VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Intervistë me myftiun Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 11:58pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Intervistë me myftiun Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës
E Enjte, 09.03.2009, 09:01am (GMT+1)

 

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, tha sot në një bisedë për Zërin e Amerikës se që nga paslufta ka pasur përpjekje për ndërhyrje të elementeve të skajshëm fetar që nuk kanë të bëjnë fare me besimin islam. Në bisedë më korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, myftiu Tërnava u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të punojnë për pengimin e elementëve të tillë, ndërsa ka tërhequr vëmendjen në shkallën e lartë të tolerancës fetare në vend.

 

Zëri i Amerikës: Myfti Tërnava, si është gjendja e komuniteteve fetare në Kosovë?

Naim Tërnava: Dihet mirëfilli se ne nuk e kemi pasur fatin e mirë në shekullin që shkoi sa i përket çështjes së fesë. Duke e ditur se Shqipëria, shteti amë, në vitin 1967 më kushtetutë ndalon fenë që është një rast unikat prej kur daton historia e njerëzimit. Megjithatë, në fund u kuptua nga të gjithë se feja është natyrshmëri e lindur tek vet individi, tek njeriu, si krijesë më e përsosur mbi sipërfaqen e tokës dhe kjo rezultoi prapë me rikthimin e masës së gjerë në besimet që i kanë pasur edhe më herët. Ndaj edhe në Kosovë, por edhe në rajon, duke pasur parasysh se ka qenë një sistem komunist-ateist, gjendja e fesë nuk ka qenë e mirë, gjithmonë është synuar që besimi të shtypet, të largohet prej individit, prej familjes dhe prej shoqërisë. Megjithatë, pas proceseve demokratike në Evropë dhe këtu në Kosovën tonë si pjesë e pandarë e Evropës dhe ne veçanti pas luftës, mund të themi se kemi një interesim më të madh sa u përket besimeve, jo vetëm besimit islam, që bashkësia islame, sigurisht edhe bashkësitë e tjera në Kosovë, janë të kënaqura me shumë se më herët, ngase besimtarët e tyre po frekuentojnë nëpër xhami, nëpër kisha, nëpër vende të tjera të shenjta, të cilat shfrytëzohet që të kryhen ritet praktike në shenjë të krijuesit suprem Zotit Xh. Sh. Dihet mirëfilli se bashkësitë fetare në Kosovë, në vazhdimësi kanë pasur një harmoni ndërfetare mes vete dhe për këtë me të vërtetë mund të jemi edhe shembull jo vetëm këtu në rajon por edhe më gjerë. Për këtë tolerancë dhe bashkëjetesë të feve mund të mësojnë edhe shtetet e mëdha dhe mund të marrin mësim nga populli shqiptar se si duhet të respektohen besimet ndërmjet veti, se si mund të jetojë vëllai me vëlla nën një çati dhe ata t'u përkasin besimeve të ndryshme. Ndaj, kjo neve na ka bërë edhe më të fortë dhe besoj se është një begati kombëtare të cilën në duhet ta ruajmë.

 

Zëri i Amerikës: Por, myfti Tërnava, ka pasur disa episode të shfaqjes së mos tolerancës së mjaftueshme fetare, qoftë gjatë luftës apo edhe më pas. A i kanë dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet bashkësive fetare kjo?

Naim Tërnava: Thënë të drejtën nuk kemi dëmtim të marrëdhënieve tona assesi me Kishën katolike të Kosovës, por prej vitit 2004 e këndej kemi shumë më pak marrëdhënie me kishën ortodokse në Kosovë, prej ngjarjeve të marsit të vitit 2004. Por, megjithatë kemi pasur dhe kemi takime dhe konferenca të përbashkëta dhe vlen të theksohet se deri tash kanë dalë diku mbi shtatë deklarata të nënshkruara, sepse në këtë nën qiell mund të jetojnë dhe të frymojnë lirshëm edhe pjesëtarë të besimeve të tjera, ne veçanti edhe serbët si pakicë në Kosovë duke i gëzuar të gjitha të drejtat që u garantojnë të gjitha konventat ndërkombëtare.

 

Zëri i Amerikës: Keni shprehur disa herë shqetësimin për statusin juridik të bashkësive fetare. A nuk është zgjidhur kjo me planin e Martti Ahtisaarit dhe me pavarësinë e Kosovës?

Naim Tërnava: Derisa serbët e kanë zgjidhur problemin e tyre sa i përket çështjes së kishës ortodokse nëpërmjet Martti Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, bashkësitë tjera, në veçanti Bashkësia Islame nuk e ka të zgjidhur dhe vërtetë kjo po e dëmton shumë Bashkësinë Islame të Kosovës, sepse ne i kemi të lidhura këmbët e duart që të veprojmë më lirshëm, më mirë dhe të arrijmë qëllimet finale që ne i kemi. Sigurisht që Parlamenti i Kosovës ka bërë një lëshim të madh dhe duhet sa më shpejt dhe unë kërkoj që sa më shpejt, pozita juridike e bashkësive fetare në Kosovë të zgjidhet. Derisa në Kosovë është regjistruar edhe një shoqatë, p.sh. që i ka dy-tre vetë dhe e cila e merr rolin edhe që nuk i takon në të shumtën e rasteve, atëherë ku janë bashkësitë fetare: Edhe pse nga Parlamenti i Kosovës është nxjerrë një ligj para dy vitesh për liritë fetare në Kosovë, që është një ligj i mirë, që i plotëson deri diku kriteret, mirëpo, jo edhe pozita juridike e bashkësive fetare në Kosovë.

 

Zëri i Amerikës: Myfti Tërnava, me gjithë tolerancën fetare, ka pasur kohëve të fundit disa arrestime të elementeve të dyshuara të skajshme që i takojnë këtij apo atij sekti dhe në këtë kuadër është përmendur sekti Wahabi. A ka prani të këtyre elementeve dhe a e rrezikojnë vendin?

Naim Tërnava: Ne e dimë se pas luftës në Kosovë kanë depërtuar shumë e shumë shoqata edhe nga lindja edhe nga perëndimi që me vete kanë bartur edhe shumë ide që nuk përkojnë me realitetin në të cilin jeton vet Kosova dhe populli i Kosovës. Them, shoqata që vijnë nga lindja mirëpo edhe nga perëndimi. Ekstremizëm nuk ka vetëm në islam, radikalizmi dhe fundamentalizëm nuk ka vetëm në islam, por ka edhe tek të krishterët dhe të tjerët, gjë që ajo në një masë jo të madhe, mirëpo është reflektuar në Kosovë edhe në indoktrinimin e një pjesë të vogël të atyre të cilët nuk i kanë njohur fondamentet e fesë islame sa duhet dhe se për një moment e kanë parë veten aty ku duhet me e pa, sepse islami asgjë nuk ka të përbashkët me ekstremizmin, me terrorizimin, me vrasje, me dhunë, me jo tolerancë, por islami është fe e paqes. Vetë fjala Islam, Selam, do të thotë paqe, çka do të thotë se islami thërret në paqe. Në Kosovë është e vërtetë e madhe se ka tentativa të organizimit jashtë institucional dhe këtë askush nuk mund ta mohojë dhe këtë e dimë që të gjithë. Unë kam guximin tim edhe si individ edhe si myfti i Kosovës ta informojë opinionin e gjerë se në Kosovë ka tentativa të indoktrinimit dhe se më këtë problem duhet të merren edhe institucionet e Kosovës edhe qeveria e Kosovës. Kosova nuk është një livadh i shkretë në të cilin mund të hyjë, të lozë kush do, çfarë do dhe kurdo, por Kosova ka kufijtë e saj, Kosova është shtet, ka policinë e saj, ka ushtrinë e saj, ka inteligjencën e saj. Ata duhet të sigurojnë edhe aeroportin e Prishtinë se kush hynë dhe kush del, është fjala mysafirë të paftuar edhe kufijtë e Kosovës, sepse ata që i shohim shpeshherë edhe në Kosovë, nuk janë njerëz që i kemi ftuar ne si Bashkësi Islame, por janë ata që vijën nga vetë iniciativa e tyre që të shohin Kosovën dhe me vete sjellin edhe elemente destruktive, apo janë mysafir të ndonjë shoqate që numëron dy-tre vet dhe nuk i përgjigjet askujt dhe për një interes, shumë të vogël, parcial, individual, ai mund të shesë edhe interesat e këtij vendi, gjë që është në kundërshtim me vet natyrshmërinë tonë, me fenë tonë, në kundërshtim me vetë kombin tonë, me këtë liri për të cilën kemi flijuar dekada me radhë. Andaj, unë i ftoj të gjitha institucionet e Kosovës, por edhe faktorin ndërkombëtarë që të shohin gjendjen në Kosovë. Nuk është gjendja alarmante absolutisht. Edhe këta që janë kapur në Prizren, janë të dyshuar ende. Ata duhet të dalin para gjyqit, të shohim se kush janë dhe më pastaj të flasim. Unë ftoj rininë e Kosovës dhe mbarë popullin e Kosovës që të mos bien pre e tentativave të një grupi njerëzish të cilët duke menduar se po punojnë në emër të islamit, janë armiqtë më të mëdhenj të islamit.

 

Zëri i Amerikës: Po ju çfarë mund të bëni në këtë drejtim?

Naim Tërnava: Kosova ka kuadër të vetin që mund të kontribuojë në këtë drejtim. Nisur nga kjo ne edhe këto ditë jemi duke kërkuar që në shkolla të Kosovës të aplikohet edhe mësimi fetar. Arsyeja kryesore është që ne t'i edukojmë fëmijët tanë, të mos na i edukojë rruga, të mos na i edukojnë njerëzit ekstremistë, fundamentalistë, terroristë që mund të na vijnë nga vende të ndryshme të botës. Fëmija është dhurata më e shenjtë, më e çmuar që Allahu u ka falë prindërve, andaj nuk guxojmë atë ta lamë kafshatë të lehtë të interesave parciale, të individëve, të grupeve mafioze, të grupeve që u intereson vetëm çështja e tyre dhe jo ardhmëria e vendit tonë.

 

Zëri i Amerikës: Por, Kosova është shtet laik, sekular?

Naim Tërnava: Edhe shtetet e Evropës, të gjitha janë ose laike ose sekulare. Mirëpo, në pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, aplikohet lënda fetare nëpër shkolla. Kosova nuk është shtet laik, sepse ky popull beson në Zot.

 

Zëri i Amerikës: Myfti Tërnava, pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i vogël i vendeve të botës islame? Si të shtohen këto njohje?

Naim Tërnava: Bashkësia Islame e Kosovës i ka dhënë vetes detyre që të kontribuojë edhe në këtë fushë. Dhe deri tash vërtetë jemi të kënaqur me atë që kemi bërë deri sot, por sigurisht do të bëjmë edhe në të ardhmen. Besoj se njohjet për Kosovën do të vijnë, por qeveria, ministria e punëve të jashtme duhet më tepër të jetë prezentë në atë rajon. Nëse nuk shkohet, nuk vizitohen ato vende, nëse nuk ju shpjegohet atyre se kush është Kosova, çfarë është Kosova, çfarë dëshiron Kosova, çfarë janë qëllimet e saj edhe në aspektin politik edhe në aspektin gjeostrategjik që ka vetë Kosova, atëherë do të vonohen paksa njohjet. Mungojnë kontaktet me botën islame, mungojnë kontaktet direkte, vizita në këto shtete. Deri tash e kanë njohur 14 shtete nga konferenca islamike e cila numëron 57 shtete dhe sigurisht njohja prej këtyre shteteve do të ndihmonte Kosovën në anëtarësimin në të gjitha mekanizmat edhe ndërkombëtarë gjë që është qëllimi ynë që të kemi edhe ulësen tonë ku e meritojmë ta kemi.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
100 vjet më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit (09.02.2009)
Shoqëruesja e dytë e Miss Universe 2009 Marigona Dragusha u prit nga kryetari i Prishtinës Isa Mustafa (08.31.2009)
Petro Cani kirurgu shqiptar që kreu transplantin e veshkës më 1954Nga Prof Dr Lluka Heqimi (08.31.2009)
Shiroka-Pula: Gjermania është shtet strategjik dhe i rëndësishëm për Kosovën (08.30.2009)
Prona te i zoti jo vetëm për zonën turistike të bregdetit, por kudo ku është shkelurNga Rrapo Hajredin Danushi (08.29.2009)
Kejnsianizmi "edhe" i Berishës "edhe" i Metës fitues përballë "përtej" të Majtës së Edi RamësNga Altin Goxhaj, drejtor i ZMK-së (08.28.2009)
Maqedonia dhunon shqiptarët, Tirana e Prishtina heshtinNga Kim Mehmeti (08.28.2009)
Prof Dr Hektor Çoçoli me fat ai që e ka mjek e pedagogNga Agron SEJAMINI (08.27.2009)
Vath Koreshi, një nga emrat më origjinalë të letrave shqipe (08.26.2009)
Një prift shqiptar fiton superllotarinë italiane (08.26.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]