VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Feith: Qeverisja e Kosovës duhet të fuqizohet

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 05:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Feith: Qeverisja e Kosovës duhet të fuqizohet
E Enjte, 10.08.2009, 10:09am (GMT+1)

 

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Pieter Feith ka thënë për BBC-së se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për cilësinë e qeverisjes në Kosovë.

 

Ai nuk ka dashur të komentojë raportin e progresit të Komisionit Evropian që pritet të lëshohet së shpejti, por ka thënë se qeverisja në Kosovë duhet të fuqizohet edhe më shumë.

 

Z.Feith ka shprehur shqetësimin e tij edhe për "ndërhyrje në procesin gjyqësor ndaj Grupit të Llapit", pas distancimit të një gjykatësi kosovar nga vendimi për dënimin e tre pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 13 vjet burg.

 

Por zyrtari i lartë evropian ka lavdëruar punën që ka bërë qeveria për integrimin e pakicës serbe përmes procesit të decentralizimit dhe ka shprehur bindjen se institucionet e vendit do të organizojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

 

Violeta Hyseni bisedoi me z. Peter Feith dhe fillimisht i kërkoi vlerësimin e tij për punën që kanë bërë institucionet e Kosovës deri tani në zbatimin e planit të Ahtisarit.

Feith: Mendoj se në përgjithësi ne kemi përshtypje të mira. Të hënën kishim takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në të cilin Kosova dhe zyra ime morën vlerësime pozitive për përparimet e bëra. Posaçërisht sa i përket decentralizimit ne mendojmë se ka të arritura të mëdha dhe ne shpresojmë se kjo do të çojë në integrim më të madh të komuniteteve. Më duhet të them se ne kemi disa shqetësime për gjendjen ekonomike dhe nevojën e mbajtjes së disiplinës fiskale.

 

BBC: Po sa i përket sistemit gjyqësor në Kosovë?

Feith: Mendoj se EULEX-i po bën përparime të mira, në anën tjetër unë kam shqetësime për vendimin e ditëve të fundit të Grupit të Llapit dhe distancimin e një gjykatësi. Mendoj se në këtë rast ndoshta ka pasur ndërhyrje në funksionimin e pavarur të gjyqësorit.

 

BBC: Kur thoni ndërhyrje, nga kush mendoni se është bërë kjo?

Feith: Nuk dua të jem shumë specifik, por është për të ardhur keq që vendimi i gjykatës po kontestohet. I takon EULEX-it që të nxjerrë përfundime dhe ai do ta bëjë këtë, por është e rëndësishme që kur kemi të bëjmë me çështje të rëndësishme, të mos ndërhyhet në punën e gjyqësorit në Kosovë.

 

BBC: Z.Feith, Komisioni Evropian pritet që të lëshojë së shpejti raportin e progresit për vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Burime që e kanë parë draft-raportin e progresit, thonë se Komisioni përveç tjerash do të adresojë disa kritika për institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë aq sa duhet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për keqmenaxhim të ndërmarrjeve publike, tenderëve etj. A e paraqet kjo gjendjen reale në terren?

Feith: Unë nuk dua të komentoj raportin e progresit para se ai të publikohet, por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për kualitetin e qeverisjes në Kosovë, që ende duhet të fuqizohet. Ne duam të sigurohemi se sa i përket prokurimit, tenderët për ministritë, pajisjet, rregullat po respektohen.

 

BBC: Kosova së shpejti do të mbajë zgjedhjet lokale. A mendoni se institucionet e vendit do të jenë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike?

Feith: Unë jam goxha i bindur se kjo do të ndodhë. Ne jemi të kënaqur me punën e KQZ-së në përgatitjen e zgjedhjeve, ne presim gjithashtu të shohim një numër vëzhguesish të zgjedhjeve që do të vinin në Kosovë për të qenë këtu në ditën e votimeve, duke përfshirë anëtarët e Parlamentit Evropian dhe miqtë tanë nga vendet anëtare të BE-së. Jam goxha i bindur se ky do të jetë një proces i rregullt, shpresojmë që fushata do të jetë e qetë dhe gjithashtu do të ketë mundësi për debat të hapur në media.

 

BBC: Serbët janë të ndarë rreth pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Disa entitete serbe janë ceritifikuar për të marrë pjesë dhe Prishtina po bën thirrje për pjesëmarrje, mirëpo Beogradi thotë se nuk ka kushte për daljen e serbëve në zgjedhje. Çfarë mendoni se do të ndodhë më 15 nëntor, a do t'i shohim serbët në qendra të votimt?

Feith: Është vështirë të parashikohet me saktësi se sa e madhe do të jetë pjesëmarrja e serbëve, por në bazë të trendit të zhvillimeve, sidomos në jug të lumit Ibër, na jep neve shpresë se një numër domethënës i votuesve serbë do të dalin për të votuar. Ata e kuptojnë se kanë mjaft për të fituar nga kjo, duke përfshirë ofertën e qeverisë për decentralizim që i jep autonomi shtesë komunitetit serb, kështu që unë jam optimist se këto zgjedhje do të çojnë në integrim më të madh të komunitetit serb të Kosovës.

 

BBC: Me zgjedhjet e nëntorit serbët do të fitojnë tri komuna të reja plus Novobërdën. Po komuna e Mitrovicës Veriore dhe e Parteshit kur do të themelohen?

Feith: Kjo varet nga zgjedhjet e majit në këto dy komuna. Duke supozuar se do të ketë dalje të mjaftueshme në zgjedhje, posaçërisht në veri të Mitrovicës, ne mund të lëvizimin drejt themelimit të një komune atje. Në Partesh besoj se kjo do të jetë më pak problem, por mbetet të shihet nëse në veri të Mitrovicës do të ketë interesim të mjaftueshëm për të themeluar komunën e re.

 

BBC: Për momentin nuk ka gatishmëri të serbëve në veri të Mitrovicës për të bashkëpunuar?

Feith: Po, ne e kuptojmë këtë, por ne jemi ende në fazën e hershme, po vendosim ekipin përgatitor për Mitrovicën Veriore dhe unë shpresoj se zgjedhjet e 15 nëntorit do t'i nxisin më shumë serbët në veri të lumit Ibër që të fillojnë së menduari për t'iu bashkuar përpjekjeve për decentralizim.

 

BBC: Z.Feith, Bashkimi Evropian ka konfirmuar synimin e tij për ta rritur praninë evropiane në veri të Kosovës. Ju jeni i përfshirë në këtë çështje si i dërguar i BE-së. Cili është qëllimi i hapjes së të ashtuquajturës "shtëpi evropiane" në veri?

Feith: Mendojmë se është e rëndësishme që t'i afrohemi qytetarëve në veri në mënyrë më efektive. Kjo do të bëhet përmes EULEX-it. EULEX-i do të vazhdojë mandatin e tij gjithashtu në veri për të fuqizuar rendin dhe ligjin, ne do të donim ta bënim këtë edhe me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe aktivitetet e tij informuese. Ne mendojmë se do të ketë hapësirë për më shumë lehtësi politike për të siguruar se gjendja e sigurisë në veri të Mitrovicës mbetet stabile dhe e sigurtë.

 

BBC: A nuk është ky një paralelizëm i institucioneve të BE-së në Kosovë?

Feith: Po është, por ne gjithnjë e kemi thënë se do të shtrihet mandati në tërë territorin. Është e rëndësishme që ne të kemi tani qasje në veri dhe mendojmë se ka një gatishmëri më të madhe në mesin e qytetarëve atje për praninë evropianë dhe ne duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi.

 

BBC: Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq ka thënë se ata do të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian, por nuk do ta pranojnë zyrën tuaj, pra Zyrën Civile Ndërkombëtare në veri. A do të jetë e përfshirë edhe zyra juaj në këtë projekt?

Feith: Jo, kjo është një nismë e Bashkimit Evropian, një koncept i BE-së dhe kjo nuk ka lidhje me misionin e Zyrës Civile Ndërkombëtare.

 

BBC: Zoti Feith, përveçse si përfaqësues i BE-së në Kosovë, ju jeni edhe shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare që mbikqyr pavarësinë. Këto dy poste duket se nuk po përputhen me njëra-tjetrën, meqë jo të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. A po konsideroni të lironi njërin post?

Feith: Nuk mendoj se do të ndodhë kjo, por vendimi për këtë nuk më përket mua. Dua të them shumë qartë se si përfaqësues i BE-së unë respektoj qëndrimin e pesë shteteve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Në anën tjetër mendoj se të dy pozitat mund të kombinohen dhe të jenë efektive për një stabilitet më të gjerë në rajon, për një perspektivë evropiane të rajonit si tërësi dhe në mbështetje të EULEX-it.

 

BBC: A nuk mendoni se keni qenë i penguar për ta bërë punën tuaj si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar për shkak të postit tjetër tuaj, si përfaqësues i BE-së?

Feith: Jo, nuk besoj, nëse ktheheni mbrapa dhe shikoni se ku kemi qenë në fund të vitit 2007, kur kishte ende mundësi që statusi të zgjidhej në mënyrë konsensuale, natyrisht mund të thuhet se do të ishte më mirë sikur kjo të ndodhte, por kjo nuk u bë dhe jo të gjithë u pajtuan me mënyrën si rrodhën gjërat. Unë nuk jam i pakënaqur me mënyrën se si e kemi zbatuar mandatin tonë deri tani, kemi parë përparime të mëdha në Kosovë dhe mendoj se perspektiva evropiane është e rëndësishme dhe duhet të mbetet pjesë e punës së Zyrës Civile Ndërkombëtare.

 

BBC: EULEX-i së voni ka nënshkruar protokollin policor me Serbinë, ndërsa pritet të nënshkruhen edhe dy protokolle, për gjyqësi dhe dogana. Kemi parë reagime të ashpëra në Prishtinë për këtë çështje. Çfarë ndikimi do të kenë këto protokolle në të ardhmën e Kosovës, a e dëmtojnë ato pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës?

Feith: Mendoj se kam qenë i qartë në këtë, nuk mendoj se ato kanë ndonjë efekt të dëmshëm në statusin e Kosovës dhe këtë e them si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar. Mendoj se EULEX-i është i autorizuar dhe duhet t'i lejohet të punojë me partnerët tjerë në rajon dhe kjo do të vazhdojë. Ju mund ta dini se ka gjithashtu kontakte me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Mendoj se kjo tani është kuptuar më mirë. Hapi i ardhshëm do të jetë gjithashtu bashkëpunimi për mbledhjen e të hyrave doganore dhe shpërndarjen e tyre, që mendoj se do të jetë në interes të Kosovës dhe Serbisë.

 

BBC: Një çështje që është ngritur këto ditë është liria e medias në Kosovë. A pajtoheni me zërat se qeveria po ndërhyn në punën e medias dhe se gazetarët janë nën presion?

Feith: Dua ta vërtis këtë në mënyrë pozitive. Ne, partnerët e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian, mendojmë se liria e medias është tepër e rëndësishme, posaçërisht për përmirësimin e mëtejmë të kualitetit të demokracisë, për të krijuar kushte të duhura për zgjedhjet e 15 nëntorit. Ne duam të shohim shtypin duke kryer funksionin që ka dhe duke bërë punën pa ndërhyrje.

 

BBC: A nuk është kështu në Kosovë?

Feith: Mendoj se nëse flasim në aspekt të gjerë, ne kemi pasur disa raste në të kaluarën që na kanë shqetësuar, por është e rëndësishme që qeveria ka shprehur gatishmërinë për të respektuar lirinë e medias. Është gjithashtu e rëndësishme që transmetuesi publik, RTK-ja, do ta ketë bordin e ri, duke përfshirë ekspertë të kualifikuar, kështu që ne presim emërimin sa më parë të bordit të ri.

 

BBC: A jeni i shqetësuar me gjendjen në RTK pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm?

Feith: Ne do të donim ta shohim një bord të ri të pavarur që do të emërohej nga Kuvendi dhe ne shpresojmë se do të zgjidhet edhe menaxheri i përgjithshëm, i cili do të jetë personi më i kualifikuar për të bërë punën e tij.

 

BBC: Dhe së fundi z.Feith, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të fillojë seancat dëgjimore për Kosovën në dhjetor. Çfarë përfundimi prisni nga ky proces?

Feith: Është vështirë të spekulohet vërtetë. Seancat dëgjimore do të fillojnë në dhjetor, do të ketë një numër domethënës të shteteve që do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, siç do të ketë edhe një numër të shteteve që do të mbështesin qëndrimin e Republikës së Serbisë. Shpresoj që Gjykata pastaj t'i shqyrtojë këto qëndrime dhe të vijë në përfundim në fillim të vitit të ri. Shpresoj që pas vendimit të Gjykatës, do të rritet bashkëpunimi rajonal dhe se do të mund të thellojmë stabilitetin rajon.

 

BBC: Dhe pavarësisht vendimit, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme?

Feith: Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, e kam thënë këtë, pavarësia është e pakthyeshme, opinioni i Gjykatës nuk do të jetë i detyrueshëm dhe nuk do të ndikojë në njohjet që Kosova ka pasur deri tani.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Manastiri nuk u dogj vetvetiu, hetuesia kërkon fajtorët (10.07.2009)
Me mbi 700 studentë filloi viri i ri akademik në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës (10.06.2009)
Enciklopedia, reagon edhe Akademia e Tiranës (10.06.2009)
KOSOVA NË KËMBË DUKE PRITUR LIDERIN E KOMBIT SALI BERISHA (10.05.2009)
Po ua kthej mbrapa çmiminNga Doc Dr Veton Latifi (Shqip dhe Anglisht) (10.04.2009)
Ky mandat i dytë i BerishësNga Skënder BUÇPAPAJ (10.02.2009)
Thaçi përshëndet përpjekjet për një bashkërendues për veriun e Kosovës (10.01.2009)
Galllup Balkan Monitor: Kosova më entusiastja për hyrjen në Bashkimin Evropian (10.01.2009)
Komisionit amerikan i Helsinkit mbi integrimin e Ballkanit (09.30.2009)
Protesta në Tetovë, studentët shqiptarë në Maqedoni kërkojnë tërheqjen e enciklopedisë (09.30.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]