VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Fenomeni Ndrek Luca, madhështia e thjeshtësisë
E Martë, 08.25.2009, 11:05am (GMT1)

Pamja 'vrastare' dhe e ndërtuar në mijëra forma shprehëse, tendencioziteti artistik i shikimit dhe fuqia e plotë emocionuese e interpretimit, mishërojnë prezencën artistike dhe ndikuese të aktorit shumë të njohur Ndrek Luca.
     Artist i Popullit, ndër më të mëdhenjtë e skenës shqiptare, ai që i dha trajtë 'negativitetit karakterial' dhe që pasuroi karakteret e skenës dhe kinemasë shqiptare, u shqua për mjeshtëri të veçantë artistike në interpretim.
     Gjithë jetën ia kushtoi Teatrit Kombëtar si aktor profesionist, ndërkohë që  është interpretuesi i rreth 30 roleve të suksesshme në kinematografi.
     Aktori që ka interpretuar vetëm role kryesore, njeriu me potencë të veçantë interpretuese, e nisi karrierën e tij artistike me një rol shumë të suksesshëm në filmin "Detyrë e posaçme".
     Janë një galeri e tërë karakteresh, të cilët kanë folur në gjuhën e Lucës, duke shpirtëzuar në kohë të ndryshme talentin dhe predispozicionin e tij për të bërë art në gjuhën e tij, pa kufij kohorë dhe hapësinorë.
     Kështu ai do të gjente hapësira për të ndërtuar mjaft figura me fleksibilitetin e vet, herë ironik e herë tinzar, po aq sa dhe misterioz, dashakeq, i pabesë, i çuditshëm, por ndonjëherë dhe bujar.
     Do ta niste karrierën  kinematografike me Tomorrin dhe do të vazhdonte me Priftin, Jonuz Brungen, Kapter Rahmiun, Komandantin, Përgjegjësin e njësitit, Gjinin, Xha Kasemin, Pjeter Mustakuqin, Hasanin, oficerin ballist, gjeneral Pinocetin, Llano Shllapin, Selimin, Vaten, Metin, Ndrion, Gjergjin, Dem Marecin, zotin Filip, Shpendin, Cen Vrapin, Qazimin, Vuhan Pashen, etj.
      Në larminë e roleve, të cilat ai ka luajtur, u nderua me Medalion, në rolin e Gani Herrit në filmin artistik "Rrugicat që kërkonin diell" në vitin 1975 dhe në rolin e zejtarit në filmin "Flaka e maleve" realizuar në vitin 1982. Vlerësuar nga kolegët si aktor i përmasave botërore, ai realizoi me lojën e tij mjaft filma artistikë, si; "Komisari i dritës", "Oshëtimë në bregdet", "Duel i heshtur", "Prita", "Njësiti gueril", "Plagë të vjetra", "Gjurma", Operacioni zjarr", "Shpërthimi", "Shtigje lufte", "Në fillim të verës", "Pylli i lirisë", "Tinguj lufte", "Nga mezi i erresirës", "Udha e shkronjave", "Mysafiri", Nusja", "Një nate pa dritë", "Qortimet e vjeshtës", Fundi i një gjakmarrje", "Lundrimi i parë", "Balada e Kurbinit" etj.
      Ndrek Luca, aktori që nisi të luajë në skenën e Teatrit Kombëtar që në vitin 1950 dhe që krijoi shumë shpejt figurën e tij origjinale, brenda së cilës u vendosëen tendencat për të kapërcyer format e përcaktuara të artit interpretativ, mbylli sytë në 13  janar të vitit 1993 duke lënë pas jehonën  zërit të tij në dhjetra filmime.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.