodhet një statujë ekuestre e Skënderbeut, por ka edhe elementë embelmatikë të mesjetës sonë. Zogu, duke imituar në një farë mënyre mbretëritë e tjera evropiane me orderat arkitektore në godina administraive, përkëdhelte sedrën e vet e të shqiptarëve. Thame se kish edhe historianë të oborrit që u përpoqën të nxjerrin origjinën e tij nga familja e Kastriotëve, meqënëse vinin nga e njëjta krahinë.
www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |