VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ANSAMBLI 'SHOTA' ZURI VENDIN E DYTË NË FESTIVALIN E STAMBOLLIT

E Martë, 07.09.2013, 08:47am (GMT1)




Prishtinë/Stamboll, 9 korrik   - Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "Shota" nga Prishtina është nderuar edhe me një mirënjohje të rëndësishme ndërkombëtare. Në Festivalin e 14-të Ndërkombëtar të Kulturës dhe Artit në Bujukçemece, në periferi të Stambollit, trupa e këtij ansambli ka zënë vendin e dytë.

Ismet Bogujevci, ushtrues i detyrës së drejtorit të ansamblit, bëri të ditur se juria profesionale e festivalit, në përbërje të së cilës kanë qenë përfaqësuesit e Holandës, Koresë Jugore, Gjermanisë, Brazilit dhe Filipineve, e ka vlerësuar prezantimin e ansamblit "Shota" si njërin ndër prezantimet më të bukura dhe më të kompletuara.

Bogujevci tha se juria i ka vlerësuar të gjitha elementet e paraqitjes së ansamblit, sidomos korografinë, lojën e trupës së valltarëve dhe kostumet e larmishme. Ai tha gjithashtu se juria i ka përmendur si argument edhe impresionet e shikuesve të festivalit, shumë prej të cilëve kanë qenë turistë të huaj.

Në Festivalin e Bujukçemexhes kanë marrë pjesë ansamblet apo grupet folklorike të 22 shteteve nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika e Jugut. Ansambli "Shota" është prezantuar me një kollazh vallesh karakteristike të krahinave të ndryshme shqiptare, të përgatitura nga koreografë të ndryshëm shqiptarë.

Pas përfundimit të festivalit ne Bujukçekexhe, trupa e Ansamblit "Shota" ka udhëtuar për në Bursa, ku do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Valleve Popullore. Edhe në këtë festival, i cili ka një traditë mbi 50 vjeçare, "Shota" do të prezantohet me valle popullore të krahinave shqiptare.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.