E Shtunë, 04.20.2024, 07:13am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
DISA MENDIME MBI GJENDJEN DHE RIORGANIZIMIN E SHKENCËS NË SHQIPËRI
Nga Prof. Dr. BETIM MUÇO*

E Djelë, 04.13.2014, 08:35am (GMT+1)



Çdo riorganizim i shkencës në Shqipëri pas viteve 1990 është bërë i mangët e i cunguar dhe ka lënë shkas shumë shpejt për...... të tjera reformime e riorganizime. Nga njëra anë ka qenë përpjekja e brezit të vjetër të akademikëve e shkencëtarëve për të ruajtur strukturat e vjetra apo për të mos lëvizur shumë prej tyre, kurse nga ana tjetër ka qenë etja e më të rinjve dhe e të lënëve mënjanë nga pushteti komunist, duke përfshirë edhe politikanët e krahëve të ndryshëm, për ndryshime e reformime të shpejta e të gjithanshme. Të tilla përpjekje kanë qenë përgjithësisht pa vizione të qarta e njohuri të plota dhe kanë rezultuar në sajesa amatoreske e organizime që shumë shpejt koha i ka nxjerrë të pavlefshme apo me vlera minimale.

Vende të ndryshme në botë kanë forma të ndryshme të organizimit të shkencës. Në shumë vende perëndimore, si rezultat i një zhvillimi kohëgjatë të bizneseve private sektorë të ndryshëm shkencorë janë të lidhur ngushtë dhe të ushqyer nga këto biznese.

Në SHBA fillesat e mjaft novacioneve shkencore janë kryer kryesisht nëpërmjet konkurrencës së lire mbështetur në intuitën dhe mendjen e fuqishme individuale dhe më pas janë zhvilluar mbi bazë organizimesh e korporatash më të mëdha. Jo më kot në SHBA ka një mit për shkencën e teknologjinë e bërë në garazhe. Universitetet, qofshin ato private apo shtetërore kanë luajtur e luajnë gjithashtu një rol të madh në zhvillimin shkencor e teknologjik. Në to janë me dhjetëra nobelistë me kontribute të mëdha në shkencën e teknologjinë e sotme. Veç fondeve që degë të ndryshme të shkencës e teknologjisë marrin nëpërmjet departamenteve përkatëse, si mbrojtja, bujqësia, shëndetësia e të tjera, apo nga organizata të fuqishme shtetërore si NASA, USGS etj, studimet shkencore bazë jo me përfitim të drejtpërdrejtë komercial, shteti i financon nëpërmjet Fondacionit Kombëtar të Shkencës (NSF). Ky është një lloj komiteti shkence që merr nga Kongresi fondet e buxhetit për shkencën dhe i shpërndan në degë të ndryshme të shkencës nëpërmjet organizmave gjithbashkuese shkencore. Një i tillë është për shembull, Institucionet Shkencore të Inkorporuara të Sizmologjisë (IRIS) që përmbledh të gjitha qendrat shkencore dhe departamentet e ndryshme gjeofizike që studiojnë sizmologjinë në të gjithë vendin. IRIS i shpërndan fondet në bazën e projekteve konkurrente të paraqitura dhe vë në dispozicion të institucioneve anëtare të saj instrumente, pajisje dhe bazën e të dhënave të veta.

Vendet lindore evropiane trashëguan sistemin e akademive të shkencave ku këto akademi qenë strukturat kryesore që nëpërmjet instituteve e qendrave në vartësi kanë realizuar zhvillimin shkencor. Ky sistem u ka lënë pak rol universiteteve në studimin shkencor duke u përqëndruar kryesisht në institucionet e profilizuara që janë nën ombrellën e akademive. Një sistem i tillë u zhvillua në periudhën komuniste në Shqipëri dhe nuk mund të themi se ai nuk dha rezultate. Duke lënë mënjanë ideologjizimet e kohës që u ndjenë e dhanë ndikim sidomos në shkencat shoqërore, në shkencat teknike e të natyrës u arritën zhvillime të rëndësishme. U ngritën disa shërbime bazë për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave hidrometeorologjike, sizmologjike e radioaktive dhe u zhvilluan në nivele bashkëkohore degë të ndryshme si gjeologjia, gjeofizika, sizmologjia, meteorologjia, hidraulika, informatika, fizika bërthamore, matematika, shkencat bujqësore e veterinare etj. Shumica nga to mbetën në aplikime të shkencave bashkëkohore, por ndërkohë u kryen erdhe studime të mirëfillta në fusha të ndryshme.

Pas rrëzimit të sistemit komunist, Shqipëria ngriti një komitet të shkencave i cili qe më vete Ministrisë së Arsimit. Ky komitet u hallakat ca vite pa ditur ç'të bënte dhe e vetmja gjë që bëri ishte unifikimi i gradave shkencore kandidat i shkencave dhe doktor i shkencave në një. Ky barazitizëm i shëmtuar bëri që të jenë njëlloj profesorët me një gradë shkencore me ata me dy grada duke i hapur rrugë kësisoj një bollëku profesorësh që nuk e ka vend tjetër në botë. Në botën perëndimore, profesor është vend pune, jo titull. Mund të konkurrosh për këtë vend pune në aksh institucion apo universitet dhe të jesh profesor deri sa ke këtë vend pune. Kur nuk e ke më nuk je i tillë.


Akademia e Shkencave i mbajti edhe për ca kohë institucionet shkencore në vartësi dhe futi në gjirin e saj pa asnjë kriter të qartë edhe anëtarë të tjerë edhe nga fushat e artit. Listat e akademikëve u shtuan, pakësuan apo ndryshuan sipas hostenit të politikës dhe kjo shkoi deri në krye të dekadës së parë të shekullit që rrojmë, kur u bë me gjasme, reformimi i fundit i shkencës: institutet dhe qendrat kërkimore iu hoqën akademisë dhe iu dhanë universiteteve shtetërore apo një pjesë hynë në vartësinë e drejtpërdrejtë të ministrisë së arsimit e shkencës. Kjo ka qenë periudha më e shëmtuar në historinë e kësaj akademie. Listat e anëtarëve të saj mbushën me njerëz që në shumë raste nuk kanë apo nuk kanë pasur asnjë lidhje me kërkimin e mirëfilltë shkencor dhe e vetmja meritë e tyre kanë qenë lidhjet politike apo klienteliste. Nga ana tjetër, qendrat dhe institucionet shkencore u reduktuan dhe u bashkuan pa kriter nën streha joproduktive.

Lidhja e kërkimit shkencor me mësimdhënien, një nga qëllimet e reformës së kryer, nuk funksionoi pothuajse aspak për shkak të problemeve të shumta që kishin e kanë universitetet shtetërore dhe bashkëjetesës me ato private. Këto institute konglomerate nuk kanë autonomi financiare, por varen nga thërrimet që u japin rektoratet. Struktura dhe investime të vjetra, pronë e shtetit, si për shembull godinat e shumta të ish rrjetit sizmologjik, janë lenë të shkatërrohen se nuk ka fonde për t'i mirëmbajtur. Jo larg qendrës së Tiranës, në Linzë, është një goxha godinë, ish stacioni sizmik i Tiranës, me rreth dhjetë dhoma e salla që i shfrytëzohet vetëm një bazament në tunelin e saj, kurse e gjithë godina rri kot e ruhet nga një polici private. E njëjta gjë ka ndodhur me laboratorin e hidraulikës në Tiranë, një investim me kosto të lartë dhe shumë i vlefshëm për modelimin e rrjedhjeve ujore dhe të hidrocentraleve dhe kjo në kohën kur janë projektuar e projektohen me dhjetëra hidrocentrale të vegjël.

Një gjë tjetër që duhet theksuar është që me riorganizimet e kryera, janë dëmtuar mjaft arkivat dhe bibliotekat e qendrave kërkimore dhe instituteve. Nga to janë zhdukur e janë keqpërdorur shumë prej bazës së të dhënave, kopjet e disertacioneve që dorëzoheshin detyrimisht dhe dosjet e plota të projekteve e kërkimeve shkencore të ndryshme për të mos thënë se mungojnë të gjitha librat me vlerë që këto biblioteka kanë pasur.

Janë disa shërbime bazë që në asnjë vend të botës nuk janë privatizuar po kanë mbetur të shtetit. Të tilla janë shërbimet sizmologjike, hidrometeorologjike, radiometrike, astrofizike dhe të lëvizjeve të ngadalta të nëntokës. Në SHBA ka firma apo agjenci private që kryejnë studime të detajuara të rrezikut sizmik në raste ndërtimesh të veçanta, apo studime hidrologjike e të tjera, por ato kanë në bazë rrezikun sizmik, apo hartat e të dhënat hidrologjike të dhënë nga institucionet shtetërore. Specialistët e këtyre agjencive janë me të vërtetë privatë dhe nuk punojnë në këto institucione shtetërore. Në Shqipëri këto grupe private marrin rrogë nga institucionet përkatëse ku punojnë e me të cilët kanë konflikt interesi, përdorin të dhënat aktuale të këtyre instituteve dhe shpesh herë edhe kohën e punës e pajisjet e tyre dhe futin në xhepat e tyre fitimin. E gjithë kjo skemë në mjaft raste është e dyshimtë. Në rastin e studimeve sizmike, në qoftë se në projektimet tona është futur Eurokodi, atëherë nuk ka nevojë për të tilla studime "˜të posaçme'. Kjo praktikë vazhdon ende me një vendim qeverie dalë përpara se Eurokodi të hynte në zbatim dhe që shërbente edhe për të fuqizuar financiarisht institutet, edhe pse nuk ekziston në asnjë vend të botës.

Një tjetër aspekt që duhet ndrequr në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e shkencës në Shqipëri është mënyra e zgjedhjes së shefave të katedrave, departamenteve, dekanëve, drejtorëve e rektorëve. Ashtu siç bëhet tani, zgjedhja shpesh kombinohet me emërime të përkohshme (apo thjesht me emërime). Emërim i përkohshëm, do të thotë që personi i emëruar të bëjë gati terrenin për të përgatitur zgjedhjen e tij. Kudo në botë, pozicione të tilla bëhen të njohura për të gjithë komunitetin shkencor. Shpallen paga, kriteret, detyrat që do të kryejë personi që do të mbushë këtë pozicion si dhe kriteret dhe aftësitë që duhet të ketë ai. Dhe një person i tillë mund të konkurrojë edhe nga jashtë katedrës, departamentit, institutit, universitetit, kur i plotëson kriteret e vëna.

Kurse në praktikën shqiptare këto zgjedhje (edhe kur bëhen zgjedhje) bëhen duke mobilizuar grupet e njerëzve që janë brenda strukturave dhe ku drejtori, dekani, rektori për ta rifituar postin përpiqen të kapin fije mbështetëse përmbi ta dhe të përdorin skema e manipulime nga më të ndryshmet për të eliminuar kundërshtarët. Veç kësaj këtë zgjedhje e bën një bord apo personel shkencor që aktualisht është nën vartësinë e shefit të departamentit apo të katedrës, të drejtorit, dekanit apo rektorit dhe që personi që zgjidhet mund t'i mbajë fare mirë lidhur me premtime apo shantazhe të rëndomta. Këto zgjedhje detyrimisht duhet të bëhen me konkurrencë të hapur nga brenda dhe jashtë strukturave dhe përzgjedhjen ta bëjë një instancë më lart se ajo e katedrës, departamentit, drejtorisë, dekanatit apo rektoratit.

Botimet e referimet shkencore duhet të bëhen baza e vlerësimit të punës kërkimore shkencore për një individ. Të botosh në revistat shkencore të fushave të ndryshme apo të referosh në veprimtaritë shkencore, nuk të bën punë as tarafi e as miqësia, as ombrella politike e as llogaritë bankare. Me zhvillimin e internetit, botimet e referimet shkencore të njërit apo tjetrit janë lehtësisht të aksesueshme. Le të bëhet një bazë të dhënash për të gjitha botimet e referimet shkencore të shkencëtarëve dhe studiuesve shqiptarë brenda e jashtë vendit dhe le të pasurohet ajo vit pas viti. Kjo bazë të dhënash do të shërbejë më së miri për promovimin dhe vlerësimin e kujtdo që bën pjesë në kërkimin shkencor.

Ecuria dhe gjendja aktuale e zhvillimit shkencor e teknologjik në Shqipëri kanë treguar se lidhja e kërkimit shkencor me mësimdhënien në universitete ishte sipërfaqësore dhe krejtësisht e dështuar. Për këtë lidhje nuk është e nevojshme që të gjitha institucionet kërkimore shkencore të jenë nën suazën e rektorateve. Vetë institucionet mësimdhënëse, në rast se do t'u interesojë sadopak kërkimi shkencor do të jenë të interesuara të kenë lektorë, studiues e shkencëtarë nga institucionet kërkimore shkencore.

Mendimi im për organizimin e ardhshëm të shkencës në Shqipëri është sa më poshtë.

-Së pari, nuk kemi pse të kemi frikë prej emërtimit Akademi e Shkencave sepse ka reminishenca lindore. Në Gjermani në vitin 2008 u krijua një akademi e shkencave dhe inxhinierisë. Të gjitha institutet dhe qendrat kërkimore duhet të kthehen në formën e mëparshme dhe të fuqizohen edhe më. Rëndësi duhet t'i kushtohet shkencave që kanë mbledhje rutinë të të dhënave, sepse ato janë baza e studimeve të mëtejshme në ato fusha.

-Akademia e ardhshme të ketë dy degë. Njëra do të jetë korpusi i akademikëve me një numër fiks anëtarësh që të mos rritet e pakësohet sipas qejfit të pushtetarëve e politikanëve. Tjetra do të jetë dega ekzekutive me një sekretar të përgjithshëm dhe një kryetar të akademisë që mund të mos ketë të bëjë me korpusin e akademikëve. Kjo degë ekzekutive do të drejtojë mbarëvajtjen në institutet dhe qendrat shkencore që duhet të kthehen ku kanë qenë.

-Korpusi i akademikëve do të jetë organi ku ekzekutivi parashtron e merr miratim për zhvillimet e planet afatgjata shkencore dhe çështjet më me rëndësi për shkencën. Akademia do të ketë në këtë mënyrë pjesën më të madhe të buxhetit të shkencës duke lënë vetëm atë pjesë që u takon atyre institucioneve që nuk do të jenë nën ombrellën e saj. Vartësia e Akademisë të jetë drejtpërsëdrejti nga Këshilli i Ministrave.

- Korpusi i akademikëve të zgjidhet mbi bazën e kritereve të shpallura e të qarta dhe të gjitha CV-të dhe veprimtaritë e kandidatëve të vendosen në një faqe të posaçme uebsajti. Zgjedhja të bëhet nga një komision jashtë akademik me përfaqësues nga institucionet shkencore dhe profesorati i universiteteve. Zgjedhjet e akademikëve të shpallen gjithashtu në uebsajt.

- Të ndahet Akademia e Shkencave nga hyrjet e reja të artit që janë praktikuar vitet e fundit. Akademia e Arteve mund të jetë një akademi honorifike më vete, ku të bëjnë pjesë organizatat e shkrimtarëve e artistëve të tjerë.

- Të fuqizohen revistat shkencore të vendit e të vihen ato mbi baza të vërteta profesionale për t'u ngjarë simotrave të tyre jashtë.

Riorganizimi i ri i shkencës e teknologjisë në Shqipëri nuk duhet të bëhet në heshtje e me ndonjë komision anonim. Ky riorganizim kërkon debat të fuqishëm e aktiv në komunitetet shkencore e universitare dhe vëmendje më të madhe nga autoritetet më të larta të vendit. Ai duhet shoqëruar me një rritje të buxhetit për shkencën, buxhet i cili aktualisht është i papërfillshëm dhe më i vogli në Evropë. Shqipëria ka në gjirin e vet studiues e kërkues dinjitozë dhe një rini aktive e mendjehapur që do të mbushë aradhat e kërkimit të ardhshëm shkencor e teknologjik. Është e pafalshme që në demokracinë sado të mangët e problematike që jetojmë sot, të ketë më pak kërkim shkencor e zhvillim teknologjik se sa në diktaturë. Pa vëmendjen serioze të shtetit e shoqërisë, shkenca në Shqipëri do të mbetet një domen i pahipotekur, si një ndërtim pa leje dhe kur të bjerë fjala për shkencën shqiptare, shqiptarët do të vazhdojnë të zënë ngoje nëpër kafenetë e shumta vetëm ndonjë Karl Gegë si ai që projektoi tunelet e Zvicrës apo ndonjë Ferid Murat si ai që bashkëshpiku viagrën.
-
* Autori është konsulent i Incorporated Research Institutions for Seismology (IRIS), SHBA

Prof. Dr. BETIM MUÇO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KY BURRË, AZGAN HAKLAJ, IA LANË NDEREN SHTETIT TË VET...Nga MARK DUSHA, historian, Tuzi – Malësi, Mali i Zi (04.12.2014)
A ISHTE ENVER HOXHA “ATEIST”?!Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (04.11.2014)
PSE HESHTIN 'INTELEKTUALËT OPOZITARË'?Nga FADIL LUSHI (04.10.2014)
HËNA VERDHANE E BEN BLUSHIT Opinion nga KOLEC TRABOINI (04.09.2014)
NË TUZIN E FLAMURIT TË DEDË GJO’ LULIT “ASHTI I KOMBIT” I AZGAN HAKLAJT-Fjalë në promovimin e librit “Ashti i Kombit” i Azgan Haklajt në Tuzi të Malësisë, tek kulla e Dedë Gjo’ Lulit -Nga RAMIZ LUSHAJ (04.09.2014)
LAOKOONTI  E  SHQIPTARËT...Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (04.08.2014)
EEEH...!Nga ZOG HYSENAJ (04.07.2014)
TË GJITHË 'MITE' DHE ASKUSH PROMETE!Nga ILIR PAJA (04.05.2014)
MASKA E DOBËT E KORRUPSIONIT DHE RASTI I BUTRINTITNga ARBEN KALLAMATA (04.05.2014)
SHEFQET HOXHA FESTON MES LIBRAVE 80-VJETORIN E DITËLINDJES…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]