VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHTETËSIA SHQIPTARE - KUJT I JEPET DHE SI PËRFITOHET, PËRJASHTOHEN SHTETASIT E KOSOVËS

E Enjte, 07.04.2013, 08:13am (GMT1)



TIRANË - Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një vendim, i cili përcakton procedurat për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, si dhe personave që u njihet kjo e drejtë. Vendimi përcakton procedurat që duhet të ndiqen nga institucionet e administratës shtetërore dhe personat e lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare, sipas rastit, për njohjen e shtetësisë shqiptare të fituar vetiu në bazë të legjislacionit në fuqi. Kjo e drejtë u lind të gjithë personave me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Kush e përfiton

Këshilli i Ministrave përcakton pesë kategori personash që u lind e drejta e marrjes së shtetësisë shqiptare. Së pari, u njihet personave të lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes. Së dyti, u njihet kjo e drejtë personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare. Së treti, personave me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, SHBA-ve apo një shteti tjetër, shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve. U jepet gjithashtu personave me origjinë shqiptare që zotërojnë shtetësinë e një shteti tjetër ose janë pa shtetësi, kur një nga prindërit e kërkuesit zotëron shtetësinë shqiptare dhe së fundmi, personave, prindërit e cilëve janë persona me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti tjetër ose nuk kanë shtetësi dhe kur kërkuesi ka lindur në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Procedurat e aplikimit

Mund të aplikojnë për dhënien e shtetësisë shqiptare në bazë të legjislacionit në fuqi, kur vërtetohet se personat e interesuar kanë mbushur moshën 18 vjeç. Aplikimi mund të bëhet vetëm në rast se ka mendim të Ministrisë së Brendshme se nuk cenohen siguria dhe rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë. Të interesuarit duhet të paraqesin kërkesën, së bashku me vetëdeklarimin për origjinën shqiptare. "Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar me vetëdeklarimin e të dhënave dhe/ose dokumente që provojnë origjinën shqiptare nga paraardhës, të cilët kanë qenë ose janë jo me shtetësi, por me origjinë shqiptare", përcakton në Vendim Këshilli i Ministrave. Gjithashtu aplikuesit duhet të provojnë se janë të paslindur me lidhje familjare deri në tri shkallë nga një person me origjinë shqiptare, por që nuk ka shtetësi shqiptare në momentin e paraqitjes së kërkesës. Për fëmijën nën moshën 18 vjeç, kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare bëhet nga prindi ose prindërit. Kërkesa bëhet njëkohësisht me kërkesën e vetë prindit ose pas fitimit prej tij të shtetësisë. Kur fëmija është në moshën 14 deri në 18 vjeç, kërkesa shoqërohet edhe me pëlqimin me shkrim të fëmijës.

SHTETËSIA SHQIPTARE U NJIHET OSE U JEPET:

a) personave të lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes.
b) personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare.
c) personave me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, SHBA-ve apo një shteti tjetër, shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve.
ç) personave me origjinë shqiptare që zotërojnë shtetësinë e një shteti tjetër ose janë pa shtetësi, kur një nga prindërit e kërkuesit zotëron shtetësinë shqiptare.
d) personave, prindërit e cilëve janë persona me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti tjetër ose nuk kanë shtetësi dhe kur kërkuesi ka lindur në territorin e Republikës së Shqipërisë.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.