VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Anton Nikë Berisha: Ja pse Martin Camaj është ende i papranuar

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 05:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Anton Nikë Berisha: Ja pse Martin Camaj është ende i papranuar
E Djelë, 10.11.2009, 07:34am (GMT+1)


Një sërë studimesh, antologjish, romanesh dhe vëllimesh me poezi kanë mbushur jetën e tij. Në 40 vite, janë të panumërt librat që ka shkruar apo lexuar. Shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë i ka studiuar imtësisht për të dhënë për ta tablo të plota, por edhe për të nxjerrë në pah vlerat e tyre. Pas kësaj eksperience të papërshkrueshme, Anton Nikë Berisha flet për problemet e artit të fjalës, raportin e gegnishtes me toskërishten, gabimet e Kongresit të 1972, ndikimet e politikës në të dhe "mëkatet" e këtij kongresi, por edhe për arsyet pse Martin Camaj, Azem Shkreli e Anton Pashku janë akoma "të papranuar".

Keni dyzet vjet pune në krijimtarinë letrare, që shtrihet në fusha të ndryshme: studime për letërsinë, romane (për fëmijë e për të rritur), poezi, antologji, vëllime me poezi ose me punime të zgjedhura të autorëve të tjerë (sidomos të atyre të traditës). Si ia del shkrimtari t'i përballojë vështirësitë e punëve të këtilla të ndryshme?
Puna krijuese në artin e fjalës, në letërsi, siç ndodh dhe në artet e tjera, është një mister i jashtëzakonshëm. Edhe vetë krijuesit, herë-herë, nuk ia dalin ta sqarojnë krejtësisht punën që bëjnë, në ç'mënyrë e bëjnë dhe pse e bëjnë. Ata, njëmend janë bartës të gjithë asaj që ndodh, po as vetë nuk e kanë të qartë si dhe pse ndodhin disa punë dhe për ç'arsye njëra i paraprin tjetrës ose pse gjatë procesit të punës ndjen nevojë ta ndërpresë atë punë e ta fillojë një tjetër. Kështu ngjet dhe me llojshmërinë e punëve që bën krijuesi letrar. Në një çast ai e ndjen se nëpërmjet një lloji mund ta shprehë më mirë atë që i fle ne shpirt, mund ta përjetësojë artistikisht më mirë në atë formë atë që mendon se duhet t'ua thotë edhe të tjerëve. Dihet se secili prej llojeve letrare ofron diçka të veçantë dhe nëpërmjet tij mund të shprehet diçka më thellësisht se nëpërmjet një lloji ose formë tjetër. Edhe në punën time ka ndodhur kështu. Kur kam qenë i bindur se një punë mund ta vështroj ose të them më mirë nëpërmjet, fjala vjen, një studimi monografik, ia kam hyrë dhe e kam shprehur në atë formë; kur kam menduar se do t'ia dal më mirë të them diçka nëpërmjet romanit, ia kam hyrë hartimit të tij. Ndonjëherë punët e ndryshme në fushën e letërsisë e shpërndajnë energjinë e autorit, po shpesh janë dëshmi e zbulimit të "shtrojerës" ku fshihen mundësi të mëdha të të shprehurit.


Keni botuar studimet monografike për De Radën, Zef Skiroin, Fishtën, Ernest Koliqin, Mark Krasniqin, Martin Camajn, Dushko Vetmon. Pse i zgjodhët pikërisht këto figura, përkatësisht veprat e tyre?
Zgjedhjen e këtyre shkrimtarëve nuk e kam bërë rastësisht: ata hyjnë në rrethin më të ngushtë të shkrimtarëve më të shquar të letërsisë sonë, qoftë për rrafshin e lartë artistik që mbërritën me veprat e tyre, qoftë për llojet e veprave që i krijuan dhe e pasuruan artin tonë të fjalës. Të merresh me veprat e tyre, që janë krijesa sa të veçanta aq dhe poetikisht të pasura, duhet të kesh një dije më të madhe për artin, domethënë të jesh i gatshëm të ballafaqohesh me vështirësi më të mëdha, me struktura tekstore më të ndërliqshme, që kur të interpretohen, kërkojnë më shumë përpjekje e më shumë mund. Në studimet dhe në monografitë që ua kam kushtuar autorëve që përmendni ju, kam gjakuar t'i ndriçoj veçantitë shtjelluese dhe mesazhet poetike që dalin prej tekstit të veprave të tyre e që i bëjnë ata të mëdhenj. I kam zgjedhur këta shkrimtarë madhorë edhe për një arsye tjetër: prej tyre mësohet më shumë; duke i lexuar veprat e tyre pasurohesh më shumë artistikisht dhe shpirtërisht. Këtë pasuri, pastaj, dëshiron t'ua sugjerosh dhe të tjerët që ta bëjnë pronë të tyre.
Vepra e Martin Camajt është akoma "e papranuar" tek ne. Pse ndodh kjo dhe si mund të kapërcehet gjendja?
Çështja kryesore është botimi dhe ribotimi i veprave të tij veç e veç dhe përfshirja e tyre në programe shkollore dhe universitare. Disa individë që edhe më tej kanë funksione në entet përkatëse shtetërore, këmbëngulin ende t'i mbajnë disa autorë në programe shkollore e universitare, veprat e të cilëve, si art, ofrojnë krejt pak të qenësishme, për të mos thënë asgjë. Është dhe një punë tjetër që disa shkrimtarë tanë në këtë rrjedhë të zhvillimit (pas rënies së sistemit komunist që i shkaktoi letërsisë sonë dëme të mëdha për më së gjysmë shekulli) bëhen të "papranuar": arti i madh i veprave të tyre, që ndryshojnë rrënjësisht nga veprat që u krijuan gjatë sistemit të përmendur. Në këtë "paprani", Martin Camajt i bashkohen dhe dy shkrimtarë të tjerë të orës së parë, Azem Shkreli e Anton Pashku. Është e padyshimtë se veprat e tyre nuk lexohen lehtë, po artin e madh asnjëherë nuk mund ta bësh lehtë pronë tënden. Sa më gjatë që ndaj këtyre shkrimtarëve madhorë të sillemi në këtë mënyrë, siç ndodh sot, dëmet dhe pasojat do të jenë më të mëdha për artin tonë të fjalës. Mjerisht, dikujt po i përgjigjet (i shkon për shtat) ruajtja e kësaj gjendjeje.


Ndonjëherë keni bërë dhe krahasime midis veprave të shkrimtarëve tanë. Sa është e rëndësishme një qasje e këtillë brenda letërsisë sonë?
Studimet e mirëfillta krahasuese, qoftë brenda një letërsie, qoftë midis letërsive të tjera, janë me interesa të madh. Nëpërmjet tyre më së miri vërehen dukuritë e qenësishme letrare: ndryshimet, përkimet, afritë, po dhe mënyrat e veçanta shtjelluese dhe shprehëse poetike. Unë kryesisht jam marrë me krahasimin e veprave të letërsisë sonë gojore me atë të letërsisë sonë të shkruar. Kjo mënyrë e studimit për mua ka qenë me rëndësi të shumëfishtë: kam mësuar mirëfilli ç'është letërsia gojore e ç'është letërsia e shkruar - si dy forma, shtresa të artit të fjalës, që kanë shumëçka të përbashkët, po që mënyra e lindjes dhe e përcjelljes, ka bërë që ato të ndryshojnë njëra nga tjetra.


Cilat janë arsyet që ju shtynë ta shkruani dhe ta botoni librin "Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë"?
Dy, pos të tjerash, qenë arsyet që i hyra punës së ndërliqshme të leximit e të krahasimit, dhe pastaj botimit të librit "Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë":
a) nevoja që të dihen (të bëhen publike) në ç'mënyrë u shëmtuan disa nga veprat kryesore të kësaj letërsie, dhe b) domosdonë që të bëhen botime të reja, të plota, ashtu siç meritojnë të botohen veprat që na i kanë lënë trashëgim autorët arbëreshë. Libri "Gjymtime dhe shëmtime...", fund e krye është konkret, me citate e me faqe, ku janë ndërruar vargjet ose ku janë hequr pjesë të tëra, sikur vepra letrare të ishte një thes me grurë!


Më 2008 botuat studimin rreth këngëve kreshnike me titull, "Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij" dhe "Antologjinë e kangve kreshnike shqiptare", ku keni përfshirë 51 këngë. Cilat janë arsyet e një pune të tillë?
Këngët tona kreshnike përligjin në mënyrë thellësore pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Në studim i kam vështruar disa dukuri në një dritë tjetër nga ç'bënë disa studiues që u morën me këto këngë, duke sjellë argumente që nuk mund të hedhen poshtë për sa i përket lashtësisë, burimsisë dhe lidhshmërisë së këtyre këngëve me llojet e tjera të epikës e të poezisë sonë gojore (pa përjashtuar edhe përkime me përrallën tonë). Janë rreth dyqind vjet që këto këngë vështrohen sipërfaqësisht, sidomos nga disa studiues. Këtu qëndron arsyeja e botimit të studimit. Po them pa i dhënë lak fjalës, sikur asnjë këngë tjetër kreshnike të mos ishte mbledhur e të mos ekzistonte në gjuhën tonë, mjaftojnë këto 51 tekste të zgjedhura nga 11 burime të ndryshme, që i kam përfshirë në Antologji, për të dëshmuar qenësinë, pasurinë e madhe poetike dhe burimsinë e tyre të pamohueshme.


Herë pas here debatohet për gjuhën standard dhe vendin e gegnishtes në të. Si e shihni ju këtë çështje?
E para punë që dua ta them në fillim të kësaj pyetje është: gjuha është përbërësi kryesor i një populli dhe qëndrimi dhe kujdesi ndaj saj përligj shkallën e zhvillimit të vetë popullit, përligj vetëdijen e tij. Kjo dëshmohet nëpërmjet përfaqësuesve, që i caktojnë rregullat, e kodifikojnë atë si formë shkrimi. Mjerisht, me vendimet që u morën në Kongresin e vitit 1972 gjuha u trajtua si çështje politike. Edhe teza kryesore e atij Kongresit ishte e rreme: në dokumentet e Kongresit thuhej se bashkoheshin dy dialektet e shqipes (gjuha e arbëreshëve të Italisë u anashkalua pa vështirësi; arbëreshët s'kishin të drejtë të shqetësoheshim për këtë anashkalim për arsye se "i ndante deti" dhe ata e flitnin dhe e shkruanin një gjuhë shqipe më të lashtë!), po u kodifikua dialekti toskë! Dialekti gegë ka një pasuri të jashtëzakonshme shtjellimesh, shprehjesh e frazeologjizmash, mënyra foljesh, siç është paskajorja (infinitivi), dhe ato bëjnë pjesë të thesarit gjuhësor shqip dhe si të tilla duhet të merren dhe të përfshihen edhe në rregullat e gjuhës së shkruar. Duke e kuptuar së gjuha është një përbërës kryesor dhe një dukuri e gjallë, arsyet pse kuvendohet dhe pse bëhen kërkesa që të rishikohen disa gjëra e përcaktime (rregulla), janë të natyrshme, jo për të filluar nga fillimi (me këtë do të përligjnin parimin e Kalasë së Shkodrës!), por për të përcaktuar rregullat që mbështeten vetëm në materiale gjuhësore, jashtë çdo ngjyrimi politik, po në të mirë të pasurimit të gjuhës. Në qoftë se një rregull, një fjalë, një shprehje, një mënyrë e foljes, siç është paskajorja ose diçka e ngjashme, nuk do të jetë e natyrshme, në rrjedhë të kohës nuk do të përdoret dhe do të zhduket. Po kujtoj këtu se në Kongresin e Manastirit (1908) u pranuan, me të drejta të barabarta, dy alfabete, dhe nuk u përmbys bota shqiptare. Koha tregoi se alfabeti me shkronja latine ishte më i përshtatshëm dhe atë e përfillën njerëzit tanë. Mendoj se me disa rregulla të Kongresit të '72-shit u veprua mbi parimin: meqenëse me mjafton njëri sy, çka më duhet tjetri! Një veprim i këtillë është sa vetërrënues, aq dhe vetëvrasës. Ata që mendojnë se me Kongresin e 1972-shit është mbyllur çdo gjë me gjuhën tonë, kuptojnë gjithçka tjetër, po jo dhe çka është gjuha dhe çfarë rëndësie ka ajo për jetën dhe identitetin e një populli.


Keni vite që punoni dhe bëni punën e shkrimtarit dhe të profesorit universitar. Përse ju, si shumë kolegë tuaj, nuk hyrët në politikë?
Shumë kolegë të mi u "shtynë më bërryla", siç do të thoshte shkrimtari Azem Shkreli, për të hyrë në politikë e për të pasur përparësi (privilegje) sa më të mëdha, materiale e shoqërore. Në këtë punë jam krejtësisht i vetvetes, po njëherit, besoj, bëhem edhe i të tjerëve. Me një fjalë, janë dy arsye që kushtëzuan mbetjen time në profesion: kënaqësia e pazakonshme që më shkakton puna krijuese dhe vlera që ka letërsia për njeriun tonë. Unë vetë e kam zgjedhur rrugën të jem Sokrat i vuajtur.

(http://www.balkanweb.com)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Apatia politike në Luginën e PreshevësNga Fehmi Ramadani (10.10.2009)
Mësuesi i Popullit Dhori Qiriazi një poet lirik i papërsëritshëm (10.10.2009)
Shembet pa asnjë urdhër shtëpia e Mandelës shqiptar Osman KazaziNga Zamira Kazazi (Bushati) (10.09.2009)
Feith: Qeverisja e Kosovës duhet të fuqizohet (10.08.2009)
Manastiri nuk u dogj vetvetiu, hetuesia kërkon fajtorët (10.07.2009)
Me mbi 700 studentë filloi viri i ri akademik në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës (10.06.2009)
Enciklopedia, reagon edhe Akademia e Tiranës (10.06.2009)
KOSOVA NË KËMBË DUKE PRITUR LIDERIN E KOMBIT SALI BERISHA (10.05.2009)
Po ua kthej mbrapa çmiminNga Doc Dr Veton Latifi (Shqip dhe Anglisht) (10.04.2009)
Ky mandat i dytë i BerishësNga Skënder BUÇPAPAJ (10.02.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]