E Shtunë, 04.20.2024, 12:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
AZGAN HAKLAJ, TRIUMFI I NDËRGJEGJES SI KUJTESË PËR TË ARDHMEN E KOMBIT
Shënime për librin “Për kombin,për demokracinë”të autorit Azgan Haklaj
Nga QAZIM SHEHU

E Djelë, 07.07.2013, 02:30pm (GMT+1)



Libri më i ri i autorit Azgan Haklaj, përqëndrohet në shkrimin e një jete plot pasione e pengesa ,kur autori u gjend në rrjedhën e fuqishme të zhvillimeve të para demokratike dhe më pas.Është pikërisht koha kur mentaliteti komunist i njerëzve që u veshën me pushtet nuk e pranonte këtë ideal të ri të demokracisë, madje arrinte ta pengonte me gjithë mënyrat e mundshme, duke shkuar në format më ekstreme gjer në atentate dhe eleminime fizike, vetëm e vetëm që e reja mos çante dhe ata të fitonin statukuonë e përjetshme.Kujtojmë këtu vrasjet politike që janë kryer e që lexuesi i merr me mend.

Për të mos tradhtuar bindjet e duke shënuar fatin e vet me idealet e reja demokratike, u gjend edhe Azgan Haklaj, një nga nismëtarët e demokracisë në rrethin e Tropojës, e më gjërë, i cili me trimërinë dhe fisnikërinë që e karakterizon ,arriti t`u bëjë ballë bandave të kuqe , rrymave dhe intrigave që vijnë nga forca të ndryshme politike.Është ndoshta rast unikal sesi një njeri zgjidhet nga populli deputet duke qenë në burg, e, kjo tregon sa e drejtë ka qenë kauza e tij dhe sa më shumë vlerë marrin gjërat kur ato mbartin vulën e drejtësisë popullore.Të gjithë aktorët e kryerjes së këtyre veprimeve janë sot në segmente të caktuara të politikës , edhe ata vetë mbase me logjikën e sotme s`do ti kishin miratuar disa veprime të djeshme, po historia si do që të jetë ,duhet thënë, ajo duhet të shërbejë si një mësim dhe reflektim për të mos u përsëritur më disa vepra arriviste që fusin përçarje dhe krijojnë frymën e dekurajimit për vlerat qytetëruese që sjell vetiu demokracia, si vlerë dhe dëshmi e pakontestueshme.

Vetiu në kohë të caktuara kur kuptimi i saj ndodhet në zgrip, dhe forcat e së keqes mundohen ta paraqesin si gogol misterioz këtë kuptim, në mënyrë spontane si shpërthim i shpirtit të revoltës dalin njerëz të cilët mbartin mbi shpatulla misione të mëdha , të obliguar t`i çojnë më tutje.

Libri është ndërtuar në trajtë analitike, duke performuar elegancë stili, në trajtë kronike dhe letra, korespondencë, deklarata , dëshmi , fakte, si i tillë është një libër që mund të lexohet e plotësohet nga shumë këndvështrime, lexohet me një frymë dhe krijohet përshtypja e atyre viteve të trishta po të zjarrta ,domethënëse.Duke e lexuar atë faqe më faqe më erdh ndërmend ideja se kombi ynë ka vuajtur gjatë nga mungesa e demokracisë, faktorët janë të kuptueshëm dhe mund të rreshtohen , por një gjë është e sigurtë se një komb pa demokraci është i detyruar të bëjë një jetë të ngurtë, pa qëllime të larta dhe pa dinjitetin e nevojshëm të qytetarëve të vet, dinjitet ,i cili sa më i lartë të jetë, aq më shumë rritet dhe lartësohet dinjiteti i kombit dhe kombeve të tjera në tërësi, sepse demokracia ka forcë rrezatuese ashtu si dielli që ngroh gjithë botën.Kjo ide gjeneruese jetësohet në strukturën e një libri të punuar me kujdes, dhe definohet paralel me titullin e gjetur.Janë dy fjalë të shenjta që shkojnë bashkë dhe fitojnë një konotacion madhështor,duke u kujtuar shqiptarëve , kudo që janë, se vetëm kështu realizohet identiteti i tyre europian.

Azgan Haklaj është një kalorës i fjalës së lirë, një njeri i cili ka ide të qarta dhe propozon zgjidhje racionale për situate të ndryshme, ai shfaq ide dhe impresione të drejta pa ekuivoke duke u qëndruar besnik ideve të veta nacionaliste dhe demokratike, njëkohësisht, për këtë, ai ka fituar simpatinë dhe mbështetjen e mjaft burrështetasve të mëdhenj ,si Xhorxh Ë Bush, e personaliteteve të organizatave ndërkombëtare nga Brazili në Vjenë, gjithashtu të shumë politikanëve shqiptarë e botërorë, si dhe të shkrimtarëve, intelektualëve me zë.Kjo mbështetje ka ardhë si rrezatim i natyrshëm i aktivitetit të tij dhe drejtësisë së kauzës që ka mbrojtur.
Në libër si në një novelë të Markesit"Kronikë e një vrasje të paralajmëruar", do të lexohen veprime monstruoze të forcave të errta me bartje mesjetare të ndërgjegjes së prishur nga frika e rrëshqitjes së pushtetit,veprime që shpjegojnë grahmat e fundit të një bote delirante e cila nuk mund të mbijetojë veçse përmes rrëmujës dhe tmerrit , përçarjes që kërkon të mbjellë.Dhe natyrisht kjo ka viktimat e saj, qytetarë të thjeshtë,njerëz të zakonshëm. Nga këto atentate për pak do ta kishte pësuar edhe zoti Haklaj, po vetëm zoti dhe dashuria e tij për demokracinë e shpëtuan.Janë pikërisht këto faqe ku ndihet ankthi dhe ato u ngjajnë skenave të një drame me aktorë të dukshëm dhe të padukshëm që regjistron nje kohë sa tmerrshme dhe aq të lavdishme, një kohë për definuar prelude dhe hapje të ideve që afrojnë reflektim ndaj shtjellimit të absurdit që s`duhej të kishte ndodhur.Zakonisht ndërrimet epokale nuk vijnë si në vaj, ato kanë një shqepje të trishtë , dhe një vrull të stacionimit drejt ëndrrave dhe zhgjëndrrave të mëdha.Në këtë sfond e brenda kësaj ideje ,pena e Azganit lëviz lirshëm dhe konturon ngjarje që tregohen me një sens mase të admirueshme ,çka flet edhe për zotësinë e tij për të mos humbur asgjë nga kujtesa, për të mos e tepëruar me rrëfime të panevojshme e për të sjellë atë që duhet , ka vlerë dokumentuese dhe arsyetohet bindshëm brenda kufijve të një libri me strukturë solide.

Pena tij prej artisti dhe publicisti zbulon pikërisht skenarët e dhunës shtetërore, po njëkohësisht, në antitezë me të, edhe qëndresën e forcave demokratike të Tropojës ku zoti Haklaj ishte një lider me vizion të qartë, i bindur në idetë e tij dhe të renë që kishte përqafuar.Në këtë kuptim, Haklaj, duke rrëfyer për një histori të re nuk ndalet vetëm këtu, ai e lidh historinë dhe imazhin e kësaj zone më gjërë.Mos harrojmë se Tropoja është fare afër Kosovës, ajo është pjesë e një treve jo vetëm me bukuri natyrore të jashtëzakonshme po edhe të një eposi te vjetër dhe të ri.I kam vizituar këto zona dhe aty kam parë se sharmi i shqiptarizmës dhe i vetive të larta të burrërisë ,çiltërsisë e besës janë me të vërtetë të vlerta, frymëzuese dhe të mbushin me një krenari të ligjshme për genin e rracës sonë, e cila nuk u asimilua nga bastardët dhe pinjollët e së keqes, as nga invazionet e huaja, sidomos atyre sllavë.

Azgani është një njohës shumë i mirë i historisë , i rrjedhave nacionaliste, të cilat, me siguri, nuk do jenë më të shpërndara, po do derdhen në lumin e madh të qëllimit për bashkim kombëtar, ashtu siç e meriton një popull nga më të lashtët e më i lashti në Ballkan.Duke qenë kryetar i Unionit Artistik Mbarëkombëtar, me një veprimtari të dendur, ai ka zhvilluar takime të mëdha në Kosovë , Shqipëri, takime artistike të cilat mbartin vlerën e një manifestimi të gjërë, të përfaqësimit të shumanshëm dhe performojnë vlera ; inspirojnë duke sjellë në kujtesë tradita, zakone, rite ,valle e këngë të bukura.Lexuesi mund të gjejë në këtë libër kulminacionet e kësaj veprimtarie të palodhur,veprimtari që ka ndjekur datat e shënuara dhe të papërsëritshme të historisë së re të Shqipërisë dhe të Shqipërisë së Epërme ,siç do ta quante i madhi Sami, Kosovën.Ia vlen për të përmendur këtu veprimtarinë:"Një komb, një qëndrim", veprimtaritë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Sofrën Dardane, veprimtaritë për Çamërinë, etj, ku Azgani ka qenë organizator dhe interlokutor midis forcave krijuese për ta sjellë folklorin në stade të reja të paraqitjes , njëkohësisht arti t`i shërbejë si ndjekës i ngjarjetve tronditëse të shekullit të ri.Shpalosja e dimensioneve të vetvetes është një nga fitoret më të reja e më të arsyeshme të demokracisë liberale. Njëkohësisht, arti tregon se çdo paradigmë frymëzuese e mbështetur në një realitet do të zërë vend në atë që quhet kujtesë për brezat e ardhshëm.Duke lexuar librin e Azganit bindesh për vëmendjen e madhe që tregohet ndaj çështjes sonë kombëtare, ndaj faktorëve politike të brendshëm e të jashtëm për të identifikuar miqtë e vërtetë dhe armiqtë shekullorë të çështjes shqiptare.Apeli që bën ai për syçelësinë kombëtare, për punën e palodhur në dobi të çështjes kombëtare, në vetëdijësimin se fitorja e Kosovës kërkon një punë të madhe për konsiolidimin e saj, mbrojtjen dhe prosperitetin, janë apele të një njeriu të zgjuar dhe me largpamësi.

Ai na thotë se s`duhet të harrojmë prejardhjen tonë gjenetike, rrënjët e lashta, t`i freskojmë ato me frymën e re demokratike që po fryn në dejet e çdo shqiptari.Këto ai i ka trajtuar aq bukur edhe në librin e parë,"Dardanët presinDodonën', "ku si sizmiograf vë re dhe regjistron çdo luhatje e,lëkundje ,kur vjen puna për të mbrojtur çështjen tonë më të shenjtë ,që është shqiptarizma.Dhe në këtë identifikim ai përqas së pari këshillat dhe porositë e mikes së çmuar të shqiptarëve:SHBA, ashtu siç denoncon edhe qëndrimet ultranacionaliste të shovinizmit sllav, të qarqeve të fshehta dhe të hapura të cilët nuk lënë gjë pa bërë në përshtatje me fobinë që kanë ndaj shqiptarëve.Nuk është e rastit që deklaratat e zotit Haklajkanë zgjuar reagimin e Ministrisë së jashtme ruse.Duke u bërë një përshkrim prej dijetari dhe patrioti trojeve etnike, Haklaj nuk ka frikë të nënvizojë të drejtën historike të një populli të ndarë padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha, ashtu siç e pohon me të drejtë se"shqiptarët duhet të afrohen sa më shumë drejt njëri tjetrit".

Libri është një mozaik ngjarjesh dhe realiteteve, që vijnë në mënyrë kronologjike dhe japin pamje dokumentuese, për një kohë në formëzim e sipër, për një kohë të përpjekjeve titanike për të dalë nga ngërçi i errësirës në dritë të të vërtetave të mëdha, si i tillë, duke dhënë aspekte të jetës personale, autori ka ditur të interferojë ndodhi e çaste në plazmimin kohor, ka ditur të ndërthurë fatin e njeriut me ide të qarta, me fatin e kombit në tërësi, të shtetit shqiptar të Shqipërisë Londineze, po edhetë të shtetit të ri të Kosovës.Libri vjen si një manifestacion i ideve të drejta në luftën me të keqen brenda vetes në shoqërinë tonë që është një shoqëri në zhvillim dhe përpjekje për kapjen e kuotave të reja të demokracisë e qytetërimit, po njëkohësisht ai është shkruar me një stil të zhdërvjellët plot temperament, me një fjalë të qartë e të kuptueshme ,sepse autori, me sa duket, ka pasur të qartë thënien e Horacit se kur ke diçka të qartë fjalët dalin vetë.
Libra të tillë ngjallin këshëri edhe për të kuptuar fazat e ndërrimit të epokave,aktorët e rastësishëm politike dhe aktorët e qëndrueshëm, ai bën me dije se në ato zona ku komunizmi s`është dashur me kohë, siç janë zonat e Veriut shqiptar, në ato zona komunizmit iu desh të shfrynte inatin e fundit, po kësaj gjëje nuk ia arriti.Dhe kjo flet qartë për traditën dhe besën, vërtetësinë dhe sinqeritetin e jetës që kultivuan malësorët tanë.Edhe kjo është një tjetër mesazh që ne marrim nga teksti libror, duke e nxjerrë atë nga një kontekst i gjërë kohor.Në veprën e tij, Haklaj e shikon historinë në tri dimensionet e saj, në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.Dhe ky vështrim shpreh një zotësi për të bërë prerje dhe përqasje analitike, për ta sjellë kohën në ndërveprimet e saj filozofike, duke i ndërlidhur gjërat në hullirin e tyre të natyrshëm.Dhe si publicist i suksesshëm autori na sjell,si qëndistar ,këtë libër si mozaik pamjesh dhe ideshë interesante ,libër që lexohet dhe rilexohet pa u mërzitur e duke mësuar prej tij....

Publicistika e Haklajt jo vetëm ka vërtetësinë e faktit,zhveshur nga paragjykimet,vendosur mirë në kohë , vërtetuar qartësisht prej shumë burimeve,por ajo dallohet nga një patos për thënien e së vërtetës së pastër, me një nerv dhe guxim qytetar, duke aspiruar idetë e së vërtetës tronditëse, përshtat rrethanave historike.Kjo publicistikë buron me një fjalë rrjedhëse ,ashtu si uji i Valbonës së kaltër, ajo injekton ndjenjë e besim se kombin dhe demokracinë e mbajnë guximtarët, intelektualët e përkushtuar dhe njerëzit me vizion.Larg çdo tendence për amplifikimin e vetes, autori s`mund t`u ikë të vërtetave tronditëse në të cilat u përfshi ai vetë, individi në tërësi dhe kombi , sepse fati i individit dhe fati i kombit, në kombet e vogla me armiq të egër përreth , s`mund të shihen kurrë të veçuara, as si qasje të tepërta romantike.Dhe vetëm duke e mbajtur këtë ide si sprovë të kujtesës, këto kombe lartësohen, mençurohen përmes bashkimit dhe përvojës duke ecur në rrugën e zhvillimit, ashtu si ecin kombet e mëdha dhe qytetërimi botëror.Kombet e vogla bëhen të mëdha vetëm duke ruajtur këtë vizion dhe kjo është një ide boshtore e librit të Haklajt....


QAZIM SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
INA KOSTURI, PROFESORE E ASOCIUAR DHE E PAPUNË - TË ZBATOHET LIGJI! (07.05.2013)
MIT'HAT FRASHËRI - KU TË GJEJMË NËPUNËS QË DINË SHQIP? (07.04.2013)
SHTETËSIA SHQIPTARE - KUJT I JEPET DHE SI PËRFITOHET, PËRJASHTOHEN SHTETASIT E KOSOVËS (07.04.2013)
PIKTORI AVNI DELVINA RRËFEN HISTORINË PAS 23 VJETËSH - ÇFARË NDODHTE NË OBORRIN E AMBASADËS MË 2 KORRIK 1990 (07.03.2013)
YLLI BODINAKU ÇAU 23 VJET MË PARË MURIN SHQIPTAR TË BERLINIT (07.02.2013)
URA E ÇUDITSHME PREJ DRURI E SHEKULLIT XVI NË BERAT (07.02.2013)
NJOFTIM MORTOR - NDËRROI JETË VATRANI I PËRKUSHTUAR, VEPRIMTARI ANTIKOMUNIST ENVER SHASKA (07.01.2013)
ELHAIDA DANI NXJERR ALBUMIN E PARË MË 2 KORRIK (06.30.2013)
KOMPOZITORI SHQIPTAR THOMA SIMAKU NDEROHET NË VARSHAVË (06.29.2013)
ENGEL - ZGJEDHJET NË SHQIPËRI, TË SUKSESSHME (06.28.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]