VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Maqedonia dhunon shqiptarët, Tirana e Prishtina heshtin Nga Kim Mehmeti E Premte, 08.28.2009, 07:30am (GMT1)
Ka një të keqe që është më e madhe se gjitha të këqijat që mund të të ndodhin: e ajo është kur mësohesh të jetosh me të keqen pranë vetes, kur e ke fqinj atë që mezi pret të ta kallë shtëpinë dhe të ta shkatërrojë familjen, kur vetëm pse nuk mund të përballesh me shkaktarin e të keqes tënde, bën kinse sikur nuk e sheh. Dhe nga ky këndvështrim duhen vlerësuar ngjarjet e para disa ditëve, kur qindra huliganë maqedonas hynë nëpër oborret dhe shtëpitë e shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahën fëmijë dhe gra të pambrojtura shqiptare. Edhe kjo para syve të policisë dhe duke i paralajmëruar maqedonasit e kësaj lagjeje t'i largonin veturat e tyre nga rrugët, duke u thënë se aty do ketë tollovi. Pra, duke mos e fshehur se ngjarja ka qenë mirë e organizuar dhe ka pas qëllim të caktuar. Qëllim që edhe nuk është gjithaq i vështirë të zbulohet: që banorët e kësaj lagjeje të vetme multietnike në komunën Karposh të Shkupit t'i braktisin vatrat e tyre. E që do të thotë se kjo ngjarje mbase është pjesë e një projekti më të madh: që "xhepat" shumetnikë të Shkupit të pastrohen nga shqiptarët. Gjë që mund të përfundojë shumë tragjikisht për tërë Maqedoninë dhe që dëshmon se ky shtet i ka xhepat e shkoqur për të ruajtur në to baraspeshën e përbërjes së saj shumetnike.
Dhe përderisa shqiptarët e Nerezit shëronin plagët e marra dhe pyesnin publikisht se pse policia nuk i mbrojti nga huliganët maqedonas, deputetët e kësaj zone - i zgjedhuri i PDSH e tani "aktivist" i Gruevskit, Imer Selmani dhe ai i BD - bënin çmos që ta qetësonin situatën dhe ajo të mos dilte nga kontrolli. Ndërkohë, atyre nuk u erdhi në ndihmë asnjë nga politikanët maqedonas. Me çka deputetët shqiptarë të krijonin përshtypjen se janë shumë naivë, se nuk e kishin kuptuar se situata është nën kontrollin e atyre që hartojnë koncepte si duhet pastruar "pjesa maqedonase" e Shkupit nga shqiptarët. Pra, ata të linin përshtypjen se nuk e kanë kuptuar se "Komitët" e përkëdhelur nga VMRO-DPMNE në pushtet, hyjnë lirshëm nëpër vendbanimet shqiptare, jo pse janë trima, por pse janë të mbrojtur nga disa struktura shtetërore të Maqedonisë. Pra, politikanët shqiptarë i qetësonin bashkëkombësit e tyre nga Nerezi duke i bindur të ruanin gjakftohtësinë, edhe në çastet kur ata shihnin se si nënave të tyre u rridhte gjak nëpër trup. Por, ndërkohë, po ata politikanë nuk u treguan nerezalinjve pse nuk i mbrojti policia që është e paguar të mbrojë jetën dhe pasurinë e tyre. Nuk u shpjeguan si është e mundur të mbetesh gjakftohtë dhe i qetë, kur sheh qartë se dikush pandërprerë të provokon, kur e sheh ashiqare se dikush ndjehet i qetë, vetëm atëherë kur nuk ka fqinj shqiptarë. Andaj, jo vetëm për nerezalinjtë, por për gjithë shqiptarët e Maqedonisë, mbeti e paqartë pse politikanët e tyre kërkojnë përmbajtje nga populli i vet, e nuk i sigurojnë mbrojtje nga ata që, sa herë u kujtohet, të vijnë te pragu i shtëpisë e të tregojnë sa të urrejnë, sa i pengon prezenca jote fizike. Nga ata që edhe kur përcjellin ndeshje të futbollit, e ku nuk merr pjesë asnjë ekip shqiptar, brohorisin "Smërt na shiptarite!" ("Vdekje shqiptarëve!") Nuk ka dyshim se në këtë shtet dikush luan rolin e të verbrit, se dikush bën sikur nuk e sheh as atë që shihet po aq qartë sa edhe kryqi i madh mbi majën e malit Vodno, nga ana jugore e Shkupit. Njësoj siç nuk ka dyshim se shqiptarët e Maqedonisë paguajnë çmim edhe për shkak se partitë e tyre ndryshe e vlerësojnë situatën ndëretnike në Maqedoni. Kështu që, përderisa për PDSH pozita e shqiptarëve të këtushëm është tragjike, BDI atë e vlerëson si të mirë. Pra, përderisa kryesuesit e PDSH kërkojnë ndihmë nga Tirana e Prishtina, Ali Ahmeti thotë se çdo gjë është duke shkuar mirë dhe se Tirana zyrtare duhet të vazhdojë ta përkrahë Maqedoninë në ecjen e saj drejt NATO-s dhe Brukselit. E shqiptarëve u mbetet pritja, u mbetet të durojnë dajakun e "Komitëve" që të arrijë dita, kur do shohin se kush vuan nga verbëria: ata që thonë se është keq e më keq, apo ata që vlerësojnë se kësaj rruge arrihet deri tek e mira Ajo që është e qartë që tani, ka të bëjë me atë se shqiptarët e këtushëm nuk u besojnë kryesuesve të PDSH as atëherë kur ata thonë se namazi i xhumasë falet të premten. E lidhur me deklaratat e Ali Ahmetit se çdo gjë është në rregull, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më shpesh e pyesin veten: Vallë ai sheh diçka që është e padukshme për ne apo di diçka që e fsheh nga ne? Kur jemi te PDSH, deputetët e kësaj partie këto ditë e braktisën parlamentin republikan. Dhe kjo parti - si edhe gjithë të tjerat - këtë veprim demokratik e ka përdorur sa herë që ka qenë në opozitë. Mbase për shkak se ajo ka koncept veprimi vetëm për të qeverisur apo ngaqë larg grazhdit të pushtetit asaj i ringjallet nervi kombëtar. Sido që të jetë, mbetet e çuditshme pse kryesuesve të saj nuk u është kujtuar edhe veprimi i vetëm që u ka mbetur i paprovuar për të dëshmuar se janë partia më shqiptare në Maqedoni: në shenjë revolte për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të këtushëm, ta braktisin shtetin dhe të veprojnë ilegalisht nga Tirana e Prishtina. Me çka do e kishin më pranë kryetarin e tyre shpirtëror, e shqiptarët e këtushëm ndoshta do i merrte malli për këtë parti, e cila, si të gjitha partitë e tjera shqiptare, kur është në pushtet, Maqedoninë e sheh si parajsë për shqiptarët, e posa mbetet në opozitë, shtetin e përjeton si ferr e kryeministrin Gruevski - dikur të ngritur në qiell nga Arbër Xhaferi - e ndjen njësoj siç e ndjejnë çeçenët Putinin. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |