VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Enciklopedia rrezikon marrëdhëniet ndëretnike E Mërkurë, 09.23.2009, 10:10am (GMT1) Pamje në Shkup Intelektualët, subjektet politike shqiptare, që kundërshtojnë ashpër enciklopedinë e promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve maqedonase, thonë se ky botim, përveç se fyen shqiptarët në aspektin etnik, tensionon marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Por, përderisa kryeministri Nikolla Gruevski nuk distancohet nga përmbajtja e saj, opozita maqedonase ka alarmuar se enciklopedia dukshëm ndikon në ftohjen e marrëdhënieve ndëretnike. Zëvendëskryeministri Abdylhaqim Ademi deklaroi për Radion Evropa e Lirë se enciklopedia, e cila përmban ofendime ndaj shqiptarëve dhe personaliteteve publike shqiptare, reflektohet tepër negativisht ndaj raporteve midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Përmbajtje të tilla fyese për popullin shqiptar dhe për personalitete publike këtu në Maqedoni, rrezikojnë marrëdhëniet ndëretnike jo vetëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por rrezikojnë edhe marrëdhëniet ndërshtetërore...
Është më shumë se e qartë se ndodhitë e këtilla të papërgjegjshme nga një punë joserioze mund të bëhen ngjarje serioze...
Ndërsa, profesori në Universitetin e Evropës Juglindore, Jeton Shasivari, tha se kjo enciklopedi do t'i tensionojë shumë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. "Përmbajtjet shoviniste dhe fashizoide për shqiptarët do të trazojnë raportet ndëretnike në vend, të cilat edhe ashtu, kohëve të fundit, janë të luhatura, si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve". "Meqenëse kjo enciklopedi është financuar nga buxheti i shtetit dhe meqë personalisht kryeministri Gruevski e promovoi atë, nevojiten veprime konkrete dhe energjike politike për tërheqjen e këtij botimi", u shpreh Shasivari. Politikanët, intelektualët dhe shoqëria civile shqiptare kanë vlerësuar se përmbajtja e enciklopedisë maqedonase mund të prodhojë edhe konflikt mes dy komuniteteve më të mëdha etnike. Në të, midis tjerash, thuhet se shqiptarët në Maqedoni janë shpërngulur në shekullin e 16-të dhe se disa popuj të Ballkanit ata i quajnë edhe njerëz malorë, ndërsa Shqipëria është krijuar në vitin 1944 nga Gjermania naziste. (http://www.evropaelire.org)
www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |