VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

…E KA ZEMREN HIPOTEKË
“Hipoteka e të parëve t’mi
me Senet… n’daç me Tapi”.

Poemë nga ZEQIR LUSHAJ 

E Shtunë, 03.08.2014, 09:11am (GMT1)


SHËNIM:
 Poema e cila botohet sot  në diten e 65 vjetorit te lindjes se autorit, është nxjerrë nga libri në formësim e sipër që Zeqiri po ia kushton fshatit të tij të lindjes, me titull: "Grija, në shpirtin tim"-




Asht' aty e gjithmonë asht'  
e fortë Grija rron perjetë
...e ka zemren Hipotekë.

...!
Asht' aty në çdo rrasë guri
Mund ta shihni në lvore lisi
A në gështenjat tu zgurliqi.

N'Kosharishtë deri n'Mehovç
Karvan bjeshke në çdo vend
Në Qafë-Shtyllë përmbi Liqen.

N'rrasë t'Sukbukurit dimer verë
N'Bora të Gjata (permbas Majes)
Që nuk shkrihen ndonjëherë.

Edhe n'imshta me rrugë qorre
Asht' te Kisha e asht në bokë
Asht' posht Blinit nëpër vorre.

Asht' në plep n'rrushin thanec
Aaah, në oshtimën e Valbonës
Fllad Krasniqes mes-per-mes.

Fushës  së T'Planit erë tërfoinë  
Kërshit të Kekës shpatë e bardhë  
Shkalla e Grisë ju lëshon piskamë.  

Asht' aty e gjithmonë asht'  
e fortë Grija rron perjetë
...e ka zemren Hipotekë.


...!
Hipotekë që sfidon shtetin
Zot ka pasë dhe ka vetvetin
Asht' te stani asht' te shtëpia
"Kasafortë"... per libra të mia.

Vjershat janë rreze në fytyrë
Se jetojnë per Ty Mbretreshë
Dathë e mathë nëper murriza
Natë e ditë bashkë kemi hecë.

Që nga Mokna... e mbi Qireç
Nga Arveja n'Shtek të Dashit  
Prej Rosujës e në Geghysen
Hipotekë... e shpirtit Bacit.

Kërkuj tjeter, veç ty t'falem,
Se këtu jam çoban e mbret
Jam griçor: -djal -burr e plak
...Gazetar mësues e poet.

Erdh kjo kohë e u çoroditem
Skamja tha: -msyni kurbetin
Pa ditë hiç: -Ku -Qysh e Tek
E lam thatë shpirtin e djepin!

...!
Si orë bjeshke n'Çeta t'Lercit,
Hipotekë = Grija Mbretreshë
Si një vello per ditë dasme
Kostum fjalet ti kam veshë.  

I rue Dikçori, shpella e borës
E lahuta në stenë të oxhakut,
Në rrathët e lisit shekullorë
E sytë e nuses posht duvakut.

Do t'i këndosh nëper festime          
Nëpër gëzime të bijëve t'Grisë  
Ku k'cejnë çikat shtat-çetina
Rreth tupanit e rreth tepsisë.

Aty i kie kur të ndiesh merzi
Shfletoi Ti në fllad të mrizit
Amanet lenjau më të rijëve:
-Këqyrni në librat e Zeqirit!  

Pak i shpraza çka thotë zemra   
Per Grinë time kam më shumë
N'shpella t'Agës e gjeni KODIN
Le ta ruejnë ... një Zot o i Lum.

Eeeh s'jam Naim as Kadare
Sa larg Fishtes me Agollin
S'jam Podrimja as Migjeni...  
Një i kam shpirtin e vorrin.  

...!
Asht' aty e gjithmonë asht'  
e fortë Grija rron perjetë
...e ka zemren Hipotekë.


Hipoteka e të parëve t'mi
me Senet... n'daç me Tapi.
          
      
                                                                            -----------------------------
-Per VOAL, ch, nga NJ, USA, 8 Mars 2014-

ZEQIR LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.