E Premte, 03.29.2024, 11:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
NË QARKUN E KORÇËS SHPËTOHEN SHTATË KISHA MBI 300 VJEÇARE

E Enjte, 09.12.2013, 09:33am (GMT+1)



Korçë, 12 shtator - Apeli që dega e Monumenteve të Kulturës në Korçë u drejtoi biznesmenëve vendas dhe Mitropolisë së Shenjtë ka sjellë në shpëtimin e shtatë objekteve të kultit ortodoks nga më të rrezikuarat në zonën e Korçës. Të lëna prej kohësh në harresë, dhe për të mos pasur një fat shkatërrimi si kisha të tjera me moshë mbi 300-vjeçare në fshatra të dëgjuar të Korçës, kanë zgjuar interesimin e degës së Monumenteve të Kulturës që prej pak muajsh drejtohet nga Vasillaq Kolevica, një artist korçar, që ka lënë tashmë pas dore zanatin e tij të skulptorit dhe i është kushtuar mirëmbajtjes së disa kishave me emër në rajon.

"Janë të paktën shtatë kisha që nuk do të kenë fatin e kishës së Shën Mëhillit në fshatin Vithkuq, së cilës për shkak të mungesës së një çatie iu shkatërrua i gjithë ikonostasi", thotë drejtori i degës së Monumenteve, Vasillaq Kolevica. Në mungesë të fondeve, dhe sidomos duke ditur që në rrugë zyrtare nga Ministria e Kulturës paratë nuk mund të vinin këtë verë, Kolevica apeloi te bizneset e qytetit dhe së fundi gjeti mbështetjen nga Mitropolia e Shenjtë, shkruan Shqip. U ra dakord që nga ana e Mitropolisë të ndihmohet me bazën materiale, ndërsa dega e Monumenteve të Kulturës të siguronte punëtorët që do të kryenin mirëmbajtjen e kishave të rrezikuara. Në degën e monumenteve thonë se ka një sërë kishash në fshatra të njohur të zonës së Korçës, që nuk janë mirëmbajtur prej vitesh dhe rrezikonin të humbitnin vlerat e tyre mbi 300-vjeçare. Pikërisht këto objekte kulti në rrezik ishin të evidentuara dhe puna filloi në fshatin Vithkuq me kishën e Shën Pjetrit e objekte të tjera të kultit ortodoks, për të vazhduar edhe në Voskopojë e në fshatra të tjerë. U ndërhy në riparimin e çative të kishave, në mënyrë që të sigurohet së paku që këto objekte përpara dimrit të mos kërcënohen nga shirat dhe dëbora e të rrënohen vit pas viti. Edhe kisha e vjetër e Ristozit, e ndërtuar midis shekujve XIII-XIV në fshatin Mborje, një nga më të rrallat në vend, u riparua gjithashtu në çatinë e saj këtë verë. Në të paktën 7 kisha të vjetra është vënë dorë restauruese nga dega e Monumenteve të Kulturës, dhe drejtori i këtij institucioni shprehet se apeli që ngriti për shpëtimin e tyre nuk i ka shkuar dëm. Thuajse çdo vit, në zonën e Korçës ndërhyhet për restaurime të plota apo të pjesshme të kishave dhe objekteve të tjera të kultit, por për shkak të numrit jo të paktë të tyre, shpërndarjes në zona malore dhe sidomos mungesës së fondeve të mjaftueshme dhe përgjigjes me vonesë nganjëherë të kërkesave për restaurim, jo pak objekte me rëndësi historike dhe kulturore janë degraduar e u janë zhdukur gjurmët në vite. Kolevica thotë se është ndërhyrë jo vetëm për restaurime të pjesshme të kishave, në çatitë dhe pjesë të brendshme të hajateve të këtyre objekteve, por edhe për ura të vjetra që janë monumente kulture. Krahas urës së vjetër të Shën Prodhomit në Voskopojë, janë riparuar edhe ura të tjera që kishin shfaqur shenjat e një shembjeje të afërt, për të humbur edhe ato gjurmë historie dhe tradite të punimit në gur. Dhe kur është mbyllur puna e mirë e restaurimit në jo pak kisha të vjetra me moshë mbi 300-vjeçare në fshatra që njihen për tërheqjen e vizitorëve të shumtë në Korçë siç janë Voskopoja e Vithkuqi, kanë mbetur edhe një apo dy kisha shumë të vjetra që do të mirëmbahen për të mos humbur një herë e përgjithmonë vlerat e tyre. Sipas degës së Monumenteve të Kulturës, është hartuar projekti për të restauruar kishën e vjetër të fshatit Tudas, në Komunën e Lekasit në Korçë. Kisha e vjetër e këtij fshati mendohet se i përket periudhës së Muzakajve, e madje thuhet se në afërsi të saj ndodhet edhe varri i një prej pjesëtarëve të kësaj familjeje të shquar. Edhe kjo kishë e vjetër, por në rrezik shembjeje, është në projekt restaurimi për këtë vit, duke bërë që të mirëmbahen jo pak vlera të rëndësishme historike në fshatra me zhvillim turistik të Korçës.

Kolonjë: Kthehen në gërmadha kishat mbi treshekullore

Në Rrethin e Kolonjës, tri kisha monumente kulture të kategorisë së parë janë shndërruar në gërmadha në këto vite dhe kjo dukuri e dhimbshme po rrezikon edhe kisha të tjera që duket se i pret i njëjti fat. Sipas të dhënave për Rrethin e Kolonjës, bëhet fjalë për kishën e Shën Mëhillit në fshatin Shalës, që daton në shek. XVII. Kësaj kishe i kanë mbetur tashmë vetëm rrënojat, ndërsa për vlera të tjera, si afresket, as që bëhet fjalë të kenë mbijetuar, sepse janë zhdukur fare. Ky objekt që i përket kultit ortodoks dhe vetëm sa është shënuar në letra si monument kulture, ka qenë krejt jashtë vëmendjes së institucioneve përgjegjëse. Prej vitit 1963 kur është shpallur monument kulture, mbi të nuk është vënë dorë asnjëherë. Prifti i zonës, atë Kristaq Tase, është shprehur se situata aty është alarmante dhe nga indiferenca e shtetit. Ndonëse është në këtë gjendje, turistët shkojnë në kishën e Shën Mëhillit, pasi i tërheq edhe në gjendjen që është. Në të njëjtën gjendje të vështirë mbeten edhe kisha e Shën Mërisë në fshatin Cërckë dhe ajo e quajtur Fjetja e Julincës në Barmash. Kjo situatë kritike e një pjese të kishave të vjetra në Rrethin e Kolonjës pohohet edhe nga dega e Monumenteve të Kulturës në Korçë, siç pranohet prej tyre edhe fakti se përballë mungesës së fondeve për restaurim, janë të detyruar të heshtin kur shtrohet si domosdoshmëri ndalimi i rrënimit të këtyre kishave të vjetra.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AFRIM SPAHIU - ÇABEJI GABOI QË NUK IU HAPI RRUGË STUDIMEVE TË PELLAZGJISHTES (09.11.2013)
IPESHKVIA E PULTITStudim nga RAMIZ LUSHAJ (09.10.2013)
 'COLUMN' I UJKAN HYSAJT MERR ÇMIM TË PARË NË POGRADEC (09.09.2013)
SHQIPJA STANDARDE - MOLLË SHERRI MIDIS DIALEKTEVE (09.09.2013)
DENISA GOKOVI - NJË 'MEMECE SHQIPTARE' NË BOLLIVUD (09.08.2013)
KOSOVA DHE SHQIPËRIA MUND TË SHFRYTËZOJNË MË MIRË POTENCIALIN E DIASPORËS Nga AGUSTIN PALOKAJ (09.06.2013)
Fiks Fare - MAKTHI I NJË EMIGRANTI ME POLICINË E KORRUPTUAR RRUGORE NË SHQIPËRI (09.05.2013)
PRISHTINË - PERANDORI KONSTANTIN DHE NËNË TEREZA, ME RRËNJË E GJAK SHQIPTARI, PERSONALITETE TË RËNDËSISHME BOTËRORE (09.04.2013)
SHOQATA PANHELENIKE NË SHBA KA SENSIBILIZUAR KONGRESIN DHE VETË PRESIDENTIN PËR NGJARJET E PËRMETITNga ALMA TARELLI (09.03.2013)
Në kujtim të shtatorit të shkollësUNË, MËSUESI I RIPoezi nga ZEQIR LUSHAJ (09.02.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]