VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KUJTIM DHE NDERIM, PËR PROF. ZIJA XHOLIN-AKADEMIKNga Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 01:53pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KUJTIM DHE NDERIM, PËR PROF. ZIJA XHOLIN-AKADEMIK
Nga Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues

E Martë, 03.19.2013, 11:38am (GMT+1)


Prof. Zija Xholi

1.

Mbaj mend se, në vitet e studimeve të mia, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në fillimet e Universitetit të Tiranës, bëri emër edhe një djalosh energjik e serioz në paraqitje. Ecte me hapa të ngadaltë dhe pothuajse gjithnjë mbante në dorë një çantë me dorezë, ndoshta, të mbushur me libra a sende të tjera të nevojshme. Të paktën unë, nuk e dija se nga cila krahinë e vendit ishte.

Megjithatë, shpejt na u bë i afërt dhe i dashur. Këtë gjë ai e arriti me fjalën e ëmbël, taktin pedagogjik, sjelljen e përgjithshme të tij.
Në shkollën e mesme kishim dëgjuar pak gjëra për shkencën e filozofisë, për materializmin dialektik e historik. Por, në brendësi të këtyre lëndëve, mundëm të hynim vetëm, kur në Fakultet zhvilluam leksionet për to. Pedagog i materializmit historik, pra i lëndës që na qartësonte udhën e zhvillimit historik të njerëzimit, ishte pikërisht Zija Xholi. Vërtet, në përgjithësi, leksionet e kësaj lënde, si shumë të tjera, ishin të politizuara, por megjithatë thelbi i kësaj shkence ishte mjaft interesant për ne studentët. Prandaj leksionet i ndiqnim me dëshirë dhe diskutonim e debatonim me zjarr, si në leksione dhe sidomos në seminare. Sigurisht, kjo ishte "aftësi" e vetë kësaj shkence, por meritë të veçantë e të padiskutuar kishte dhe vetë pedagogu i lëndës, prof. Z.Xholi.

Gjatë kohës së studimeve, nuk kam pasur lidhje të veçanta me të. Por ai i donte dhe i respektonte, pothuajse njëlloj, të gjithë studentët, sidomos ata që ishin më punëtorë e sistematikë. Pas mbarimit të studimeve të larta, jemi parë e takuar shpesh, pasi gjithnjë ka qenë i pranishëm në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, kushtuar studimeve në fushat e albanologjisë etj. Kjo sepse ai ka qenë kurdoherë njeri me interesa të gjëra, pra jo i dhënë vetëm pas një lënde të caktuar. Jam takuar e kemi bërë bashkë fotografi edhe pas viteve "˜90. Një fotografi të tillë i kam bërë atij edhe bashkë me kolegun e tij dhe pedagogun tim, prof. Dhimitër Shuteriqi. Si përherë, ai mbeti deri në fundin e jetës, njeri i mirë e dashamirës, i qetë, buzagas dhe i respektuar nga të gjithë, ish-studentët dhe kolegët e tij.

Me sa mbaj mend, me prof. Zijain jam takuar e kam biseduar edhe kur isha me punë në gazetën "Bashkimi". Ndërsa, kur shërbeja në gazetën "Mësuesi", aty u botua një intervistë e tij, ku përsëri shpaloseshin fragmente nga jeta dhe personaliteti i tij. Ajo i kushtohej posaçërisht veprës së Sami Frashërit, "Shqipëria, ç'ka qenë, ç' është dhe ç' do të bëhet ?", me rastin e 100-vjetorit të publikimit të saj. Ndër të tjera, prof. Xholi theksonte se:
"Vepra e Sami Frashërit, në mënyrën se si është shkruar, me frymëzimin që e përshkon, nga fillimi e deri në fund, ishte për shqiptarët një sihariq, një paralajmërim për ditët e bukura të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë...Në diturinë, ai shihte rrugën më të sigurtë, nëpërmjet së cilës Shqipëria do të arrinte lirinë dhe do të ecte e sigurtë në rrugën e përparimit e të qytetërimit ose, siç shkruante ai me fjalë më të thjeshta, "prej diturisë rrjedhin mirëqënia dhe të gjitha të mirat e kësaj bote"( Gaz. "Mësuesi", 26 prill 2001, faqe 5).


Nga e djathta: Prof. Z.Xholi, me prof. Dh.Shuteriqin (Foto nga: M.Gecaj)

Si përherë, prof. Zijai u tregua dashamir e i gatshëm edhe kur i kërkova të bisedonim e të bashkëpunonim, për të shkruar diçka nga jeta dhe veprimtaria e tij, pedagog, mendimtar e studiues. Dy takime të tilla i realizuam gjatë ditëve të Kampionatit Botëror të Futbollit. Si sportdashës, ai ishte "i zënë" me këtë veprimtari, por po bënte dhe disa riparime në shtëpinë e tij, me synimin që ta rregullonte vajzën, sa më mirë me banim. Sidoqoftë, një takim të tillë e bëmë në lokalin "Piemonte", në afërsi të Stadiumit "Selman Stërmasi", pasi aty diku afër e kishte shtëpinë. Pasi kafen e piu pak me nxitim, i shpjegova kërkesat e mia për botimin tim të pritshëm, kushtuar pedagogëve të Fakultetit Histori-Filologji. I pëlqeu ky mendim dhe u tregua i gatshëm të më jepte disa kujtime për vitet e punës së tij, pedagog i filozofisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës dhe pastaj në Universitetin e Tiranës. Pjesë nga kujtimet e tij me shkrim, për pedagogun e tij, prof. Selman Riza, i vendosa në pjesën e fundit të librit tim, me shënime e dokumente.("Filologë që nuk harrohen", Tiranë, 2002)

Nga ai takim me prof. Zijain, ruaj një kujtim të veçantë. Më parë atij i kisha dhënë me autograf librin tim "Nëpër udhët e shkollës shqipe"(Vatra diturie e atdhetarizmi), Tiranë, 2001. Me atë rast, ai m'u përgjigj "flakë për flakë", duke më dhuruar librin e tij, me titull: "Naim Frashëri"(midis së kaluarës dhe të sotmes-studime naimjane), Tiranë 1998. Në të, ai ka shkruar këto fjalë: "Muratit, me nderim e respekt". Librin në fjalë e lexova me dëshirë dhe përmes tij m'u ndriçua dhe një herë më mirë figura e madhe e poetit, mendimtarit e atdhetarit tonë të shquar. Si përmbledhje e mendimeve të shprehura, mendoj se janë edhe këto radhë të prof. Zija Xholit:
"Me veprën dhe veprimtarinë e tij, Naimi i bëri shqiptarët-shqiptarë, njerëz anëtarë të një Kombi të përbashkët, që ka personalitetin e tij të veçantë psiko-kulturor, historinë dhe të ardhmen e tij; i mësoi shqiptarët të kuptojnë se janë moralisht të formuar dhe politikisht të përgjegjshëm për fatin e tyre dhe për atë të Kombit të vet dhe jo anëtarë të pazë e të pavullnet të fisit, të drejtuar në mënyrë autoritare nga i pari i tyre dhe nga normat stërgjyshore të kanuneve; ai u ktheu shqiptarëve fytyrën drejt Evropës dhe u dha atyre parullat e qytetërimit bashkëkohor perëndimor".

2.

Zija Xholi lindi në Korçë, më 25 prill 1923. I etur për dituri, u regjistrua në Liceun Kombëtar të atij qyteti, të cilin e vazhdoi në vitet 1934-1943. Aty u pajis me një kulturë të gjerë humaniste, të bazuar në latinishten e greqishten e vjetër, si dhe në gjuhën e kulturën bashkëkohore franceze. Gjithashtu, u ndikua nga pedagogët e tij përparimtarë dhe u bashkua me shokët e shoqet, që kishin ndjenja antifashiste. Këtë gjë ai e shprehu dhe në veprimtaritë e ndryshme, që zhvilluan studentët e pedagogët e tyre.

Pas çlirimit të vendit tonë, Zijai i ri fitoi të drejtën për të vazhduar më tej studimet. Kështu, u regjistrua e ndoqi Fakultetin e Filozofisë, në Universitetin e njohur të Rusisë, atë "Lomonosov", në Moskë. Mbas përfundimit të studimeve të larta, u caktua pedagog i lendës së filozofisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik, përkrah mjaft figurave të njohura të arsimit dhe shkencës në vendin tonë. Më tej, me krijimin e Universitetit të Tiranës, në shtator të vitit 1957, vazhdoi të jepte atje lëndën e filozofisë dhe u bë një nga autorët e parë të teksteve mësimore, për këtë lëndë interesante.

Në vitet "˜60, duke u bazuar në përvojën, që kishte fituar në dhënien e kësaj lende, bashkë me kolegët tjerë të filozofisë, punoi pa rreshtur për çeljen dhe funksionimin e Fakultetit të Filozofisë, i pari në vendin tonë. Aty prof. Zijai nisi të jepte edhe lëndën e historisë së filozofisë botërore, duke u afirmuar pedagog i përgatitur dhe i dashur për studentët. Gjithashtu, ai hulumtoi, studioi e botoi në fushën e historisë së mendimit filozofik në Shqipëri. Po më tepër iu përkushtua trajtimit të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare dhe ideologëve të saj më të shquar, duke botuar dhe vepra të posaçme për ta.

Duke e çmuar veprimtarinë e pasur pedagogjike dhe studimet e tij shkencore, Zija Xholit iu dha titulli shkencor "Profesor" dhe më 1972, në krijimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i saj dhe vazhdoi të ishte përherë studiues e botues aktiv i saj.

Në botimin e vitit 1996, Enciklopedia amerikane me famë botërore "Vho's Vho in the Vorld" (Kush është kush, në botë), e vendosi emrin e Profesorit nga Shqipëria, Zija Xholi-Akademik, përkrah shkencëtarëve, shkrimtarëve, artistëve e politikanëve më të dëgjuar në botë. Sigurisht, ky ishte një vlerësim i lartë e domethënës, jo vetëm për të si individ, por dhe për vendin tonë.

3.

E kam takuar edhe në vitet e fundit, para ndarjes përgjithnjë nga jeta, prof. Zijajin, pra, kur ishte në moshë të thyer. Kishte mbetur përherë i buzeqeshur e dashamirë, si në rininë e tij dhe shfaqej mjaft energjik e frytdhënës në punë. Me pasion e aktivisht i ndiqte veprimtaritë e ndryshme shoqërore, shkencore, kulturore e arsimore etj. Në të njëjtën kohë, vazhdonte studimet dhe botimet e tij, në fushën e historisë së mendimit filozofik shqiptar, me artikuj, kumtesa e libra të ndryshëm. Deri në fund, mbeti prind e bashkëshort shembullor dhe nderohej e respektohej, jo vetëm nga fëmijët, nipërit e mbesat, por dhe nga kolegët, ish-studentët dhe të njohurit e tij të shumtë, anë e mbanë vendit.

Në ceremoninë e lamtumirës, organizuar një vit më parë për Akademikun e njohur, prof.Zija Xholi, fjalën e rastit e mbajti një ndër kolegët e tij më të afërt, Akademiku Alfred Uçi. Ndër të tjera, ai u shpreh: "Tani, në ditët e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, ti Zija, do të jesh i pranishëm me veprat e tua, që ia kushtove Marin Barletit e Gjon Buzukut, Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit, Naum Veqilharxhit, Naimit e Samiut, Jani Vretos e Pashko Vasës, Zef Jubanit e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasit. Ato vepra dallohen për analiza të thella dhe shqiptarizëm të çmuar, për edukimin e brezave të rinj... Ishe shembull demokrati tolerant dhe intelektual, i hapur ndaj ideve të reja. Jam i bindur se vepra jote shkencore e atdhetare do të çmohet e do të nderohet gjithmonë".

Më 24 prill të këtij viti, prof. Zija Xholi do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Megjithëse u mbush një vit, që ai nuk ndodhet fizikisht ndërmjet nesh, përsëri familjarët, kolegë e miq, ish-studentë dhe shumë të njohur të tij, e kujtojnë dhe e nderojnë atë përsëri, duke i vendosur pranë varrit, tufa me lule të freskëta. Nderimi, respekti e kujtimi për të, do të mbeten e do te ruhen përherë dhe të pashlyera në kujtesën e të gjithëve. Sepse, me jetën e tij të përkushtuar, atdhetare, arsimore, shkencore e botuese, u ka lënë pasardhësve një pasuri shumë të çmuar.

Tiranë, 18 mars 2013


Prof. MURAT GECAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NATYRISHT SHIHJA MARTIRIN...Kushtuar z.Viktor Martini, i cili është burgosur qysh në moshën 16 vjeç dhe me gjithë familje kanë bërë 104 vjet burg...Poezi nga KEZE KOZETA ZYLO (03.18.2013)
Portret emigrantiDJALI I PERAJVE, PETRIT SOKOLINga ZEQIR LUSHAJ (03.17.2013)
E ËMA AKUZON EDA ZARIN - JA SI NA E VODHI ME DOKUMENTE FALSE PASURINË (03.16.2013)
BAXHUL MERKAJ, MIK I PANDARË I 'IKONAVE' SHQIPTARE…Nga Prof. MURAT GECAJ, publicist e stuidues-Tiranë (03.15.2013)
Njeriu dhe…NjerëzorjaHEROI I GJALLË TOMMY LOPEZ-Per lirinë tonë, Ai la shëndetin dhe rininë e tij në luftë në Irak-Nga ZEQIR LUSHAJ (03.14.2013)
LAJM MORTI - BILALL JETISH FEJZA (08.11.1936- 24.02.2013) (03.13.2013)
KANUNI ISHTE I KTHJELLËT, NUK LINTE VEND PËR INTERPRETIMENga ALEKSANDËR MEKSI (03.12.2013)
RRËFIMI PËR TË VËRTETAT E HIMARËS I BËN MIRË ÇDO HIMARIOTINga ALEKO LIKAJ (03.12.2013)
Njeriu dhe….NjerëzorjaKIRURGU I FAMSHËM AMERIKAN DORIAN J. WILSONNga ZEQIR LUSHAJ (03.12.2013)
MBESA IME DORELË MBUSHI 10 VJET…(Ose: Në vend të një libri të dytë, shkruar për të)Nga MURAT GECAJ (03.11.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]