Po e risjellim listën e plotë të ndryshimeve të miratuara në mbledhjen e
Këshillit Ndërakademik të Gjuhës disa ditë më parë, të publikuar nga Gazeta
"Shqip".
PËRFUNDIMET
NGA MBLEDHJA E KNGJSH MË 16 PRILL 2013
Në mbledhjen e datës 16. 04. 2013, të zhvilluar në Tiranë, u
diskutuan problemet drejtshkrimore, që mbetën pa u diskutuar në mbledhjen e
qershorit 2012. Pas diskutimeve, u propozuan dhe u mbështetën me miratim të
përgjithshëm, ndryshimet e mëposhtme në rregullat ekzistuese.
A PËR DREJTSHKRIMIN E ZANOREVE
Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke
zhvendosur zanoren -ë- nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të
tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i
pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet
i sontëm ~ e sontme; i parvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë
ndryshim ruhet forma e prapashtesës -m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët
integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme,
i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm
~ e sivjetme).
Të njësohet drejtshkrimi i fjalëve amëz "erë e lehtë që merr një ushqim dhe që
ndihet kur e hamë; kundërmim" dhe amzë "regjistri themeltar i shkollës". Të
dyja këto fjalë, që kanë të njëjtin burim dhe të njëjtën strukturë
fonoleksikore, të shkruhen amzë.
Fjalët që përmbajnë prapashtesën deminutive -zë të shkruhen sipas përbërjes së
rrënjës: kur rrënja e fjalës mbaron me zanoren -ë, të shkruhen me z:
shkëndijëz, vijëz, gojëz, ujëz, nyjëz; kur rrënja mbaron pa zanoren ë, të
shkruhen me zë: pejzë, tejzë, fejzë. Sipas këtij rregulli duhet të ndryshojë
drejtshkrimi i fjalës dejëz, që mbështetet në shumësin dej, si rrjedhim duhet
të shkruhet dejzë, njëlloj si fejzë (nga shumësi fej).
Të ndryshojë pozicioni i zanores -ë tek emri tavllë, që duhet të shkruhet
tavëll ~ tavlla. Gjuha shqipe nuk ka emra me një përbërje të tillë: një grup
bashkëtingëllor me një lëngëzore. Me këtë ndryshim emri integrohet në
paradigmën e emrit krikëll ~ kriklla i së njëjtës gjini dhe më tej në
paradigmën hasëll ~ haslli, hisëll ~ hislli, çakëll ~ çaklli të gjinisë tjetër.
Mbiemri i sigurt të shkruhet i sigurtë, me theks në zanoren -u- dhe me zanoren
-ë në fund të fjalës. Me këtë mënyrë të shkruari fjala përshtatet më mirë me
burimin e saj: it. sicúro, duke ndjekur të njëjtën rrugë që ka ndjekur një
mbiemër tjetër me këtë burim: i sinqertë nga it. sincéro.
Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin -m
të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e
prapashtesës, që është -m e jo -më, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo
mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).
Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të
shkruhet i majm ~ e majme, pa zanoren -ë në formën e gjinisë mashkullore. Me
këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i
kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.
Foljet ngadhënjej e ngashënjej, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm,
të shkruhen pa zanoren ë: ngadhnjej e ngashnjej.
Emri travaj "mall, shqetësim, merak", në mbështetje të shqiptimit më të
përgjithshëm, të shkruhet travajë, me zanoren -ë. Në asnjë të folme nuk
shqiptohet si emër i gjinisë mashkullore; si rrjedhim duhet të korrigjohet edhe
shumësi travaje, që duhet të jetë travajë, njëlloj si punë, javë etj. Veç
drejtshkrimit, në veprat kodifikuese (fjalorët) duhet të korrigjohet edhe
kuptimi leksikor i fjalës, që nuk është "mall, shqetësim, merak", por "mundim,
brengë".
Ndajfolja herët nuk përligjet gramatikisht, prandaj ajo duhet të shkruhet
heret, meqenëse këtu kemi një emër të rasës rrjedhore, mbaresa e të cilit është
-et e jo -ët. Ka edhe ndonjë fjalë tjetër, siç është ndajfolja tejet nga një
tej e lakueshme, që ka hyrë në standardin e sotëm me këtë mbaresë duke u
shkruar me mbaresën -et e jo -ët.
Emri thyez "copë e vogël e thyer" të shkruhet me zanoren -ë fundore, pra, thyezë,
pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
Në disa fjalë trirrokëshe me dy rrokje paratheksore, të shkruhet vetëm një
zanore -ë, ajo që ndodhet pranë theksit, duke ruajtur zanoren e plotë në
rrokjen e ballit të fjalës. Fjalë të tilla janë: shëmbëllej, shëmbëllim e
shëmbëllesë, që duhet të shkruhen shembëllej, shembëllim e shembëllesë;
rrëzëllej, rrëzëllim, rrëzëllor e rrëzëllyes, që duhet të shkruhen rrezëllej,
rrezëllim, rrezëllor e rrezëllyes; nëpërkoj "dredhoj, gjarpëroj", që duhet të
shkruhet nepërkoj. Me këtë mënyrë ruhet rrënja e fjalës dhe mënjanohet
kakofonia që krijon shqiptimi i dy zanoreve të rrëgjuara paratheksore, duke
ecur kësisoj në gjurmë të një tradite më të hershme të shqipes (khs. marëtoj
nga lat. maritÄre, mallëkoj nga lat. maledico, ngadhënjej nga it. guadagnare
etj.).
Në fjalët e përbëra me përemrin vetë, të shkruhet në të gjitha rastet zanorja
-ë kur është në funksion të prefiksoidit. Prandaj, krahas vetëmbrojtje,
vetëshërbim, vetëmohim, të shkruhet edhe vetëvetor, vetëvetiu.
Mbiemri i gjerë ka dalë jashtë sistemit fonetik dhe shkrimi i tij është
mbështetur në një shqiptim nëndialektor të toskërishtes. Për këtë arsye të
shkruhet me zanoren -ë në vend të zanores -e bashkë me rrjedhojat: i gjërë,
gjërësi, zgjëroj etj.
Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen
ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit
që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili
janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhet plang, shtatzënë
që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.
Fjalët bulmet e qurra, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, mund të
shkruhen bylmet e qyrra.
Emrin lëkua "barishte shumëvjeçare, që rritet në liqene e në ujëra të ndenjura;
lëpushë" nuk e ka asnjë e folme me këtë formë. Është fjalë e dialektit gegë;
prandaj duhet të shkruhet lëkue. Togu zanor -ue- me të cilin del fjala, është i
pranishëm në standardin e sotëm; khs. mësues, i punueshëm etj.
Disa huazime librore, ku ndeshen dy e deri në tri zanore bashkë, të shkruhen me
një zanore. Kështu, folja kontribuoj me pjesoren kontribuuar të shkruhet
kontriboj e kontribuar; emrat asociim, iniciim, negociim të shkruhen asocim,
inicim, negocim; emri vakuum të shkruhet vakum; spontaneitet të shkruhet
spontanitet; kolokuium të shkruhet kolokium.
B PËR DREJTSHKRIMIN E BASHKËTINGËLLOREVE
1) Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: i
pishëm, i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është
pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren -j, që del në disa shkrime të
gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.
2) Format e shumësit ftonj, thonj, ullinj, mullinj, përrenj etj., me
bashkëtingëlloren -nj fundore, të shkruhen me -j, në mbështetje të evolucionit
që kanë pasur këto trajta në një pjesë të mirë të truallit të shqipes, duke
njësuar kësisoj rregullën si për emrat, ashtu edhe për foljet (khs. foljet
ftoj, fshij, punoj, shkëmbej). Pra, të shkruhen: ftoj, thoj, ullij, mullij,
përrej. Kjo mënyrë të shkruari duhet të zbatohet edhe te mbiemrat, si: i drujtë
në vend të i drunjtë, të mëdhej në vend të mëdhenj, të rij në vend të të rinj
etj. Me këtë ndryshim gjen zgjidhje kërkesa e E. Çabejt dhe e të dy seksioneve
të Kongresit të Drejtshkrimit, të fonetikës dhe të gramatikës, që parashtruan
nevojën e këtij ndryshimi.
3) Emri shtinjak duhet të shkruhet shtijak, meqenëse folje shtinj s' ka
asnjë e folme. Ajo e ka burimin prej foljes shtie, me prapashtesën -ak, ku
sonantja -j- ka ndërhyrë për të zhdukur hiatin.
4) Mbiemri shtronjar për "zvarritës" e emri
shtronjare për "shtrojë e butë" duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare,
meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.
5) Disa fjalë që janë shkruar me lëngëzoren -r-
duhet të shkruhen me -rr-. Të tilla janë: folja shter, që duhet të shkruhet
shterr në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duke hyrë në paradigmën
e foljeve tjerr, bjerr etj., ku -rr-ja është formuar nga bashkimi -r- + -në në
formën e pjesores. Duhet të shkruhet me -rr- edhe folja micëroj "ha diçka duke
e kafshuar pak e nga pak, ha maja-maja", pra, micërroj, ashtu siç shkruhet
picërroj, në mbështetje të materialeve dialektore nga është marrë fjala. Emri
dhëndërr gjithashtu, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të
shkruhet me -rr, ashtu si emri vjehërr, me të cilin ka të njëjtën paraqitje
fonetike.
6) Folja mbarrs (FGS 2006, f. 602) duhet të
shkruhet mbars siç e ka FGSS f. 1078, duke u mbështetur në shqiptimin më të
përgjithshëm, domethënë duke respektuar parimin fonetik.
7) Në disa emra që dalin me dy lëngëzore të
njëjta, drejtshkrimi mund t'i ruajë të dyja format, por duke u prirur drejt
formave me një lëngëzore, për të shmangur kakofoninë që krijon shqiptimi i dy
lëngëzoreve brenda së njëjtës fjalë. Kështu, do të pranohen barëra (barërat e
këqija) e barna "ilaçe", me dallime kuptimore (khs. barnatore, barnatar). Të
parapëlqehen edhe rrjedhoja me një lëngëzore në vend të dy të tillave; si:
birni e birnor në vend të birëri e birëror; burrni, burrnor e i zhburrnuar në
vend të burrëri, burrëror, i zhburrëruar; derrni e derrnisht në vend të derrëri
e derrërisht.
8) Emrat hemorragji e hemorriode, në mbështetje
të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhen me -r-: hemoragji e hemoroide.
9) Të shkruhen me bashkëtingëlloren -rr- emrat
karrotë e rrem, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm.
10) Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të
shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).
11) Forma e shumësit thelpinj i njëjësit thelb të shkruhet thelbinj për
të ruajtur të pandryshuar temën e fjalës.
12) Forma e shumësit shpesë të shkruhet shpezë, meqenëse këtu kemi të bëjmë
me prapashtesën e shumësit -zë (khs. njerëz, vëllezër).
13) Fjalët transit e transistor të shkruhen tranzit e tranzistor, ashtu
siç shkruhen edhe tranzicion e tranzitor.
14) Për shkronjat dyshe, duke iu përmbajtur zgjidhjes që i dha
Kongresi i Drejtshkrimit (djegie, meshollë, brezhumbur, lënie), për raste të
veçanta, atëherë kur duhet të shkruhet me saktësi shqiptimi i një fjale të
huaj, krahas shkrimit të saj në gjuhë të huaj, të pëdoret apostrofi për të
ndarë shkronja të tilla; si: Bethoven ("Bet'hoven"), Mathausen ("Mat'hauzen"),
sandhi ("sand'hi"). Pa apostrofin nuk do të siguronim lexim korrekt të fjalëve.
15) Në disa huazime turke, që janë lënë me dy forma në veprat
kodifikuese, të pëlqehet forma më e përgjithësuar, ajo me theks parafundor, si:
penxhére e jo penxheré, tenxhére e jo tenxheré (Fjalor 2006, f. 771, 1083).
C PËR PËRDORIMIN E SHKRONJAVE TË MËDHA
1) Të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të botës fetare dhe
të disa ofiqeve: Zot, Perëndi, Allah; Perandori, Sulltani, Papa; Baba Faja,
Hoxha Tahsini, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, Kont Urani, Papa Kristo
Negovani, Princ Vidi etj.; Ali Pasha (Ali Pashë Tepelena), Mehmet Pasha (Mehmet
Pashë Bushati), Mustafa Pasha (Mustafa Pashë Bushati) etj.
2) Të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e festave fetare: Bajrami,
Pashkët, Krishtlindjet etj.
3) Të shkruhen me shkronjë të madhe të dy pjesët e emërtimeve të
titujve të nderit: Artist i Merituar, Mësues i Merituar, Mjeshtër i Sportit
etj.
Ç PËR DREJTSHKRIMIN E ANTROPONONIMEVE TË HUAJA
Gjuha shqipe është gjuhë flektive, prandaj edhe emrat e huaj duhet të hyjnë në
sistemin flektiv, duke u ndarë me një vizë lidhëse (Jokl-i). Për emra shumë të
njohur, kur jepen me shkronjat e shqipes, mund të mos përdoret viza lidhëse,
por është i detyrueshëm përdorimi i mbaresave sipas sistemit lakimor të gjuhës
shqipe; p.sh.: Shekspiri, Shileri etj. Në drejtshkrimin e këtyre emrave të
ruhet trajta e shkruar origjinale dhe herën e parë të përmendjes në një punim
të jepet në kllapa transkriptimi, p.sh.: Meyer (Majer).
Shënim: U lanë për t'u diskutuar për mbledhjen e qershorit problemet e
mëposhtme:
1) Emrat e tipit vishnje, dushnje, ilnje.
2) Drejtshkrimi i toponimeve dhe etnikave.
*Disa propozime të tjera të grupit për drejtshkrimin e drejtshqiptimin nuk u
mbështetën me miratim të përgjithshëm në KNGJSH.
Nga Kryesia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe