VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BESLIDHJA PS-LSI NË SHKODËR PIKËRISHT NË DITËN 100 VJEÇE TË PABESISË SË ESAD PASHË TOPTANIT
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Martë, 04.30.2013, 02:10pm (GMT1)



1.
Marrëveshja PS-LSI e shpallun në Tiranë më 1 prill 2013 në "ditën e rrenave" do të çonte patjetër në një 22 prill të "besës" në Shkodër, pasi për një kohë të gjatë në mes tyre ndodhi një "skizmë" bio-politike. Aq e hendektë ishte kjo skizmë saqë liderët e dy forcave politike të së majtës shqiptare, Rama e Meta, kishin frikë se mos e për/mbytin njani-tjetrin në "lumin elektoral" apo pas 23 qershorit 2013 mos ndodhte një tjetër ngjarje e re si në atë historinë e moçme "kalova lumin, të dhjefsha kalin"(!).

Çdo shtetas shqiptar (jo)politik është në të drejtën e vet ta shohin me dyshim e (për)çmim këtë aleancë dyshe të lidhun vegëz apo nyje, sidomos pas asaj "vidios së 10 janarit", sepse ky është një "besatim" mbi gjakun e konfliktit të tyne gurgac e mafioz të derdhun më 21 janar 2011 (!).

"Beslidhja" në Shkodër dëshmoi se dy liderët partiakë Rama e Meta dhe klanet e tyne (jo)partiake kanë "krizë besimi" të thellë e të prejkohshme ndërveti, e cila iu është kthye në një farë psikoze edhe përtej politikës aleancore dhe po iu mbetet një gangrenë politike e hapur edhe në të nesërmen. Këta dy politikanë sportistë Rama e Meta nuk mund të bashkëjetojnë si vllazen siamezë në politikë, pasi njani don të bajnë tjetrit "kosh" politik, ndërsa tjetri pret ta hedhin nokaut me grusht politik.

LSI ua ka thye"kranet" e aleancave dhe Fatos Nanos dhe Edi Ramës e PS ma së parit, po edhe Sali Berishës e PD së fundit, çka e ban edhe ma të dyshimtë qyshse në paranisje aleancen e re PS-LSI. Ndoshta duhet thuktue edhe ky fakt krahasimor: nëse LSI aleancën me PD e koalicionin qeverisës e quan të "pa-natyrshëm", atëhere edhe kjo "unaza e re" e lidhjes me PS-në e Ramës është e "de-natyrshme".

Kjo "krizë besimi" e (pa)shfaqur në mes PS e LSI në Aleancën për Shqipëri Europiane është një nga faktorët para dhe pas/zgjedhor të fitores së PD e Koalicionit Punësim, Mirëqënie, Integrim.

2.

Ikja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni me PD ishte si heqja e një qiriu të fikun mbi tortë. Vet e vendosi qiriun, vet dhe me të tjerët majtas e djathtas i frynë për ta fikun, e hangri një pjesë të madhe të kësaj torte pothuaj katër vjeçe dhe iku tek PS. Dikush thotë edhe diçka që nuk e dijmë plotësisht: e çuan atje, në koalicion me PS, forca të brendshme dhe të jashtme. Disi ndryshe mund të paraflitet aktualisht: po ikën duke u hakmarrë ndaj PD e koalicionit të saj (me aksionet në KQZ, në (ndër)prerjen e lidhjeve aleancore të 2011 me pushtetin lokal, etj.) dhe po shkon për të ri-marrë tek PS e aleanca e saj (portofole deputeti, ministri, etj.).

LSI iku nga koalicioni me PD duke e marrë me vete si koracë atë mbiemnin "Integrim", të cilin e kishte si "vello" kur shkoi tek PD dhe e mori si "pajë" për të ri/shkue më 1 prill 2013 tek PS e koalicioni i saj. Ndoshta LSI ende pandeh se edhe koalicionit parazgjedhur Aleanca për Shqipëri Europiane ia dha emnin prania e saj apo mbiemni i saj (!) Plot gjana e thonë të kundërten në historikun e LSI siç dëshmon mungesa e vullnetit kombëtar e politik për të kushtëzue aleancën e re me PS me votimin e tre ligjeve "kaluç" për statusin e vendit kandidat për në BE, "çështja e Fierit", etj..

Ky koalicioni i të djathtës e ka të shtylltë në trinomin e vet edhe Integrimin (Aleanca për Punësim, Mirëqënie, Integrim), edhe pas ikjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pra, integrimi ynë nuk qënka "kartë identiteti" e LSI, që ia ka amësue mbiemnit të vet qyshse në lindjen skizmatike nga PS e Nanos dhe as një "tabelë rruge" me atë fjalathanien e oshtimtë e të kuptueshme: "Këtu është LSI, në koalicion me PD, për interesa madhore të Integrimit..."(!) LSI po duket se ka ende probleme në proçes për integrimin ekzistencial të saj, sepse është hala në "shilarëse" politike: sa në koalicione tek PD e sa tek PS, çka duket edhe tek "garancia me nen" për disa deputetë nga Lsi në listën shumëemërore të PS, etj.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e themeluar në vitin 2004 me lider partiak e shpirtëror Ilir Metën, Integrimi i Shqipërisë është një detyrë (qoftë edhe sipas asaj parullës: detyrë mbi detyrat). LSI mund ta ketë në statut e në konferenca shtypi si mision të saj, po veçse si një mision politik partiak, pasi kjo forcë politike ende nuk po mundet ta ketë mision kombëtar për vet (pa)fajësinë e saj për ato arsye që vet i mirëdinë dhe politika ia (për)cek (!)

Për Partinë Demokratike duhet thanë se Integrimi i Shqipërisë është mision historik i saj qyshse në Dhjetor '90, është një realitet me fakte që nga pranimi në Këshillin e Europës e deri në antarësimin në NATO, etj.

Përpjekja e PS dhe LSI, e Aleancës për Shqipëri Europiane, për ta privue para zgjedhjeve, për ta privatizue në elektoriadën e 23 qershorit 2013 dhe për ta hipotekue si të tyren pas zgjedhjeve marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, etj. është një nga faktorët që vota popullore do ta lanë edhe katër vjet të tjera në opozitë të majtën shqiptare.

3.

Kulmi ma i madh i krizës së besimit ndërmjet PS e LSI u keqshfaq me një ekstremitet cinik dhe me demonstrim tipik sllavo-ortodoks-bolshevik, etj. qyshse në startin e lidhjes së kësaj aleance më 22 prill 2013 në qytetin e Shkodrës, ia nxorrën majen ajzbergut të mosbesimit ndaj njana-tjetrës.

Kjo ishte një"besë-fyemje" për shqiptarët kombëtar në Shkodër e Shkup, në Mitrovicë e Prevezë, në Preshevë e Ulqin, në Plavë-Guci e Vlorë dhe në diasporat shqiptare në botë si në Amerikë e në Bruksel, në Londër e Berlin e kudo tjetër.


Besë-fyemje, sepse shkel institucionin e shenjtë të besës një nga pasuritë kombëtare vitale tepër të çmuaj në shekuj, aqsa hebrenjtë vlerësojnë se "shqiptarët besën e kanë për mikun, as për ta blerë dhe as për ta shitur". Dihet se pabesitë e vjetra e të ditës lypin besë, ashtu sikurse dihet se frika nga pabesitë (e reja) kërkon një palë të tretë.

Besë-fyemja bahet ende ma e madhe dhe ma e randë kur palë e tretë në "besëlidhje" janë socialistë nga vende sllave që kanë historik pabesie kriminale në historinë shqiptare, si serbët, malazezët, etj. si Tadiçin ish-president i Serbisë për tetë vjet dhe një kundërshqiptar i përjetshëm që edhe ish-gruaja iu ka vesh murgeshë në manastirin ortodoks serb mbi tokën etnike të Deçanit shqiptar, Gjukanoviçin, shtatë herë kryeministër i Malit të Zi dhe tash shtatë shekuj kundërshqiptar i betuar, etj.

Besë-fyemje se këtë marrëveshje e "bekuan" me prani e deklarata zyrtare sllavët e Ballkanit. Se në nenin 2 të marrëveshjes nenohet: "Vizion europianizues, duke e lanë pas nacionalizmin" çka besoj se jehona e duartrokitjeve e përgëzimeve sllave për këtë nen do i kenë shoqërue majtistët shqiptarë deri në Budva, ngjitas me Tivarin, ku 68 vjet ma parë, në prillin e vitit 1945 u masakruan mijëra shqiptarë. Se në nenin 3 thuhet para socialistëve ballkanik dhe shkruhet në tekstin e marrëveshjes para elektoratit shqiptar: "Respektimin e Kushtetutës" (!) Sa formalistë, etj. këta socialistët (PS e LSI) besatohen të respektojnë Kushtetutën e vitit 1998 të miratuar me referendum prej tyre (!)

Besë-fyemje, sepse pala e tretë sllave (serbe, malazeze, etj.) vjen në këtë "beslidhje" në tokën shqiptare (jo ndokund tjetër), vjen në këtë "beslidhje" të dy partive politike shqiptare të së majtës shqiptare, vjen në Shkodrën e Gentit e të Teutës, të Balshajve e të Bushatllinjve, të Fishtës e të Ndre Mjedës, që ka mbi njëmijë vjet që lufton me serbët e me malazezët, etj..

Besë-fyemje, sepse as në Shkodër dhe as në Budva, as në media e as në vakt ngrëniet dietore, as Tadiçi serb dhe as Gjukanoviçi apo Vujanoviçi malazezë, nuk kërkuan falje për Masakrën e Tivarit të prillit 2013 (!). Përkundrazi, presidenti malazez, socialisti Filip Vujanoviç, shkon edhe ma larg në kohë, duke deklarue para partive e qytetarisë shqiptare në Tuz (3 prill 2013) se: "Krajl Nikolla ka luftue për çlirimin e pavarësinë e Shqipërisë" (!!!)

Kjo marrëveshje në mes PS e LSI është e lyptë dhe e friktë, drithëruese dhe shpresuese, e koractë dhe e plastelintë..., çka e tregon edhe fakti i fjalarenditjes me 15 nene. Diçka e veçantë në krizën e tyne të mosbesimit: pasi janë 6 nene ma shumë se Kushtetuta e Kongresit të Lushnjës (1920) e quajtun ndryshe: "Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë". Në historikun e PS dhe LSI nuk ka ndonjë dokument të tillë, me kaq nene, që këto forca politike t'i kenë çue në OKB, NATO, BE, Këshillin e Europës, etj. për çështje kombëtare shqiptare në Mal të Zi, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës (në jug të Serbisë), në Çamëri, etj.

4.

Arkitekti i këtij takimi ka qënë tepër magjik e enigmatik, përderisa ka mjeshtrue vendin, kohën dhe mënyrën e takimit, çka kjo më jep mue mundësinë të bëj simbolikë krahasimore.

Pikërisht më 22 prill 1913, fiks 100 vjet ma përpara, Esati kreu tradhëtinë e rradhës: E dorëzoi Shkodrën në rrethim e luftë prej 9 tetorit 1912. Ushtria turke me rezervistët e vullnetarët shqiptarë i ulën armët e luftës së përgjakshme. Kryeqëndra e qëndresës së fundit shqiptare të Pavarësisë pas 183 ditëve ra pabesisht në dorë të malazezëve të krajl Nikollës. Esad Pashë Toptani ua dorëzoi solemnisht malazezëve çelësin e qytetit verior. Zv/komandanti turk, Ahmet Idriz Pasha, në letrën për komandën e Armatës 6, i revoltuar dijenon: "Esad Pasha për hesapin e tij iu dorëzoi Shkodrën malazezëve".(Gazeta "Liri e Shqipërisë", 11.4.1913).

Edhe PS e LSI ishin në Shkodër për "hesap të vet"; edhe me serbë e me malazezë, etj. me marrë sa ma shumë vota në Shkodren që i don përjetësisht ma pak se të tjerët, që janë votue edhe në vite të demokracisë ma pak se kudo tjetër. Ishin në Shkodër dhe përtej Shkodrës me projekt edhe pansllavist majtist nga Beogradi e Kotorri, nga Shkupi e Moska: për me e "rrëzue" me çdo kusht e me çdo mjet liderin kombëtar historik të shqiptarëve, Sali Berisha, lider i shquar i derisotëm i demokracisë shqiptare, lider vital e triumfal i koalicionit "Punësim, Mirëqënie, Integrim".

Kjo marrëveshje në mes të PS e LSI u firmos në prani e me bekim edhe të serbvëve e të malazezëve, etj. në "ditët e gjakut", kur 100 vjet ma parë (tetor 1912-prill 1913) serb e malazezë e rrethuan Shkodrën ku pati 7.350 vetë të vrarë e të plagosur; ku 68 vjet ma parë serbët e malazezët kryen "Masakren e Tivarit" në mars-prill 1945 me 4.700 të vrarë, etj.

Kjo marrëveshje me prani e bekim edhe të serbëve e të malazezëve nuk përban ndonjë ngjarje që kanë të bajnë me interesat e larta kombëtare të shqiptarëve, veçse me labirinthe (prapa)skenore për marrjen e pushtetit edhe me ndihmën e armiqëve të kombit, etj. Fjala vjen me dy shembëllime deklarative: Pas firmës në këtë marrëveshje, lideri i LSI, u shpreh se: "Është e pafalshme që Serbia dhe Kosova zgjidhin një marrëveshje, pavarësisht të kaluarës së përgjakshme, ndërsa ne nuk zgjidhim dot problemin e KQZ". Vështroni se sa e ul "piacën" e tij: nga e (vet)quajtuna si "parti e integrimit europian" nuk flet për miratimin e tri ligjeve (që mund të bahen votat përkatëse) që e çojnë Shqipërinë drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Lideri i të majtës, kreu i PS, pas firmës në marrëveshje, llokoçit në Fb "Konferenca e PES për Ballkanin, një sukses i plotë dhe fillimi zyrtarisht edhe i rrugës së përbashkët të PS LSI drejt fitores së 23 Qershorit". Ja çka kërkojnë PS e LSI me Aleancen për Shqipëri Europiane.

Nuk e di nëse ia ka thanë ndonjë fjalë açikas në vesh kryesocialistit Edi Rama apo t'ua ketë kthye kryet menjanë Milo Gjukanoviçi, kryeministri malazez dhe lideri i partisë socialste malazeze, që në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012 doli me koalicion "Mali i Zi Europian". Ia përnget edhe Aleanca Shqipëria Europiane. Prapë me i marrë për shembulime sllavët? Ishin vetë sllavët që e formuan paraardhësen e tyne bio-politike PKSH (PPSH) si Miladin Popoviç (që iu vra mixha në Luftën e Nokshiqit), Dushan Mugosha, etj.

Pikërisht pabesia e Esad Pashë Toptanit më 22 prill 1913 në dorëzimin e Shkodrës më bani me hulmue për të bamunat tradhtare të tij me Krajl Nikollën e Malit të Zi dhe me kryeministrin Nikolla Pashiqi i Serbisë; me vështrue se si e sulmonte padenjësisht e egërsisht Qeverinë e parë të Pavarësisë së Shqipërisë, qeverinë e Ismail Qemalit të Flamurit të Pavarësisë, qeverinë e Princ Vidit në Shqipëri, etj. Gjithçka në politikën e tij esadiste më kujtonte liderin partiak të sotëm të PS, Edi Rama: që organizon kryengritje (grusht shteti) si më 21 janar 2011; që bojkoton Parlamentin Shqiptar fill mbas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009; që organizon greva urie në bulevardin"Dëshmorët e Kombit" në Tiranë; që bojkoton edhe së fundit votimin e tre ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian; tek qëndrimi aktual ndaj KQZ, etj. Diplomati austriak, Alfred von Rappaport Arbengau, miku i madh i shqiptarëve, që ndihmoi në Pavarësinë e Shqipërisë dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar të pas Pavarësisë, që e ka njohur nga afër Esad Pashë Toptanin, këtë lider shqiptar të disa aleancave të pista e të gjithatyne punëve të pabesa a të dyshimta, kur shkroi librin "Rrjedha e punëve në Shqipni"në faqen 9 të tij, ia devizon portretin: "fatkeqësia e vendit të tij". Ç'koiçidencë: duket sikur sikur ky diplomat i lartë austriak kur ka fol para 80 viteve, e ka pasë paarsysh edhe këtë socialistin Edi Rama i sotëm.


RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.