VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Vath Koreshi, një nga emrat më origjinalë të letrave shqipe
E Mërkurë, 08.26.2009, 02:10pm (GMT1)

 

Vath Koreshi është një nga emrat më origjinalë të letrave shqipe. Me shumë vepra letrare të cilësuara të suksesshme brenda dhe jashtë vendit Koreshi lindi në vitin 1936 në qytetin e Lushnjës.

Në vitin 1955 përfundoi politeknikumin "7 Nëntori" në Tiranë, ndërsa në vitin 1960 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë.  Vath Koreshi është autor i shumë librave, ku veçohen vëllimet me tregime "Toka nën hijen e shtëpisë", "Ndërrimi i qiejve", novelat "Dasma e Sakos"(1980), "Haxhiu i Frakullës" (1980), "Balada e Kurbinit" (1987). Autorësinë e tij e mbajnë një numër romanesh si "Kur zunë shirat e vjeshtës" (1964), "Dy të shtunat e Suzanës" (1972), "Mali mbi kënetë" (1977), "Rekuiem për një grua" (1995), "Ujku dhe Uili" (1999), "Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s", "I dashuri i saj i parë", etj. 
Vath Koreshi ka dhënë një kontribut të shquar edhe si skenarist. Përmendim skenaret e filmave "Rrugë të bardha" (1974), "Liri a vdekje"(1978), "Nga mesi i errësirës" (1978), "Plaku dhe hasmi"(1979), "Në kufi të dy legjendave" (1981), "Nata e parë e lirisë" (1984), "Gjeneral gramafoni" (1987),  "Botë e padukshme"  (1987),   "Balada e Kurbinit" (1990), "Dasma e Sakos" (1998), "Porta Eva" (1999), "Syri Magjik" (2005). 
Ai është nderuar në vitet '80 me Çmimin e Republikës për librin "Dasma e Sakos" dhe për skenarin e filmit "Gjeneral gramafoni". Gjithashtu në vitin 2005, filmi "Syri Magjik", ku bashkëskenarist ishte dhe Vath Koreshi, fitoi Çmimin për Skenarin më të mirë në Festivalin e 29-të Ndërkombëtar të Filmit në Kajro. 
Vath Koreshi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë si dhe ministër i Kulturës në vitet 1991-1992. Shkrimtari vdiq më 2 shkurt të vitit 2006 në një spital në Itali.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.