VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

YMER PAMPURI - MË DËNUAN SEPSE DOLA NË NJË TELEVIZION TË HUAJ (Intervistë)
Ymer Pampuri, i vetmi kampion bote i Shqipërisë

E Mërkurë, 03.19.2014, 09:34am (GMT1)



Ymer Pampuri, ish-kampioni i botës në peshëngritje, flet për gazetën "Shekulli", harresën nga regjimi komunist dhe mungesën e vëmendjes nga institucionet sportive sot

Mosha nuk bëhet pengesë për ndjekjen e pasionit, sepse ishkampioni i botës në peshëngritje Ymer Pampuri ka moton: "Unë besoj...", që i jep forcë të ndjekë ëndrrën e tij. Që në moshën 7-vjeçare kur zbulohet si talent, prioritet i tij bëhet peshëngritja. U shpall kampion kombëtar me peshën 120 kg, kur ishte 20 vjeç dhe në 1972 shpallet kampion bote. Sot, ai jeton i vetëm në një banesë shumë të vogël dhe me të ardhura që nuk i dalin as për asistencën mjekësore. Në këtë intervistë për gazetën"Shekulli" ai rrëfen rrugëtimin e tij nga kampioni tek i burgosuri dhe më pas tek jeta e një pensionisti që përsiatet mes varfërisë.

Si ju lindi pasioni për peshëngritjen?

 Që në moshën 7-vjeçare kam qenë pjesë e cirkut. Pasioni më bëri të merrem me peshëngritje, megjithëse kushtet nuk ishin të mira. Ushtroheshim në baraka, ku më shumë thithnim pluhur sesa stërviteshim. Edhe mjetet nuk ishin të mira. Peshëngritja shihej si një sport amator. Rreth viteve '65-'66 në Shqipëri erdhën teknikë nga Kina, të cilët sollën me vete edhe mjetet. Atëherë, ne nisëm të stërviteshim si duhet. Kur shpreha dëshirën për të marrë pjesë në aktivitetet evropiane dhe botërore, askush nuk më mori seriozisht. Madje, ngaqë thosha se do të dal kampion, më kanë çuar dy herë për kontroll psikik.

Çfarë ndodhi kur dolët për herë të parë jashtë vendit?

Për herë të parë kam shkuar në Rumani, në vitin 1972. Aty pashë tjetër botë, shumë ndryshe nga Shqipëria. Pashë për herë të parë shtanga me gomë. Nga emocionet, shumë sportistë shqiptarë dështuan. Unë ngrita   të njëjtën peshë me atë që u shpall kampion, por u vlerësova me medalje argjendi sepse peshoja më shumë.

Si e kujtoni momentin kur u shpallët kampion bote?

 Unë nuk isha njohur me rregullat e olimpiadës dhe në provën e parë u dogja, sepse më mbaruan sekondat për ekzekutimin e saj. Në provën e dytë, shtova direkt dy kg për të kompensuar humbjen e parë. Ngrita 125 kg. Në provën e tretë ngrita 127.5 kg duke thyer rekordin botëror. Në sallë kishte shumë shqiptarë, që jetonin jashtë në atë kohë, kryesisht nga Kosova, të cilët kur ngrita flamurin shqiptar, më duartrokitën shumë. Pasi mbaroi kampionati, kam qëndruar rreth një orë duke dhënë autografe. Ky mbetet ende një rekord i pathyer, sepse stili i forcës u hoq si disiplinë, pasi u konsiderua i dëmshëm për shëndetin.

Si ju pritën në Shqipëri kur u kthyet?

Nuk më priti askush. Vetëm familja më priste. Pas pak ditësh, më thirrën në Komitetin Qendror dhe më dënuan, sepse kisha dalë  në një televizion të huaj dhe kisha dhënë intervistë. Edhe pjesëtarët e tjerë u ndëshkuan në forma të ndryshme. Arritja ime mbeti në hije për shkak të këtij problemi. Më vonë, gjatë stërvitjes pata një problem shëndetësor, por askush nuk u kujdes për mua dhe pësova trombozë.

 Sa medalje keni gjatë gjithë karrierës suaj?

Pothuajse në të gjitha aktivitetet ku kam konkurruar kam dalë me medalje, por nuk kam asnjë prej tyre. Më ka mbetur vetëm një fotografi, që ma dhanë në Gjermani kur u shpalla kampion bote. Gjashtë medaljet që kisha dorëzuar pranë klubit "17 Nëntori" u vodhën gjatë 50-vjetorit të klubit.

 Çfarë ndodhi me ju pas viteve '90?

U përqendrova tek cirku, ku punova derisa dola në pension. Nga insistimi i miqve mora pjesë edhe në dy kampionate peshëngritjeje për mjeshtër. Pastaj nisën problemet shëndetësore që nuk më dhanë mundësinë të jem aktiv. Jam lënë në harresë nga të gjithë. Me rastin e 70-vjetorit tim u organizua një ceremoni, me nismën e Z. Elez Gjoza, ku u mblodhën sportistë e miq. U ndjeva i nderuar, pasi pas shumë kohësh arritjet po më njiheshin.

Çfarë ju ka munguar këto vite?

Pas vdekjes së bashkëshortes, jeta më është vështirësuar shumë. Kam një pension prej 20 mijë lekësh, që nuk më mjafton as për asistencën mjekësore. Do të doja të aktivizohesha në një palestër që të përcillja përvojën time tek të rinjtë. Kam dërguar disa letra në ministri, në federatë dhe në Komitetin Olimpik, por nuk kam marrë përgjigje.  

Ymer Pampuri, i vetmi kampion bote i Shqipërisë

Zyrtarisht i konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (International Weightlifting Federation)

Kur ishte vetëm 20 vjeç peshëngritësi Ymer Pampuri u shpall kampion kombëtar dhe këtë titull e mbajti për disa vite. Rumania ishte vendi ku Pampuri në vitin 1972, do të konkurronte mes shumë talentesh nga Europa, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer. Ai u shpall nënkampion Evrope dhe mori medaljen e argjendit me peshën 125 kg. Më 29 gusht 1972 në Munih të Gjermanisë, ku zhvilloheshin Lojërat e njëzeta Olimpike dhe Kampionati Botëror i Peshëngritjes shpallet kampion i botës në stilin e forcës në kategorinë 60 kg me peshën 127.5 kg. Me këtë peshë ai theu rekordin olimpik të legjendarit Yoshinobu Miyake të Japonisë, rekord i vendosur prej tij në Olimpiadën e Tokios (1964), madje fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko, por në Munih u rendit i katërti. Në Kampionatin Olimpik në tre-garësh, Ymer Pampuri arrin shifrat 342.5 kg, duke thyer rekordin   kombëtar të deriatëhershëm me 15 kg dhe duke u renditur i nënti në klasifikim. Titulli kampion bote ishte kuptimplotë si për peshëngritësin ashtu edhe për trajnerin e tij Zydi Mazrekun.

 Nga mungesa e përvojës dhe eksperiencës në garat jashtë vendit, ekipi shqiptar ishte i paqartë për medaljen e marrë nga Pampuri; A ishte një medalje olimpike apo një medalje e kampionatit botëror. Peripecitë që i ndodhën Pampurit si dhe situata politike në vend para viteve '90 e lanë në mjegull këtë çështje. Shtypi i kohës shkroi se Ymer Pampuri mori medalje olimpike, pasi informacioni që ata merrnin ishte i cunguar. Asnjë gazetar nuk e shoqëronte delegacionin shqiptar kur dilte jashtë vendit. Po të shohësh në faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (International Weightlifting Federation), në faqen ku jepen vendet dhe datat e zhvillimit të Kampionateve Botërore qysh nga 1891  të tërheqin vëmendjen gjashtë vite. Poshtë tyre thuhet: "Lojërat Olimpike të viteve 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984 llogariten edhe si Kampionate Botërore".

Po të kalojmë tek kolona e medaljeve (Medals in Olympic Games and World Championships 1891-2000) tek "Të rritur" (seniors) në kolonën "G" ("Gold" Ar), gjejmë: "ALB 1", që do të thotë se Shqipëria ka një medalje ari, atë të fituar nga Ymer Pampuri. Në 2006-ën, kur ishte 63 vjeç, Ymer Pampuri vazhdon ëndrrën e tij duke konkurron mes 165 peshëngritësve të tjerë në Kampionatin Botëror për Mjeshtër në Francë, si dhe në Kampionatin Evropian për Mjeshtër të zhvilluar në Shopenazen Gjermani. Shteti Shqiptar e ka nderuar Ymer Pampurin me titujt "Mjeshtër i Merituar i Sporteve", "Mjeshtër i Madh i Punës", si dhe me urdhrin "Naim Frashëri" i klasit të parë.    

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.