VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kongresi i Elbasanit, vepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe të gjuhës shqipe

Nga Prof Dr Avzi Mustafa


E Hënë, 09.07.2009, 04:38pm (GMT1)


   


Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, beri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtor e pleqësi dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Me një fjalë, me këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu ky kongres hapi edhe rrugën për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e elbasanishtes si model të shqipes së shkruar.
Populli shqiptar gjatë periudhave të ndryshme, duke qenë i okupuar nga të huajt, kur bëhej fjalë për shkrim e lexim në gjuhën amtare ishte në nivel shumë të ulët. Prandaj, menjëherë pas Kongresin të Manastirit ose siç e quanin Kongresit të Abesë, u shtua edhe më shumë etja e shkrimit dhe arsimit në gjuhën amtare shqipe, një ndjenjë e fuqishme që patriotët shqiptarë e kishin mbjellë në popull. Megjithatë, siç e dimë, shkollat ishin shumë të rralla dhe mësuesit e gjuhës shqipe ishin të paktë. Siç thoshte Hamdi Ohri "kush mësonte një çik shqip ishte më i lumturi i shqiptarisë". Këtë ua thoshte atyre që ua mësonte gjuhën shqipe në burg. Patriotët shqiptarë ishin të vetëdijshëm se pa arsim në gjuhën amtare nuk mund të mbijetojë as kombi. Andaj klubet shqiptare e morën mbi vete këtë mision të shenjtë që, krahas propagandës për shkrim e shkollë shqipe, të kujdesen edhe për mirëmbajtjen e tyre, duke mos i kursyer as ekonomitë e tyre që i kishin krijuar me bukën e helmit të kurbetit. 
Njëra prej detyrave më primare me të cilën ishin ngarkuar klubet ishte që gjuha shqipe të futet si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore fillore e qytetëse (ruzhdije). Për këtë çështje, për t'u kërkuar leja që gjuha shqipe të behet gjuhë zyrtare në gjitha shkollat në Shqipëri, u ngarkua Klubi i Manastirit .
Arsimdashësit tanë në veprimtarinë e tyre vazhduan të vepronin fuqimisht në formimin dhe zgjerimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe në zhvillimin e psikologjisë kombëtare të popullit. Ata kudo që shkonin e evokonin krenarinë dhe të kaluarën e lavdishme që shqiptarët e ruajtën ndër shekuj.
Klubet shqiptare vepronin në bazë të programeve ose, siç i quanin patriotët shqiptarë, kanonizma. Klubi qendror i Manastirit i nxiste degët e veta kudo që të ngrinin klube edhe në fshatra, madje edhe me 5-10 anëtarë. Kështu duke angazhuar dhe duke ndërmarrë hapa konkretë dhe për të parë se si organizohej puna, ata e formuan edhe "Lidhjen për Përhapjen e Shkollave Shqipe" dhe e ngritën një fond të posaçëm për hapjen, pajisjen dhe mirëmbajtjen e shkollave. Ky fond u themelua diku në muajin nëntor të vitit 1908, ndërsa në të shumë shpejt u anëtarësuan shumë patriotë shqiptarë edhe nga viset e Maqedonisë së sotme.
Duke shfrytëzuar pakënaqësinë e xhonturqve ndaj sulltanatit, patriotët shqiptarë arsimdashës e shfrytëzuan këtë që përpjekjet e tyre t'i drejtojnë në fushën e zhvillimit të arsimit dhe në drejtim të hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Por, jo vetëm kaq: ata në programin e tyre parashihnin që në shkollat ku mësohej në gjuhë të huaj, gjuha shqipe të hyjë si gjuhë mësimore dhe ajo të shkruhej me një alfabet të vetëm. Dashuria ndaj alfabetit e shkollës dita-ditës po shtohej dhe, në bazë të kronikave të kohës, kudo shohim një aktivitet të vrullshëm për përhapjen e shkollave në gjuhën amtare, si në: Manastir, Dibër, Ohër, Kërçovë, Gostivar, Shkup, Veles e gjetiu. Në këtë kohë, përveç Klubit të Manastirit, si klube me aktivitete të mëdha shquheshin edhe klubi i Shkupit, ai i Ohrit, i Strugës i Kërçovës dhe i Kumanovës.
Vetëm dhjetë muaj nga Kongresi i Manastirit, më 2-9 shtator 1909, u organizua një kongres me përmasa kombëtare dhe me rëndësi tejet të veçantë për përhapjen dhe zhvillimin e arsimit shqip, që në historinë tonë kombëtare quhet "Kongresi i Shkollave Shqipe" i njohur si "Kongresi i Elbasanit". Kongresi i Elbasanit ishte një përgjigje ndaj rrezikut për fatin e alfabetit e të shkollës shqipe që vinte nga njerëzit e pushtetit, nga kleri i lart mysliman dhe nga të gjithë ata që punonin në favor të politikës së osmanizmit e të forcimit të perandorisë së tyre. Ky kongres ishte menduar mirë dhe ishte edhe një grusht i fortë për të gjithë armiqtë, qofshin të huaj ose të vendit. Ky kongres ishte edhe një sulm ndaj Kongresit të Dibrës, përmes të cilit turqit e rinj arritën që te shqiptarët e krahinave të ndryshme ta nxisin përdorimin e alfabetit sipas dëshirës - kjo do të thoshte vetëm arab. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit, e sidomos pas Kongresit të Dibrës, turqit e rinj dhe përkrahësit e tyre shqiptarë kërkonin që xhamitë t'i kthejnë në vende politike-propagandistike kundër alfabetit dhe shkollës shqipe e jo që ato të shërbejnë si vende adhurimi. Kështu Ministria e Arsimit të Turqisë në fund të vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e Vilajetit të Kosovës gjuha shqipe të mësohet me shkronja arabe. Po një urdhër i tillë u dha edhe në shkurt të vitit 1909 për prefekturën e Elbasanit.
    Tashmë ishte bërë e qartë se premtimet që i dhanë xhonturqit as për së afërmi nuk i plotësonin kërkesat arsimore për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke, formimin e fondeve për shkollat dhe mësuesit e shqipes, botimin e librave në gjuhën amtare, si dhe disa premtime të tjera politike që i kishin biseduar xhonturqit me shqiptarët për rrëzimin e fronit absolut të sulltanit. Kur doli në pah se politika e xhonturqve ishte vetëm një demagogji dhe se kërkesat e shqiptarëve nuk po realizoheshin, madje edhe më tepër po nëpërkëmbeshin, patriotët dhe intelektualët shqiptarë të kohës më datë 25 mars 1909 lëshuan kushtrimin nga Klubi Shqiptar i Selanikut, që iu drejtua të gjitha klubeve dhe shoqërive, se do të mbahej një kongres mbi shkrimin dhe shkollën shqipe. Si kohë për mbajtjen e këtij tubimi u caktua 14 maji 1909, ndërsa vendi ku do të mbahej Kongresi u caktua të jetë Elbasani.
    Për organizimin dhe përgatitjen e Kongresit u angazhua klubi "Bashkimi e Vëllaznia" i Elbasanit. Bashkë me njoftimet për mbajtjen e Kongresit ishte caktuar edhe rendi i ditës i cili i përmbante 9 pika: 1. Çelja e shkollave të reja shqipe, përcaktimi, numri dhe vendi; 2. Çelja e një shkolle normale; 3. Mënyra se si do të mbaheshin shkollat, ku dhe si të siguroheshin mjetet e nevojshme financiare; 4. Programi dhe struktura e shkollave shqipe; 5. Buxheti i shkollave dhe zgjedhja e mësuesve; 6. Caktimi i një inspektori të arsimit për të gjitha shkollat shqipe: 7. Krijimi i një qendre për organizimin dhe kontrollin e shkollave; 8. Shkollat greke të ktheheshin në shkolla shqipe; 9. Lidhja e klubeve dhe hartimi i një programi të përbashkët
    Gjatë periudhës së përgatitjes kujdes të veçantë iu kushtua pjesëmarrësve , gjegjësisht delegatëve. Klubi i Shkupit e autorizoi Mithat Frashërin, Klubi i Manastirit njohësin më të mirë dhe njeriun më kompetent për çështjet shkollore Gjergj Qirijazin dhe zonjën Sevasti Qirijazi, nga Ohri u delegua Hamdi dhe Abdullah beu, ndërsa nga Struga - Abdullah Rushit Ahmeti. Në mesin e 35 delegatëve nga të gjitha vendet e Shqipërisë, të përfshirë në 28 klube dhe nga dy shkollat misionare që vepronin në Shqipëri, në Kongres nuk morën pjesë delegatë nga Shkodra, por ata e kishin njoftuar organizatorin se do t'i pranojë të gjitha vendimet e këtij kongresi.
Në mesin e delegatëve ishin atdhetarët dhe mësuesit më të njohur të lëvizjes kombëtare, si: Nikollë Kaçori, Dervish bej Biçaku, Gligor Cilka, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karahasani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Dhimitar Buda, Emin Haxhiademi, Abdullah Koprënaçka, Kristo Dako, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selaman Bloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vironi etj. Tërë punën rreth mbajtjes së Kongresit e kreu me plot sukses patrioti i shquar Lev Nosi
    Mbajtjen e Kongresit e përshëndetën dhe e përkrahën edhe shumë atdhetarë e patriotë brenda dhe jashtë vendit. Mirëseardhje delegatëve te Rrapi i Vojvodës në hyrje të Elbasanit u dhanë: Dhimitar Paparisto dhe Hysen Ceka nga Elbasani. Ndërkaq në një dokument thuhet se po aty i ka përshëndetur edhe një bej nga Tetova. Ai që i përshëndeti thuhet se ishte një njeri që i kryente punët e ekonomit në teqenë e Elbasanit. Sipas të gjithave gjasave, ai duhet të ketë qenë Ibrahim Naxhiu alias Dervish Hima, i cili për shumë arsye vishej si bektashi dhe paraqitej si punëtor që kryente shërbime të ndryshme. Këtë supozim e bazojmë edhe në disa të dhëna të gazetës Politika të 28 gushtit 1909 ku thuhet se Dervish Hima ishte kryetar i Kongresit. Dr. Hasan Kaleshi thotë se Dervish Hima kishte shkuar në Elbasan edhe si organizator, por edhe si gazetar". Megjithatë sipas Kristaq Priftit, ai ishte propozuar gjatë përgatitjes së Kongresit si inspektor i shkollave, por gjatë mbajtjes së Kongresit thuhet se kishte qenë jashtë atdheut. Por, ky bej që përshëndeti ka mundësi të ketë qenë edhe ndonjë halife me emrin Emin, supozoj sipas të dhënave të njohësit të mirë të teqesë së Tetovës Ali Vishko. Këtë emër ai e jep si për një njohës të mirë të kadastrës, që duhej ta ndihmonte teqenë e Elbasanit për kthimin e disa pronave të grabitura nga bejlerët.
Jehonën e madhe që pati ky eveniment e shohim dhe nga letrat që u lexuan gjatë hapjes së punimeve të Kongresit. Ja se si shkruan Mithat Frashëri në ditarin e tij "Gjashtë javë në Shqipëri", botuar në gazetën "Lirija" 1909/10: "Delegatët u mblodhën dhe kënduan letrat që kishin sjellë klubet nga të cilat dërgoheshin e pastaj u zgjodh kryetari dhe nënkryetari."
    Në këtë Kongres kishin arritur mjaftë vullnetarë nga të gjitha anët. Elbasani disa ditë para dhe gjatë mbajtjes së Kongresit gumëzhinte si koshare bletësh me gjuhë dhe me këngë shqipe, por edhe me veshje karakteristike të trevave të ndryshme. Në bazë të një informacioni nga Kërçova në këtë kongres kishin marrë pjesë Jusuf Turabiu me Rexhep Faskun. Këto të dy së pari kishin shkuar në konakun e Hafiz Ali Korçës ku ishin njohur hollësisht mbi këtë kongres, e më pastaj kishin udhëtuar për në Elbasan. Po kështu në këtë kongres kishin ardhur patriotë edhe nga Struga, Manastiri, Resnja, Tetova, Dibra, Shkupi e gjetiu. 
    Kongresi filloi më 3 shtator 1909 dhe zgjati deri më 10 shtator. Në Kongres u shqyrtuan tri çështje, mes të cilave hapja e një shkolle pedagogjike që e quajtën Shkolla Normale me seli në Elbasan. Kjo shkollë normale do të duhej të jetë e veçantë, kurse shkollat tjera fillore do të hapeshin jashtë kësaj shkolle. Po ashtu sipas gazetës serbe "Politika" të datës 12. shtatorit 1909 mësojmë se kongresistët i kanë bërë një kërkesë Portës që në tërë Shqipërinë të hapen shkolla bujqësore me mësim vetëm në gjuhën shqipe. Në këtë Kongres u caktuan edhe komisionet e veçanta: njeri për administrimin të shkollës, kurse tjetri për hartimin e buxhetit për vitin e parë shkollor. Ndërkaq çështja e tretë ose pika e tretë ishte caktimi i një qendreje të përgjithshme për grumbullimin dhe mirëmbajtën e shkollave dhe organizimin e punës edukativo-arsimore. Ajo qendër i caktoi rregullat e udhëheqjes dhe kontrollit të shkollave, me çka për herë të parë fillon puna e inspektoratit të shkollave shqipe.
    Mbajtja e Kongresit të Elbasanit dhe vendimet e marra në këtë kongres patën jehonë të madhe si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Këtë e shohin edhe nga telegramet e shumta të ardhura nga Shkodra, Himara, Peja, Gjirokastra. Prishtina, nga mërgata, nga Kristaq Dogani e Kristo Meksi nga Bukureshti, etj. Kongresi pati jehonë edhe jashtë vendit. Mjafton të përmendet vetëm gazeta "Journal de Geneve" e Zvicrës ku shkruhej: "Në kongresin e shqiptarëve që u mbajt në Elbasan u vendos organizimi i shkollave me themel në gjuhën shqipe", pastaj shkroi e përkohshmja "L'Italia all'estero".etj.
    Kongresi i Shkollave jo që shënoi themelimin e një sistemi kombëtar të shkollave në gjuhën shqipe, por edhe e përcaktoi strukturën programore për përgatitjen e kuadrove mësimore dhe luajti një rol të madh në kombinimin e shkencores dhe profesionales në aspektin organizativ. Për herë të parë ai e zgjidhi përmbajtjen e shkollës sonë, në të u caktua edhe rregullorja mbi funksionin administrativo-pedagogjik, si: caktimi i klasave dhe nxënësve, u caktuan pagat, detyrat dhe detyrimet e nxënësve, buxheti e shkollës, ngritja e komisioneve në mbarëvajtjen shkollave etj. Ky kongres për here të parë në historinë e popullit tonë e mbështeti fortë idenë e gjuhës së shkruar, gjë që kontribuoi edhe më tepër në forcimin e ndërgjegjes kombëtare që paraqiste një faktor të rëndësishëm për të demaskuar politikën shkombëtarizuese të osmanlinjve. Thënë ndryshe, Kongresi i Elbasanit i dha përgjigje projektit perandorak HATTI-HUMAIUM që ishte planifikuar shumë me herët dhe pritej të zbatohet në të gjitha shkollat shtetërore të Perandorinë Osmane, pra edhe në vilajetet shqiptare. Në këto vilajete ku gjoja njihej e drejta fetare, por mohohej arsimi në gjuhën amtare, ky kongres i dha përgjigje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Perandorisë "Se Shqipëri ka". Gjithashtu ky ishte edhe një grusht i fortë ndaj integristëve që në Kongresin e Dibrës donin që shkollës dhe gjuhës t'i jepnin karakter proosman.
    Kongresi paraqiti një ngjarje shumë të madhe dhe të rëndësishme për gjuhën dhe arsimin shqiptar. Ky kongres ishte bërthama ose atomi i hapjes së shkollës normale si shkollë e parë e mesme shqipe, por inkurajues ishte edhe fakti për hapjen e shumë shkollave ku mësohej  gjuha shqipe jo si lëndë mësimore, por ku të gjitha lëndët zhvilloheshin në gjuhën shqipe.
     Kongresi i Elbasanit ia ndërpreu rrugën shkollimit të huaj të ndërtuar mbi baza fetare dhe e hapi rrugën e shkollimit laik, ai shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtor e pleqësi dhe i bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Me një fjalë, në këtë kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu ky kongres e hapi edhe rrugën për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e elbasanishtes si model të shqipes së shkruar,
Marrë në përgjithësi, Kongresi i Elbasanit, siç shkruan shtypi i kohës, qoftë shqip ose ai që dilte në gjuhë të huaja, është "më i shënuari nga të gjitha kongreset... me vendimet që bëri e la emrin e tij të pavdekshëm nëpër faqet e historisë sonë".

...
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.