VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HYSË HASA E PËRSHKRUAN JETËN USHTARAKE: ME HOLLËSI, VËRTETËSI E THJESHTËSI…
(Rreth librit “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”)
Nga RRAHMAN PARLLAKU, Gjeneral Leitnant, në pension, “Hero i Popullit”

E Hënë, 09.16.2013, 08:03am (GMT1)


Koloneli në pension Hysë Xhemali Hasa, në librin me titull "Mes shokësh, në shërbim të Atdheut", e shpalosë bukur jetëshkrimin e tij. Kështu, shkruan për vitet e adoleshencës dhe rinisë së hershme, kur ëndërronte e meditonte për jetën. Shkruan për vitet e shkollës së mesme, që i hapën rrugën e të ardhmes dhe kur ai mësonte me zell e me këmbëngulje, për të arritur aspiratat e tij.

Libri në fjalë përmban, kryesisht, jetën e veprimtarinë e Hysës në shërbim të Ushtrisë sonë. Kohën e shërbimit ai e përshkruan me hollësi, vërtetësi e thjeshtësi, duke filluar nga jeta ushtar e më pas duke qenë kursant i shkollës ushtarake dhe deri te shërbimi oficer, me karrierë të gjatë në detyrë. Ai flet me respekt për mësuesit e pedagogët. Ndërsa me respekt e nderim të thellë shkruan edhe për eprorët, për kolegët, por edhe për vartësit e tij.

Me thjeshtësi e vërtetësi, Hysa e përshkruan jetën e ushtarakut, oficer aktiv në 35 vite, duke na kujtuar vështirësitë e sakrificat e shumta, që kërkonte detyra e oficerit. Kështu, libri i tij më ka ngjallur emocione të forta jo vetëm mua, që jam sot në moshën 94-vjeçare, por edhe çdo oficeri tjetër, që e ka përjetuar shërbimin ushtarak.

Kopertinat e librit të Hysë Xh. Hasës

Në këtë libër, ai shkruan hollësisht për sukseset në detyrë, për kënaqësitë e gëzimet, kur puna, mundi e djersa e derdhur i janë vlerësuar e shpërblyer. Por dhe është hidhëruar, kur të aftëve në detyrë, padrejtësisht, nuk u është vlerësuar puna; ndërsa servilët e të paaftët kanë përfituar nga "nepotizmi", siç e quan ai. Hysa shkruan me dashamirësi e humanizëm për njerëzit, pa bërë dallime në mendime e vlerësime, si për gjeneralin, për kolonelin, për kapterrin ose ushtarin, duke shpalosur njerëzoren e karakterit të tij, jasht pozitës ose pushtetit.

Si në dy botimet e mëparshme, edhe në këtë libër, në vlerësimet për njerëzit, Hysa shmang çdo dallim politik e shoqëror, nuk pyet për prejardhjen e tyre. Pra, vlerëson qëndrimin në punë dhe ndershmërinë dhe përkushtimin e secilit, në kryerjen e detyrës së caktuar. Meritë e tij është që nuk shkruan "bardh e zi" për njerëzit, siç kanë bërë rëndom autorët, në të kaluarën dhe si, fatkeqësisht, vazhdon të shkruhet, në shumë raste, edhe sot.

Në librin e parë të Hysës, "Vila, krenaria e Lumës", që është vendlindja e tij, Hysa ngre lart burrat e shquar të asaj krahine, që prej thellësisë së shekujve dhe deri në ditët tona. Ata janë vlerësuar, si për ndihmesën e tyre në luftërat për liri e pavarësi të Kombit tonë, por edhe për atë, që kanë dhënë në fushën e dijes e deri në drejtimin e Perandorisë së kohës.

Në librin tjetër të tij, "Midis emigrantëve shqiptarë në Amerikë", ku ka vite që Hysë Hasa jeton familjarisht, në qendër gjejmë edhe figurat e qindra kuksianëve, të cilët me aftësitë e tyre ditën të integrohen mjaft mirë në shoqërinë amerikane. Ndihesh krenar, kur lexon për mënyrën, se si ata janë përshtatur me punën, si i kanë sistemuar familjet e tyre dhe si po i shkollojnë fëmijët, shumë prej të cilëve e ndjekin Universitetin. Ka ndër ata, që kanë marrë tituj shkencorë, janë bërë pedagogë të njohur, siç ka edhe mjaft të tjerë, që kanë ngritur bizneset e tyre.

Jam i bindur se libri "Mes shokësh, në shërbim të Atdheut", do t'i vlejë historiografisë shqiptare, pasi në të jepen mendime e bëhen analiza për etapat e kaluara nga Forcat tona të Armatosura, në periudha të ndryshme kohore, ku Hysa ndalet veçanërisht në dy nga çastet më të rënda të Ushtrisë sonë. Së pari, në vitet 1965-1966, kur nën diktatin direkt të Enver Hoxhës u ndërmorën, nga Komiteti Qendror i Partisë dhe nga Këshilli i Mbrojtjes, të ashtuquajturat reforma, që goditën rëndë përgatitjen dhe gatishmërinë luftarake të Ushtrisë sonë. Me atë rast, u dënuan me pushkatim, burgim, internim dhe u persekutuan qindra kuadro të Ushtrisë, gjeneralë e oficerë nga më të aftët. Ata kishin komanduar Luftën Nacionalçlirimtare dhe kishin përvojë 30-vjeçare në drejtimin e Ushtrisë, kishin mbaruar akademi të larta ushtarake dhe e kishin përgatitur e aftësuar Ushtrinë tonë, për t'u krahasuar me ushtritë më të përparuara europiane. Së dyti, ndalet në vitet 1996-1997, kur Hysa i analizon ngjarjet, duke jetuar brenda tyre, i pranishëm me kulturën, përvojën dhe këndvështrimin e tij profesional, që ia vlen të studiohet dhe vlerësohet, si nga të gjithë historianët ushtarakë e më gjerë.

Së fundmi, i uroj autorit të këtij libri, Hysë Hasës, gazime e lumturi në familje dhe punë të mbarë, që të na japë edhe shumë libra të tjerë, si këta, për të cilët fola shkurtimisht!

(Autori i shkrimit është kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës. Këtë temë e ka lexuar në përurimin e librit, për të cilin shkruan, më 31 gusht 2013, në sallën kryesore të Muzeut Histotik Kombëtar, në kryeqytet)
Tiranë, 15 shtator 2013


RRAHMAN PARLLAKU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.