VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ORLEANIA SHQIPTARE MARIE SHLLAKUNga SHEFQET KELMENDI

                                                                                      

E Enjte, 04.18.2024, 04:38am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
ORLEANIA SHQIPTARE MARIE SHLLAKU
Nga SHEFQET KELMENDI

E Shtunë, 09.14.2013, 10:06am (GMT+1)




Jeta veprimtaria dhe lufta e Marie Shllakut është padyshim një metëor në qiellin tonë,një rast i pashembullt i gruas shqiptare,i vajzës 24 vjeçare që për 4 vjet rresht punoi dhe luftoi me një heroizëm të rrallë. Një rast i papërsëritshëm në historinë tonë sa të dhimbëshme aq dhe krenare. Është dhe mbetët shembulli më ideal i nacionalizmit të mirëfillt shqiptar. Vendlindja e saj ishte çdo pëllambë toke ku flitej shqip. Partia e saj ishte Shqipnia Etnike. Prandaj ajo bashkëveproi me të gjitha forcat politike,që me përkushtim ishin dhe mbronin tokat tona,që të parët na e lanë. Marie shllaku për ato që bëri për atdheun mbetet për ne Orleania Shqiptare. Historia jonë duhet të zbardhet,të zënë vendin e merituar ato figur madhore që gjatë Luftës së II Botërore dhanë më të mundshmen e tyrne në të mirë të kombit tonë. E ndër këto figura ishte Marie Shllaku. Cila ishte Marie Shllaku? Për Marie Shllakun deri më sot janë shkruar katër libra: "Marie Shllaku" nga Ibrahim Metaj ,1995; "Shqipnia e Marie Shllaku" nga Ramiz Kelmendi e Viktor Gashi,Prishtinë 1995; "Marie Shllaku,bijë e Shkodrës,martire e Kosovës" nga Tomë Mrijaj,New York 2003"; "Heroina Marie Shllaku nga Shefqet Kelmendi,Tiranë 2004. Historia jonë njeh gra që kan bërë emër në kujtesën e kombit,siç ishte Nora e Kelmendit,Tring Smajli,Shote Galica etj. Ndër to rasti i Shote Galicës na del më i plotë. Ajo për vite me radhë luftoi kundër pushtuesve serb. Por pa e zvogluar heroizmin e saj dihet se luftoi në vendlindjen e saj në Kosovë e për lirinë e Kosovës,luftoi përkrah burrit të vet dhe vdiq natyrshëm. Vajza 20 vjeçare intelektuale,bragtisi studimet dhe kënaqësinë që të ofron mosha,dhe u hodh në zjarrin e luftës. Ju përkushtue lirisë së Kosovës dhe për të pa iu dridh qerpiku,u flijua si heroinë e vertetë.

Përmbledhtas po paraqesim veprimtarinë dhe luftën e kësaj heroine të rrallë. Marie Shllaku e përshkoi Kosovën pëllambë për pëllambë,në qytete e fashatra kurdoherë sypatrembun. Kurrë se lëshoi zemra as edhe një herë sju shmang rrugës që vetes i kishte vu si qellim: gjithëçka për lirinë e Kosovës. Madhështia e kësaj figure duhet shikuar edhe nga një këndvështrim tjetër. Si e pranuan një vajzë të vetme në mesin e tyre ato çeta të armatosura me burra zemërmëdhenjë,shumica e të cilëve ishin të pashkolluem? S'ka dyshim se ndikoi jo pak Prof. Ymer Berisha,ideologu i mbarërrezistencës popullore në Kosovë,gjatë viteve 1945 1947. Profesori e kuptoi se Marie Shllaku ishte një vajzë e veçantë,një intelektuale largëpamëse,e shumë e guximshme, e cilas kishte vendosur me u flijue për lirinë e Kosovës. Guximi dhe oratoria e saj ju imponuan komandantëve zemërmëdhenjë siç ishin Shaban Polluzha,Mehmet Gradica,Ndue Përlleshi,Ukë Sadiku e shumë të tjerë.

Trungu familjar. Shkodra mijëvjeçare,qyteti i kulturës dhe i diturisë,i burrërisë e i qëndresës,ka lindë burra të shquar në të gjitha lamitë që ka jeta,tue i dhënë dritë e krenari mbarë vendit. E kur flasim për Shkodrën duhet të kemi parsyshë edhe fushat e malet që e rrethojnë. Janë një e të pandamë,kan një shpirt e një frymëmarrje. Aty kah fundshekulli i XIX,për arësye ekonomike,si shumë malësor të tjerë,nga Shllaku kish zbritur në Shkodër Simon Shllaku,me të birin Markun dhe ishin vendosur në lagjen Badre,të qytetit. Në kët lagje u rritën burrat e shquem Luigj Gurakuqi,Justin Rrota,Ernest e Mikel Koliqi, e shumë të tjerë. Do të rritet Marku e do të marrë veten disi ekonomikisht dhe do të martohet me Dilën,me të cilën do të ketë katër fëmijë: Ndocin,Rozën,Marien, dhe Luvien. Ndoci e Luvia do te vdesin heret. Edhe prindërit Marku e Dila,do të largohen kësaj jete,në vitet e para pas Luftës së II Botërore ( se,s'po mund t'i them çlirim). E re do të vdesë edhe Maria nga plumbat e shkaut. Gjatë do të jetojë vetëm Roza,(vdiq me 5 mars 1999). Do të jetojë dhimbjen e saj.

Jeta dhe veprimtaria e Marie Shllakut. Maria e bija e Markut dhe e Dilës u lind në Shkodër,me 22 tetor 1922. Që e vogël (tregonte motra e saj e madhe Roza),ajo dha shenjat e një vajze sa e zgjuar,e të shkathët,aq dhe guximtare. Te motrat Servite mori edukatën parshkollore,kurse të mesmen e kreu shkëlqyeshëm në kuvendin e Motrave Stigmatine,ku jepnin mësim profesorë të dëgjueshëm. Ishte krenaria jonë. Jetonte me hallet e shtëpisë. Pradaj edhe bragtisi studimet e, që 20 vjeçare filloi punën. Po rrjedha e jetës së saj mori drejtim tjetër,u muer me politikë përfundon Roza. Në maj të viti 1942 punësohet në Tiranë,në Ministrinë e Punëve Botore,si sekretare. Në nëntor të vitit 1942 e pushojnë nga puna pa arsyetim,dhe me 25 shkurt 1943,me sugjerimin e Nacionalistëve,Maria për herë të parë shkon në Kosovë. Ishte koha kur Kosova kishte shumë nevojë për kuadro të aftë e nacionalistë të vërtetë. Do të punësohet në Prizren si financier për tërë Kosovën. Me 6 maj 1944 do ta pushojë nga puna Ministria e Brendëshme,e do të shkojë në Shkodër e mandej edhe në Tiranë,e do të befasohet kur do ti thonë se e kishin pushuar për motive politike. Më vonë do të takohet me njerëzit e Abaz Kupit, e me ndihmë të tyre serish do të shkojë në Kosovë,nga ku nuk do të kthehet kurrë më. Natyrshëm na lindë pyetja: Çka e shtyri këtë vajzë të shkonte në Kosovë,kur tani puna s'e priste,kur lufta ishte në mbarim e sipër,e dihej se vendin do ta gllabëronte murtaja e komunizmit? Pra ajo nuk mendoj për të ardhmen e saj si vajzë,po me vetëdije shkoj drejt tymit të flakës,në mbrojtje të Kosovës. Në Prizren do të njihej me shumë nacionalistë,do të shkojë në Gjakovë ku do të krijojë njohje të reja. Në fillim të nëntorit 1944 e shofim në Pejë. Aty do të njihej me meshtarin e Pejës At Bernardin Llupin,me të cilin gjithënjë do të jetë i lidhur,së bashku edhe do të pushkatohen në Prizren natën e 24 25 nëntorit 1946,(me ta edhe Kolë Parubi e Gjergj Martini). Kur Brigada e III Sulmuese e Shqipërisë "çliroi" Pejën,me 17 nëntor 1944,për t'ja dorëzue më vonë serbit vëlla të idealit të komunistëve,Maria do të kalojë në ilegalitet e shoqëruar me komandantin zëmërmadh Mehmet Gradicën,e me shumë të tjerë. Në katundet e Pejës Budisalc e Novosellë,do të mbajë fjalime,që në hetuedi do t'i kujtojë: "Burra! Ne pranojmë me vdekë me ju,e ju me ne! Se nuk janë marrë të gjitha katundet e qytetet. Mos ti dorëzojmë këto fusha të bukura! Armët tona në asnjë mënyrë mos t'ja dorëzojmë shkjaut!" Në Gllogjan me njëqind e sa burra të armatosur,bije në pëerpjekje me forcat armike,dhe aty plagoset plaga e saj e parë. Do mjekohet në shtëpinë e Dan Pjetrit në Dabërdol të Ujmirit, - Qendër e Kom. Dem. Shqiptare. Në shtëpi do të qëndrojë afër 6 muaj,ku do të takohet me shumë drejtues çetash,do të mbaj shënime,do të dërgojë letra andej këndej për bashkimin e forcave. Maria arriti me i pajtue dy komandantët zëmërmëdhenj: Shaban Polluzhën me Mehmet Gradicën. Se ky i fundit,nacionalist që në fillim,nuk kishte shumë besim tek Shaban Polluzha, i cili kishte luftue përkrah Fadil Hoxhës. Do t'i bjerë në sy OZN-ës,aktiviteti i Maries,vendi ku ajo strehohej,në shtëpinë e dan Pjetrit dhe ta kontrollojnë shpesh,në mënyrë të befasishme. Por familjarët e kishin menduar që më parë ketë. Gjithmonë një grua e asaj shtëpie ndodhej në gjini,e Maria kur bëhej kontrolli parqitej me veshje fshati e si nuse shtëpie.

Viti 1945 i përgjakur dhe rezistenca popullore. Fill pas mbarimit të luftës drejtuesit e Partisë komuniste Jugosllave,i vunë në veprim planet që kishin bërë me kohë. Shpejt u hapën tri vorre masive: TIVARI; në Mal të Zi; STARI BEQAJ në Vojvodinë,dhe në GORICA,të Sllovenisë. Veç këtyre,terror në mbarë Kosovën,në qytete e fshatra. Njerëzit i errte nata e nuk i zbarrdhte dita. Shqiptarët pushkatoheshin pa gjyq. Filloi edhe çarmatimi i popullsisë me dajak.Filloi edhe mobilizimi i të rinjve për ushtar. Por populli rezistoi.
Në Pejë f.v Sali Ukella e Sefa i Najës shkruan epopenë e tyre. Luftohej në Rugovë,në Anamoravë,në Drenicë,Shaban Polluzha protestonte dhe i thonë se janë bërë "gabime",se do të denoheshin fajtorët,por ai me vullnetarët e vet duhet të shkonte kah Sremi,në ndjekje të mbeturinave të ushtrisë gjermane. Por pikërisht kur po pregatitej me u nis,i vjen lajmi se serishmi në Drenicë po bëheshin masakra. Lajmin e hidhur ua thot vullnetarëve të vet. E ata njëzëri thonë: "Na prijë drejt Drenicës sonë,e jo drejt Sremit të Serbisë!"

Kuvendi i Drenicës, lufta. Kuvendi u mbajt në Rrëzallë të Drenicës,në janarin e vitit 1945. Aty folën shumë burra,mes tyre dhe Marie Shllaku. E nga ky fjalim do të kujtojë më vonë në hetuesi: "Të gjithë vllaznit shqiptarë me tanë fuqinë,duhet me e luftue pushtuesin sllavokomunist,me i largue partizanët jugosllavë nga Kosova,se çdo pus të Kosovës e kan mbush me krena shqiptarësh..." Dhe më tej: "Partizanëve të Serbisë po u ndihmojnë partizanët e Shqinisë." Kuvendi doli me vendimin e prerë: luftë deri në vdekje. Këtu pos vendimeve,u ndalën më shumë për këtë luftë të madhe,ku u vranë 430 burra,pos të plagosurve. U vranë edhe dy komandantët zemërmëdhej: Shaban Polluzha e Mehmet Gradica,gjysh e nip,të moshës (74 vjeç i pari,33 vjeç i dyti).

Kuvendi i Dobërdolit. Është padyshim një ngjarje me rëndësi historike. Duheshin riorganizuar forcat. E kjo u arrit në sajë të punës organizuese, kryesisht të profesor Ymer Berishës. Muarën pjesë afro 200 burra nga Kosova,Mali i Zi dhe nga Maqedonia. Kuvendi u mbajt në Llugën e Dan Pjetrit në Dobërdol,nga 24 26 gusht 1945. I pari e mori fjalën Ukë Sadiku e pastaj shumë të tjerë me rradhë. Por fjala kryesore ishte ajo e prof. Ymer Berishës. Në kuvend foli dhe e vetmja vajzë në atë tubim,Marie Shllaku pjesëmarrsja e mbledhjes. Fjala e saj zgjati 62 minuta. Maria me ato që tha i ndezi të pranishmit. E nga ky fjalim i rëndësishëm në hetuesi ajo do të kujtojë: "Motra deshiron me vdekë me ju,e ju me të! Vetëm dorëzimin sllavokomunistëve mos me jua ba sa të jemi gjallë! Ma mirë me vdekë me gra e fënijë, e me i pa si po desin se sa serbi me na i pre! Po së shpejti ne do të fitojmë!" E burrat thanë: "Ti motër shqiptare na ke ndihmue në kohët më të vështira. Ti pranove vdekjen me ne,edhe ne pranojmë vdekjen me ty! Rroftë motra jonë!" Më poshtë heroina sqaron se si qe përpjekur me sheshue shumë nga mosmarrveshjet,që kishin lindur në mes të disa drejtuesve të çetave,dhe ia kishte arritur qellimit.

Marie Shllaku në shënjestër të OZN ës. OZN-a e kishte kuptue rolin e rëndësishëm të kësaj vajze në "bandat terroriste" siç i quanin ata luftëtarët e rezistencës popullore. Në fillim i bënë thirrje që të dorëzohej,me premtimin se do të gëzonte privilegje,se po të deshironte mund ta përcillnin edhe në Shkodrën e saj,ku edhe atje do ti siguronin punë e mirëqenje. Kur kjo nuk u eci,provuan një manovër tjetër. Shefi i OZN-ës së Pejës Alush Gashi,me disa të tjerë dalin në "mal", si "të zhgënjyer" nga fitoret e luftës dhe për bashkim forcash,kërkojnë me u bashkue me Marie Shllakun. E për këtë rast Heroina do të kujtojë në hetuesi: "duket se unë kisha le përpara dhelpnës". E kur edhe kjo su eci,për me ja mbush mendjen që të largohej nga lufta,arritën tja sjellin edhe të atin nga Shkodra,Mark Simonin,që ta merrte të bijen me vete. Maria fshehtas,pa dijeninë e OZN-ës,u takua me të atin në Zllakuqan të Pejës,dhe nuk pranoj të kthehej në Shkodër. Kishte vendosur që jetën e saj ta flijonte për lirinë e Kosovës.

Beteja e Qelisë së Siqevës (Drenicë). Maria në këtë kohë ishte në çetën e Ukë Sadikut. E ky i fundit bashkë me prof. Ymer Berishën e disa të tjerë,kishte shkue në takimin e Pashtrikut,me qellim që ti bashkonin forcat,në luftë kundër pushtuesit. Drejtimin e çetës Ukë Sadiku ia la të vëllait Shabanit. Në këtë kohë ndodheshin në Qeli të Siqevës. Këtu edhe i rrethuan brigada e Bokës së Kotorrit,të ardhur nga Mali i Zi. Kjo ndodhi me 12 shtator 1945. Sulmi i befasishëm filloi në mesnatë dhe vazhdoi deri në mëngjes. Qe një luftë e ashpër. Nga çeta u vranë 28 luftëtarë lirie e shumë të plagosur. Po armikut i lan shumë të vrarë. Vetëm oficerë u vranë 11 vetë. Maria e plagosur ndihmohet nga Mushi Hoti i Resnikut,edhe vetë i plagosur rëndë,dhe çajnë rrethimin. Mbas pak Mushi Hoti vdes nga gjakderdhja e madhe,dhe Maria përfundon tek një mjekja popullore nënë Hota. Ajo ja kish mjekue edhe plagën e parë në përpjekjen që kishin patur në Gllogjan. Mbas dy-tre ditësh ashtu e dërmueme,merr rrugën për Doberdol,dhe për fat të keq takon faqeziun e Aqarevës,Xhemal Bajramin,i cili e dorëzon në OZN ën e Skenderajt. E prej aty,të nesërmen e asaj dite përfundon në burgun e Mitrovicës.

Gracka e OZN ës. Se si e organizoi OZN a këtë grackë vite më vonë,më 1965,do të na sqaroj Gojko Medenica, kryeudbashi për Kosovën, në "Veqerni Novosti" i Beogradit,në disa numra,si dhe tek "Rilindja" e Prishtinës e po atij viti. E keqtrajtuan në hetuesi,po heroina nuk hapi gojë. Atëherë të shqetësuar se mund tu mbetej në dorë pa vjelë të dhëna të rëndësishme nga ajo sajuan këtë grackë. E shtrojnë në spital të burgut të Mitroviocës,gjoja për ta mjekuar për plagët e luftës. E një natë spitalin e burgut e sulmojnë "ballistët",të armatosur,të cilët me krisma armësh hyjnë brenda,i lënë përtokë disa "të vrarë tërë në gjak", e duke fol shqip e nxjerrin që andejmi Marijën dhe e strehojnë në një shtëpi në Mitrovicë te një "ballist" dhe largohen. Por Maria do të shkruanë,se në fillim kishte dyshuar për këtë aksion aq të guximshëm. Do të dyshojë edhe tek strehuesi "ballist",që i sherbente me devotshmëri e pa fjalë,pa u bë fare kurreshtar për jetën e saj. E ushqente,ja blente ilaçet,dhe ja plotësonte çdo dëshirë të saj. Strehuesi,ndonse nevrik nga natyra, e luejti për mrekulli rolin që ja kishin mësuar eprorët e tij. Kështu kaloi një javë krejt e qetë,pa sagjë të veçantë që ta bënte me dyshue vajzën e re. E ditën e tetë tani disi e bindur se aksionin e kishin krye vërtetë forcat balliste,i kërkoi strehuesit laps dhe letër,shkruan diçka dhe ja dorëzon strhuesit,me adresën e At Bernardin Llupit në Pejë. Frati befasohet kur e vërejti letrën,dyshon edhe pse e nihte kaligrafinë e Marijës,dhe ja kthen një përgjigje të shkurtër,të thatë,pa përmbajtje të rëndësishme. Maria e pa se frati po dyshonte në suksesin e aksionit, e që të bisedonte bashkë me letrën e dytë,ia dëgon edhe medalionin e qafës,të cilën meshtari e njihte se ia kish parë gjithnjë në qafë. Kështu ai u bind se vërtetë paskësh ra në dorë të sigurtë. Dhe përgjigja e dytë qe e hapur. Ndërruan disa letra,të rëndësishme këto për OZN-ën. Shumë vonë Maria e kuptoi grackën e OZN-ës. Strehuesi ishte faqeziu Nazmi Kursani,kapiten i OZN-ës.

Të dhëna nga gjyqi. Gjyqi u zhvillua në Prizren nga 29 qershori 1946,deri me 13 korrik 1946,kurse vendimi u dha dy ditë më vonë me 15 korrik. Në shënimet e hetuesisë vlen të përmendet përgjigja që ju ka dhënë për pyetjet: Qysh kur je marr me politikë? " Po,qysh heret,që në moshën 20 vjeçare jam marrë me politikë,në se mund të quhet politikë dashunia për atdheun,përpjekja ime për një Shqipni Etnike,të bashkueme,me pjesët e saj të shkëputuna,- Kosovë e Çamëri". E në çfarë kushte i tha këto fjalë!... në hetuesinë e përbindëshave sllavokomunistë.. me plagë lufte në shtat ende të pashërueme..- e vetëdijshme se do ta pushkatonin. Dhe kjo një vajzë 24 vjeçare! Në bankën e të pandehurve 27 vetë. Në krye At Bernardin Llupi, Marie Shllaku, Kolë Parubi, e Gjergj Martini. Kah fundi të rinjtë gjimnazistë të Pejës. E në fund fare më i vogli, me moshë e me shtat, shkruesi i këtyre rradhëve, nderë e kënaqësi e veçantë për mue.

Ja disa të dhëna nga ai gjyq dhe nga procesvërbali prej 127 faqesh: - Pse keni luftue kundër partizanëve? Me ju rëzue nga pushteti. Ke bashkëpunue me gjermanët? Unë nuk due kurrfarë pushtuesi në trojet tona. Pse ke qenë kundër luftës Nacional Çlirimtare? Në filim e kam përkraë. Po kur pash se ata mbanin yllin e kuq,me drapën e çekiq,u bana kundërshtare e vendosur e tyne. Pse nuk u bashkuat në male me çetnikët se edhe ata janë kundërshtarët tanë? Mos i ngatërroni çeshtjet zotni prokuror! Me çetnikët ne nuk na bashkon asgja. Nuk e dij cili prej jush na ka vra ma shumë,për ne jeni njësoj. Çfarë the në Kuvendin e Dobërdolit? Në falimin tim bana thirrje për bashkim forcash, e për qëndesë në luftë me ju deri në vdekje për çlirimin e Kosovës. A e di se për këto krime ty veç plumbi të pret? Nuk më trembet syni. Jam krenare që për Kosovën martire bëra aq sa munda. Por heret a vonë ne do të fitojmë.! Kur fliste përpara trupit gjykues,dy polic e mbanin për krahësh,që të mos rrëzohej,aq e shkallmueme ishte!...Toka nuk e kalbë të vërtetën. Fjala e fundit e Marie Shllakut përpara tytave të kuqe: " Kosovë! Sa shpresmadhe të gjeta e sa zemërplasun po të la! Po edhe në këtë çast të mbramë po i lutem Zotit: GJAKU IM TU BAFTË DRITË!"

Kjo ishte MARIE SHLLAKU,ORLEANIA SHQIPTARE!

Burimi: Shefqet Kelmendi,"E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike-(3)",fq.417- 426
SHEFQET KELMENDI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KURRË MA FJALA NË LITAR!- 43 të dënuar, internuar e pushkatuar nga familja NELA të Kollovozit të Kukësit -Përgatiti: ZEQIR LUSHAJ (09.13.2013)
SHPÊLLA E MËRI KOKËS NË STÉNËNga FRITZ RADOVANI (09.13.2013)
NË KUJTIM TË SHQIPTARËVE QË E HUMBËN JETËN MË 11 SHTATOR (Fotoreportazh) (09.12.2013)
NË QARKUN E KORÇËS SHPËTOHEN SHTATË KISHA MBI 300 VJEÇARE (09.12.2013)
AFRIM SPAHIU - ÇABEJI GABOI QË NUK IU HAPI RRUGË STUDIMEVE TË PELLAZGJISHTES (09.11.2013)
IPESHKVIA E PULTITStudim nga RAMIZ LUSHAJ (09.10.2013)
 'COLUMN' I UJKAN HYSAJT MERR ÇMIM TË PARË NË POGRADEC (09.09.2013)
SHQIPJA STANDARDE - MOLLË SHERRI MIDIS DIALEKTEVE (09.09.2013)
DENISA GOKOVI - NJË 'MEMECE SHQIPTARE' NË BOLLIVUD (09.08.2013)
KOSOVA DHE SHQIPËRIA MUND TË SHFRYTËZOJNË MË MIRË POTENCIALIN E DIASPORËS Nga AGUSTIN PALOKAJ (09.06.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]