VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JO MË TEPËR, EDHE NËSE BEOGRADI NA E NJEH SOT PAVARËSINË
Nga ADRIATIK KELMENDI

E Shtunë, 04.13.2013, 09:13am (GMT1)





AS ME KUSHTIN E njohjes së menjëhershme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk do të ishte mençuri që kryeministri Thaçi të pranojë të lëshojë pe edhe më tepër në ofertën që është tash në tavolinën e baroneshës Ashton.

U bë çfarë u bë, u lejua që Beogradi të mund të pranojë vetëm atë që mund t'i shkojë për shtati nga Pakoja e Ahtisaarit, që i bie Kushtetuta e Kosovës, dhe të mos e pranojë vetë dokumentin, pasi që nuk e pranon pavarësinë.

Mirëpo, me refuzimin e palës serbe të pranimit të propozim- marrëveshjes, pa u futur edhe elementet që u japin kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe të përfshira në asociacion, rrjedhimisht mund të pritet që të kërkohet edhe ndonjë lëshim "i vockël" pe nga Prishtina.

Çështja është se është bërë lëshimi më i madh që është mundur të bëhej, i cili edhe kështu si është mund të shkaktojë shumë telashe në funksionimin e shtetit. Së këndejmi, çfarëdo ndryshimi i mëtejmë që çon në ndonjë gjysmëplotësim të kushteve serbe për kompetenca në gjyqësi, polici etj. do të mund t'i hakmerrej jashtëzakonisht shumë në të ardhmen shtetit të ri.

BESOJ SE TË gjitha palët tashmë e kanë të qartë se Serbia dhe Kosova i kanë rrugët e ndara si dy shtete të pavarura.

Edhe në Kosovë të gjithë e dinë se është e paimagjinueshme jetesa në një shtet të përbashkët me Serbinë në çfarëdo forme. Edhe në Serbi e dinë se Kosovën nuk mund ta bëjnë pjesë të veten. Kurse edhe Bashkimi Evropian në tërësi e edhe anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e dinë se Kosova shtet është fakt i kryer.

Beteja e Beogradit sot është e drejtuar në dy drejtime kryesore.

E para, është lufta për të fituar pjesë të territorit të Kosovës, të cilat ose menjëherë do t'i bashkoheshin Serbisë, ose kjo do të ndodhte në një të ardhme të parashikueshme. Me këtë skenar Beogradi synon që përfundimisht të rishkruhen kufijtë në Ballkan, kur do të mund të përfitonte edhe Republikën Serbe të Bosnjës, e ndoshta edhe diçka nga Maqedonia.

E dyta, është arritja e një niveli të veçantë të pushtetit brenda Kosovës, me komunat e bashkuara me shumicë serbe, të cilat do të kenë kompetenca ekzekutive për territorin e caktuar saktë me kufijtë komunalë. E sado që mund të ngjajë në një situatë normale si një ide fine për të krijuar siguri, mirëqenie e besim për komunitetin serb në Kosovë - në mënyrë që të garantojë fuqi vendimmarrëse dhe jo mbivotuese nga shumica shqiptare për organizim të pavarur të jetës së tyre kjo do ta bënte shtetin krejtësisht jofunksional. Me këto kompetenca të mëdha që kërkohen dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit, ky asociacion në çdo rrethanë e momentum politik do të mund të pengonte proceset zhvillimore në Kosovë.

THJESHT, KOSOVËS NUK do t'i hynte fare në punë as njohja nga Serbia, e as anëtarësimi në OKB, në qoftë se nuk do të mund të funksiononte si një shtet normal.

Në një situatë të këtillë të mundshme Beogradi, duke e quajtur si të mbyllur kapitullin e Kosovës, e edhe në kontekstin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën, do të kishte kompetenca të një shteti autonomia qeverisëse e Asociacionit - brenda një shteti të cilin e pranon edhe de jure.

Në këtë frymë Serbia do të mund të ecte pa barrën e Kosovës drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian, duke i përmbushur kriteret e Brukselit për aderim, teksa do të kishte mundësi ta pengonte Prishtinën në rrugën e njëjtë.

Me pushtetin ekzekutiv në komunat me shumicë serbe, Beogradi gjithnjë do të mund ta ketë të hapur mundësinë që të sabotojë çfarëdo reforme në Kosovë dhe kështu ta kthejë atë në një shtet të dështuar.

Dështimi i Kosovës gjithsesi do t'i shkojë për shtati politikës në Beograd, meqë kështu do të mund të propagandonte në sytë e bashkësisë ndërkombëtare se kauza e tyre gjithnjë ka qenë e drejtë, pra, që shqiptarët nuk mund të ndërtojnë shtet të pavarur të zhvilluar.

Dhe kështu të mbaheshin gjallë apetitet se një ditë sërish duhet rishqyrtuar shtetin e Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.

Së këndejmi, asnjë presje më shumë.



adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk


ADRIATIK KELMENDI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.