VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NDAHET NGA JETA AKTORJA ANTONETA PAPAPAVLI

E Djelë, 09.15.2013, 10:16am (GMT1)



Tiranë, 15 shtator Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktorja e njohur shqiptare Antoneta Papapavli, "Artiste e merituar".

U largua nga kjo jetë duke marrë me vete dy dhimbje të mëdha, humbjen e të birit dhe të bashkëshortit. Iku në heshtje dhe pa bujë, teksa kishte 23 vjet qe i mungonte skenës dhe publikut, kohë gjatë së cilës ka qenë e sëmurë.

Antoneta Papapavli lindi më 17 shkurt 1938 në qytetin e Përmetit. Studimet i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dega e dramës dhe u emërua aktore në Teatrin Popullor më 1964.

Ka mbi 20 vjet karrierë artistike, ka interpretuar dhjetëra role në teatër dhe në filmin artistik shqiptar.

Ajo mbahet mend me rolet në teatër si Olimbia tek "Karnavalet e Korçës", Drita te "Drita", Mara te "Toka jonë", Deizi tek "Arturo Ui", Bajamja te "Fytyra e dytë", Ledi Milford tek "Intrigë dhe dashuri", Adela te "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", Gjyshja te "Hijet e natës", Cuca tek "Cuca e maleve" etj.

Në kinematografi ka luajtur tek filmat, "Kur ndahesh nga shokët" - nëna e Zanës, Sania tek "Hije që mbeten pas", drejtoresha tek "Shoku ynë Tili", "Kur hapen dyert e jetës" -nëna e Lizës, "Hije që mbeten pas" - Sania, nëna e Marjetës, "Nxënësit e klasës sime"- Vangjelia, bashkëshortja e Kristoforit, "Apasionata" - Profesorja e Mirës, "Shoqja nga fshati" - Lefka, "Si gjithë të tjerët" - nëna e Jetës, "Kërcënimi" - Marina, nëna e Emës, "Përtej mureve të gurta" - nena e Asimese, "Ata ishin katër" - anëtarja e Këshillit, "Përballimi" - Klea, "Komisari i dritës" - Ngjela etj. Roli i fundit i saj është në komedinë "Pallati 176".

Adhuruesit e kinemasë e kujtojnë atë me batutën "Thesin Aga!" në filmin "Përballimi".

Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin "Artiste e Merituar", me Urdhrin "Naim Frashëri" Klasi I dhe dekorata të ndryshme.

Aktorja u përcoll dje nga të afërmit dhe miqtë në banesën e fundit
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.