VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AZEM HAJDARI - 'POLITIKA NUK ASHT BISHT SHATI, PO BISHT GJARPNI'
Nga Prof. Asoc. Dr. Shefqet HOXHA, Historian, kulturolog, politikan

E Premte, 03.22.2013, 09:26am (GMT1)




Njoftohemi se në lokalin e klubit të Parlamentit do të bëhej një mbledhje e grupit tonë parlamentar.Qe ora 18.Kryetari i PD, Tritan Shehu, na njofton se do të diskutonim për shkarkimin e Z. Azem Hajdari nga detyra e kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes, Rendit dhe SHIK-ut dhe zëvendësimin e tij nga një tjetër.

Azemi dhe disa deputetë u shprehën kundër këtij orientimi me arsyetimin se një vendim i tillë duhej të merrej në Komision, por pat edhe nga ata që qenë pro, madje propozuan edhe zëvendësimin.... Përfundimisht u vendos të mblidhej Komisioni, por kjo nuk ndodhi.

Pas mbarimit të mbledhjes tërheq Azemin për krahu dhe i propozoj të pinim një kafe.

Në një lokal jashtë Parlamentit, duke pirë kafen, i them Azemit me dashamirësi:
- Duhet të jesh më i matur, Azem, por me veprimet që po bën krijon dyshime në grupin parlamentar e më gjërë.Madje për këto kanë nisur të flasin edhe njerëzit dhe të shprehin dyshime për figurën tënde politike''. Dhe i tregoj një bisedë të zhvilluar në një odë miqsh në kalanë e Dodës.

Ishte oda plot me burra dhe siç është bërë zakon ndër ne, biseda kaloi në kulisa të politikës së ditës.Dikush, te e vona, pyeti: Nuk di, burra, se me kë është Azem Hajdari, me Partinë Demokratike a me Partinë Socialiste?''.

Këtë ua tregoj unë-tha F.L.- dhe nisi e shpaloi një "˜' ndodhi'' të hershme: "˜' Motit - tha ai luftonin me njëri tjetrin kafshët e shpendët. Betejën e parë e fituan kafshët, por, sa meni lufta, nga kampi i shpendëve fluturoi një lakuriq nate e kaloi te kafshët. I thanë kafshët: Pse erdhe te ne, se ti je shpend dhe je i mundur?

- Jo,- u përgjigj lakuriqi- unë nuk jam shpend, pse i ushqej të vegjlit e mi me qumësht, jam kafshë.

Si mësuan këtë të vërtetë, kafshët e pranuan lakuriqin në mesin e tyre.

Pas do kohe u forcuan shpendët e nisën përsëri luftën me kafshët. Kësaj here fituan shpendët.I thanë shpendët lakuriqit: Pse erdhe, ti qe me ne e shkove te kafshët.

- Jo,- foli lakuriqi- unë jam shpend ashtu si edhe ju, se kam krahë e fluturoj si çdo shpend tjetër.

Shpendët nuk qenë në gjendje ta kundërshtojnë këtë pohim''.

E kuptoi Azemi alegorinë e përrallës, qeshi e më tha: "˜' Shefqet ti nuk e kupton politikën, kujton se është bisht shati që mund ta marrë kushdo. Jo, politika nuk është bisht shati, po bisht gjarpni. A ke parë ndonjë gjarpën duke ecur nepër rërë? më tha. Gjarpni ec përpara në saj të zigzalave që bën bishti i tij.''

Si heshta pak për të përbluar filozofinë e Azemit, qesha edhe unë nga përgjigjja e zgjuar e tij.

Si ndenji edhe pak, doli nga lokali e i dhamë dorën njëri tjetrit.

Shkurt, 1995


SHEFQET HOXHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.