VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
EPOSI I DERËS DHE I VEPRËS Shënime për veprën e Azgan Haklajt “Edhe Zoti po flet Shqip†Nga RAMIZ LUSHAJ E Enjte, 03.21.2013, 06:54pm (GMT1)
"Edhe Zoti po flet Shqip", "Për Kombin, për Demokracinë", kur "Dardanët presin
Dodonën" janë tri vepra publicistike të njipasnjishme që përbajnë një korpus të
vetëm në tematikë, vlera e visare, që formojnë një epos më vete: "Eposin Azgan
Haklaj".
Ka diçka nga eposi i kreshnikëve teksa ecë me plagë në trup marrë në atentate
nga korbat e demokracisë. Ka diçka biblike në qëndresën e tij në hapsane nga
otomanizmi politik. Ka diçka klasike në bohemën e tij kulturore me prijëtar
Flamurin Kombëtar e me parafjalë Shqipërinë Etnike aqsa me iu kundërvërsul
botënisht edhe Moska zyrtare. Ka diçka nga vitaliteti epik e lirik kombëtar
teksa veprimtaron me Unionin Artistik të Kombit Shqiptar sa një"ministri
kulture".
Ka sfida civile, politike dhe kulturore të ditës e të perspektivës: Në krye të
degës të Partisë Demokratike të rrethit të Tropojës e si deputet i saj në
Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Si president i Unionit Artistik të
Kombit Shqiptar në trevat shqiptare të ndame në disa shtete ballkanike: në
Mitrovicë e Tuz, në Strugë e në Pejë, në Tiranë e Sarandë, në Preshevë e Shkup.
Si valltar në Izrael, ku vlerësohet me çmim të parë e takon Mushak Kacafin,
presidentin e këtij fisi hebrej fisit ma të madh të botës së sotme. Si
publicist me këto tri vepra, që nga kjo e fundit më 3 mars 2013 qëndroi bukur
gjatë në doganën e Qafë Thanës se doganieri maqedonas ndjente shqetësim dhe
kërkonte shpjegime: Pse Zoti po flet Shqip.
Mbi të gjitha lartngrihet në kufijtë e të jashtzakonshmes emni dhe veprimtaria
e Azgan Haklaj, për faktin madhor se vjen nga një krahinë e tillë e
jashtzakonshme nga Malësia e Gjakovës (Tropoja apo si i thonë në etno-histori:
Malësia e Mirë), e cila i dha kombit shqiptar kontribute të mëdha dhe figura
epokale si lideri historik i Shqiptarëve, prof. dr. Sali Berisha, kryetarin e
Lidhjes Shqiptare të Pejës, Haxhi Zekë Biberaj, tribunin e lirisë - Bajram
Currin, simbolin e sakrificës për komb Mic Sokolin, liderin martir të
Lëvizjes Studentore të Dhjetorit '90, Nderin e Kombit, Azem Hajdari, pleqnarin
e veprimtarin Binak Alia, presidenten tropojane të Kosovës, Atifete Jahjaga,
akademik Mark Krasniqin e dhjetra të tjerë në të gjitha fushat e jetës.
Më lejoni të përveçoj si krenari, si mesazh e homazh, vetëm njanin prej tyre:
poetin e dramaturgun Avni Mulaj, lindun në Tropojë të Vjetër, që jetoi në
Durrësin e lashtë e të ri, në mes durrsakëve të mirë, që ndrroi jetë në Las
Vegasin e largët, në Amerikën e afërt.
Mbi të gjitha lartngrihet në kufijtë e të jashtzakonshmes emni dhe veprimtaria
e Azgan Haklaj, për faktin madhor se vjen nga një fis i jashtëzakonshëm, nga
fisi i lashtë i Gashit të Gurit, që kanë prejardhjen etno-historike nga Mbreti
Bardhyl i Enkelejve në Ohër, që iu dha tone luftmave kombëtare në historinë
shqiptare si në Lidhjen e Prizrenit, në Shpalljen e Pavarësisë, etj., që siç
ligjëron kanga: "Nga po del kjo flakë e verdhë / Gashit të Gurit si përherë"/.
2.
Kur thashë në krye heret se veprat e Azgan Haklajt formojnë një epos më vete,
vizioni im rrokte edhe një hapësirë tjetër rrjedhën e tij genetike nga dera e
njoftun e Haklajve të Gashit në Malësinë e Gjakovës.
Në korrik të vitit 1914, me thirrjen zyrtare të Princ Vidit, erdhi me armë dorë
në qytetin antik të Durrësit, gjyshi i Azgan Haklaj, luftëtari epik Ibish
Haklaj (ish pjesmarrës edhe në mbledhjen e Shkupit më 1911) bashkë me qindra
malësorë, që do të luftonte për të mbrojtë shtetin e atëhershëm shqiptar nga
Lëvizja Haxhi Qamiliste dhe mbrapshtitë e pabesitë e Esat Pashë Toptanit.
Sot, në këtë pranverë durrsake me diell e demokraci, vjen në Durrësin portual
mesdhetar, nipi i tij Azgan Haklaj, me penë në dorë, me libër në dorë, një
luftëtar i ri i Shqipërisë Etnike dhe i demokracisë së re shqiptare.
Kanë ndryshue kohnat, shumë borë ka ra në male, shumë dallgë kanë prű detet, po
prapë ka Haxhi Qamilë që kërkojnë rebelim otomanizëm e ndalojnë progresin drejt
Europës së Bashkuar, prapë ka Esat Pashë Toptanë që kyejnë pabesi politike e
tradhëti kombëtare, që janë "fatkeqësi e vendit të vet".
Shembull aktual e tragjik është rebelimi i vitit 1997 i dirigjuem në
(prapa)skenë nga boshti sllavo-ortodoks Moskë-Beograd-Athinë e segmente të tij,
pasojat politike të së cilës goditën ekstremisht edhe të pathyeshmin e të
pakthyeshmin Azgan Haklajn në qytetin alpin të Bajram Currit duke ia hedhë në
erë me terrorizëm shpërthyes me eksploziv C4 pallatin ku banonte asokohe dhe
mbeti martire e fjalës së lirë, kusherina e tij, Shotë Haklaj 27 vjeçare,
gazetare e "Radio Kukësit".
Në mbrotje të institucioneve të shtetit shqiptar nga "Kryengritja e Delvinës"
të ullakueme nga ish-ministri i Brendshëm Et'hem Toto, bie trimnisht më 15 maj
1937 në Gjirokastër në krye të detyrës major Rrustem Sadri Haklaj, Dëshmor i
Atdheut, që ma gjanësisht e hollësisht flet historiani Veli Avni Haklaj në një
monografi të tij.
Stërgjyshi i Azganit, luftëtari atdhetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e
Shpalljes së Pavarësisë, kryetar i komisionit të isliatit për bajrakun e
Gashit, Shpend Zeqir Haklaj, mori pjesë në luftën e Shtimjes më 1881, përkrah
Sylejman Vokshit, Mic Sokolit, Tahir Bekë Bajraktarit të Shipshanit, etj. ishte
në ballë të formacionit luftarak të Gashit, dhe ndonëse i plagosun randë
vazhdoi luftimin trup më trup me pushtuesit otomanë.
Në vitin 1908 në Sukë-Hereç, në përpjekje me forcat turke të Xhavit Pashës,
vritet Smajl Plak Haklaj dëshmor i Atdheut.
Në pranverën e vitit 1912 në Qafë të Morinës kundër forcave turke u plagosën
vllaznit Sadri dhe Sali Shpend Haklaj.
Më 6 prill 2013, kjo vepër "Edhe Zoti po flet Shqip" do të promovohet edhe në
Tuz, në atë vend ku 102 vjet ma herët, Dedë Gjo'Luli ngriti për herë të parë
Flamurin Kombëtar Shqiptar, që në nëtorin e 1912-tës Ismail Qemali, i nisun nga
qyteti mikpritës e atdhetar i Durrësit, me personalitete durrsake e nga gjitha
trevat shqiptare do ta ngrente në Vlorën e historisë.
3.
Kjo vepra e sotme e Azgan Haklaj "Edhe Zoti po flet Shqip" ka tri të veçanta:
Promovimi i librit po kryhet në gjeopolitikën e trevave shqiptare në disa
shtete ballkanike: në Gjakovë të Kosovës, në Dibër të Madhe në Maqedoni, në
Durrës dhe fill në Tuz në Mal të Zi.
Autori në të gjithë bohemën e tij është i vlerësuar me tituj e çmime të shumta:
"Qytetar Nderi" nga vendlindja e tij Malësia e Gjakovës (Tropojë) dhe "Nderi
i Çamërisë" në Sarandë nga shoqata "Çamëria", Çmimi "Pjetër Bogdani" nga Forumi
Shqiptar i Kulturës e Shkencës në Tiranë, etj.
Azgan Haklajn e gjejmë në vepra publistike dhe e shohim në jetën publike
shumëdimensional: një nga flakadanët e Çështjes Kombëtare Shqiptare; një nga
flamurtarët e veprimtarive kulturore të kohëve të fundit; një nga sfinksit e
demokracisë së re shqiptare; një nga penat kontributive të ditës. Përndryshe:
një nga emblemat e kohës së sotme shqiptare. I tillë është Azgan Haklaj, sepse unë nuk kam asnjë pult mekanik apo magjik që ta komandoj në udhët, vlerat e kontributet, po veçse një penë, që në kryefjalën time të veprës së tij "Edhe Zoti po flet Shqip" e kam vnue një kryetitull: "Azgan Haklaj po ecë në kambë". I qoftë e mbarë dhe iu ndritt' udha bohemike shumëdimensionale! RAMIZ LUSHAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |