VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VEPËR ME VLERA TË MËDHA GJUHËSORE
(Mendime rreth “Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe”, (EDFA))
Nga SKIFTER KËLLIÇI, Boston, SHBA

E Mërkurë, 09.18.2013, 04:04pm (GMT1)


Për ata që kanë qenë të lidhur ngushtësisht me letërsinë, artet dhe shkencën shqiptare, mërgimi, veç të tjerash, ka dhe të keqen e madhe, sepse, në një mënyrë a në një tjetër, jo vetëm i ka shkëputur nga lidhjet e drejtpërdrejta me këtë botë,por edhe sepse edhe vetë libri, si dhe informacionet rreth botimit të tij, janë edhe më të rralla.
Këtë përvojë të hidhur e kam provuar dhe po e provoj edhe unë që prej më shumë se 14 vjetësh jetoj në Amerikë. Si pasojë, nuk jam në dijeni të shumë librave që janë botuar dhe vazhdojnë të botohen. Kjo sepse edhe vetë mediat, jo gjithmonë i kushtojnë vëmendjen e duhur botimit të librave të autorëve shqiptarë, qofshin këto letrare dhe aq më shumë shkencore.
Por, kur është fjala për një libër të karakterit gjuhësor, si "Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe, "botuar për herë të parë në 2001 dhe ribotuar në 2007 nga EDFA, shtëpi botuese e drejtuar nga dr.Fatmir Xhaferi, i njohur, veç të tjerash edhe për botimin e shumë fjalorëve shqip në gjuhë të huaja, fjalor për të cilin deri tani është shkruar vetëm një artikull recensional nga shkrimtari dhe diplomati i njohur Mehmet Elezi, (dhe duhet thënë një artikull shumë i goditur), kuptohet se mërgimtarët, ndër të cilët edhe unë, nuk kanë si të mësojnë për botimin dhe ribotimin e këtij libri me ripunime, ose, siç e quajnë autorët "botimi i rivështruar" dhe njëkohësisht të librave të tjerë të këtij lloji. Po kështu nuk kanë si të dinë që më 2004, krahas tij ka dalë në dritë edhe një fjalor tjetër sinonimik, botim i Akademisë së Shkencave,dukuri që dëshmon për kahjen e publikut tonë për libra të tillë.(Pa dashur të bëj krahasim midis këtyre fjalorëve,aq me tepër që botimin e Akademisë së Shkencave nuk e kam në duar,fakti që fjalori për të cilin po shkruaj, është ribotuar me ripunime, dëshmon për interesin më të madh të lexuesit ndaj tij).
Por është për t'u habitur se edhe vetë autorët e këtij libri, që mbi të gjitha, janë miq të mi, pr.dr.Ali Dhrimo, specialist i gjuhës gjermane,i cili u nda nga jeta para vjetësh, autor studimesh në fushën e gjuhës shqipe dhe të disa fjalorëve të tjerë, sidomos me bazë gjermanishten, as.pr.dr. Edmond Tupja, specialist i gjuhës frënge, shkrimtar, përkthyes nga shqipja në frëngjisht, publicist, (kush nuk kujton esetë e tij me humor të hollë), dhe Eshref Ymeri, specialist i gjuhës ruse, përkthyes nga shqipja, në rusisht, publicist i njohur për çështjen kombëtare dhe të marrëdhënieve shqiptaro-ruso-sovjetike gjatë dy shekujve të fundit,pra pikërisht këta të tre, qoftë gjatë takimeve me ta në Tiranë, por sidomos në këmbimet e letrave me e-maile, nuk ma kanë zënë në gojë "Fjalorin sinonimik të gjuhës shqipe",vepër e tyre e përbashkët, që pa më të voglin ngurrim hyn në fondin e artë të gjuhës shqipe.
Dhe ja,pas kaq vjetësh kjo vepër është më së fundi edhe në duart e mia, pra të një shkrimtari mërgimtar. E theksoj fjalën "shkrimtar",sepse, në qoftë se për një vepër të tillë ka nevojë ta këtë ndokush në bibliotekën e tij, i pari nga të tërë është shkrimtari, pastaj gazetari dhe pastaj, siç theksohet në pjesën e prapmë të mbulesës së librit ata,
-të cilëve nuk u bie ndërmend një fjalë e caktuar,
-që nuk e dinë me përikmëri kuptimin e një fjale,
-që nuk duan të bëhen të mërzitshëm me përsëritje fjalësh të njëjta,
-që kërkojnë larushi shprehjeje dhe larmi stilistike,
-që dëshirojnë të zgjerojnë fjalorin e tyre aktiv,
-që duan t'i shprehin mendimet e tyre me përpikëri, forcë dhe bukurinë më të madhe.
Kur merr në dorë këtë libër ,bindesh edhe njëherë se sa e pasur është gjuha jonë, vërtet e një populli të vogël, të pushtuar prej gati pesë shekujsh nga pushtuesit otomanë,por që mbijetoi duke ruajtur zakonet dhe traditat e tij më të mira mbi të gjitha gjuhën, pra fjalën, kuptimi së cilës shprehet në këtë fjalor me sinonime që arrijnë deri në 35 mijë të tilla.
Në gjuhën e përditshme ne përdorim shpesh mbiemrin "i mërzitur", por një shkrimtari nuk do t'i lejohej kurrë që këtë fjalë ta përdorte shpesh në veprën e tij.
Në këtë fjalor krahas kësaj fjale gjejmë:
-i ngrysur, i vrenjtur, i zymtuar, ballëngrysur, ballulur, ballënxirë, i trishtuar, buzëlëshuar, buzëvarur, gjithë buzë, qejfmbetur, çehrevrarë, vetullarënë, vetullagremisur, hundëvarur, fytyrëvrarë...
Për foljen shikoj në fjalor jepen këto sinonime:
-vështroj, sodis, këqyr,kundroj, vërej, kullos sytë, ngjis sytë, ajgëtoj, dalloj, hetoj, ma zë syri...
Ja dhe disa shembuj të tjerë:
Tejendanë:
tejembanë, tejefund, tejmatanë, tejtej, përmes, mespërmes, nëpërmes, brinjë më brinjë, fund e krye, ngado,qoshe më qoshe, tutje-tëhu...
I tronditur:
-I trandur, i nëpërhedhur, i trazuar, i dërmuar, i leqendisur,i mallëngjyer, i lemerisur, i lebetitur...
Një krijues,sidomos një shkrimtar,publicist ,gazetar, kur shkruan,në qoftë se i ka vënë vetës si qëllim të krijojë një vepër të pasur edhe nga ana gjuhësore, në çaste frymëzimi, mund të mos gjejë sinonimin e duhur. Më kujtohet se kur po ripunoja romanin "Atentat në Paris", që u ribotua me ripunime më 2011, desha të gjeja një sinonim tjetër të foljes rraskapitem. Dhe mëgjithë përpjekjet e mia nuk gjeta veçse foljen tepër të përdorur dërrmohem. Po të kisha pasur në dorë këtë fjalor, do të kisha zgjedhur folje të tilla të barazvlefshme si:stërmundohem, robtohem, sfilitem, këtutem, kapitem, ronitem, shkrehem, shkallmohem, handakosem, shkordhem, topitem,lëmekem, batërdisem,ligështohem, më bie bretku, shembem, leqendisem, capërlohem, drobitem...
Kur lexoj ndenje vepër letrare,sidomos të autorëve të hershëm shqiptarë, por edhe të përkthyesve tanë, qofshin edhe të rinj, mbaj shënim fjalë që nuk i kam dëgjuar, ose për më tepër të hulumtuara ose krijuara nga vetë përkthyesit. Dhe më vjen mirë kur shoh që një pjesë e mirë e tyre është përfshirë edhe në këtë fjalor, që dëshmon për punën e madhe, për mua deri në rraskapitje të autorëve të mësipërm, për t'i përshirë ato në veprën e tyre,natyrisht pa harruar "Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe", (1980, 2002, botim i Akademisë së Shkencave). Po përmend disa prej tyre, të nxjerra nga vepra të Kutelit, Koliqit, Kadaresë, të përkthimeve të Sotir Cacit, Vedat Kokonës, Petro Zhejit, Lili Bares, Jorgji Dhoksanit, etj:
I shogët, (tullac flokë,) shamatar, (që bën shamatë), çapëlej, (shqyej, murrash (i murrmë), kruspulloj (kruspullohem, strukem, tulatem), hajdutërisht,(vjerudhazi), oborrësi, (mirësjellje, fisnikëri) mrol, (vrenjt), mrolan, (i vrenjtur), hundak, (hundor), poshtanik, (i poshtër), mbrëmësor, (mbrëmor), curkajë, (rreke), pikalor, (me pika), durimtar, (i durueshëm), i humnershëm, (i tmerrshëm), hamgjitje, (mashtrim), hamgjitës, (mashtrues), mashtrim, përhosh, përkëdhel, ledhatoj), mustakoc,(me mustaqe), thashethemnajë, (thashetheme), ëmblas, (ëmbëlsisht), ndezulli, (zjarrmi) e shumë e shumë të tjera si këto.
Në parathënien këtij fjalori një ndër hartuesit dhe njëkohësisht drejtues dhe redaktues i tij, pr.dr. Ali Dhrimo, për të cilin pas vdekjes në tetor të vitit 2011 u shkrua vetëm një shkrim, kurse Akademia e Shkencave, siç më njofton një ndër miqtë e tij, heshti, midis të tjerash, duke iu drejtuar lexuesve, shkruan: "Ne presim dhe mirëpresim me gatishmëri të madhe vërejtje, sugjerime për përsosjen e mëtejshme të kësaj vepre...".
Eshtë e natyrshme. Jam i sigurtë që botimi i dytë më 2007 pas botimit të parë më 2002 ka përmirësime. Dhe një botim i tretë, vite më pas, do të ketë përmirësime të tjera,jo vetëm nga kërkesat e vetë autorëve, të lexuesve, por dhe vetë zhvillimit dhe pasurimit të gjuhës shqipe,nga ata që e shkruajnë dhe në radhë të parë nga shkrimtarët dhe përkthyesit.
Nga shënimet e mia po përmend vetëm disa fjalë sinonime që kam hasur në veprat letrare në gjuhën shqipe, të cilat në të ardhmen mund të përfshihen në një botim të ri të këtij fjalori: culit, (culit, ngre veshët) me prapashtesën osh: fatmirosh, ëmbëlosh, (ëmbëlak, i ëmbël), e ploctë, (e sheshtë- fytyrë e ploctë), i tufantë, (mot me kohë me shtrëgatë), sëritet, (vihet në radhë), i përpushtë, (i trazur, i shprishur...), i përdhuntë, (i egër, mizor), kacagjelosem, (grindem, kërleshem), nazetohem, (bëj naze), diellsohem, (marr diell), i diellsuar, (i ndritur, me diell), vetënak, (i vetmuar), squparak, (me squp), qelqnajë,(me qelq, me xhama), trokëron,(vrapon me trok, me trokëllimë), ikurak, (i shpërngulur) e të tjera...
Këto janë vetëm disa sugjerime ose, që të bëjmë një krahasim, janë tek-tuk vetëm disa retushime me penelin e piktorit në balloren dhe brendësinë e një ngrehine shumëkatëshe, që ngërthen pasuri kaq të vyera të gjuhës shqipe.
Dhe kur vjen puna për këtë fjalor, (nuk di ç'është shkruar për fjalorin tjetër sinonimik të Akademisë së Shkencave), vetëm në të largëtën datë 2 tetor 2002 Mehmet Elezi, që përmenda në fillim të këtyre përshtypjeve, e ka quajtur për detyrë qytetare të shkruajë një recension, ose, më saktë, një ese, pamflet, ku me nota shpotitëse nënvizon një të vërtetë të hidhur: që ata që janë atje ...lart, ata që udhëheqin, domethënë që qeverisin popullin,shtetin,pra edhe kulturën, artin, shkencën, të cilat, të gjitha bashkë sendërtohen vetëm me gjuhën dhe nuk mund të ekzistojnë pa të, ata të kenë më shumë kujdes për vepra të këtij lloji ose më saktë, siç nënvizon ai:
"Do të mjaftonin paratë e një simpoziumi, prej te cilit në kujtesën kolektive nuk mbetet gjë përveç kronikave të fryra televizive, që kultura shqiptare të pasurohej me botime cilësore të veprave si kjo".
Dhe prapa kësaj vepre shkencore, dhe të tjerave si kjo, qëndron një njeri i heshtur dhe fisnik, si botuesi Fatmir Xhaferi i EDFA-s,i cili meriton,në mos një dekoratë të lartë,të paktën një falënderim publik nga qeveritarët tanë dhe sidomos nga drejtuesit e asaj ministrie që mbulon edhe... shkencat.
SKIFTER KËLLIÇI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.