Piktori Avni Delvina
"Na lanë disa ditë pa bukë. Sigurimi i Shtetit na provokonte, vuri ushtarë të
na pështynin kur hipëm në autobus"
Fillimi i vështirë në vitet "˜90 dhe hapja e ekspozitave në galeritë e mëdha.
"Piktor në Itali, ëndrra e mohuar nga diktatura"
Vitet dhe eksperienca e kanë mësuar që jeta duhet marrë me optimizëm...
Ka parë një fis të tërë të nëpërkëmbej në diktaturë, edhe pse dera e Delvinave
i kishte dhënë shumë Shqipërisë, kishte vizituar njerëzit më të afërt nëpër
burgje e internime, iu mohua shkollimi, provoi presionin e Sigurimit të
Shtetit, deri sa vendosi të largohej nga Shqipëria, duke u futur në Ambasadën
Italiane më 2 korrik të vitit 1990. Kanë kaluar 23 vjet që atëherë dhe piktorit
Avni Delvina i duket sikur nuk ka qenë ai që i ka jetuar ato ditë. Tashmë ai ka
ndërtuar jetën e tij në Itali, ka një djalë që erdhi në jetë vetëm pak muaj pas
largimit përtej detit, i quajtur Stiv (si Stivi Uonder) dhe vajzën Lara, në
nderim të të gjitha vajzave e grave që vuajtën nën diktaturë. Është një artist
i suksesshëm dhe shumë aktiv në jetën artistike italiane, por edhe në rrjetet
sociale përmes "provokimeve" përmes grafikave të tij, ku ironizon gjithçka, që
nga e kaluara nën diktaturë, te fenomenet e së përditshmes. I nderuar nga
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe një nga 100 shqiptarët ekselentë nëpër
botë, Avni Delvina, i cili mban emrin e gjyshit të tij, delegat i Delvinës dhe
Sarandës më 28 nëntor 1912, kthehet pas në kohë. Ai tregon për
familjen, kalvarin e vuajtjeve dhe 2 korrikun e vitit 1990. Çfarë ndodhte brenda Ambasadës Italiane, si reagonte
partia-shtet dhe si u pritën në Itali.
Grafikë e Avni Delvinës, "Rrënjët e komunizmit në Shqipëri"
Avni bej Delvina, firmëtar i Pavarësisë
PYETJE - Ju mbani emrin e gjyshit, firmëtar i Pavarësisë, ç'kërkoi pinjolli i një
patrioti në oborrin e një ambasade të huaj, më 2 korrik 1990?
AVNI DELVINA - Linda dhe u rrita në një familje që luftën kundër komunizmit nuk e ka nisur në
vitet '90, por në vitet '40. Një familje me tradita patriotike, mjaft të
përmend personazhe si Sulejman Delvina, Kryeministri i Qeverisë së Lushnjës,
gjyshin Avni Delvina, emrin e të cilit unë mbaj, që ka qenë delegat i Delvinës
dhe Sarandës gjatë Shpalljes së Pavarësisë në 1912, por edhe shumë të tjerë. Ka
ndodhur që shumë familje, për interesa të ndryshme, janë bërë palë me
okupatorin, ndërkohë që familja Delvina nuk ka asnjë "njollë" në këtë drejtim
dhe unë jam krenar për këtë. Por, pavarësisht kontributit që ka dhënë në
historinë e këtij vendi, arrestimet, burgosjet, vrasjet e kanë ndjekur vazhdimisht
këtë familje, çka bëri që të krijohej tek unë ndjenja antikomuniste dhe forca e
karakterit.
PYETJE - E megjithatë, në këtë sagë duhet të ketë një ngjarje që ka lënë më shumë gjurmë
tek ju, apo jo?
AVNI DELVINA - Më kujtohet fare mirë, kur isha vetëm 10 vjeç, që shkoja në burg te kushëriri i
parë i nënës sime, Xhelal Koprencka. Më kishte mbajtur gjithnjë pranë dhe kur e
vizitova në dënimin e tij të dytë, më kujtohen sytë e tij krenar, koka e
qethur, pas hekurave të burgut. Mund të kujtoj Astrit Delvinën, nipin e patriotit
të madh Namik Delvina, bashkëpunëtor i ngushtë me Ismail Qemalin, i dënuar me
20 vjet burg e internim, për të vazhduar me dajën tim, kitaristin Mehdi
Prodani, i dënuar me 8 vjet burg... Dhe të gjitha këto histori, ajo çka ata
kishin transmetuar tek unë, ndikuan shumë në formimin tim dhe në radhitjen e
asaj armate që iu kundërvu diktaturës së hekurt komuniste. Një ngjarje që më ka
shënjuar fort ishte thirrja nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1978 për të
dëshmuar për mikun tim Ilir Malindi. Më mbajtën dy ditë për të më bindur. Isha
vetëm 19 vjeç dhe më kujtohet puthja e nënës sime në ballë, kur i tregova se
çfarë kishte ndodhur dhe se nuk kisha pranuar të dëshmoja. Po kaq tronditëse
ishte edhe ikja e kushërirave të mija Izabela dhe Zamira Islami dhe mbytja e vëllait
të tyre në Sarandë. Madje, ai më ftoi të shkoja dhe unë, dhe kam një peng sot,
sepse pyes veten se ç'do kishte ndodhur po të kisha shkuar edhe unë...
Patrioti Namik Delvina ulur në qendër me kostum gri në të djathtë të Ismail Bej
Vlorës, 1908
PYETJE - Po çfarë ndodhi me familjen Delvina, së cilës historia ia njihte kontributin?
AVNI DELVINA - Historia
ishte e manipuluar, e vërteta mbahej e fshehur, pasi pushteti komunist nuk e
donte traditën. Ata donin që
gjithçka të niste në vitin 1941. Jeta fillonte me ata.
PYETJE - Si e kujtoni pas 23 vitesh 2 korrikun?
AVNI DELVINA - Më kujtohet takimi me nënën dhe babain. Ishin vetë ata që më shtynë: Ik, më
thanë, largohu! U përqafuam. Mora edhe nusen, e cila atëherë ishte shtatzënë,
madje ishte në maternitet. Një herë mendoja ta lija, por ajo këmbënguli dhe të
dy u futëm në Ambasadën Italiane.
PYETJE - Si u përgatit hyrja në ambasadë, cila ishte atmosfera?
AVNI DELVINA - Llahtari i madh i komunizmit ishte fundi i Çausheskut. Ajo ishte goditja
finale. Te stacionet e huaja ne shikonim se çfarë ndodhte në Rumani. Shembulli
i popullit rumun ishte vendimtar. Pa diskutim ishte rënia e Murit të Berlinit...
Të gjitha këto krijuan terrenin. Hymë në Ambasadën Italiane dhe ndiheshim si të
dehur. Ishte efekti i kundërshtimit, i mundësisë për të folur të lirë. Brenda
mureve të ambasadës, bashkë me disa miq të mitë, si Agim Kubati, Fatjon Cara
etj., nisëm të këndonim këngën "Liberta" të Albanos dhe një punonjës i
ambasadës na kërkoi që të pushonim, pasi ata nuk donin asnjë lloj provokimi.
Gjatë asaj kohe nisa të vizatoja në një fletë me kuadrate ata djem e vajza të
futur në ambasadë, që sot ka vlerë historike.
Shqiptarë në oborrin e një prej ambasadave të huaja, në korrik 1990
PYETJE - Ndërsa ju ishit brenda, pushteti i kohës dhe shtypi ju quante "vagabondë" e
"huliganë", kush ishin ata që hynë në ambasada?
AVNI DELVINA - Ata ishin djem shumë të mirë, që përfaqësonin në mënyrë të denjë popullin
shqiptar. Ishin djem dhe vajza me kurajë, që morën pjesë në një moment
historik. Disa ndoshta jeta i kishte sakatuar, i kishte lënë në padituri,
kishte njerëz të studiuar, kishte nga ata që kishin dalë nga burgu si Valer
Dyrzi dhe një djalë i mrekullueshëm, që sot nuk është më, Buran Kalaja, që me
kamionin e tij çau portën e ambasadës. Ishin nga të gjitha shtresat e
popullsisë dhe nuk mund t'i gjykoje, pasi vetë regjimi ishte shkaktar i kësaj
drame, i degradimit, mendor, shpirtëror dhe fizik që i kishte bërë Shqipërisë.
Më kujtohet takimi me të dërguarin e OKB-së, Stefan De Mistura, i cili na
mblodhi dhe na tha: Nga ky moment dua një qetësi absolute dhe këtë do ta
vendosim vetëm me një shikim me sy. Ishte e jashtëzakonshme se si ai përmbajti
gjithë atë gëzimin tonë, entuziazmin... ne ishim të gjithë në këmbë, me dy
gishta, ishte gëzim i jashtëzakonshëm të takonim një përfaqësues të OKB-së, por
ai na qetësoi me një shikim...
PYETJE - Sa ditë ndenjët të mbyllur, cili ishte "ditari" i atyre ditëve?
AVNI DELVINA - Në ambasadë ndenjëm 13 ditë. Disa ditë na lanë pa bukë qëllimisht. Ndërkohë që
Ambasada Italiane kërkonte të spostohej nga Tirana. Në atë kohë as qyteti nuk
kishte të hante... Ndokush na sillte domate apo qumësht... Më kujtohet drama e
femrave të mbyllura. Kishte disa gra shtatzëna, si ime shoqe, që kishin marrë
kurajën të futeshin në ambasadë... vështirësitë ishin të mëdha, por të gjithë u
harmonizuam me njëri-tjetrin. Ishim 800 veta që nuk ishim takuar kurrë më parë,
por vendosëm mes nesh kodin e respektit. Na u dha mundësia të flisnim me të
huajt, çka nuk e kishim bërë kurrë më parë. Ishin momente të veçanta, që kanë
lënë shenjë në jetë..
PYETJE - A pati presion nga ana e Sigurimit të Shtetit që të dilnit?
AVNI DELVINA - Presioni ishte shumë i madh. Punonjësit e Sigurimit nga jashtë na pyesnin se ku
do shkonim, na bënin presion për familjet. Ka qenë shumë e rëndë nata kur dolëm
nga ambasada. Kishin vënë një rresht ushtarësh që të na pështynin, kur do të
futeshim nëpër autobusë. Nuk dua t'i gjykoj, ishin të manipuluar..., atëherë të
gjithë ishin skllevër.
PYETJE - Çfarë ndodhi me familjen tuaj, a u penalizuan ata prej jush?
AVNI DELVINA - Pasi ikëm ne, babain e thirrën në lagje, për ta diskretituar, por ai tashmë
ishte 78 vjeç. Ishte burrë i fortë. Ai e dinte këtë që më parë dhe ndaj dhe më
shtyu të ikja. Pasi i dëgjoi të gjitha sharjet në drejtimin tim, iu kthye dhe
numëroi gjithçka që na kishin privuar dhe duke u treguar bërrylin u tha:
"Shkoni dhe gjejeni atje ku ka ikur tani!".
"Unë me teze Nadon, nënën e Izabela, Zamira e Klement Islamit..... Kur i shkova
për herë të parë më 1988 në Berishë të vogël të Pukës, së bashku me Edlirën...
Binte borë. Hajdari(i shoqi)i kishte vdekur para 20 ditësh. Ecëm nja 8 orë
nëpër male pas shtyllave të telefonit. Na shoqëroi një fshatar në errësirë,
nëpër rrëpira me llambë dore me vajguri. Mbërritëm natën në një kasolle në majë
të një shkëmbi. E thirri ai djali: Nadire, Nadire, Nadire... Një zë i dobët u
dëgjua nga brenda... por kur dëgjoi: hape teze se jam Riçja.... një klithmë e
llahtarshme shpërtheu brenda kasolles! S'ju besonte syve dhe në dorë mbante një
sopatë për t'u mbrojtur. Kamioni me të cilin e mora, kur e liruan në
fund të 1989. Kam veshur xhakaventon e Klementit, djalit të saj të vetëm..",
shënon Avni Delvina.
PYETJE - Pastaj erdhi largimi drejt Italisë, ç'kujtoni nga ai moment ndarjeje?
AVNI DELVINA - Largimi nga Tirana ishte shumë emocionues. I gjithë autobusi ishte i përlotur.
Sot është e paimagjinueshme, por atëherë flitej për një ndarje definitive. I
kam përjetuar ato momente si protagonist, si një njeri i ndërgjegjshëm dhe i
përgatitur për atë që po bëja. Më kujtohen përshëndetjet e popullit të Tiranës
nga dritares, puthjet që na dërgonin me duar, kishte nga ata që na ndoqën pas
me vrap. I hodhëm nga dritaret gjithë ato para që kishim nëpër xhepa, kush kursimet,
kush ndonjë borxh që kishte marrë tek të afërmit... Nuk na duheshin më. Pastaj
erdhi Durrësi, kalimi në traget. Ishte shumë e dhimbshme mbyllja e portës së
tragetit. Na u duk si një ndarje... S'kishte më kthim mbrapa. Ishim të mbytur nga
ndjenja të kundërta, nga keqardhja që po linim pas vendin tonë, shtëpinë,
familjen, miqtë, dashuritë... Me një gomë të madhe po fshinim gjithë jetën tonë
dhe nuk e dinim se si do ta shkruanim atë që do të vinte më pas. Por ama, nga
ana tjetër ishte liria, shpresa, kurioziteti për gjithçka që komunisti kishte
vrarë.
PYETJE - Përse zgjodhët Italinë?
AVNI DELVINA - Në ato momente Ambasada Gjermane ishte mbyllur, ndërkohë që ishte më komode për
time shoqe që ishte 4 muaj shtatzënë. Por, me thënë të drejtën, afeksioni për
Italinë ishte shumë i madh. Babai kishte mbaruar studimet për shkencat
ekonomike në Bolonjë, në vitin 1939, xhaxhai për agronomi në Katania, halla
kishte mbaruar konservatorin në Firence, si dhe shumë të afërm të tjerë që
kishin studiuar dhe kishin afeksion shumë të madh për Italinë. Pastaj ishte
gjuha italiane, muzika, që na mbajti gjallë në rininë tonë, hit-paradat e
famshme etj., që i ndiqnim mes valëve që kapnim me kanoçe. Italia ishte një
burim oksigjeni për ne, ishte një ëndërr, kontakti i parë me botën.
PYETJE - Si ju pritën në vendin fqinj?
AVNI DELVINA - Ne ishim një habi për ta. Ne ishim ambasadorët e asaj "perdeje të
hekurt", siç e quanin ata. Sot
as ne vetë nuk i besojmë dot ato që tregojmë. Ishim ne vërtetë protagonistë të
asaj jete? Por tashmë opinioni ka ndërruar. Shqiptarët janë njerëz të nderuar,
me ambicie nga ana profesionale. Dhjetëvjeçari i parë, për shkak të asaj
njollës që na la komunizmi, ishte shumë i vështirë, por tashmë jemi të
privilegjuar në Itali. Ne nuk jemi nomadë, jemi njerëz që aty ku ngulemi, duam
të kemi punën tonë, shtëpinë tonë dhe shumica ia ka arritur, me shumë
sakrifica...
PYETJE - Ishit ju më të privilegjuar se pjesa tjetër e shqiptarëve që erdhi me eksodin?
AVNI DELVINA - Po, patëm një lloj privilegji. U ndihmuam shumë nga shteti italian, pasi ne
ishim të parët dhe shiheshim me një lloj kurioziteti, ndërkohë që ata nuk ishin
të përgatitur për një eksod si ai i anijeve, çka u kthye në një problem për ta.
PYETJE - Çfarë ndodhi me ju personalisht?
AVNI DELVINA - Kur mbërritëm, është i kuptueshëm impresioni i parë, vend i madh, me tradita...
Duke qenë se nuk pranova të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, m'u
mohua shkolla e lartë dhe Italia ishte realizimi i ëndrrës sime. Sa mbërrita
aty, nisa të pikturoja. Zgjodha Bolonjën, meqë atje kishte studiuar babai im.
Në ato kohërat e trishtuara të komunizmit kujtesa ishte ajo që na mbante
gjallë, flisnim për kolonadat, harqet, rrugët... Në Vila Palavicini (Villa
Pallavicini) pata mundësinë të takoja personalitete shumë të njohura. Aty
organizova dhe ekspozitën time të parë. Kanë marrë pjesë në ceremoninë e
përurimit figura si Giulio Andreoti, personaliteti më i madh i Pasluftës në
Itali. Aty takova autorin e enciklopedisë italiane Paolo Zauli, që më nxiti të
shkoja në Amerikë, e megjithatë unë gjeta dimensionin tim njerëzor në Itali. Sa
i përket aspektit financiar, ka shtete të tjera ku njeriu mund të ndihet më
mirë, por nga ana shpirtërore për ne shqiptarët zor se gjendet një vend tjetër
si Italia, ku të ndihet aq mirë. Në vitin 1992, pata rastin të hapja një
ekspozitë në një nga galeritë më të mëdha të Italisë, në Bolonjë, ku erdhi edhe
mbesa e Ismail Qemalit, Nermin Vlora dhe më në fund të lirë, erdhi edhe një
ekip i TVSH-së, që bëri një reportazh mbi ekspozitën e një njeriu që kishte
ikur me ambasadat.
PYETJE - Shumë shqiptarë që ikën panë se Italia nuk ishte ai vendi i reklamave në televizor...
AVNI DELVINA - Kërkohej një përgatitje për këtë... Ne kishim qenë të gjithë të burgosur, tamam
skllevër, të izoluar, pa asnjë lloj informacioni, të izoluar. Ne ishim vetëm
hije. Këtë e kam pasqyruar edhe në një punë të timen, ku kam pasqyruar xhiron e
Bulevardit. Privilegji ynë më i madh ishte kjo xhiro, aty ishte kontakti i
vetëm mes djemve dhe vajzave. Dhe ne ishim si hije, nuk ishim më njerëz, ishim
të shpërfytyruar. Njeriut po i more mendimin, fjalën, shpirtin, asi thjesht
merr frymë. Ne vetëm merrnim frymë. Ishte një dramë shumë e madhe, mbi të cilën
duhej analizuar shumë më thellë, duhej reflektuar. Një pjesë e mirë nuk ka
kërkuar ende falje, por dëmi më i madh i bëhet atij që e mban brenda vetes. E
megjithatë koha bën të vetën dhe është ajo që i vë gjërat në pozicionet e
duhura.
PYETJE - A jeni ndier ndonjëherë të përdorur nga politika shqiptare?
AVNI DELVINA - Gjërat duhet t'i kërkosh. Edhe atë faljen që ne duam nga tjetri, mund ta marrim
vetëm nëse ia themi në sy gabimin. Duhet ngritur zëri. Një pjesë e klasës sonë
i donte gjërat e gatshme. Çdo njeri duhet të japë kontributin e tij.
Personalisht, përveç artit, jam duke shfrytëzuar rrjetet sociale për të thënë
fjalën time mbi gjithçka, me çdo detaj, duke filluar që nga ironizimi i
komunizmit, i Sigurimit të Shtetit, Enver Hoxhës, mitomanisë që na la
trashëgimi diktatura... Reagimi i lexuesve është i menjëhershëm, mendoj që t'i
publikoj të gjitha këto.
PYETJE - Sapo ka ndodhur një rotacion politik, pati nga brezi juaj që e quajtën si një
kthim mbrapa, si dhunim i idealeve të atyre që përmbysën sistemin, ju si e
shihnit?
AVNI DELVINA - Unë nga natyra jam optimist, pastaj duhet thënë se sot Shqipëria, duam apo nuk
duam, është një vend i konsoliduar në disa drejtime, me gjithë defektet
kolosale që trashëgojmë në mentalitetin tonë nga diktatura komuniste. Por sot
nuk mund të harrojmë që jemi në NATO, nuk mund të harrojmë që jemi të lirë të
udhëtojmë ku të duam, ndërsa më parë na shihnin me përçmim. Sot kemi miq të
mëdhenj që na orientojnë dhe na duan, qoftë nga ana emocionale dhe qoftë për
interesa gjeopolitike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që unë
jam entuziast dhe e mira është që gjithçka të merret me shumë urtësi, filozofi.
Merita të padiskutueshme t'i jepen, pavarësisht gabimeve, edhe Sali Berishës.
Sa u përket vlerave unë u referohem vlerësimeve që jep Departamenti i Shtetit
Amerikan për të. Kam pasur rastin ta takoj me rastin e 20-vjetorit të 2
korrikut. Na priti në Kryeministri, ku zhvilluam një bisedë të gjatë.