VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ali Ohri: Shqiptarët i detyrohen shumë figurës së Ahmet Zogut
E Mërkurë, 10.14.2009, 05:00pm (GMT1)


Në foto: Al Ohri

 

Ali Ohri është një ikonë e gjallë e monarkisë dhe njohës i mirë i saj. I lindur në vitin 1921, asokohe ai ishte ende adoleshent. Tashmë në moshën 88-vjeçare e kujton me nostalgji takimin për herë të parë me Mbretin Zog, kohë kur ishte vetëm 16 vjeç e qe maturant në gjimnazin e Tiranës. Babai i Zogut, Xhemal Pasha, me babanë e nënës së Ali Ohrit, Xhenanin, ishin kushërinj të parë. Mbreti Zog, pasi e njohu kushëririn e tij Aliun, e çoi në një shkollë ushtarake në Itali, sepse e donte në gardën e tij. E prej atij takimi Ali Ohri do të mbetej besnik dhe dashamirës i Zogut dhe familjes së tij. Pas luftës dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, në datën 30 qershor 1949, një eskortë e policisë sekrete shqiptare e arreston në Shkodër dhe e përcjellin për në Tiranë me një akuzë absurde: Tentativë arratisjeje! Ali Ohri kryen 5 vjet burg politik. Jeta e tij nën komunizëm nuk do të ishte e lehtë. Por vitet kaluan dhe me kthimin në atdhe të familjes mbretërore ai do të bëhej Kryetari i oborrit mbretëror shqiptar, deri para pak ditësh, kur ai kërkoi të largohej për arsye moshe dhe shëndetësore, e më shumë për këtë të dytën. Ali Ohri komenton deklaratën e kryeministrit Berisha për kthimin në vend të eshtrave të mbretit. Një ndër njerëzit më të afërt të familjes mbretërore jep opinionin e tij edhe për "baltën" që i është hedhur Zogut, ndërsa mendon se Berisha këto kohë ka ndryshuar, kjo duke pasur parasysh vitin 1994, kohë kur Lekës së I iu desh të ikte nga vendi pa u bërë 24 orë nga shkelja e tij në atdhe ...

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka bërë një deklaratë, në të cilën u shpreh se do të ngrihet një komision për rikthimin në vendin tonë të eshtrave të Ahmet Zogut. Ju si kryetar i oborrit mbretëror dhe një ndër njerëzit më afër tij, si e shihni këtë vendim të z. Berisha?

Unë e shoh edhe në aspektin njerëzor, edhe në atë ligjor. Zoti Berisha me këtë gjest ka mirënjohjen time. Ai ka plotësuar një detyrë që ishte shtetërore kundrejt një personaliteti kaq të madh siç ka qenë Ahmet Zogu. Ka edhe personalitete të tjera që kanë sakrifikuar, por gjithsecili ka peshën e veprave që ka bërë. Po të analizosh që të gjithë personalitet patriotike dhe politike të vendit tonë, të cilët meritojnë respekt, për mbi të gjithë këta numri një është Ahmet Zogu. Populli shqiptar i detyrohet shumë kësaj figure kaq të madhe dhe duhet ta vlerësojë, pavarësisht rrymave të ndryshme politike që janë këtu dhe dielli nuk mbulohet me shoshë.

Ju e quani këtë një borxh që shteti shqiptar i kishte Zogut?

Ky ishte një borxh i madh që qeveritë shqiptare i kishin Zogut. Periudhat që kemi kaluar nga 1945 deri më 1990, (edhe më vonë), kanë hedhur vetëm baltë përmbi figurën e këtij njeriu. Shqipëria i dedikon këtij personi shumë sepse asnjë nga personat politikë të vendit tonë ose grupet politike, nuk ka arritur atë që arriti Zogu. Unë nuk flas me pasion, edhe pse unë jam me idetë e mia zogist. Ai e filloi aktivitetin e tij politik e patriotik kur ishte vetëm 17 vjeç, pra një fëmijë. Në këtë moshë ai ka qenë kryetar i delegacionit të Matit në ngritjen e flamurit në Vlorë. Po në këtë vit, në krye të 2000 vetave ka bërë betejën e Kakarriqit kundër malazezëve kur bënë rrethimin e Shkodrës.

Ju u shprehët se që nga 1945 e deri më sot është hedhur shumë baltë mbi figurën e tij. A ka ndonjë moment që ju doni të sqaroni?

Unë e kam mbrojtur jo me fanatizëm, por me logjikë deri në fund personalitetin e tij. I quaj fajtorë ndaj vetes e ndaj atdheut ata që e kanë luftuar me të padrejtë Zogun, duke i vënë njolla të ndryshme. Ata që e kanë luftuar e kanë bërë për xhelozi, sepse ky djali i ri "u hëngri arrat të gjithëve", siç shprehet populli. Ai e ka treguar veten edhe në luftë, edhe në krijimin e shtetit shqiptar. Ai është arkitekti i shtetit modern, siç e tha Berisha.

Si u bë Ahmet Zogu arkitekt i shtetit modern?

Ky në moshën 17-vjeçare u shkëput nga Stambolli ku ishte për studime, pra deri atëherë ai ishte më i orientuar nga osmanët dhe modeli i tyre. Ngjarjet që erdhën më pas e favorizuan Zogun në një mënyrë. Kur vdiq Franc Jozefi, perandor i Austro-Hungarisë, do të kurorëzohej nipi i tij perandor. Për kurorëzimin e tij do të bëhej festë, dhe në të ftoi njerëz nga të gjitha trevat ku ndikonte Austro-Hungaria, e ndër ta edhe Shqipërinë. Nga vendi ynë u caktua një grup prej 10 vetash nga paria e vendit që do të shkonin në ceremoninë e kurorëzimit. Në këtë delegacion caktojnë edhe Ahmet Zogun, sepse ata i dhanë atij gradën kolonel (fillimisht erdhën si miq, e më pas si okupatorë). Më vonë raportet e tij me austriakët u prishën. E caktuan Zogun në delegacion me qëllim që ta largonin nga Shqipëria, sepse iu nxirrte telashe. Ai shkoi, dhe kur delegacioni u kthye, Zogun e mbajtën atje. Bëhet fjalë për vitin 1917. Zogu me mendjen e tij të hollë u interesua dhe pa krejt sistemin e administrimit të një shteti si Austro-Hungaria, i cili në atë kohë ishte një vend i fuqishëm. Zogu aty pa se si ishte administrata moderne evropiane dhe kur u kthye në Shqipëri pas dy vitesh, erdhi me mendje tjetër. Këtu ndeshi kundërshtarë në mendime, por edhe xhelozë, që ky djalë i ri nga Mati po ecte. Ai ka qenë nga një familje udhëheqëse e me tradita. Në moshën 25-vjeçare ishte ministër i Brendshëm. Më pa u bë edhe kryeministër. Mirëpo kundërshtarët e tij me Fan Nolin në krye, por faktikisht pas tij kishte të tjerë që vepronin.

Kush vepronte pas tij?

Partia tjetër ku bënte pjesë edhe Avni Rustemi. Këta ishin të prerë që të eliminonin Zogun. I bënë edhe atentatin në parlament, ku e plagosën. Atentatori ishte një djalë i ri nga Mati, Beqir Valteri. Këtë e kishin përgatitur Avni Rustemi e Luigj Gurakuqi dhe e kishin stërvitur edhe në qitje. Zogu e pyeti Beqir Valerin në burg: "Unë e di se sa të vlen lëkura ty, por kërkoj të më thuash kush të shtiu të më qëlloje. Nëse ma thua, do të jap një pasaportë që të ikësh nga vendi". Ai i thotë që e ka shtyrë Avni Rustemi, i cili i kishte dhënë edhe revolverin. Zogu i dha atij pasaportën dhe ca para të ikte. Avni Rustemi pati vrarë Esat Toptanin, e Toptanët ishin një ndër familjet më të forta në Shqipëri. Një familje që për të marrë hakun e Gani bej Toptanit kishte vrarë djalin e kryeministrit turk në mes të Stambollit. Dy herë ata deshën ta vrisnin edhe Avni Rustemin, dhe Zogu i pati ndaluar, sepse e kishte të ëmën Toptanase. Pas asaj dite, ai çoi në person që t'i thotë Avni Rustemit, "ruhu se do të vrasin". Asokohe, Zogu i tha Toptanasve, bëni çfarë të doni tani, sepse deri atëkohë i kishte ndaluar ta vrisnin dhe ata brenda javës e vranë. Kjo u bë shkak që të kishte një revolucion borgjez siç u tha. Nga Veriu erdhi komandanti Rexhep Shala e nga Jugu, Kasem Qafëzezi. Duke qenë se rrugët u mbyllën, Zogu u detyrua të shkonte në Jugosllavi.

Kjo është edhe një pjesë mjaft e debatuar e historisë...

Zogu nuk shkoi tek miqtë e vet, sepse në vitin 1920 i kishte thyer forcat serbe në Shkodër, por nuk kishte se ku të shkonte. Gjithmonë shtetet evropiane kanë luajtur rol të rëndësishëm në shtetet e vogla, e po ashtu tek ne. Duke qenë se e panë që 6 muajt e revolucionit të Fan Nolit s'ishin gjë sepse bënë gjëra të palogjikshme. Meqenëse e njihnin mirë situatën, kërkuan të dinin se cili mund të ishte njeriu që do të kishte dorë të fortë sa të drejtonte Shqipërinë problematike. Atëherë, mendoj unë, Evropa kërkoi mendimin e austriakëve meqenëse kishin qenë në Shqipëri, e këta i sugjeruan Zogun. Anglia urdhëroi qeverinë jugosllave që të ndihmonte Ahmet Zogun të kthehej në Shqipëri. Të hollat që i nevojiteshin Zogut, ia ka dhënë një shoqëri naftënxjerrëse angleze.

Vijmë më afër në vite, e pikërisht në kohën kur familja mbretërore erdhi në Shqipëri në vitin 1994. Si e mbani mend ju atë kohë dhe përse erdhi kaq vonë vendimi i një qeverie shqiptare që të kthehen në vend eshtrat e mbretit?

Këtu ka qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të forta mbeturinat e komunizmit. Ka njerëz që ishin e vazhdojnë të jenë akoma komunistë. Ne e kemi njohur komunizmin për shumë vite. Se do të ishte, kjo u duk që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, kur komunistët në vend që të ishin aleatë me anglo-amerikanët e ta bënin Shqipërinë një Zvicër, komunistët bashkëpunuan me Jugosllavinë, armiqtë tanë shekullorë. Çfarë mund të prisje prej tyre? Të gjithë mbretërit e Ballkanit u kthyen në vendin e tyre edhe pse jo si mbretër, por ata u lejuan. Ndërsa mbreti i shqiptarëve që kishte bërë aq shumë për vendin e tij, nuk u lejua të kthehej. Ahmet Zogu ishte i vetmi që mund të eklipsonte Enver Hoxhën. Edhe sot komunistët janë bërë tym nga vendimi për kthimin e eshtrave të Zogut, ashtu si u bënë kur u vu busti në Burrel. Vendimin, pikërisht tani për kthimin e eshtrave e shoh nga disa pika. Berisha ishte deri vonë një mjek i brumosur me idera komuniste, dhe akoma nuk e kishte hequr akoma petkun e komunizmit. Pastaj, duke e parë historinë dhe veprat e Zogut, i thirri mendjes. Por, edhe vetë si person Berisha u përpunua në mënyrë të kundërt, u bë faktor që jo vetëm t'i vihet emri bulevardit "Zogu I", por edhe të sjellë në atdhe kockat e mbretit. Këtu ka shumë veta që meritojnë t'i kthehen kockat, e jo vetëm ai.

Në këtë vendim të qeverisë shqiptare, a mendoni se ka ndikuar detyra që princi Leka ka në Ministrinë e Jashtme?

Jo, nuk mendoj se detyra e Lekës II ka influencuar në këtë vendim. Ajo është një detyrë që iu dha atij (mendoj unë gjithmonë), nga qeveria, në mënyrë që t'i japin mundësinë atij të jetë dikush.

Që nga kthimi i familjes mbretërore në Shqipëri e deri në këto ditë, cilat kanë qenë marrëdhëniet e familjes me forcat e ndryshme politike? Kur ka filluar afrimi i kryeministrit Berisha me familjen mbretërore... sepse jo gjithmonë marrëdhëniet kanë qenë të mira?


Deri vonë, tek Partia Demokratike ka pasur kundërshtarë të familjes mbretërore, por duke qenë se dolën në dritë fakte pro Zogut, pikëpamjet ndryshuan dhe ka filluar respekti. Herën e parë kur erdhi në Shqipëri Leka i I-rë, iu desh të ikte nga vendi për 24 orë. Ishte viti 1994 kur Leka Zogu erdhi në atdhe dhe president i vendit ishte Sali Berisha. Mirëpo, Berisha është njeri inteligjent. Si u poqën kushtet, duket dhe Berisha i thirri mendjes mbi familjen mbretërore. Ky është një turp i madh, jo pse i dhanë leje, por pse e lanë deri në atë kohë. Duhet t'i kishte dyert e hapura Ahmet Zogu këtu. Nuk duhet të ndiqej rruga e Enverit, sepse ai mendoi për vete e jo për Shqipërinë. Berisha reflektoi dhe bëri këtë gjest, që është i duhuri. Unë e kam takuar njëherë Berishën kur ai ishte në opozitë, dhe shkova t'i çoja një letër dhe kam biseduar me të. Vjehrrin e Berishës, babain e zonjës Lirie, e kam pasur shok në Itali, në shkollën ushtarake të Milanos.

(http://www.balkanweb.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.